Albspirit

Media/News/Publishing

Krenar Zejno: Triptik i kurbanit të Markove

Në shtysën e ndjerë të diçkaje për të thënë mbi Markot, në ditën e varrosjes së Safos, pa qenë aty por nga ana tjetër e liqerës në Strugën e festivalit të poezisë ku mbërrin edhe lajmi i mortjes, po kompozoj këtë triptik duke i shtuar dy eseve të mëparshme, të tretën e lidhur me të vërtetën: vdekjen që nuk të pyet për ditën e saktë të mbërritjes.

 

Kur kurbani kërkon tablonë

Safo! Se kjo ekspoze meriton të thirret veçse shkurt e poetikisht, në emër. 40 tablo vaji ndër vite, ndërsa rrinë pas tyre mbi 200 vepra për t’u vajtuar. Si, e në ç’kuptim? Të murosura nën njëra-tjetrën, dhe e di pse? Sepse piktorja Safo, kur s’kishte beze, kur s’kishte si të kishte beze pra, e kryente mirë e mirë tablonë, e pastaj e shkatërronte; por, aspak sepse nuk i mbushte mendjen a s’i pëlqente dhe aq. Jo. Por ngase s’kishte tjetër pëlhurë e mundësi, ndaj mbi mortjen e së njëjtës tablo sërish rikrijonte jetë, veç ngaqë i vinte sërish afshi të pikturonte. E ndërsa fati s’u tregua aspak i mëshirshëm, tek ia pat ngarkuar barrën e dhimbjes keq e më keq në kurriz, artistja bënte të pikturonte dhe vetë këtë dhimbje, si palimpsestet antike ndër cipat e papiruseve ku gjenden shkrime përmbi shkrime më të hershme. Kjo bëmë e rrallë prej mungesave edhe mjerimit, ekspoze e shfaqur në kohët e sotme, lyp një ese më vete. Rastësisht me dashje, ky motiv dhe rezultat destruktiv mund të jetë rast unikal në historinë e pikturës. Por sot do të mbetemi në shfaqjen e motiveve të Safos në tablo, në formën e enëve qeramike dhe shportave me portokalle. Mes të cilave vizaton e pikturon Venuset që i shfaqen, herë vetmitare e herë bashkërisht, sikur të donte të strukej e prehej veç në shoqërinë femërore të tyre. Dhe fati vijonte për kohë të tëra të mos i lejonte që ta kishte kollaj, qoftë edhe një copë pëlhure. Atëherë artistja shtrëngohej përsëri të punonte një tablo të re, dhe prapë mbi pikturën e sosur dhe të përfunduar, mbi veprën e kryer e të bërë. Deri sa t’i vinte radha për kurban, sikur dashit të kopesë, gjer dhe veprës që ndonëse e adhuronte më shumë. Piktura i pat mbetur, dhe pa pikturën ajo jetë, plot e përplot me derte, do t’ishte e pamundur. Dhe vijonte të shtresëzonte njëra mbi tjetrën artistja: nevojën vitale për të krijuar, duke mohuar kësisoj të mëparshmen, edhe fizikisht. Varrosur nën këtë marrëdhënie krejt të veçantë kurbani tablosh e veprash, si të erosit – mit i krijimit me thanatosin dhe shkatërrimin. Shfaqur përmes bukurive femërore në bregdetin e Jonit të Petro Markos, të hijeshisë së vajzave të valëve që i shfaqeshin veçse një herë përpara, sikur t’ishin prej një bote hyjnish. Kështu, peneli do të duhej ta fiksonte fotografikisht çastin, ngaqë kur t’i shihte mbase përsëdyti: këto vajza tanimë do të ishin gra shamizeza e mandej plaka. E gjitha kjo si brenda një grushti ditësh, nën peshën e barrës ngarkuar monopateve.

Asnjë Apollon i pranishëm në tablonë apo kurbanin e Safos! Me sa duket ajo s’e sheh Apollonin sipas Pindarit, tek dhuron kitharën dhe u fal Muzën të frymëzuarve, por siç e rrëfen atë Aristofani: edhe zot të therorisë dhe kurbanit të njerëzisë së Delfit, që mëton edhe shërbëtorët e vet me zanatin e thertorit. Safo Marko është në një pafundësi vizatimesh e ilustrimesh që na mbajnë aq të lidhur me fëmijërinë, me revistat dhe qindra kopertina e libra të asokohe njëngjyrëshe. Me ato linja lakonike moderniteti, qafash alla Modiglian e ngjyrash fouves, në një kohë zotërimi monokromik, gati absolut, të së pangjyrës gri. Dhe mbeti i njëjti lajtmotiv në veprën e Safos – degëza e paqme e ullirit dhe ena e baltës ndër krahë vashash, si për t’i kumtuar shikuesit përballë tablosë, pikërisht, se poshtë asaj që duket është një legjendë e murosjes, nga e cila do të lihen në pah përmes tablosë objektet kult – degët dhe qeramikat – si t’ishin reperte arkeologjike. Femër, gjithandej dhe vetëm femra ndër veprat dhe tablonë aq egërsisht të brishtë të Safos. Në peizazhe, sa të njohur e real aq dhe prej ëndrrash të murrme, ndanë kodrinave ngjyrë elefanti ku deti hapet, krejt befasisht, pas hullive e honeve të thekshme dhe të thepisur si një kokë poeti e krisur. Si një e prerë thike në mishin verbal a piktorik. Dhe femra që shpërfaqet në mes si një totem. Në një tribu si e jona, ku njerëzia nuk vritet për të bukurën sublime si te Homeri e Iliada, madje jo rrallëherë edhe e vret atë, por, si në rastin e çdo totemi, nuk e ha gjysmën e vet. E varros duke i vënë pranë një degë ulliri, një frut dhe një bucelë me ujë.

Tiranë, Zenit prill 2008

* * *

Jam arbёr: I vetëvrari – rastësisht me dashje – i shoqёrisё

I lë vendin një zogu në pemë / Dhe fluturoj / I lë vendin një trëndafili në shtëpi /Dhe iki

I lë vendin një shoku në rrugë /Dhe mungoj/ I lë vendin një meteori që bie /Dhe rëzohem

“Rastësisht me dashje” – titulli ekzakt i vëllimit me poezi nga Jamarbër Marko, atij që sot vendosi të vdesë. Atij që në buzë të ikjes poetike pat thënë në vetën e tretë, a për tjetrin e vetes, se Madu Markon shkuan ta arrestonin, por ai tashmë kishte vdekur. Për të mbërritur dyzimin e vet poetik, e pat refuzuar prej kohësh gjithçka që do mund ta mbante normalisht në jetë; në këtë jetë që me fatin e rezervuar ndaj Markove, pat refuzuar prej kohësh të shfaqte bujari. E kështu, Madu e pat refuzuar prej kohësh praninë në shoqëri përveçse poetikisht, pse ishte më e para shoqëria ajo që kishte refuzuar me kohë e tanimë gjenerata: praninë e saj tek ai.

Dhe ai, prej kohësh banonte në ëndrrat me sy hapur që shënjojnë çdo gjest poetik. Toka që digjet si letër/Pranë buzëqeshjes që shpreh fshehtësi/Qielli që mbyll plagët/Pranë habisë, dashnores së tij/Njeriu që gëlltit një jetë/ Pranë vetes dhe pamundësisë.

Ke frikë nga vdekja? Pyetjes që “shoqëria” intime e seancave të dehjes dhe poezisë i bëri dikur, duke e fshehur veten në vetën e tretë, poeti i qe përgjigjur me shpotinë e vet: “Dy herë më shumë dhe një herë më pak, sepse kur ajo vjen s’e dallon dot, po iku, ke një moment zhgënjimi”. Kishte kohë që ëndërronte sy hapur si nën atë makthin që la pas vetes Kafka: ah, sikur të kisha mundësi të mos vdisja, por ama, pa qenë i detyruar të mbetem gjallë! Një ditë tjetër Jamarbri tha për veten: Iki, por nuk di të kthehem! Shprehje sa diturake edhe poetike, nga ato që ta trandin prehjen mes rastësisë dhe dashjes në këtë botë. Nuk di të kthehem! E vlen vërtet ky kumt të jetë titulli i vëllimit postum të poezive të tij të pabotuara, që presin të zbresë si nga qielli një mirëdashje e të bjerë bëlldum në gji të kësaj si punë shoqërie, e të ndih e të bëjë të mundur një të pamundur për shoqërinë: rikthimin për një çast, përmes botimit të veprës, të një poeti e marazi poetik mjaft të veçantë. E kjo s’mund të ngjasë, aq më tepër kur një mendim i shkarë nga reshti dhe rendi i gjërave – që duket sikur bërtasin “na lini të jetojmë siç jemi mësuar”- përbën rrezik.

Të lësh një vend bosh/Në jetë/Të kthehesh përsëri/Për ta plotësuar./Të lësh një vend bosh/Në radhën e njerëzve./Të kthehesh përsëri/Për të qenë ti.

“Rastësisht me dashje” – titulli i vëllimit poetik të Jamarbrit, që jo rastësisht na shpie te ndershmëria e rebelimi model i Petro Markos, arti i të cilit e shpalli me vepër atdhedashurinë, e shenjuar edhe përmes emrit të të birit, ashtu si dhe zemëratën e qëndresën ndaj ligështisë së shoqërisë. Shoqërisë që s’ia kurseu burgosjet, tri herë radhazi, vulosur prej ndëshkimesh me arsyetime krejt të përkundërta, si nën një farë regjimi monarkie, ashtu edhe nga fara e fashizmit, e mandej edhe nga ai farë komunizmi. Ndoshta, edhe kjo hyn ndër gjërat unikale të kësaj bote.

“Rastësisht me dashje” – si lajtmotivi në atë ekspozitë të Safos në Zenit, ku i biri tek kundronte pikturat dhe dëgjonte fjalën e çeljes se si “kurbani kërkon tablonë”, nuk po e fshinte e fshihte asfare lagështinë e syrit. Po qante mu përpara tablove me peizazhe jonian arbërie, në ngjyra si prej ëndrrash të murrme… Tablo vaji ku çdocila pëlhurë mbante, shtresë pas shtrese, dhjetëra vepra për t’u vajtuar. Të ndehura njëra nën tjetrën, mbi pikturën e sosur dhe të përfunduar, mbi veprën e kryer e të bërë, që kishte radhën për kurban. Nën atë ngjizje të haresë së pamjes në tablo me tmerrin jashtë saj, jetës me vdekjen, që nuk mund të mos kalonin edhe në vargje Jamarbëri: Kërkoj/ Në këto gjethe të thara/ Ca liri. /Kërkoj/ Te këto dete të tmerrshëm/ Ca liri/ Pranë meje kalonin gjurmët e mia.

 “Rastësisht me dashje” – Si aktet përmes së cilave, shoqëria ka vetëvrarë edhe Van Gogun, Nervalin apo Artonë, me atë “rrapëllimë korbash të zinj nëpër dejet e pemës” në rropullitë e kokave të tyre. Por që, mbase ka mbërritur tashmë të paktën diturinë mbi rrezikun e delirit të vet, delirit malinj me gjëra prej burgu, elektroshoku, dhe magjie të zezë komandash rastësisht me dashje. Një bashkësi që kërkon ta bëjë veten vërtet, apo qoftë ta mbajë veten të emërtuar si shoqëri, të parin gjest ndjese e shprese do ta bëjë kur nga bëmat e saj të liga: të ketë turp. Mëpastaj, të parin hap drejt vetëdijes shoqërore si njerëzi e organizuar, atëherë kur të mos ketë turp ta quajë çdo trajtë e vijim të këtij soji: krim i organizuar.

Tiranë, Zenit korrik 2011

* * *

Kur tabloja kërkon kurbanin

I gjendur në Strugën e ditëve të festivalit të poezisë, sot lajmi i parë nga matanë liqerës më erdhi për të thënë ikjen e Safos. I kishte bërë ditët e perëndisë për të shpëtuar nga hallet, që përpara se të shihte ndër mjegullën e mortjes që e kish pllakosur edhe vetë vdekjen e të birit. Sa e udhës dhe sa e drejtë do ishte ta kish thirrur xhebraili qysh atëherë. Shpresoj të ketë qenë e shurdhuar pak më parë, kur plasi ajo zdërhallja e llafeve me dosje sigurimi. Që plasi sa të ngrehte një tablo peizazh me në qendër një trekëmbësh imazhi me emër poeteshe, figurë piktoreje dhe femër spiunazhi. E në qoftë e vërtetë se Safo ka qenë vërtet bashkëpunëtore e sigurimit, domethënë kur dosjet të hapen vërtet një ditë për të ditur ca të vërteta të sakta – e jo si gjueti selektive e shtrigave -, nuk është çudi të mësohet aty edhe tmerri i saktësisë së presionit mbi gra, artiste, nëna. Të cilave, për të liruar të birin nga burgu i tmerrshëm, u kërkohej kushti i lemerisë ekzistenciale për të firmosur diku në këmbim të lirisë së pjellës së tyre nga qelia. E që ata ta përdornin – a thua se s’kishin mundësi për tjetër dëshmi! – për të zëvendësuar kokë për kokë njërin djalë me një tjetër bir nëne. E kështu do të na shfaqej ai mozaik i turpshëm i një kolektiviteti ku individi në zgrip, mes krimit çnjerëzor ndaj tjetrit dhe tundimit njerëzor për vetëmbrojtje e shpëtim, rrëzohet. Dhe se si jetët shkatërrohen njëra bri tjetrës, duke përfshirë sa më shumë të jetë e mundur në gji të mëkatit e ndëshkimit të pamëshirë. Do mund të na shfaqej kështu një e vërtetë nga ato më tmerrueset. Bashkë me sa e sa të tjera, të të tjerave e të tjerëve, që sot mbajnë a synojnë pushtet. Dhe gjithsesi, do të mbetej neveria ndaj një pushteti ende atavik dhe gjojashoqërie të pamëshirshme. Dhe përsëri, do mbetet ai marazi njerëzor se si një grua shumë e bukur si një nimfë, që vizaton femra shumë të bukura e të hijshme, një artiste, grua e nënë arti, jepet me gjithë ç’ka e ç’nuk ka ballë epsheve të një kolektiviteti ashpërsie dhe pushteti të çmendur, gjersa nuk i ngelen më as hiri, as manitë e as hija e vet. Ku e vemja gjë e vyer, që nuk ia zotërojnë dot dhe nuk zhbëhet, mbetet vuajtja, mjerimi e çmenduria. Dhe macet e shumta që e kërkojnë në shtëpinë e varfër – pa orendi, por veç dëshmi kujtimesh e dështimesh orendë – gjersa të binden se bamirësja e tyre nuk është më. Dhe se si përtej kësaj, mund të mbash damkën e bashkautorësisë së të keqes: ose kot së koti, ose bash si rastësisht me dashje. Dhe sesi titulli i esesë së dikurshme “kur kurbani kërkon tablonë”, që s’dinte gjë në lidhje me këtë, të vërtetë apo zdërhallje llafesh qoftë, do t’i rrinte gjithaq saktë e tamam ashtu si rastësisht me dashje, ndonjë titulli për elegji të gjatë ose roman të gjerë epik. Apo dhe një vizioni ftohtësisht urban e të shpenguar nga tërë këto pengje, e për të shkruar me këto gjëra të çuditshme arti e jete dhe po aq mjete përçudnimi: një skenar filmi të vërtetë. Por, edhe pse arti s’ka nevojë vitale për të vërtetën reale, sigurisht, sot nuk do të pëlqehej e pranohej për t’u realizuar, pa u ftilluar plot gjëra të tjera dhe pa dalë në shesh e vërteta e plotë mes njerëzisë a kësaj si punë shoqërie sonës. Nga fillimi.

Strugë, 27 gusht 2012

Please follow and like us: