Albspirit

Media/News/Publishing

Njihuni me Danica Avramovic!

 

Danica është 25 vjeçe. Që nga viti 2014, kur ajo fliste shumë pak shqip, i ka ndjekur kurset e gjuhës shqipe në kuadër të Seminarit. Atëherë ishte në fillim të studimeve të Albanologjisë, ndërkaq sot mban titullin Master në këtë degë.

Kur së pari erdhi në Kosovë nga Jogodina, Serbi – vendlindja e saj – nuk kishte pasur shoqëri me ndonjë shqiptar. Por, kur erdhi këtu u befasua për të mirë me mikpritjen që i bënë dhe tani ka shumë miq nga Kosova. Danica kishte vendosur të vijë në Seminar pasi kishte mundësi të kufizuara që të komunikonte me dikë shqip në Serbi, aq më pak në dialektin gegë. Meqë mësimet në universitet i merrte në shqipen standarde, dialekti gegë ishte i pamundur për t’u mësuar. Por, qe pikërisht ky dialekt që e tërhiqte atë pasi i dukej më melodik, më interesant, më i lehtë e më ekonomik. Ajo edhe sot flet me miqtë e saj shqip rreth ca gjërave pasi e ka përshtypjen që ca gjëra tingëllojnë më mirë në shqip.

Danica vjen pothuajse çdo vit në seminar kryesisht për ta përmirësuar shqipen, por edhe për ta pasur mundësinë që brenda ditës t’i dëgjojë të gjitha gjuhët e botës. Shoqja e saj e dhomës po mëson greqisht gjatë kësaj vere së bashku me një seminarist nga Greqia, përderisa Danica kap ndonjë fjalë greke aty-këtu. Nga shqipja në greqisht e deri në japonisht, ajo ka mundësi të mësojë edhe ndonjë fjalë nga këto gjuhë sa është në seminar.

Kënga e reperit kosovar, 2po2, “Thuj mirëdita djalit t’keq” është e preferuara e Danicës, pasi ajo e dëgjon vazhdimisht muzikën rep të Kosovës. Po ashtu, si shumë kosovarë edhe ajo e këqyr serialin “O sa mirë”. Krejt këto e ndihmojnë shqipen e saj.

Danica na ka premtuar se herëve të ardhshme do të vijë edhe me kumtesa në Seminar, pasi gjuha shqipe po bëhet gjithnjë e më e lehtë për të.

Përgatiti: Gentianë Paçarizi

Please follow and like us: