Si u kthyen shkollat turke në gjuhën shqipe?
Av. Xhafer Sadiku
Më 28 nëntor 1911, kryetari i klubit qendror “Dituria” në Stamboll, Abdyl Ypi, njoftonte klubet shqiptare se qeveria turke kishte marrë vendim për kthimin e shkollave turke në gjuhë shqipe.
“Me anë të kësaj letre vij tu jap një lajm që do t’u mbushnjë plot gas. Qeveria në këshillët e Ministrave vendosi që shkollat e para (ibtidadije) që janë në Shqipëri të kthehen në gjuhë shqipe. Për këtë qëllim dy zotërinj, Xhevdet dhe Hamit bej po nisen këto ditë, njëri prej tyre do të vejë në Shqipëri të poshtme dhe tjatri në Shqipëri të sipërme. Vendimi qeverisë është që gjuha shqipe të mësohet me ato shkronja që të dojë populli; do me thënë me shkronja shqip atje ku e duan kështu dhe me arabisht në qoftë se e duan dhe me këto shkronja. Mësonjësit e shkollës do të kenë një rrogë që me 300 e gjer më 600 grosh. Nëpër shkollat do të ketë dhe një hoxhë për mësimet fetare. Me qenë se sot për sot s’do të gjenden aq mësonjës sa duhen, qeveria do të zgjedhë zotërinj që të venë të mësojnë gjuhën shqipe me një resht të vecantë që do të celet në shkollat normale të vilajeteve. Këta mësonjës gjersa të stërviten në gjuhët shqip, do të ushqehen pej qeverisë. Këshill i Ministrave ka vendosur që të bëjë godina të ra për shkolla atje ku nuk ka fare, dhe të ndreqë të vjetrat. Pas vendimit gjithë shkollat do të kenë një program të vetëm edhe librat shkollore do t’u epen pa të holla nxënësve. Qeveria po merr masa për të shtypur një orë e më parë librat e nevojshëm”.