Xhevat Lloshi: Vitet 1850,Kristoforidhi e Qiriazët nisën traditën e përkthimit
Për të shtjelluar ecurinë e përkthimeve nga anglishtja në gjuhën shqipe në radhë të parë shtrohet pyetja: në cilat rrethana dhe kur ka lindur nevoja për ta bërë këtë? Rrethanat kryesore të komunikimit, në të cilat vijnë në kontakt dy gjuhë janë fqinjësia, marrëdhëniet tregtare, luftërat, pushtimet, lidhjet diplomatike, migrimet, udhëtimet, arsimimi, kultura, shkenca, sportet dhe takimet individuale.
Nuk e dimë se kur ka nisur ardhja e mallrave britanike në viset shqiptare, ndërsa ka raporte të hollësishme nga konsujt për tregtinë në gjithë Shqipërinë jugore që nga viti 1849 (konsulli S. S. Saunders) dhe që nga viti 1859 për Durrësin dhe për Korçën, e cila ishte qendër për shpërndarjen e mallrave, duke arrirë mbi një milion paund të asaj kohe në vit.
Shkrimet në anglisht të Gjergj Qiriazit para 1900
Kundrejt Britanisë së Madhe shqiptarët kanë qenë gjithnjë në anën e saj. Një trupë anglezësh ka shoqëruar perandorin bizantin Aleks Komnenin (1048-1118) në betejën e Durrësit. Fakti më i vjetër dhe më interesant është ardhja e kalorësit anglez John of Neëport, i cili më 1457 mori pjesë me një togë shigjetarësh në betejën e Albulenës krahas Skënderbeut dhe pastaj e shoqëroi në Itali një ambasador i tij. Me një hamendësim do të pohoj atëherë, se shqiptarët e kanë dëgjuar anglishten për herë të parë në kohën e Skënderbeut. Sipas K. Çekrezit (1921), thuhet se shqiptarët e mërguar pas pushtimit osman kanë hyrë edhe si mercenarë në shërbim të mbretëreshës Elisabeth (1533-1606), për të cilën kanë luftuar në Belgjikë dhe në Francë. Do të kalonin shekuj, derisa ushtarakët britanikë të kishin të bënin me Ali Pashë Tepelenën e me shqiptarët në Ishujt Jonianë. Earl Camden-i i ka shkruar kolonelit Cole më 12 korrik 1804 një letër me projektin për të mbledhur ushtarë në Shqipëri që të shërbenin në Mesdhe, ndërsa më 1853-1856 trupa shqiptare nga mirditorët do të merrnin pjesë në Luftën e Krimesë, por nuk është e vërtetë, siç është shkruar disa herë, që në këtë luftë ka qenë me ata si përkthyes nga anglishtja K. Kristoforidhi.
Udhëtarë britanikë kanë përshkuar viset tona mjaft herët. Richard Hakluyt (1552-1616) ka botuar më 1589-1599 një përmbledhje dokumentesh me titullin The Principal Navigations, Voyages, Traffiques, and Discoveries of the English Nation (botuar edhe nga E. Goldsmith. Edinburg, 1885-1890, vol. III), në të cilën ka përfshirë The voyage of Robert Ketenensis under King Stephen to Dalmatia, Greece and Asia të vitit 1143. Ketenensisi vdiq po atë vit. Në vjeshtë të vitit 1322 zbriti në Durrës prelati Simeon Simeonis (dorëshkrimet e tij Itinerarum Symeonis Simeonis et Hygonis u botuan më 1778). Po në atë vit nisi udhëtimin e vet John Mandeville, udhëpërshkrimi i të cilit u botua më 1499. Kreu i parë mban titullin To teach you the ëay out of England to Constantinople dhe marrim vesh se ai ka kaluar në Iliri e Greqi. Lexojmë te ai se: “Më pas është Albanye, një mbretëri e madhe. Dhe kjo quhet Albanye, sepse njerëzit aty janë më të bardhë se në të gjitha anët rreth e rrotull. Dhe në atë vend ka qen aq të mëdhenj dhe aq të fortë, sa sulmojnë luanët dhe i mbysin.” Edhe Richard Pyuson-i më 1511 shënon, se Aboute XXX myle by yonde Aragonse endeth Sclaunya and begynneth Albanye at the toëne of Budua.
Tregtari Roger Barloë nga Bristoli (vdiq më 1554) shkonte në Sevilje dhe u njoh me librin Suma de Geographia, të shkruar nga Martin Fernandez de Enciso (1478-1528), kolonizator spanjoll, të shtypur më 1519. E përktheu atë për mbretin me titullin A Brief Summe of Geographie më 1540-1541 (u botua në Londër më 1932). Ai përmend se duke kaluar Dalmacinë arrihet në portin Duraso. Më tej shton: “Before Duraso is the Velona ëhich is a good port and lieth northest and southest ëith Otranto ëghich is in Ytalie”. Ka edhe një dorëshkrim të vitit 1562 me titullin A commentaries of the Ëares of the Turchs made against G. Scanderbeg. Për gjuhën shqipe, me sa duket, i pari britanik që ka shprehur një përshtypje ka qenë E. Broën më 1685 dhe pas tij vjen H. Sëinburne më 1785, ndërsa pas J. C. Hobhouse-it dhe Lordit Bajron më 1812 më i rëndësishmi ndër ta sigurisht që është Ë. Martin-Leake më 1814. Udhëtarëve anglezë në gjysmën e parë të shek. XIX u ka kushtuar një libër Sh. Mema më 1988.
Deri në fund të shek. XIX dalin më tej emrat e një vargu autorësh (V. Strangford 1864; M. A. Ëalker 1864; H. F. Tozer 1869; J. Chreagh 1875; A. Mayheë 1881; E. Knight 1880; V. Chirol 1881; H. A. Broën 1888; J. Ludloë 1890), pa përmendur shkrimet e ndryshme lidhur me Ali Tepelenën dhe udhëpërshkrimet e A. Thomsonit, sidomos të vizitës së tij të tretë më 1867. Fillimi i shek. XX shënohet nga një emër kaq i njohur sa E. Durhami, për të ardhur deri në ditët e sotme me një larmi të gjerë librash e artikujsh për të gjitha anët e historisë e të jetës shqiptare. Mirëpo me gjithë interesin e padyshimtë, që kanë këto burime për kontaktet e britanikëve me shqiptarët dhe anasjelltas, nuk na japin diçka konkrete për përkthimet nga anglishtja në gjuhën shqipe. Këtu duhet t’i kthehemi gjuhësisë, për të parashtruar diçka thelbësore.
Dihet se deri në shek. XVI kemi periudhën e anglishtes së mesme, rrjedhimisht, nuk ka ndonjë gjasë që të kemi përkthime nga ajo periudhë, as edhe nga anglishtja e shkruar e atëhershme, e cila si e tillë u zuri vendin frëngjishtes e latinishtes në shek. XV. Në mënyrë pohuese do të thuhet se përkthimet tona kanë të bëjnë me anglishten e re, ndërsa në shkrim me gjuhën e standardizuar. Nga ana tjetër, nga shek. XVIII shqipja hyn në periudhën e re, kështu që do të pohoj, se përkthimet nga anglishtja kanë të bëjnë me anglishten e re dhe me shqipen e re.
Ndonëse marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me vendet e tjera do të vendoseshin vetëm pas njohjes ndërkombëtare të shtetit shqiptar më 1913 dhe përfundimit të Luftës I Botërore (me Britaninë e Madhe dhe me SHBA më 1922), përfaqësi të ndryshme të huaja ka pasur prej kohësh në qendrat shqiptare dhe në ato që mbulonin edhe viset shqiptare. Në tetor 1808 pranë Ali Pashë u caktua Ë. Martin-Leake-u i dërguar i posaçëm i ministrit të jashtëm George Canning, ndërsa u largua në shkurt 1810. Konsuj e nënkonsuj britanikë ka pasur në Shkodër, në Manastir, në Janinë, në Prevezë, në Selanik, në Prizren, në Shkup. Përfaqësitë kishin nevojë për përkthyes. Dihet se Zef Jubani (1818-1880) më 1853 ishte sekretar i nënkonsullatës britanike në Shkodër, ku titullar ishte Spiridon Bollati, ndërsa më 1872, kur konsulli R. Reade ishte i sëmurë, ia la konsullatën August Sumës. Në Manastir Gjergj Qiriazi (1868-1912) i shkruante anglisht raportet e shumta për përfaqësuesit austriakë dhe britanikë, madje edhe atë për Kongresin e Manastirit. Për kontaktet individuale nuk mund të lëmë këtu pa zënë në gojë Naum Veqilharxhin (1797-1846). Bashkë me dy vëllezërit e tij ai ka pasur shtetësi britanike. I ati i tyre, Kostandini, kur ishte në Itakë furnizonte me ushqime ushtrinë angleze pas pushtimit të Ishujve Jonianë më 1811. Më 1832 me kërkesën e nënkonsullit G. Ëahuite, ai u bë përfaqësues i të mbrojturve britanikë pranë gjykatës së Brailës, kështu më 1837 në regjistrat e Brailës shënohet se Naumi mbante pasaportë britanike. Me aq sa dihet, do të them se ky është i pari shqiptar, që ka marrë pasaportë britanike.
Mësimi i gjuhës së huaj natyrshëm lidhet edhe me përkthimin gojor e me shkrim. Nga kjo pikëpamje ka vlerë të shihet kur ka nisur mësimi i anglishtes në Shqipëri, cilat kanë qenë shkollat ku është vënë si gjuhë e huaj në program, cilat kanë qenë tekstet dhe kush ka mësuar anglisht. Me aq sa kam gjetur, i pari dëshmohet K. Kristoforidhi, i cili ka mësuar anglisht në Kolegjin Protestant të Maltës më 1857-1858. Kjo i mundësoi të shkruante anglisht punimin Remarks on Albania. The Language and Translation of the Scriptures. I. Loëndes-i e ka dërguar në Londër duke i bërë një redaktim të lehtë, rrjedhimisht, autori i punimit e njihte jo keq anglishten. Me rëndësi në këtë punim është se ai ka përcaktuar shtatë rregulla të përgjithshme për përkthimin nga një gjuhë e huaj dhe kjo është hera e parë, që një shqiptar e shpreh drejtpërdrejt, se përkthimi duhet të ndjekë disa parime, që të jetë në përputhje me natyrën e shqipes. Më 1863 A. Thomsoni, përgjegjësi i agjencisë së BFBS për Perandorinë Osmane bëri një nga vizitat e tij në Shqipëri dhe në reportazhin e botuar më 1865 ka shprehur i pari dëshirën, që të futej mësimi i anglishtes në shkollat. E ka shprehur sërish këtë mendim edhe më 8 nëntor 1878. E. Durhami na njofton (më 1904), se abati i Mirditës Preng Doçi (1846-1917) kishte mësuar anglishten dhe shpresonte të përktheheshin shqip libra të njohur anglisht.
Një faqe e re hapet në vitet 1880, kur kanë mësuar anglishten dy djemtë dhe dy vajzat e familjes Qiriazi, që më pas do të bënin edhe përkthime. Gjerasimi i shkruante A. Thomsonit më 3 mars 1883, se dëshironte në radhë të parë të mësonte me themel anglishten. Që të merrej leja e sulltanit për të hapur Shkollën e vajzave në Korçë më 1891, kjo u paraqit si shkollë në gjuhën angleze. Më 1892 erdhi mësuese Fanka Efthimi, që kishte mbaruar Kolegjin amerikan të Samokovit, dhe kështu nisi mësimi i anglishtes si gjuhë e huaj në shkollën shqipe. Sevastia kishte mbaruar Kolegjin Amerikan të vajzave në Stamboll dhe më 18 shkurt 1893 ka shënuar, se kursi i anglishtes në Korçë shkonte mjaft mirë. Më 1900 si mësuese e anglishtes aty erdhi Parashqevi Qiriazi. Anglishten pastaj e ka dhënë aty Grigor Cilka dhe më 1906 në shkollën e djemve. Misionari amerikan Ph. Kennedy filloi dhënien e anglishtes në Korçë më 1908. Në Normalen e Elbasanit më 1909 anglishtja u përfshi si lëndë me zgjedhje. Më pas vjen historia e çmuar nga shumë anë të tjera e Shkollës Teknike të Tiranës (1921-1933), ku jepej anglisht 10 orë në javë e madje kërkohej edhe në shkollë të flitej anglisht, si dhe e Shkollës së vajzave në Kamzë prej K. Dakos më 1922 e gjithashtu e Institutit Shqiptaro-Amerikan të Kavajës më 1925. Loni Kristoja në vitet 1930 jepte anglishten si gjuhë të dytë në Liceun e Korçës. Ka një libër për “Shkollat amerikane në Shqipëri” (I. Gogaj, 1995), por unë do të shprehja dëshirën që të përgatitet një libër i veçantë me historikun e anglishtes në shkollë e universitet dhe në veçanti për historikun e departamentit të anglishtes.
U përgatitën edhe materialet e para për mësimdhënien në shkollat e Korçës. U përkthye më 1908 një “Metodë për të mësuarë çpejt dhe lehtë gjuha inglisht prej Dr. Ahn, shpjeguar prej Lumo Skendo”, domethënë nga Mit-hat Frashëri. Ph. B. Kennedy botoi në Manastir “Lëçitje / Të folura” më 1912. Deri në fund të Luftës II kanë dalë: nga L. George (Rëmbeci) “Methodhe e lehtë për të mësuar engleschen me shpejtësi”, Dernver më 1916 dhe 1919; nga Kristo Dakoja “Mjeshtëria për të mësuarë gjuhën anglisht”, Boston 1920. Më 1929 doli një Dhialloge inglisht-shqip në Korçë dhe një autore tjetër e huaj, M. Hasluck, ka shtypur më 1932 në Londër “Këndime englisht shqip”; së fundi deri para Luftës II, nga Stavro Frashëri një “Metodë e lehtë për të mësuar inglishten”, Tiranë, 1944. Gjithsesi, me emigrimin e gjerë të shqiptarëve në SHBA çelet një kapitull i ri i marrëdhënieve të shqipes me anglishten, që do të shpaloset veçanërisht në shtypin shqiptar atje, ndërsa nuk kam të dhëna se si e kanë mësuar anglishten shqiptarët atje dhe as deri në ditët tona.
Do të veçojmë kështu edhe përkthimin për qëllime arsimore. Për të botuar abetaren gegërisht e toskërisht, K. Kristoforidhi është mbështetur në tekstet anglisht dhe këtë e kemi të dokumentuar tashti nga fjalët e A. Thomsonit, por kjo gjë ka qenë e dukshme qysh në fillim, ndonëse studiuesit tanë nuk e kishin vënë re. Abetarja shqip ka disa klishe të marra prej origjinalit anglisht. Në disa prej tyre kanë mbetur dicitura anglisht: butterfly, cat, dog, eagle, sëalloë, spider.
Lidhur me përkthimet fetare, më duhet të përmend sërish emrin e K. Kristoforidhit. Përgjithësisht ai duhej të mbështetej në origjinalin greqisht, por njëkohësisht mbante përpara edhe variante në gjuhë të tjera. Ndërmjet tyre kishte botimet anglisht dhe materiale të tjera ndihmëse anglisht. Shoqëria Biblike parapëlqente versionin e Mbretit Xhejms (King James Version). Kam gjetur gjurmë të qarta në përkthimet e tij, se ai ka arritur te zgjidhja, duke u nisur nga anglishtja. Për shembull, ka fjalë të shqipes, që kuptimisht janë sipas anglishtes e jo greqishtes; ka huazime sipas anglishtes; vende-vende ka ndjekur pikësimin anglisht. Që nga ajo kohë kanë nisur ndikimet e anglishtes në shkrimin e shqipes, si: paraqitja e dialogut jo me kryeradhë e vizë përpara, por me thonjëza; vendosja e presjes për ndarjen e numrave me shumë shifra, ndërsa ne e kemi si presje dhjetore; vënia e një vize aty ku sipas traditës ne kemi dy pikat; vënia e presjes përpara lidhëzës “edhe” etj. Emrat e përveçëm tashmë është bërë modë, që sipas anglishtes, të mos lakohen.
Versioni i Mbretit Xhejms është teksti i parë, nga i cili ka nisur përkthimi prej anglishtes në shqipen. Megjithatë, kryet e vendit e zë “Historia e Shenjtesë Shkronjë” në variantin gegërisht më 1870 dhe toskërisht më 1872. Kristoforidhi e ka bërë nga botimi i përkthimit anglisht të librit të autorit gjerman Ch. G. Barth. Për ta nxjerrë në dukje rëndësinë e këtij libri do të shënoj vetëm, që më 1917 Komisia Letrare e Shkodrës e ka quajtur gjuhën e tij si modelin për shqipen e ardhshme të shkruar, të mbështetur në variantin e mesëm dialektor. Komisia vendosi që ta ribotonte, por rrethanat historike e bënë të pamundshme, e gjithsesi, ky variant ka qenë kryesori për shqipen e shkruar në fushën e veprimtarisë shtetërore deri në Luftën II Botërore.
Mjeti më i dobishëm për përkthyesin është jashtë çdo dyshimi fjalori. Po edhe vetë hartuesi i fjalorit është një përkthyes, madje në mjaft raste është ai që jep përkthimin e parë të një vargu fjalësh të huaja. Për fjalorët shqip-anglisht dhe anglisht-shqip kam shkruar një punim më 1970. Aty kam shënuar, se J. C. Hobhouse-i për fat të keq nuk e botoi më 1813 një grusht fjalësh shqipe, që i kishte mbledhur në Atikë. Si fjalorin e parë shqip-anglisht do të pranojmë fjalorin trigjuhësh të Ë. Martin-Leake-ut më 1814. A. Thomsoni ka njoftuar se më 1895 misionarët Ch. Finch dhe J. Ë. Baird-i secili po bënte një fjalor shqip-anglisht, por nuk i njohim. Do të kalonte një shekull, që të dilte fjalori i D. Camburit më 1915, i cili do të pasohej nga K. Çekrezi më 1923 dhe N.
Drizari me pjesën e dytë anglisht-shqip më 1934, afërsisht me 6000 fjalë. Gjatë Luftës II për nevojat e Shtabit Aleat u përgatit një fjalës i vogël, i cili u ribotua më 1946. Pasi kishte mbledhur fjalë edhe nga goja e popullit, S. Mann-i nisi më 1938 botimin e një fjalori shqip-anglisht, të cilin e ka quajtur historik dhe e përfundoi më 1948. Kjo i dha guximin të botonte më 1957 An English-Albanian Dictionary, të cilin e ka reklamuar si më të mirin, më të plotin, më të përditësuarin, mirëpo nuk janë të pakta vërejtjet që mund t’i bëhen. Më 1966 u botua një fjalor anglisht-shqip për nevojat shkollore, ndërsa më pas ka një varg të gjatë deri më sot, në të cilin veçohet Fjalori anglisht-shqip me autor Pavli Qeskun (2002), me rreth 120.000 fjalë, por në këtë numër përfshihen edhe togfjalëshat. Në tre dhjetëvjeçarët e fundit ka dalë edhe një varg fjalorësh terminologjikë të fushave të ndryshme, ku ka zënë vend anglishtja edhe aty ku më parë ishte frëngjishtja.
Në rrethanat e komunikimit, krahas interpretimit e përkthimit lind edhe mospërkthimi. Arsyet e kësaj dukurie janë disa, por duke i lënë mënjanë ato, do të vë në pah se mospërkthimi është burimi i huazimeve. Njësia gjuhësore vjen në gjuhën marrëse dhe përdoret në tekstet e saj po në atë trajtë siç është në gjuhën dhënëse. Kur jeton gjatë në gjuhën e folur e të shkruar, përshtatet në mjedisin e ri dhe përfundon në huazim. Kur nuk përshtatet në gjuhën e shkruar, vijon të jetë në trajtën e gjuhës dhënëse dhe në këtë rast do ta quajmë citim, domethënë është njësi e marrë hua dhe jo e huazuar. Kuptohet, që në gjuhën e folur nuk mund ta gjurmojmë se kur ka ardhur një fjalë hua, por në shkrim e vlen të hetojmë se kur ka nisur ky mospërkthim. Për shembull, më 1908 është përdorur për herë të para fjala ‘klub’, A. Çajupi e ka më 1909 të shkruar në kllapa edhe anglisht. Më 1909 e gjejmë si citim fjalën e njohur sot ‘kek’: “Premë cake-t dhe i ndamë bashkë me të pirat.” (Dielli, 31 dhjetor 1909). Te “Liria Kombëtare” më 28 nëntor 1926 janë shkruar: çarlestona e fokstrota. K. Malte-Bruni (1755-1826) është shprehur më 1809, se nuk është e mundur që në gjuhën shqipe gjatë mesjetës të kenë hyrë fjalë angleze, franceze dhe gjermane. Gustav Meyeri në fjalorin e tij të njohur etimologjik të shqipes më 1891 nuk ka shënuar asnjë huazim prej anglishtes.
Që nga shkrimet e F. Konicës dhe të F. Nolit është bërë e zakonshme të përfshihen në tekstet shqipe citime të fjalëve e shprehjeve anglisht. Prej tyre mjafton ky shembull domethënës. Më 26 dhjetor 1926 F. Noli i përgjigjet në polemikë: Na akuzon që e atakuam unfairly. Faiku mban gjithnjë në gojë fjalën inglisht fairnesss. Po a ka qenë fair ay vetë? Kjo është sot diçka e pranishme gjerësisht në librat dhe shkrimet në fushën e kompjuteristikës, aq sa krijohet përshtypja e një dygjuhësie të shkruar. Por edhe në shtypin e përditshëm nuk ka më asnjë lloj tabuje. Mund të sjell shembuj pa fund, kështu që do të mjaftonin vetëm disa: kjo zonë ka mbetur ‘unplugged’; nëse i referohemi karakterit ‘landmark’ që ai mbart; është një setback jo i vogël; shoping në internet me një klikim të mausit. Emërtimet e organizatave, firmave, hoteleve, shërbimeve, mallrave të paketuara, universiteteve, programeve televizive, këngëve, grupeve muzikore e kështu pa fund deri te ‘Tirana Fanatics’ përdoren rregullisht në trajtën e anglishtes. Reklama dhe emërtime të gjithfarë dyqanesh ndeshen anglisht kudo nëpër rrugë. Po jap ndonjë rast nga shtypi. I pari i shkurtër: Shijoni Pepsi Tëist. I dyti më i gjatë: “UNYT ju ofron studentëve shqiptarë mundësinë e marrjes së diplomës Amerikane BACHELOR’s nga STATE UNIVERSITY OF NEË YORK / EMPIRE STATE COLLEGE me studime (të plota) në Tiranë”. Dhe për muzikën: Besa dhe “One Republic”, “Planet Funk”, kitaristi i “Scorpions”, këngëtari i “Rainboë”, koncert live në “Qemal Stafa”. (“Shekulli”, 6 qershor 2010). Ndoshta ka ardhur koha t’i shtojmë alfabetit të shqipes shkronjën Ë (dyvë). Kështy fillon ai shartimi, që sipas modelit të gjuhëve të tjera, do ta quanim “shqiplishtja”.
Shkurt, pas vitit 1991 nisi vërshimi i anglicizmave në gjuhën shqipe.
Ndërkaq, këtu ndërlikohen edhe faktorë të tjerë. Ne flasim për gjuhën në tërësi, por ka individë e shtresa të caktuara, që nuk i njohin fjalë ose grupe të tëra leksikore shqipe dhe prandaj marrin ato që gjuhëtarët i quajnë huazime të panevojshme. Ka mungesë kulture dhe padituri vetjake shumë të përhapur, ka edhe shumë njerëz që e dinë përgjysmë anglishten dhe janë të pashpresë për ta zotëruar mirë. Faktor tjetër mjaft veprues është moda, domethënë edhe duke e ditur përkthimin shqip, nuk e parapëlqejnë fjalën shqipe, se nuk është më e modës. Shembuj për këtë nga anglishtja ka sot përditë. Një faktor i fundit është edhe jetesa për një kohë të gjatë në kushtet e dygjuhësisë në një vend të huaj dhe pastaj ardhja sërish në mjedisin shqiptar. Kështu, kur shqiptarët e mërguar ktheheshin për periudha të shkurtra nga Amerika e Australia pas Luftës I Botërore e më vonë, shqiptonin bashikëll për biçikletën në Korçë, deri edhe Meri Kristmas për “Gëzuar Krishtlindjet!” Nuk do të zgjatem në këtë pikë, por do të shënoj, se kanë lindur probleme të ndërlikuara në marrëdhëniet e trajtës së shkruar me shqiptimin gojor. Për të dhënë një ide, po sjell pak raste. Shkruhet kurdoherë live dhe shqiptohet gjithnjë [lajv] në të folur; shkruhet Task Force dhe shqiptohet [taskfors]. Citimet e shkruara kështu shqiptohen sipas anglishtes, po çfarë do të themi për këtë lloj ligjërimi shqip? Nuk do të komentoj më tej, por si do të shkruhen këto dy thënie gojore: [po tadërgoj meimejl] dhe [e kam telefon me taç]?
Kalkimi në thelbin e vet është përkthim i drejtpërdrejtë i fjalëve ose shprehjeve. Në këtë rast ruhet forma e brendshme gjuhësore e njësive, porse e mishëruar tashmë me mjetet e shqipes. Kur i gjejmë gjurmët e kalkimeve në shqipen nga anglishtja? Natyrisht te shtypi i F. Konicës dhe i Fan Nolit, po do të shtoja se, p.sh. revista “Ora” në janar 1929 ka bërë përpjekje që bojskautët t’i quajë “Gjyrmues”, ndërsa në një fjalor të vitit 1978 ka kalkime emërtimesh të bimëve, si: bilba e butë, bizelja e egër (soft brome, ëild pea). Një dukuri të veçantë përbën ndërhyrja e kuptimeve të fjalëve të naglishtes në kuptimet e fjalëve, që shqipja i kishte prej kohësh. Kësaj çështjeje i kam kushtuar një punim të veçantë (2010), prandaj nuk po e prek këtu.
Ndonëse nuk bie në sy, por sasia më e madhe e përkthimeve sot bëhet në fushën e mediave, të ligjeve, të shkencës e të teknikës. Përditë shtypi, televiziooni dhe interneti i përkthejnë materialet nga anglishtja. Po bëhet një çerek shekulli, që një pjesë e madhe e legjislacionit tonë në fillim hartohet anglisht dhe pastaj paraqitet shqip, ndërsa kjo ndodh rregullisht me veprimtarinë e të gjitha organizatave ndërkombëtare që punojnë këtu. Jo vetëm përkthehen libra shkencorë dhe tekste universitare, por edhe ka një plagjiaturë shumë të përhapur nga burimet anglisht, duke përfshirë këtu edhe gjithfarë disertacionesh e kumtesash. Emigrimi i shqiptarëve në fillim të shek. XX solli edhe botimin e shtypit në dy gjuhë. Kështu gazeta “Kombi” e S. Pecit dhe F. Nolit nga viti 1906 paraqitej anglisht si Ëeekly Albanian Neëspaper. Meriton punime të veçanta nga ky këndvështrim i përqasjes së dy gjuhëve gazeta e madhe “Dielli” që nga shkurti 1909. Në atë që quhet Shkolla e H. Fultz-it nisi më 1924 deri më 1933 revista Laboremus, e cila që në titull i përfshinte të dyja gjuhët: The Albanian Vocational School – Shkolla Teknike Shqiptare.
Përkthimit të filmave dhe programeve dokumentare, historike, shkencore e të dobishme e vlen t’i kushtohet vëmendje, sidomos sepse kemi raste, që shfaqen me përkthime të vajtueshme në atë shkallë, sa do të duhej të ndalohej transmetimi i tyre.
Më në fund u vjen radha përkthimeve të letërsisë artistike. Nuk ka asnjë dyshim se ato gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen më të madhe dhe do të vijojnë ta bëjnë këtë, për shkak të peshës së madhe që ka vetë letërsia artistike. Nuk do të hyj në këtë problematikë të gjerë e të ndërlikuar, aq më tepër se e kanë trajtuar dhe do ta trajtojnë një numër i madh diskutimesh, kritikash, shkrimesh, studimesh e disertacionesh. Do të më lejohet megjithatë po në të njëjtën hulli të shtroj pyetjen: kur kanë nisur përkthimet e letërsisë artistike nga anglishtja? J. De Rada ka thënë, se para vitit 1843 Luigi Petrassi ka përkthyer Këngën I të Childe Harold-it, por nuk e kemi as dorëshkrimin. Prandaj nuk do të çuditeni, po të përsëris edhe një herë emrin e K. Kristoforidhit. Më 1866 te “Abetarja” gjejmë përkthimin e vjershës “Ylli lart në qiell”, e cila është ribotuar shumë herë në librat për fëmijë. Që nga viti 1887 Gjerasim Qiriazi ka përkthyer himne nga anglishtja dhe më 1902 Gjergj Qiriazi i botoi bashkë me pjesë të tjera në “Kristomacinë” e vitit 1902. Më pas rryma e këtyre përkthimeve do të vinte duke u zgjeruar vrullshëm, por mbi këtë horizont ka shkëlqyer i paarritshëm Fan Noli.
Nuk mund të harrojmë këtu, se nga anglishtja janë përkthyer edhe vepra, të cilat për vete ishin përkthime nga një gjuhë tjetër. Faik Konica përrallat arabe me titullin Nën hijen e hurmave i ka përkthyer nga anglishtja, botuar më 1840 nga E. Ë. Lane-i, ndërsa edhe përkthimi i pakrahasueshëm i F. Nolit për Rubaitë e O. Kajamit është bërë nga anglishtja. Ilo Mitkë Qafëzezi përkthimin e disa pjesëve të Kuranit e ka bërë nga varianti anglisht i George Sales-it. Besoj se është një kureshti, që përkthime nga anglishtja në gjuhën shqipe kanë bërë edhe të huaj. Në ditët tona ka shumë shoqata fetare, që nxjerrin botime të tilla, ndërsa emri më i njohur është David Young-u.
Parashtresa e mësipërme vjen kryesisht deri në shekullin XX, për pasojë mbetet të bëhet një hulumtin i gjerë i mëtejshëm deri në ditët tona po në këto vija, sepse jo vetëm në këtë periudhë përkthimet nga anglishtja kanë arritur cilësitë më të shkëlqyera ndër gjithë përkthimet shqip nga gjuhët e tjera, por edhe kanë ardhur duke u shtuar, aq sa tashmë ato janë mbizotëruese në gjithë tablonë përkthimore për shqipen. Në Republikën e Kosovës anglishtja është edhe gjuhë zyrtare. Madje në këtë fushë shfaqen edhe të metat më të mëdha të punës së përkthyesve, shfaqen ndikimet më të dukshme të një gjuhe të huaj mbi shqipen dhe prirjet janë drejt një dygjuhësie të përgjithësuar nën ndikimin e globalizimit.
Dëshiroj ta mbyll me dy përfundime. Së pari, tashmë kemi një traditë të gjatë të përkthimeve nga anglishtja, domethënë kemi edhe një përvojë të pasur, të cilën duhet ta njohin përkthyesit e sotëm dhe të mos tregojnë paaftësinë dhe paditurinë e tyre. Së dyti, detyra më e ngutshme është hartimi i fjalorëve anglisht-shqip nga ekipe kompetente për terminologjitë e fushave të ndryshme shkencore e teknike, e në radhë të parë për kompjuterin, informatikën dhe elektronikën në të gjitha zbatimet e tyre, sepse kjo është fusha, ku termat kalojnë menjëherë në komunikimin e gjerë të përditshëm.