Mark Ruci: Homazh për martirët e Qaf -Valmirit!
17 Gushti 1949 shënon kulmin e masakrës më të përgjakshme që ka njohur Mirdita në tërë historinë e saj shekullore.
14 burra të familjeve dinjitoze të Mirditës, u ekzekutuan në prani të qindra njerëzve të mbledhur me urdhër, i rrokullisën ende pa u dal shpirti në gropëvarrin e përbashkët.
Një zë thërret: Na qëlloni se jemi ende gjallë!
Dhe mitrolozët vollën zjarr mbi ta e kështu 14 burra u ekzekutuan në mënyrë makabre, të dënuar me një gjyq të montuar brenda 4 ditëve!
Nderim të thellë për ta, respekte pa fund për pasardhësit e tyre dinjitozë, familjet e tyre dhe njëkohësisht reflektim serioz për të ardhmen e së djathtës shqiptare por dhe në Mirditë!
Opozita duhet të ketë një përqasje tjetër karshi të përndjekurve politikë, ish- pronarëve, intelektualëve, biznesit dhe rinisë për të bashkuar energjitë dhe për të ndërtuar strategji për c’montimin e pushtetit të pasardhësve të komunizmit, që kanë shndërruar Shqipërinë në vend ku ka humbur shpresa për të jetuar!
Natyrisht ky përvjetor, aq më shumë, thërret për nevojën e një reflektimi të thellë për një opozitë ndryshe edhe në Mirditë për të shkurtuar ditët e një qeverisje të papërgjegjshme që nuk ka asnjë ndikim në përmirësimin e jetës së mirditorëve!
Martin Dedaj: Masakra e Qafës së Valmirit
“Ditë e zezë ka qenë për Mirditën dhe popullin e saj martir, 17 Gushti i vitit 1949. Masakra e Qafës së Valmirit mbetet aktuale dhe apelon: “O Zot na ruaj nga komunizmi, monstrat dhe të këqijat e tij”.
N’Qaf t’Valmirit të Mirditës.
Fort po vriten krah’t e Shqipes!
Shkallës Madhe kush po zbret?
T’lidh me tela vajmedet.
Jo ma pak se katërmbdhetë…
Shtatë ditë burg e jo ma shumë,
Ditën e tetë n’litar e n’plumb…
Kështu i vajtoi Mirdita bijt e saj ditën e 17 Gushtit 1949, ku diktatura komuniste vari në litar e pushkatoi 14 bijtë më të mirë të saj, burgosi afro 500 burra e internoi mbi 300 familje. Masakër e vërtetë, gjenocid e tragjedi e ngjashme me holokauset hitleriane e staliniste. Shkaqet e kësaj masakre kolektive qenë të thella, mllefe të vjetra të rregjimit komunist kundër popullit kreshnik të Mirditës. Preteksi qe i thjeshtë: Vrasja e Bardhok Bibës, më 7 Gusht 1949, me vendim të “Komitetit të Maleve”.
Në Mirditë për afro 10-vjet (1944-1953), nuk u shua rezistenca antikomuniste. Regjimi diktatorial që po instalohej në Shqipëri e dinte fort mirë, se populli i Mirditës nuk nënshtrohej aq lehtë dhe se ky popull historikisht nuk e kishte ulur qafën për t’u vënë nën zgjedhë. Prandaj PKSH dhe Enver Hoxha, për gati 10-vjet rresht iu turrën Mirditës, si bisha të tërbuara për ta gjunjëzuar, copëtuar, shpërbërë, e për t’ia thyer krenarinë e saj të ligjshme si popull kreshnik. Mirdita, kjo trevë vitale, kompakte, katolike e antikomuniste nuk nënshtrohej kollaj. Regjimi i Enver Hoxhës kishte vendosur ta gjunjëzonte Mirditën e të realizonte mbi të, me çdo çmim mllëfet e vjetra. Këtu mbase duhet kërkuar burimi i vërtetë i masakrës së Qafës së Valmirit dhe i krejt tragjedisë dhe persekutimiit komunist mbi Mirditën.
Masakra e Qafës së Valmirit u krye në prani të afro 2500 mirditorëve, (gra dhe burra), ku u ekzekutuan 14 burra, nga më të mirët e Mirditës, 4 prej të cilëvë u varën në litar ndërsa 10-të, të tjerë u pushkatuan, ndërsa tre të tjerë ishin të planifikuar edhe ata për t’u pushkatuar, por shpëtuan përkohësisht dhe dhanë shpirt në burgjet e diktaturës, si rezultat i keqtrajtimeve. Viktimat e kësaj masakre ishin: Të varur në litar: Preng Dedë Gjomarkaj, (Orosh), Pjetër Dedë Vila, (Kaçinar), Dodë Marka Biba, (Tenë-Kthellë), Pjetër Paloka, (Kaçinar).
Të pushkatuar: Nikoll Bardhok Bajraktari, (Rrëshen-Kthellë), Llesh Gjon Melyshi, (Malaj-Kthellë), Ndrec Mark Ndoj, (Kaçinar), Nikoll Llesh Bajarktari, (Orosh), Gjokë Gjin Kaçi, (Bukmirë), Ndoc Gjetë Çupi, (Pshqesh-Blinisht), Bardhok Dodë Gjini, (Prosek-Kthellë), Gjergj Keç Beleshi, (Kthellë-Epër), Preng Shkurt Nikolli, (Orosh), Frrok Gjetë Mata, (Kaçinar).
(Këta të katërmbëdhjetë burra me dekret të ish Presidentit Berisha, janë dekuruar me medaljen: “Martirë të Demokracisë”). Duhet theksuar fakti se kanë qenë të planifikuar për t’u pushkatuar edhe tre të tjerë atë ditë më 17 Gusht 1949, sa duket për të sinkronizuar numrin e viktimave me datën e ekzekutimit, por gjykata e asaj kohe e ktheu vendimin e ekzekutimit në burg të përjetshëm dhe jo shumë kohë më vonë se masakra e Qafës së Valmerit, këta vdiqën në burg dhe ato ishin: Ndue Gjon Fusha, (Rubik), Mark Ded Gjomarkaj, (Orosh), Kolë Ndue Gjomarkaj, (Orosh).
Dëshmitarët okularë kujtojnë me dhimbje se…“Aty poshtë Qafës së Valmerit, buzë një prroske ishte hapur një gropë e madhe, e buzë saj ishin rreshtuar 10-të burra të lidhur njëri me tjetrin me duar pas shpine e kur krisën pushkët e mitralozët mbi ta, ata përnjëherë ranë në gropë duke tërhequr njëri-tjetrin pa u dalë ende shpirti. E atje nga gropa dëgjoheshin thirrjet e burrave që jepnin shpirt, “Aman qëlloni se jemi gjallë e mos na lini të na dalë shpirti me zor, he katila!”. Dhe si rrufe që bie nga qielli ranë mbi ta plumbat e armëve të rënda, atje në fundin e gropës së zezë e prej andej copat e mishit fluturonin e bienin në prroskë.
Ndërsa 4 të tjerët i varën në litar në katër lisat rreth gropës së zezë, aty ku jepnin shpirt 10 të pushkatuarit”. Në ndërgjegjen e krejt Mirditës kjo masakër nuk mund të harrohet kurrë. Aty u luajt “Vallja gjigante” e vdekjes. Dëshmitarët u llahtarisën e u traumatizuan nga kjo tragjedi, që po luhej me burrat e përmendur që përfaqësonin elitën e Mirditës. Ata të njerë u martirizuan si Apostujt e Krishtit pa patur asnjë faj, pasi siç u vërtetua më vonë nuk kishin patur asnjë lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës. Atë ditë pa përfunduar ende mirë masakra, “Perënditë e Olimpit” të zemëruara nga kjo tragjedi njerëzore që po luhej në Qafën e Valmirit, shkrepën mbi Mirditë rrufetë nga qielli të shoqëruara me furtunë dhe shi, breshër dhe dëborë, një fenomen ky i rrallë që nuk kishte ndodhur ndonjë herë dhe as ka ndodhur deri tani, që të bie borë në mes të Gushtit, e toka me qiellin atë ditë u bë një. O Zot, çfarë dite e zezë qe për Mirditën dhe popullin e saj martir, 17 Gushti i vitit 1949… Masakrën e Qafës së Valmirit e drejtuan kriminelët e Mehmet Shehut si, Shefqet Peçi, Kadri Hazbiu, Sulejman Manoku, Zija Kombo, Medin Bilbili, prokurorët Siri Çarçani, Arianit Çela e plot të tjerë si kjo shpurë, që të gjithë kriminelë me gjene të lindura. Të bën përshtypje sesi ish-byroja e partisë së rrethit Mirditë e asaj kohe, nuk u çuan në mbrojtje të vëllezërve e motrave të tyre e t’u kundërshtonin këtyre kriminelëve veprimet kriminale të tyre, që e shkatërruan Mirditën, por përkundrazi u bënë një me ideuesit dhe realizuesit e kësaj masakre. Turpi do t’i mbulojë e do të jetë përjetësisht simbiozë më ta, për të gjallë e të vdekur. Nga të burgosurit dhe të internuarit afro 100 prej tyre, kryesisht gra fëmijë dhe pleq kanë vdekur nga vuajtjet, mjerimi dhe torturat që u ushtruan mbi to. Regjimi diktatorial për të zhdukur gjurmët e krimit nuk mbajti asnjë shënim për këto viktima, të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk u dihen as varret. Masakra e Qafës së Valmirit shënon kulmin e tragjedisë që diktatura komuniste ushtroi mbi Mirditën dhe popullin e saj kreshnik e të pambrojtur, të tjera do ta ndiqnin pas, për dhjetë vjet luftë e rezistence ndaj komunizmit. Historia duhet dhe do ta thotë fjalën e saj, dhe rezistenca afro 10-vjeçare (1944-1953) e popullit të Mirditës kundër komunizmit do të zbardhet dhe për të do të thuhet e vërteta. Masakra dhe gjenocidi mbi Mirditën u gatua në kuzhinat antishqiptare e u zbatua me verbëri nga Enver Hoxha. Ky xhelat pat deklaruar asokohe: “O me ne o kundra nesh, në veri të vriten të gjithë ata që janë kundra nesh, dhe të zhduket çdonjëri që s’është me ne e që s’mendon si ne”. Ky pohim i dalë nga goja e vetë diktatorit e gremisi popullin drejt humnerës e luftës 10-vjeçare, civile e të armatosur, duke vënë Jugun kundra Veriut, luftë e cila i kushtoi shtrenjtë popullit. Strategjia e diktatorit për ta gjunjëzuar Mirditën, filloi së pari me paralizën e trurit dhe eliminimin e elitës intelektuale, pinjollëve të dyerve të para e të fisshme, duke filluar me derën princore të Gjonmarkajve… Pasi vetëm kështu do ta kishte më të lehtë zbatimin e strategjisë për copëtimin e Mirditës, të kësaj treve që u etiketua si rreth “politik”, “reaksionar” dhe antikomunist. Në Mirditë vepronte një forcë e armatosur e antikomuniste, e cila së bashku me luftëtarët e lirisë të krahinave rreth e rrotull përbënin mbi 2000 luftëtarë, të organizuar mirë dhe që realizonin rezistencën antikomuniste. Në këtë rezistencë ishin inkuadruar bijtë më të vendosur në luftë kundra komunizmit. Lufta vazhdoi për afro një dekadë. Ajo ishte e ashpër dhe e egër, e përgjakur dhe e pabarabartë. Në çdo pëllëmbë të Mirditës u zhvilluan beteja. Populli i Mirditës i mbajti dyert e hapura për luftëtarët e lirisë. Ndau me ta bukën e fëmijëve e kur qe nevoja edhe u flijuan së bashku me ta, duke dalur hapur në anën e tyre në luftën kundra komunizmit, që po instalohej në Shqipëri. Përpos masakrës së Qafës së Valmirit, masakra të tjera u kryen anë e kënd Mirditës, thuajse në çdo fshat e vend të saj. Mani i Lalë Ndreut, në Fushë-Lumth buzë lumit Zme, na kujton tragjedinë Mirditore me shumë akte. Tek ky man ogurzi pushkatoheshin e vareshin burrat më në zë të Mirditës, veprim i cili kryhej në të errur (muzg), e gjithë natën dhelprat, korbat e thitë (derrat), pinin gjak e hanin tru njeriu!
Vende të tjera ogurzeza të masakrave mbi Mirditën ka patur edhe në Fanë, Shpal, Ura e Fanit, Përlat, Selitë, Malaj, Rrushkull, Prosek, Shmri, Spaç, Orosh, Blinisht, Kodër-Rrëshen, Kaçinar, Kthellë, Manati, Prrullë, Velë, Troshan, Molung, Kashnjet etj. Ato nuk do të harrohen kurrë në memorien e Mirditasve. Lufta dhe rezistenca antikomuniste afro 10-vjeçare e popullit të Mirditës kundër komunizmit, flijoi dhjetra e qindra martirë dhe luftëtarë të lirisë. I pari që ra në fushën e betejës e në lamë të luftës ishte Mark Gjomarkaj, bir i derës së fisshme e princore të Gjonmarkajve të Mirditës. Ai qe një burrë i shquar e intelektual i madh, kryetari i “Komitetit të Maleve” e kryekomandant i luftëtarëve të lirisë. Masakra e Qafës së Valmirit mbetet aktuale dhe apelon: “O Zot na ruaj nga komunizmi, monstrat dhe të këqijat e tij”.