Albspirit

Media/News/Publishing

Respektimi i të drejtave të të burgosurve është i nevojshëm për të ruajtur humanizmin tonë

Xhoi Jakaj*

Një femer ne burg, një familje ne dramen e jetēs,Liria është një nga të drejtat më të çmuara të të gjitha qenieve njerëzore. Në rrethana të caktuara, autoritetet gjyqësore mund të vendosin nevojshmërinë për t’ua privuar disa njerëzve këtë të drejtë dhe i vendosin ata nën për kujdesin e administratës së burgjeve. Thelbi i burgimit është privimi i lirisë dhe detyra e autoriteteve të burgut është të sigurohen që kjo të zbatohet në një mënyrë që është jo më kufizuese sesa është e nevojshme.

Shqipëria numëron 23 Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe vetëm një prej tyre është për vajzat e gratë e privuara nga liria – I.E.V.P. “Ali Demi” – i njohur ndryshe si Burgu i Grave. Vetë target grupi që ky burg trajton e bën këtë Institucion disi më të veçantë se të tjerët. Këtu nuk ka “gangstere” të njohura, nuk ka rrëmbyese, nuk ka gra të skandaleve të profilit të lartë politik. Shumë prej tyre, pa krijuar keqkuptime, janë “aksesorë” të krimeve të kryera nga meshkujt. Krimet më të shumta në ngarkim të këtyre grave janë prostitucioni, vjedhja, mashtrimi (përvetësimi) e më pas vrasja për shkak të rrethanave familjare duke marrë parasysh historikun e zhvillimit të familjes shqiptare ku zor se mund të flitet për barazi mes gruas e burrit.

Fatkeqësisht, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë detyruar të kryejnë vjedhje apo mashtrim të shtyra nga nevoja për mbijetesën e tyre ose të fëmijëve të tyre, për shkak se vendet e punës janë të pakta dhe se mirëqenia e arritur është e pamundur për të jetuar. Parimisht ka gra dhe vajza të akuzuara apo dënuara për krime të “jakëve të bardha” por që realisht ngelen në shkallë minore për nga rrethanat e krimit.

Sistemi peritencial në Shqipëri është gjithmonë në vrazhdën e ndryshimeve të vazhdueshme, kjo jo për shkak se nuk është mjaftushëm i mirë por, se vetë shoqëria shqiptare po ndryshon me ritme të shpejta. Nëse para 25 viteve në vendin tonë ishte absurditet të dëgjoje të flitej mbi të drejtat e të burgosurve sot, kërkesat mbi përmirësimin e kushteve dhe respektimin e të drejtave të të burgosurve vijnë nga vetë burgjet, vetë sistemi kërkon të përmirësohet. Përmirësimet në infrasturkturë, në drejtim e në trajtim të të burgosurve janë çështje të ditës për punonjësit e sistemit peritencial.

Përmirësime e ndryshime të tilla nuk vijnë vetëm si rezultat i kërkesave apo kushteve që vendit tonë i janë vënë nga organizma të ndryshëm ndërkombëtarë në kuadër të integrimit por, sepse çdo njeri ka të drejtën të trajtohet me dinjitet dhe duke respektuar të drejtat njerëzore, përfshi këtu edhe të burgosurit. Sistemi ynë i burgjeve, i siguron çdo të burgosuri trajtim pa njëanshmëri dhe pa diskriminim mbi bazë gjininë, racën, ngjyrën, përkatësinë etnike, gjuhën, fenë, bindjen politike, fetare ose filozofike, orientimin seksual, identitetin gjinor, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, përkatësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen shëndetësore, aftësi të kufizuar, shtetësi ose përkatësi në një grup të caktuar ose për çdo shkak tjetër që përbën diskriminim.

Në I.E.V.P. “Ali Demi” ka një shumllojshmëri programesh që ofrohen në bashkëpunim me aktorë të rëndësishëm kombëtarë e ndërkombëtarë e veçanërisht me individë të ndryshëm që duan t’ju kujtojnë grave e vajzave të privuara nga liria se nuk janë vetëm e se gjithmonë ka një dritë për to në fund të këtij rrugëtimi. Qëllimi është i përbashkët: për të bërë sa më të efektshëm trajtimin e tyre në mënyrë që të mos riciklohen sërisht në rrugën e kriminalitetit pas lirimit të tyre e mbi të gjitha për të lehtësuar dhimbjen e dramën që secila prej këtyre grave mbart mbi supe.

Vendi ynë ka shumë sfida për të kapërcyer për të përfunduar rrugën e integrimit të tij dhe një ndër këto sfida, prej shumë kohësh, mbetet zhdukja e analfabetizimit. Statistikisht, mesatarja e nivelit të arsimit të grave të burgosura në vendin tonë është ai i arsimit të detyrueshëm dhe në mënyrë të konsiderueshme, burgosen gra që nuk kanë aspak arsim. Duke besuar se trajtimi i çdo të burgosuri mbështetet në interesin më të lartë të tij të integrimit shoqëror, edukimit dhe parandalimit të rifutjes në krim, në I.E.V.P.”Ali Demi” i kushtohet rëndësi e veçantë edukimit jo – formal. Prej më tepër se 1 vit, në regjimin e paraburgimit u krijua klasa e parë e arsimit për të burgosurat analfabete. Fillimisht u vu re një lloj hezitimi i vajzave e grave për të marrë pjesë në këtë program por, pasi shumë prej tyre arritën të shkruajnë vetë letrat për fëmijët e tyre, pjesëmarrja e rrit ndjeshëm. I njëjti program tashmë funksionon edhe në regjimin e burgimit.

Përveç praktikave që vetë administrata e burgjeve zotëron, është gjithmonë i nevojshëm bashkëpunimi i organizmave të tjerë, qoftë kombëtarë eapo edhe ndërkombëtarë. Prezenca e OSCE në Shqipëri, në mënyrë të vazhdueshme asiston në përmirësimin e politikave e praktikave që ndiqen për të trajtuar të burgosurit e i kushton një vëmendje të veçantë të burgosurave femra. Përveç aktiviteteve të shumta social – kulturore në të cilat ajo bashkëpunon, ka dhënë një kontribut mjaft të vlefshëm edhe në edukimin e grave e vajzave të privuara nga liria dhe këtë herë ka ofruar një program të tërë të arsimit profesional, më konkretisht kompjuterit.

Një kontribut për gratë e dënuara e ato të burgosura, ku në të dy regjimet janë instaluar pajisjet kompjuterike e tashmë është zhvilluar edhe kursi i kompjuterit. Vetë Sh.T. Ambasador Peter McGOVERN – Ambasador i Kanadasë në Romë dhe Sh.T. Ambasador Bernd BORCHARDT – Kryetar i Prezencës së OSCE në Shqipëri morën pjesë (04.04.2017) në inagurimin e ambjentit ku është zhvilluar ky kurs në regjimin e burgimit duke ju shpërndarë edhe çertifikatat kualifikuese të dënuarave që e ndoqën këtë program. Mesazhi që ambasadorët përcollen tek gratë dhe vajzat ishte domethënës për to dhe motivues për të arritur edhe më shumë – sepse liria për to, fatkqësisht, do t’i përballë me ndryshime të shumta të teknologjisë e shoqërisë pot, të paktën do të kenë njohuri edhe në këtë fushë.

Publiku i sheh të burgosurit si njerëz që nuk duhet të gëzojnë shumë prej të drejtave që ata realisht kanë por sigurisht, që nuk ngurron edhe të paragjykojë punonjësit e burgjeve. E “keqja” e të punuarit në burgje është se publiku informohet vetëm për ngjarje negative. Të burgosurit për asnjë arsye nuk goditen apo trajtohen ashtu siç shfaqet nëpër filma. Burgu nuk është institucion financiar ku punonjësit rrisin të ardhurat e tyre. Publiku dëgjon për korrupsion, por nuk e sheh se sa e vështirë është të punosh në sistemin peritencial, nuk i sheh punonjësit teksa ndërveprojnë me të burgosurit çdo ditë. Shoqëria i ka mbyllur keqbërësit e saj pas hekurave të sigurt të burgjeve por, ka harruar se bashkë me ta ka “mbyllur” edhe njerëzit që kujdesen për ta, ata njerëz që gëzojnë çdo të drejtë e liri si ata.

Ndaj është e rëndësishme të theksohet se çdo i burgosur i gëzon të gjitha të drejtat e liritë e tij për aq sa mund t’i lejojë ligji. Kjo jo sepse është i burgosur dhe duhet por, sepse është një qenie njërëzore që pavarësisht gjithçkaje ka dhe meriton të ketë të drejtat njerëzore të cilat nuk mund të humben sepse nuk janë të kushtëzuara. Si shoqëri ne kemi për detyrë të jemi të drejtë e human ndaj çdokujt, pavarësisht se bëhet fjalë për njerëz që kanë kryer krime. Dënimi është i rëndësishëm për të vënë drejtësi ndaj viktimës, jo për t’u hakmarrë ndaj personit që kryen krim. Hakmarrja do të mund të justifikonte mohimin e të drejtave njerëzore, drejtësia kurrsesi.

Respektimi i të drejtave të të burgosurve është i nevojshëm për të ruajtur humanizmin tonë!

*Autorja eshte drejtore e burgut te vetem te grave ne Shqiperi

Please follow and like us: