Vendet e ushtrimit të torturës gjatë regjimit diktatorial
- Kampet tela me gjemba
Ishin vende të rrethuara me tela me gjemba në të cilat vuanin një dënim administrativ personat kundërshtarë të regjimit, kryesisht fëmijë, pleq e gra. Funksionuan në vitet 1945 – 1953. Kampe të tilla ishin në Krujë, Berat, Tepelenë, Porto – Palermo, etj.
- Degët e punëve të brendshme ose hetuesitë. Ishin vendet ku zhvillohej tortura psikologjike dhe ajo fizike gjatë paraburgimit.
- Burgjet:
Ishin vendet ku vuhej dënimi i dhënë nga gjykatat. Sistemi i burgjeve ishte ndërtuar në qytetet kryesore. Karakteristikë e përbashkët e tyre ka qenë mbipopullimi. Të burgosurit qëndronin në hapësira të ngushta në mënyrë që depresionin ta kishin sa më të madh. Dalja në WC bëhej shumë e kufizuar.
- Kampet e punës
Ishin vende të rrethuara ose miniera në të cilat bëhej shfrytëzimi i punës së të dënuarve politike. Të tilla kanë qenë kampet në këneta, fabrika e uzina në ndërtim, miniera si Spaçi, Qafë – Bari, etj.
- Zonat e internimit
Ishin zona të përcaktuara për vuajtjen e dënimin administrativ të dhënë nga komisioni i internim – dëbimeve. Zonat më të njohura ishin ato të Fierit, Lushnjës, Vlorës e Beratit, por në të vërtetë e gjithë Shqipëri kishte fshatra për këtë qëllim. Punohej kryesisht në kooperativa bujqësore.
- Zonat e dëbimit
Ishin zona të përcaktuara për vuajtjen e dënimin administrativ të dhënë nga komisioni i internim – dëbimeve. Në dallim nga rasti i parë, personi mund të lëvizte në disa rrethe pa qenë nevoja të bënte kontrollin e përditshëm te punëtori operativ apo ai i policisë.
Llojet e torturës
1-Rrahje me dru, deri në shkaktimin e plagëve
Është torturë klasike e përgjithshme e bërë në hetuesi nga oficerët e Sigurimit e ndihmësit e tyre. Kjo torturë konsiston në goditjen me dru ose thupra (drunj të vegjël) të të pandehurit në kokë ose pjesë të trupit. Është përdorur masivisht kundër të gjithë të pandehurve apo personave të kapur sekret nga Sigurimi. Kjo lloj torture konsiston në goditjen e drejtpërdrejtë e të menjëhershme me një mjet të fortë. Ka qenë një torturë e “thjeshtë” që nuk kërkonte shumë kushte apo mjete.
2-Kruarje e plagëve të qelbëzuara me dru
Zhvillohej kur kishte avancuar faza e torturës dhe kishin filluar të zinin kore. Nga kjo torturë e rëndë ka vdekur në vitin 1947 Loni Adam, ish funksionar i ambasadës amerikane, ndërsa trupin kishin filluar ta hanin krimbat. Kjo lloj torture mund të kalonte deri në çmendjen e personit nga dhimbja e madhe.
3-Shpimi i mishit me tel të djegur
Ka qenë torturë barbare e përdorur sidomos vitet e para. Personit i ngulej një tel e nxehur në mish e cila depërton lehtësisht mbi mish e nga kjo kalon drejtpërdrejt në kockë. Prekja e kockës kishte pasoja të rënda sepse kalonte ose në humbjen e jetës, pasoja të rënda në shëndet, por edhe në çmendje. Nga përdorimi i kësaj torture ka vdekur avokat Muzafer Pipa në tetor 1946.
4-Përdorimi i rrymës elektrike në veshë e në trup
Ka qenë teknikë e përdorur nga sigurimi dhe hetuesia. Përdorimi i madh i kësaj metode ka çuar në çmendje shumë persona. Rryma elektrike kalonte në trupin e personit të marrë të pandehur në mënyrë që ai të thyhej për të pranuar procesin ose treguar gjëra në kurriz të të tjerëve.
5-Futja e kripës në mish
Përdorej për të acaruar gjendjen e të pandehurit. Kjo lloj torture përdorej në rastin kur plagët kishin përparuar. Përdorimi i kësaj torture kishte efekte psikike të forta, duke kaluar shpesh edhe në çmendje.
6-Lënia në ujë të ftohtë apo në fuçi uji
Ishte koha kur i pandehuri nuk pyetej. Trupi i lihej në një pellg me ujë në dimër në mënyrë që të kishte pasoja në shëndet. Pasojat ishin në dobësim zemre, mushkëri të sëmura, etj. Po ashtu personi vendosej në një fuçi uji. Kjo metodë përdorej kryesisht kur ishte gati ta zinte gjumi si dhe në orën e gjumit.
7-Lënia pa bukë deri në vdekje
Është një torturë e përdorur në hetuesi, por në raste speciale edhe në burgje. Ka ndodhur p.sh. me ish kryeministrin Kostaq Kotta që vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1948.
8-Lënia pa bukë për disa kohë
Përdorej në hetuesi dhe në izolim në burgje. Përdorimi i kësaj torture synonte thyerjen e të pandehurit në mënyrë që ky të mendonte se jetën e kishte të shkurtër.
9-Lënia zhveshur në të ftohtë
Përdorej në hetuesi dhe pothuaj në burgje si masa disiplinore. Kjo lloj torture kishte edhe efekte psikologjike për nga fotografimi i pamjes kur i dënuari lihej të shikohej nga të burgosur të tjerë.
10-Jeleku
Përdorej si mjet ndihmës për të rritur efektin e torturës. Muço Sali deklaronte: “Janë vënë në jelek dhe me një dru në mes të duarve dhe të këmbëve vareshin në dy stola, gjë që i bënte njerëzit si breshkë, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha”. Jepej ideja sikur njeriu ishte vendosur në hell në t’u pjekur.
11-Dinamit në trup
Vendosja e dinamitit në trup kishte efekt në zemër dhe në tru. I pandehuri kërcënohej se do hidhej në erë. Oficeri i sigurimit vazhdimisht mbante shkresën në dorë duke dhënë përshtypjen se mund ta ndizte fitilin. Rriste stresin dhe akthin me shpejtësi të madhe, duke kontribuar në sëmundje të rënda e të pashërueshme.
12-Shtrëngim i gjinjve me pinca
Një torturë e përdorur te meshkujt, linte pasoja në lëkurën e mishin personit që torturohej. Përdorej sepse gjinjtë si gjëndra lëshonin efekt të fortë dhimbjeje.
13-Futja e të pëgërëve (jashtëqitjes) në gojë
Është shumë vitet e para sidomos ndaj klerikëve që mbanin mjekër. E kanë përdorur ndaj sheh Ibrahim Karbunarës. Jo vetëm që të shkaktonte dhimbje nga era e keqe, por grumbullonte edhe mizat.
14-Varje me kokë poshtë
Është përdorur rëndom ndaj personave të akuzuar për krime shumë të rënda politike. Ka qenë ndër torturat më rraskapitëse e cila linte pasoja të mëdha mendore.
15-Lidhje me lin
Lidhja me fijet e linit shkaktonte vija në trup të një njeriut. Kjo lloj lidhje shkaktonte deformime të cilat i shiheshin personit gjatë gjithë jetës.
16-Lënie në diell
Përdorej si torturë për të burgosurit e për të paraburgosurit, në degë të punëve të brendshme ose në kampe pune. Nuk përdorej në burgje. Në kampe, i dënuari lihej në diell, kryesisht muajt e verës, në vendet ku punohej. Kjo jo vetëm për t’i shkaktuar torturë, por edhe për të shërbyer si shembull për të tjerët.
17-Maçoku në tumane
Përdorej kryesisht ndaj femrave. Maçoku futej brenda tumaneve të femrës dhe pastaj goditej me dru nga jashtë. Përpjekja e maçokut me thonjtë e tij për të dalë nga kjo gjendje, shkaktonin dhimbje të mëdha te femra që kishte veshur tumanet.
18-Përgatitje e varrit
Përdorej në dy forma: e para, para një varri të hapur ku bëhej gati improvizimi i vrasjes së të dënuarit dhe e dyta kur i pandehuri hapte vetë varrin ku mendohej se do varrosej.
19-Arma në gojë
Mjet presion që zhvillohej shpesh gjatë hetuesisë. I pandehur kërcënohej se do vritej nëse nuk tregonte.
20-Tentativë për çnderim të vajzës
I bëhej drejtpërdrejt personit të pandehur ose shërbente si mjet presioni ndaj tij kur i sillnin një femër të familjes si gruan, vajzën, etj.
21-Djegia e organeve seksuale
Përdorej djegia me benzine, e provuar ndaj Alfred Ashikut nga oficeri Cole Bashari.
22-Rrahja me kamxhik
Përdorej me kamxhikët e kafshëve. Kamxhiku u lëshohej në qafë të pandehurit në formën e një gjarpri që mblidhet shpejt rreth një peme. Por përdorimi i kamxhikut përdorej edhe si rrahje e drejtpërdrejtë në vend të drurit. Pasojat ishin të mëdha si në dëmtim të mishit, engëve të gjakut, etj.
23-Lëshimi i pikës së ujit në kokë
I pandehuri lidhej në një tavolinë dhe nga tavani i lëshonin periodikisht pika të forta uji që binin rëndë në kokë.
24-Vendosja e mangallit në vapën e gushtit
I futej në qeli të pandehurit në kulmin e vapës, në temperatura të larta të verës. (dëshmi e Xhevat Xhafës). Kjo lloj torture i shkaktonte të burgosurit një siklet të madh, djersë pa fund e dobësim të mëtejshëm.
24-Lënia në këmbë
Përdorej për të lodhur e sëmurë të pandehurit. Shkaktonte sëmundjet e kockave, mesit etj.
25-Lënia për të fjetur mbi çimento.
Përdorej në hetuesi dhe në biruca gjatë vuajtjes së masës disiplinore.
26-Shkaktimi i etjes dhe mbushja e gojës me kripë.
Përdorur nga hetues Irakli Kocani.
27-Lidhja me hekura në mur e lënia për disa ditë ashtu
Është përdorur nëpër qeli ndaj të paraburgosurve. Ka shkaktuar dhimbje kockash e organesh të brendshme.
28-Detyrimi për të kënduar natën
Vendosej muzika për të zhdukur zhurmat ose shumë të pandehur detyroheshin të këndonin natën.
“Detyroheshin të këndonin si gjela dhe të kakarisnin si pula, siç i është bërë Islam Radovickës, nga sigurimi i ushtrisë”.
29-Futja në biruca të errëta
Dëshmi: “Futnin nëpër biruca të errëta nga një njeri dhe në mesin e natës një tjetër ishte porositur të bënte si qen, të ulërinte dhe të kafshonte të burgosurin tjetër”.
30-Lyerja me marmelatë
Dëshmi: “Janë lyer me marmelatë në sy, veshë e hundë dhe kanë vënë një tjetër për t’i lëpirë”.
31-Shurdhimi
Vënia në stres të përgjithshëm duke shkaktuar zhurma të pandërprera. Kjo torturë është provuar e kryer në burgun e Burrelit.
32-Përdorja e tymit brenda qelive
Shkaktohej nga djegia e materialeve të ndryshme e futja e tymit të tyre nëpër qeli. Provohet e kryer në burgun e Burrelit.
33-Futja në arkivol
Mjet presioni për të pranuar procesverbalin e hetuesisë. I pandehuri mbyllej brenda arkivolit për disa minuta ose orë, duke i krijuar përshtypjen e vdekjes.
34-Goditja me pëllëmbë e me shqelma
Ka qenë tortura më e përhapur dhe fillestare. Ajo ushtrohej nga hetuesit si fazë e parë e torturës psikologjike. Hetuesi e përdorte për të thyer të pandehurit e dobët në mënyrë që të pranonte sa më shpejt procesin.
35-Hedhja nga lartësia
Torturë e përdorur shpesh në hetuesi, sidomos ndaj moshave të thyera. Shpesh herë prej kësaj torture, të proceduarit kanë vdekur.
(http://www.arct.org/index.php/historical-memory/dossier/396-vendet-e-ushtrimit-te-tortures)