Albspirit

Media/News/Publishing

Amerikanët, në pritje të eklipsit të plotë të diellit

Të hënën, më 21 gusht – për herë të parë në 99 vjet – të gjithë Shtetet e Bashkuara do të përjetojnë një eklips të plotë diellor, prandaj emocionet kanë përfshirë të gjithë vendin. Ekspertët i këshillojnë njerëzit të përdorin lente mbrojtëse të posaçme për të parë eklipsin, por, siç do të mësojmë në materialin në vazhdim, gjetja e tyre po bëhet shumë e vështirë.

Pas pritjes në trafik pranë fabrikës së birrës Lagunitas me orë të tëra, Sarah McKnight u zhgënjye.

Ajo kishte udhëtuar mbi 160 kilometra jo për birrë, por diçka që është bërë e pamundur për t’u gjetur kudo në shtetet e rajonit Midwest të Shteteve të Bashkuara – lente mbrojtëse, posaçërisht për të parë eklipsin e plotë të diellit me 21 gusht.

“Sapo arritëm, ata po thonin se nuk kishte më lente”, thotë McKnight.

“Gjëja më e kërkuar tani është një copë kartoni me lente shumë specifike që ju lejojnë të shikoni diellin gjatë eklipsit” – thotë Sarah Cole.

Sarah Cole është nënkryetare e “Adler Planetarium” të Çikagos, që sponsorizoi aktivitetin ku lentet jepeshin falas në Lagunitas Brewery. Ishte planifikuar që në 12:30 të fillonte shpërndarja e një mijë lenteve.

Por, njerëzit filluan të viheshin në radhë në orën 4 të mëngjesit dhe për shkak të kërkesës së madhe, dhënia e lenteve filloi më herët, prandaj shumë njerëz përfunduan dorëbosh:

“Kërkesa është jashtëzakonisht e lartë. Kemi bërë përpjekje të mëdha për të provuar të japim sa më shumë prej tyre që të jetë e mundur. Dhe mendoj se ne nuk mund të kishim parashikuar disa nga sfidat që erdhën me përpjekjet për t’iu përgjigjur kërkesës” thotë Cole.

Kjo ishte hera e fundit që “Adler Planetarium” jepte lente falas para eklipsit së 21 gushtit. Zonja Cole thotë se janë shpërndarë mbi 250,000 lente diellore.

“Menduam se një çerek milioni do të mjaftonte, duke patur parasysh se njerëzit do të kishin mënyra të tjera për t’i sigurua….”

Kërkesa ka krijuar një treg fitimprurës në internet për lente speciale, një nga mënyrat e vetme të tjera, përveç dhënies falas nga “Adler Planetarium”.

“Nuk ka më lente nëpër dyqane dhe tani nuk ka shumë mundësi për t’i siguruar”.
Megjithatë ato janë të nevojshme për të parë eklipsin:

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit të mos shohin drejt diellit pa këtë lloj mbrojtjeje” shton zonja Cole.

Kjo do të thotë se, nëse Sarah McKnight nuk i gjen dot para eklipsit, ajo dhe djemtë e saj do të humbasin një mundësi që vjen njëherë në jetë.

“Duket sikur po kërkojmë për një biletë të artë. Kudo janë shitur, njerëzit thonë ‘s’ka më!’…por duhet të ketë mbetur një palë lente për ne, apo jo? Diku mund t’i gjejmë besoj” – thotë Sarah McKnight.

“Adler Planetarium” ka edhe disa të tjera… posaçërisht për t’i dhënë gjatë aktivitetit të organizuar atje për të parë eklipsin diellor.

Please follow and like us: