Albspirit

Media/News/Publishing

Ben Andoni: Teodor Keko, 15 vjet më pas, mbetet i gjallë mes miqve

Vitet ikin kur shikon rritjen e një fëmije, por më shumë nga mungesat, që na lënë njerëzit e afert që nuk janë më. Teodor Keko u nda nga jeta plot 15 të shkuara më 20 gusht të vitit 2002. Nga ai vit shumë nga miqtë e tij kur kujtojnë jetët e tyre e kanë të pareshtur dhe atë në kujtimet e aferta, por edhe në mungesën e një njeriu, që ndau aq shumë gëzim, por edhe të përbashkëta. Mbi të gjitha, letrave u iku një njeri, ekzistenca e të cilit, falte shumë mëvetësi, por edhe origjinalitet.

Një mungesë, që nuk është zëvendësuar, por që bëhet e dhimbshme për shkak të fatit jo të mirë të tij dhe ndarjes parakohe nga jeta.

Por, ajo që mungon dhe që njerëzit i kthehen spontanisht figurës së Kekos, është fakti që ai e ka privuar kryeqytetin nga soji i atij qytetarit të vërtetë. Nga një, prej atyre, që Tiranës i mungojnë shumë në ditët tona. Në të gjallë, ai i fali kryeqytetit shumë jetë, jo thjesht përmes artit të tij, që dora-dorës u bë më i spikatur dhe shoqërisë së tij urbane, por edhe angazhimeve të shumta. Për gazetarët, ai ka lënë një vend bosh, për sa i përket trajtimit të problemeve dhe mprehtësisë së penës. Për politikanët, mbeti një fshikullues i pashpirt i mediokritetit dhe mori përsipër vetë demaskimin e tyre.

Mjeshtër i batutës por më shumë sinqeritetit ai do mbahet mënd për atë që i fali të gjithëve: pastërtinë e mendimit.”Nisur nga përvoja ime, dhe si deputet, pra si ish-premtues edhe si votues, do t’iu rekomandoja të dëgjonit me shumë kujdes liderat politikë, natyrisht, nëse nuk e keni ndarë mendjen të votoni për partinë tuaj e jo për individin. Po, mos kini paragjykime, mund të orientoheni pak a shumë saktë, se në cilën anë qëndron më e mira për mbarë shoqërinë shqiptare. Mirëpo duke e ditur se ne e kemi të vështirë të ndahemi nga paragjykimet…”. Keko u përball sipas mënyrës së tij me këtë realitet, duke qesënditur, por edhe me një indiferencë të hapur. Për ata që ankohen për këtë realitet ai la hapur një shteg pastërtie, nga ku mund të kalojnë, ata që e mbajnë veten realisht si të papërlyer. Edhe pse vitet që mbylli para kohe nuk ia mundësuan të bënte me shumë.

Teodor Keko u lind në 2 Shtator të vitit 1958 dhe u nda nga jeta më 20 Gusht të vitit 2002. Ai ishte publicist, shkrimtar dhe për dy vjet u zgjodh si deputet në Kuvendin Popullor. Ai e gjeti veten në tregimin e shkurtër, ku ai respektonte shumë tregimtarët e para viteve ’90. Ai ka lënë shumë shkrime dhe botimet ”Lajmëtarja e vdekjeve”, “Made in Albania”, “Prostituta” etj. Shpirti i Kekos ishte mbarsur për të krijuar gjëra të mira dhe që të gjithë i shpresonin dhe i prisnin shumë tek ai. Ai vetë ishte i pari, që kuptoi, se në këtë fushë, ai mund të jepte për të gjithë”. Ja një frazë, nga ai, që tashmë merr një kuptim tjetër: “Nuk isha politikani klasik. Nuk e gjeja veten aty dhe kjo bëri që të mos hiqja dorë nga zanati im”. E më tej akoma “Nëse nuk bëhesh prostitutë e pushtetit hyn tek njerëzit normalë dhe një punë e ke”. Për Dorin, mund të flasësh pa fund dhe të kujtohesh mbi të gjitha me respekt për një vend, që kurrkush nuk mund ta zerë dot, …atë të qytetarit të mirë shqiptar.

***

Mesnatë. Cigaren e fundit flaka nga ballkoni

dhe harku i zjarrtë në tokë u shua.

Jeta ime le të bjerë kështu,

veç deri ditën e mbrame zjarrin ta ruaj.

1992

Please follow and like us: