Albspirit

Media/News/Publishing

Eugen Shehu: Qenan Zija Manastirliu, një shpresë e pathyer

 

Parafytyroni një çast, një shkëmb buzë detit. I fortë, krenar, i thepisur, ai u ka bërë ballë valëve të tërbuara nëpër shekuj të tërë. Ato valë tinzare që kanë mësy në thellësi, anash apo ballë për ballë. Por askurrë nuk ia dolën ta rrëzojnë. Ato vetëm e zbukuruan shkëmbin, e bënë më tërheqës profilin e tij dhe ende sot ndjehen të pafuqishme për ta rrëzuar ate. Jeta dhe vepra e  Qenan Zija Manastirliut i ngjan këtij shkëmbi. Vitet që shkuan dhe ato që vijnë, ashtu si dallgët, sjellin veç kujtimin e madh të këtij burri.

Qenan Zijai lindi në Manastir, në vitin 1863. Nga prindërit atdhetarë, trashëgoi jo vetëm dashurinë për vendlindjen, por edhe idetë që potenconin veprimtari të guximshme për krejt trojet shqiptare. Kuptohet se shkollimi në Manastir, në vitet 70 të shekullit të kaluar ishte mjaft i vështirë dhe për këtë arsye, Qenani i vogël merr rrugët e Turqisë. Ngase i jati zotëronte pasuri të mëdha në trevën e Manastirit, ai nuk do të kursente aspak për të birin. Intelegjent për nga natyra, shtatlart dhe me një energji të pashoq, Qenan Zijai do të shkollohej në Stamboll fillimisht në një shkollë me karakter fetar e më pas në një prej shkollave ushtarake. Mësohet nga burime gojore, se jeta e këtij biri të Manastirit, ishte e lidhur shumë ngushtë me vendlindjen e vet. Shoqëria e tij do të ishte vetëm shqiptare (nga të katër vilajetet) dhe shpirti i tij do të frymëzohej prej atyre punëve të dobishme që patën kryer asaj kohe, shqiptarët në Stamboll.

Kriza Lindore e viteve 1875-1878, i parapriu disa veprimtarive me karakter thellësisht nacional, të shqiptarëve përparimtarë të kohës. Dihet tanimë se në prillin e vitit 1877, disa prijës shqiptarë organizuan një tubim të gjërë në Janinë, me ç’rast Portës së Lartë ia dërguan edhe një memorandum. Në këtë memorandum shprehej qartë dëshira e këtyre nacionalistëve shqiptarë, për bashkimin e krejt viseve në një vilajet të vetëm, me administratë dhe gjuhë shqipe. Kështu që edhe në muajt tetor-nëntor 1877, në Stamboll formohet “Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare Shqiptare”. Burime të historiografisë sonë flasin qartë se nismëtarë të këtij komiteti ishin Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Zija Prishtina etj. Anipse student, Qenan Zijai duke përfituar edhe nga pozita e lartë shoqërore dhe ekonomike, nga e cila vinte, hyn në rradhët e këtij komiteti me besimin e palëkundur për t’i shërbyer  çështjes shqiptare. Ngase e njohin preardhjen e tij, ngase shohin këmbënguljen dhe vullnetin e birit të Manastirit për të studiuar, janë disa të dërguar të Portës së Lartë me ç’rast i ofrojnë nder e ofiqe të mëdha. Por Qenan Zijai nuk mund të bënte kompromis me askend. Veçanërisht kur fjala ishte që t’i shërbente Portës së Lartë për të haruar atdheun, shpirti i madh i tij do të trazohej si një det me dallgë. Edhe pse nuk mund të bënte pjesë në elitën e patriotëve shqiptarë të Stambollit, Qenan Zijai do të ndikonte ndjeshëm me arsyetimin e tij në punët dhe veprimtarinë e komitetit që përmendëm më sipër. Ai do të agjitonte veçmas për rrugët e mundshme që në vilajetet shqiptare të mund të mësohej në të shkruar gjuha shqipe, ngase parashihte në këtë dimension,një zgjim të vrullshëm të krejt lëvizjeve shqiptare për autonomi. Rrjedha të reja do të merrnin ngjarjet, në vorbullën e krijimit dhe funksionimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në tetorin e vitit 1880, këshilli kryesor i kësaj Lidhjeje në Dibër vendosi t’i dërgoje Portës  së Lartë një ultimatum me ç’rast kërkohej dhënia e menjëhershme e autonomisë për krejt viset shqiptare. Meqenëse Porta e Lartë heshti përpara kësaj kërkese të drejtë të shqiptarëve, krahu ushtarak i Lidhjes së Prizrenit ndërmori një varg luftimesh duke luftuar pushtetin osman në Pejë, Prizren, Kaçanik dhe Tetovë. Për më tej, më 4 janar 1881 forcat e Lidhjes hynë në Shkup duke vendosur aty pushtetin e tyre. Në këto ditë konsulli anglez në Selanik njoftonte qeverinë e tij se forcat shqiptare „kanë prerë plotësisht transportimin e materialit luftarak për ushtrinë turke,me anë të hekurudhës Shkup-Mitrovicë“(Arkivi i Institutit të Historisë,mikrofilm,dok,19-janar-1881).

Por nëse në Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar e Dibër, pushteti i Lidhejs Shqiptare të Prizrenit u vendos në muajt e parë të vitit 1881, në Manastir, si rrjedhojë e përqendrimit të forcave të mëdha osmane, kjo gjë nuk ishte e lehtë. Pikërisht në këto momente, në Manastir e rrethina ka nisur të flitet me admirim për një djalosh të ardhur nga Stambolli i cili me disa kapedanë të tjerë pat lajmëruar nëpunësit osman të Manastirit të largoheshin nga vendet e punës një orë e më parë. Ky djalosh trim quhej Qenan Zijai. Ardhja e tij në vendlindje, pasuria që gëzonte prej të atit, farefisnia e madhe, bënë që pas birit të Manastirit të ngarendnin dhjatra e qindra shqiptarë, në zbatimin e vendimeve me karakter organizativ dhe ushtarak të Lidhjes së Prizrenit. Në ngjarjet që rodhën më pas, Qenan Zijain do ta shohim më së shumti të merret me problemet familjare të tij. Ngase veprimtarët dhe idhtarët e Lidhjes së Prizërenit u përndoqën, një fat i tillë i shkoi pas edhe birit të Manastirit. Për disa kohë  largohet nga vendlindja por pa haruar për asnjë çast të kthehej kur të dëgjojë zërin e dhimbshëm të saj. Ashtu si zëri i nënës që kërkon bijtë përpara stuhisë, Manastiri do ta thërriste Qenan Zijain, në vitet e para të shekullit të kaluar. Në fillim të vitit 1906, ai ka rënë në kontakt me ideatorët e Komitetit të Fshehtë të Manastirit duke ofruar sidomos ndihmën e vet materiale. Më tej e ka kuptuar se disponimi i tij në fatet e atdheut, vlen së pari të jetë një disponim shpirtëror e mandej material. Së bashku me Gjergj Qiriazin, Bajo Topullin dhe Feim bej Zavallanin është ndër nismëtarët e krijimit të Klubit të Manastirit në vitin 1908. Fillimisht, si gjithë patriotët e tjerë, edhe Qenan Zijai do të përkrahte politikat dhe reformat e turqve të rinj, duke shpresuar në ditë më fatlume për krejt bashkëkombasit e vet. Por vetëm disa muaj më pas, ndërsa ndiqte me vëmendje diktaturën e re që turqit e rinj donin të montonin në krejt popujt e robëruar, ai pati forca të ngrihej menjëherë kundër tyre.Në pranverën e vitit 1909,Klubi i Manastirit,do të zhvillonte një veprimtari të dendur politike dhe propagnadistike. Liria e atdheut si dhe çelja e shkollave shqipe, do të ishin dy prej ideve të fuqishme të shpalosura jo vetëm në Manastir por në krejt vilajetet shqiptare. Patriotët shqiptarë parashihnin se krahas pushkës duhej të punonin edhe me pendë. Qenan Zija Manastirliu, së bashku me Dervish Himën dhe Feim bej Zavallanin, janë ndërkaq ideatorët e një memorandumi dërguar Portës së Lartë, në emër të klubit dhe krejt popullit të Manastirit. Sipas burimeve arkivore të huaj, në këtë memorandum, pos të tjerave kërkohej: “Qeveria shpesh herë ka dërguar batalione të veta dhe mund të dërgojë tani e mbas,por me këto masa nuk arriten ende të sigurojnë qetësinë dhe rregullin që mund të çoje popullin në rrugën e qytetërimit.Prandaj në radhë të parë është e nevojshme që popullsia të shkollohet në gjuhën e vet“. (Arkivi i Institutit të Historisë, Raport i konsullit austriak  në  Manastir  7 mars  1909, dok. 7).

Duke parë se rreth klubeve patriotike të asaj kohe u mblodhën patriotët dhe intelektualët më në zë të Shqipërisë, duke parandjerë shtimin dhe fuqizimin e tyre, turqit e rinj ngritën Komisionin e Përgjithshëm Konsulltativ, me ç’rast pretendonin t’u vinin në ndihmë klubeve patriotike shqiptare. E vërteta është se edhe ky komision së pari donte të tregonte sa ma shumë lëvizjen kombëtare shqiptare, donte ta mbante ate nën kontroll madje duke kërcënuar edhe mjaft intelektualë shqiptarë të ndikonin  fuqishëm në këto klube. Edhe ndaj këtij komisioni, Qenan Zijai u ngrit hapur. Ai në disa tubime në Manastir e rrethina u shpreh se shqiptarët u ngritën vetëm për shkollat e gjuhën shqipe, pa ndihmën e askujt dhe vetë do ta çojnë deri në fund luftën e tyre. Ndërkaq në Manastir, në vjeshtën e vitit 1908 ishte mbajtur kuvendi madhor i abecesë shqipe. Vendimet e këtij kongresi në disa vise po gjenin zbatim e në disa të tjera gjenin pengime të mëdha prej turqve të rinj dhe disa shqiptarëve të shitur tek ta. Gjatë kësaj kohe, Qenan Zijain e shohim të jetë në krye të liberalëve me ç’rast kërkohet prej turqve të rinj jo vetëm lejimi i klubeve dhe shoqërive atdhetare e kulturore ,por edhe shkollat e shtypshkrimet në gjuhën shqipe.E vërteta është se ndikimi i tij në Manastir e rrethina ishte tejet i madh e taman për këtë, Turqit e Rinj i ofruan poste të rëndësishme në qendrën e vilajetit. Sidoqoftë, biri i Manastirit nuk i pranoi. Ai me përkushtim edhe më të madh, iu vu detyrave të klubit të Manastirit duke kundërshtuar tendencat autarkike të turqve të rinj. Veçanërisht në verën e vitit 1909, shkëputja e atdhetarëve prej kauzës së turqve të rinj ishte e dukshme. Veprimet e klubeve dhe shoqërive shqiptare shiheshin tanimë prej konsujve të huaj në Shqipëri si “opozitë e fortë në Shqipërinë e Jugut dhe rebelim i hapur në Shqipërinë e Veriut“(Arkivi i Institutit të Historisë. Kapitulli,“Ngjarjet e fundit në Shqipëri“ 1908-1910, faqe 11).

Po në këto momente, me urdhër të Ministrisë së Arësimit të Turqisë, u ndalua në shkollat shqipe përdorimi i alfabetit me germa latine dhe u detyruan mësuesit të përdornin alfabetin me germa arabe. Qenan Zija Manastirliu ishte ndër atdhetarët e parë që protestoi për këtë veprim dhe zëri i tij u ndie i fuqishëm në disa tubime me ç’rast u përshëndet prej qindra njerëzve të thjeshtë.

Mendoj se ndër kulmet e atdhetarisë së Qenan Zijait, mund të merret edhe pjesemarrja dhe qëndrimi i tij në Kongresin  e Dibrës, të kësaj treve me histori aq të lashtë e trimërore. E kam nënvizuar edhe diku tjetër, se burimet historike flasin për ate,që nismën  e këtij kuvendi, e patën marrë në fillim vetë turqit e rinj, me ç’rast donin të varrosnin përgjithmonë alfabetin latin, gjuhën dhe kulturën shqipe, lëvizjen mbarëkombëtare shqiptare me kahje nga drita dhe dituria. Por ndodhi e kundërta. Kongresi i Dibrës u kthye në një tribunë ku atdhetarët shqiptarë shpalosën jo vetëm dashurinë për atdheun e gjuhën shqipe por edhe guximin e trimërinë për të realizuar deri në fund vendimet që do të merreshin aty. Se ç’ka arriti Kongresi i Dibrës, tanimë dihet. Por në momentet e para të tij, në ato momente tejet të nxehta ku turqit e rinj nisën të flasin e komentojnë vetëm turqisht,ishte pikërisht Qenan Zija Manastirliu, përfaqesues i popullit të Manastirit i cili në shqip, me zërin e fortë iu drejtua kongresistëve të pranishëm: “Burra na jena shqyptarë e gjuha e jonë ashtë shqipja.Nana na e ka mesue e s’duhet me e harrue askurrë. Jo vetëm në ket kuvend por edhe jashta tij na duhet me folë veç në gjuhë të nënës“. Është e njohur tanimë, polemika e ashpër në ditën e parë të këtij Kuvendi ku turqit e rinj kërkonin të lexohej një platformë e përpunuar prej tyre, ndërsa shqiptarët vazhduan debatin për çështjen e gjuhës dhe shkollave shqipe. Pas disa mosmarrëveshjeve, delegatët ndërprenë kuvendin duke u ndarë veç e veç. Ndërsa turqit e rinj dhe pasuesit e tyre vazhduan bisedimet në vendin e quajtur Beledije (Bashki), atdhetarët shqiptarë u mblodhën në teqenë e Baba Shabanit. Këtu, në drejtim të qëndrimit burrëror të Qenan Zijait u thanë shumë fjalë, me ç’rast edhe Vehbi Dibra kryetar i këtij Kongresi e përshëndeti aktin e këtij burri të shquar të Manastirit. Ndërsa Hafiz Ali Korça, pjesemarrës në këtë tubim, shkruan: “Ata që e ndezën diskutimin në këtë komision ishin Myfti Vehbi Dibra, Myfti Kara Rexhepi, Mytesim Këlliçi, Haxhi Ibrahim Pustina, Haxhi Ali Elbasani, Aqif Pashaj, Sadik Pash Janina, Mustafa Arifi, Ihsan bej Selaniku, Evrenoz Zadeja, Qenan bej Manastirliu, Abdyl Ypi dhe shumë të tjerë“. (Hafiz Ali Korça, “Shtatë ëndrat e Shqipërisë“,viti 1924, faqe 28).

Mendoj se është mjaft me interes të rikujtojmë se atdhetarët shqiptarë luftuan me të gjitha forcat, që në përcaktimin e emrit të këtij kuvendi. Turqit e rinj bënë çmos që ky të emërohej “kongersi i shqiptarëve osmanlinj i bashkimit dhe konstitucionalizimit i Dibrës”. Atdhetarët shqiptarë e kundërshtuan me forcë e argumente këtë emërtim duke mos pranuar që raca dhe historia e tyre të përfillej nën mbiemrin osmanlinj, a thua se ata kishin qenë popull anonim. Në korin mjeranë të atyre zërave që donin të ruhej ky emërtim u bashkua edhe delegati serb i Vuçitërnës, Glisha Elezoviç. Por me të mbaruar ky, ishte pikërisht Qenan Zijai i cili u shpreh se “Dibra dhe vendi ku ka lindur Elezoviçi, që kur se historia kish shënuar të ngjarat e botës, ka qenë atdheu i shqiptarëve dhe një pjese e Shqipërisë”. E vërteta është se përfaqesuesit e Portës së Lartë  në Kuvendin e Dibrës, po ndjenin se çdo ditë e më tepër qëllimet e tyre nuk po realizoheshin. Për mëtej, atdhetarët shqiptarë, duke shpalosur idetë dhe mendimet e vyera të tyre, jo vetëm po demaskonin qëndrimet proturke por fitonin çdo ditë e çdo orë,zemrat e popullit të Dibrës i cili u pat hapur dyert dhe zemrat. Përballë kësaj gjendjeje, idhtarët e alfabetit arab, menduan të ndalnin diskutimet, duke menduar se do të mund të manipulonin më tej qëndrimet e disa shqiptarëve, delegatë të këtij kuvendi. Por ishte atdhetari Vehbi Dibra i cili duke kuptuar rrezikun që vinte nga mbyllja e debateve kish të drejtë të shfaqte mendimin e vet. Diskutimet me ç’rast duhej të ishin të rregullta dhe brenda proceduarve të caktuara. Këtë ide e mbështeti me ton burrëror edhe Qena Zijai i cili nuk mungoi të thoshte: “Kemi liri të plotë,s’ka të drejtë kush,të na caktojë kufi për bisedim.Mendimet e larta të kombit bujar s’mund ti nëpërkëmbi askush”.(Arkivi  i  institutit  të  Historisë , dosja  A-VII-63).

Pas pesë dite debatesh, Kongresi i Dibrës u mbyll. Shqiptarizma kish fituar një dimension të ri në ate vend, në ato troje të lashta të Shqipërisë. U vendos që të vazhdohej me zbatimin e ideve të Kongersit të Manastirit (një vit më parë më 1908) edhe u shtjelluan mjaft probleme të lëvizjes sonë kombëtare. Është e njohur tanimë se në ditët e zhvillimit të Kongresit, në shtëpitë dibranë por edhe në teqenë e Baba Shabanit u tubuan në fshehtësi qindra patriotë me ç’rast kuvenduan për kryengritjen e përgjithshme. Edhe në këto tubime Qenan Zijai u përpoq të jetë sa më i kursyer në fjalën e tij se do të gjenin në Manastir e rrethina mikpritjen e birit të Manastirit në çdo kohë. Ende sot, atje në Arkivin e Historisë dhe Bibliotekën kombëtare në Tiranë ruhet libri i Qenan Zijait me titull “Dibar Kongress”. Disa shënime ky burrë i madh i ka mbajtur me një kujtes të veçantë, që hedhin dritë mbi krejt ngjarjet e kuvendit kulmor të atyre viteve, në rrafsh të patriotizmës shqiptare. Veçmas, në këtë faqe shënimesh Qenan Zijai shpalos një respekt të veçantë dhe dashuri vllaznore për Vehbi Dibrën me të cilin do t’i lidhte përjetësisht një miqësi bujare. Faqe pas faqeje, figura e Vehbi Dibrës ndiçohet për të kumtuar në fund të shënimeve: “Mendimet e tij u mirëpritën nga të gjithë të parnishmit. Njëri nga delegatët i propozoi kongresit ta falenderonte kryetarin për kryerjen e detyrës në shkallën më të lartë dhe për ta kurorëzuar me sukses këtë tubim. Ky personalitet i shquar dha një kontribut me peshë në punën për hartimin e projekt-programit shtesë, në nënshkrimin e proces verbalit,s i edhe vendimeve të marra nga delegatët. Ai në përcjelljen që i bëri populli i Dibrës delegatëve, e cila qe po aq madhështore sa edhe pritja, i përshëndeti e falenderoi ata me një fjalë tshkurtër e domethënëse për momentin duke i uruar për të mirën e atdheut“. (Qenan Manastirliu, “Dibra Kongress”, faqe 37 – 38).

Vitet që rrodhën më pas, treguan se biri i Manastirit do t’u mbetej kurdohere besnik i ideve dhe mendimeve të shpalosura në Kongersin e Dibrës. Me të shkuar në vendlindje, ai ndërmerr hapa konkrete duke ndikuar në ato pak shkolla të çelura që alfabeti me germa latine të përparonte sa ma shpejt. Në kontakt me Feim bej Zavalanin si edhe atdhetarë të tjerë shqiptarë ndihmuan shtypjen e abetareve shqipe si edhe paguan nga të ardhurat e tij,patriotë të veçantë me ç’rast duke mos përfillur rreziqet, do të mund t’i shpërndanin këto abetare, në krejt trevat e Vilajetit të Manastirit. Për të hedhur dritë mbi ate çka u vendos në Kongresin e Dibrës, në vitin 1912, Qena Zija Manastirliu boton në Stamboll, në gjuhën turke, ngjarjet kryesore të këtij kuvendi. Qëllimi me këtë rast ishte i dyfishtë. Të lexohej ky libër edhe prej shqiptarëve që nuk lexonin dot në gjuhën  e tyre por edhe prej intelektualëve turq të asaj kohe të cilët patën dëgjuar diçka mbi ngjarjet në Dibër, në vitin 1909. Në vitet që rrodhën më pas, Qenan Zijai do të mbetej padyshim një prej personaliteteve më të spikatura në Manastir e rrethina. Tashmë, ndarja tragjike e kufijve të Shqipërisë, më 1913 do të sillte rrjedha të tjera në historinë tonë. Ngatërresat ballkanike jo vetëm që nuk do të merrnin fund në këte coptim të Shqipërisë, por përkundrazi do të ndiznin konflikte të reja, që patën fjetur diku në humbetirat e zgjedhës osmane.

Në shtëpinë e madhe dhe të bukur në Manastir, tek Qenan Zijai shohim të shkojnë shpesh dy vëllezërit Nexhip e Ferhat Draga. Së bashku me ta, Qenani do të ndikonte së tepërmi në ngitjen dhe funksionimin e organizatës së Xhemijetit, (Bashkimi). Ngase degën e kësaj organizate në Manastir e kryesoi për një kohë të gjatë Qenan Zijai, meqë dhe reputacioni i tij ishte në rritje, rreth kësaj dege u tubuan me qindra shqiptarë atdhetarë të cilët përpiqeshin të bënin diçka për të ndaluar mbrapshtësinë e fatit të shqiptarëve. Edhe pas vdekjes së Nexhip Dragës, Qenan Zijai mbajti lidhje të rregullta me Ferat Dragën. Mandej të dy këta burra, në fillim të viteve 20 të shekullit të kalua, bashkëpunuan dukshëm në rrafsh të mbijetesës së shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre, në Maqedoninë Shqiptare. Po të kemi parasysh se në ato vite kishte një marrveshje protokollare midis qeverive serbe e turke për shpërnguljen e shqiptarëve, do të bindemi për punën dhe përpjekjet e mëdha të këtyre dy burrave, me ç’rast kanë protestuar pranë qeverive përkatëse, pa u trembur nga pasojat që mund të kishin. Natyrisht duke patur vite të tëra jete, në shërbim të popullit të vet, Qenan Zijai do të rrethojej edhe prej një respekti të madh. Kështu në vitet 1922-1924, ate e shohim si deputet të Xhemijetit (Bashkimit) në Parlamentin e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene. Edhe këtu, biri i Manastirit vlen të gjykohet kurdoherë nga ato fjalë të tij, të cilët ndonëse ishin të pakta, gjithmonë goditën në shenjë, çdo fjalë e Qenan Zijait në këtë parlament mund të merret si aktakuzë ndaj dhunës psikologjike e fizike të makinës ushtarake serbe ndaj popullit të Kosovës dhe Maqedonisë Shqiptare. Veçmas në këto fjalime, ai akuzon ministrin e arësimit jugosllav i cili kish mbyllur të gjitha shkollat shqipe duke lënë fëmijët shqiptar, rrugëve. Në një prej seancave të këtij parllamenti, Qenan Zijai iu drejtua deputetëve serb të ashtuquajtur demokratë me termin, hajdutë dhe me fakte përfoli hajdutërinë e tyre. Lidhur me këtë akuzë shtypi shkruan se: “Zoti Magovçevia ngrihet nga karrigja,drejton gishtin nga Qenan Beu dhe i kërcënohet që të kërkoje falje para të gjithëve për ate që i quajti demokratë e plaçkitës. Mirëpo Qenan Beu nuk ia vuri veshin fare dhe vazhdoi të kritikoje edhe më tej. Reagimet mbërrinin kulmin dhe çdo moment pritej rrahja. Dëgjoheshin të shara, kërcënime, alarme, zhurma. Kryetari ndërpreu mbledhjen”. (R.Nexhipi, shtypja dhe rezistenca shqiptare në Maqedoni,faqe 174).

Natyrisht jeta e çdo njeriu nuk mund të jetë një trajtore drejt përsosmërisë. Situatat e turbullta, interesat, hamendjet e shtyjnë gjithkënd drejt vendimeve të cilat në kohën e sotme mund të merren me rezervë. Historiografia shqiptare ka pohuar diku se ka patur edhe çaste të vështirë në bashkëpunimin e Fehrat Dragës me Qenan Zijain. Sidoqoftë unë mendoj se qëndrimet e kundërta të tyre vlen të shihen kurdohere në dritën e ngjarjeve të kohës, përndryshe lehtësisht mund të përflasësh këto, nga lartësia e viteve, me kokë të ftohtë dhe gjykim të plotë. Megjithe polemikat që kishin, Qenan Zijai dijti kurdoherë të ruaj interesat e popullit të vet. Reputacioni i tij nuk u lëkund dhe për këtë flet fakti që ai është nismëtar i Kongresit të Tretë të Xhemijetit në prillin e vitit 1928 ku merrnin pjesë dhjetra delegatë nga mjaft vise shqiptare. “Kongresi zgjodhi për kryetar Qenan Ziajin nga Manastiri,nënkryetar Ismet Bej Qemalin nga Gjakova dhe arkëtar Kemal Osmanin nga Shkupi. Këtu u vendos që “Bashkimi” të ketë organin e vet “Hak“ i cili do të botohej në gjuhën turke, ndërsa dy ditë në javë në gjuhën shqipe”.(Dr.Daut Bislimi,“Formacionet ushtarake në Kosovë“1941-1945,faqe 27).

Edhe dy vite më pas, Qenan Zija Manastirliu spikat për shqiptarizmën e tij. Mandej i lodhur, shpresëthyer prej ngjarjeve largohet për në Turqi me imazhin e Shqipërisë së lirë. Vdes në vitin 1935, larg njerëzve që i kish dashur, që pat jetuar e luftuar, që pat qarë e qeshur. Sidoqoftë edhe në çastin e mbramë, në gjirin e ngrohtë të familjes kujtoi pikërisht Manastirin, ate tokë të shenjtë të vendlindjes, e cila ende sot vuan mungesën e lirisë. Nëse për shumë historianë sllavomaqedonas, vepra e Qenan Zijait është etiketuar si vepra e vyer e një turku, kjo s’duhet të na mërzite ne shqiptarët. Përkundrazi, në përpjekjet tona për të ndriçuar sa ma shumë, mendoj se është edhe nderimi i thellë për shqiptarin e madh, birin dhe burrin  e Manastirit e Shqipërisë.

Please follow and like us: