Mërgim Korça: Diktatura nuk u shëmb, por vetëm se u shkërmoq
Disa konsiderata rreth librit “Fabrikimi i vdekjes” me autor Bedri Blloshmin
Së pari, nuk rrij dot pa i përgëzuar nismëtarët e ngritjes Organizatës Albanian American Freedom House, (AAFH), të cilët si piksynim kryesor i kanë vënë vetes detyrë të hedhin dritën e së vërtetës rreth ngjarjeve, rrethanave si edhe zhvillimeve përgjatë lakut kohor nga dita kur e mori pushtetin P.K.Sh. e deri në ditët tona, me pak fjalë të vendosin piketat përgjatë të cilave të kalojë linja e aksit e historisë së shkruar të Shqipërisë e cila deri më sot ka qen’e shkruar nën trysní ideologjike e me shtrembërime marramendëse.
Nga ana tjetër, uroj nga zemra që këta nismëtarë dhe njëkohësisht dëshmitarë në vetë të parë të një pjese të madhe të historisë sonë kombëtare, do të dijnë si t’ua kalojnë studjuesve të rinj trashëgimín’ e të vërtetave të përjetuara prej tyre përgjatë periudhës diktaturës komuniste…Së treti, vetë organizimi i paraqitjes së librit të hartuar nga zoti Bedri Blloshmi, i përshkuar tej’e ndanë nga dokumenta arkivore dore të parë rreth krimit të përbindshëm të ekzekutimit dy poetëve-shkrimtarë të rinj, Genc Lekës e Vilson Blloshmit, duke qenë ky aktivitet që po zhvillohet në Washington edhe i pari i programit Organizatës në fjalë, tamam që më prek dhe më mbush me shpresë se programi i kësaj organizate do të përfshijë një hapsirë tejet të shtrirë faktesh si edhe njohurishë të patrajtuara në mënyrën shkencore të duhur as përgjatë kësaj periudhe kohore 20 vjeçare e cila akoma vazhdon e quhet tranzicion!(?)
Napoleon Buonaparti më 1799 u zgjodh triumvir, më 1804 perandor dhe më 1814 i erdhi rrënimi i perandorisë. Pra nga fillimi i ngjitjes drejt majave të larta të pushtetit, kohëzgjatja e periudhës shkëlqimit tij si edhe shkatërrimi i perandorisë tij, gjithësej zgjatën 15 vite! Po me Adolf Hitlerin si u zhvilluan ngjarjet? Më 1933, si Kancelar i Reich-ut, fillon periudha e ngjitjes tij absolute. Në vazhdim plotfuqishmëria e tij konsolidohet dhe më 5 Maj 1945 erdhi shkatërrimi i Reich-ut. Pra, që nga fillimi e deri në shkatërrim, gjithësej periudha kohore nuk zgjati mbi 12 vite! Kurse tek ne në Shqipëri ngjet e pangjara.
Në vitin 1990 ballafaqohemi me shkërmoqjen e diktaturës, (se tek ne diktatura nuk u shëmb por vetëm se ushkërmoq se çdo gjë ngeli në vënd), dhe deri më sot mbas 20 vitesh, ne vazhdojmë dhe themi se jemi në tranzicion!(?) Këto ballafaqime sado fluturimthi, më bëjnë të kem besim se veprimtaría ndërgjegjësuese e AAFH mbi popullin shqiptar, mbase do t’a përshpejtojë arritjen e cakut fundor të këtij tranzicioni të pafund dhe gjërat edhe në Shqipëri t’a zenë vëndin e duhur!
Tani hyj në temën e mirëfilltë, diskutimin fluturimthi të vlerave të librit fabrikimi i vdekjes, me autor zotin Bedri Blloshmi. E fillova leximin e librit “Fabrikimi i vdekjes” sapo e solli postieri, pak para drekës. Kisha lexuar materialet e botuara përparandej herë nga studjuesi Uran Butka, ose nga zotërinjtë Sadik Bejko e Nazmi Seiti, e gjithashtu duke lundruar nëpër internet, kisha arritur të isha mjaft i informuar rreth atij ferri përmes të cilit ishin detyruar të çapiteshin dy poetët-shkrimtarë, të mjerët dhe të ndjerët Genc Leka si edhe Vilson Blloshmi. Mirëpo ballafaqimi i ftohtë me dokumenta arkivash sigurimi, dëshmi (neveritëse) njerëzish krejt të rëndomtë e pa pikë personaliteti, që kuptohet qartas se sa servilë dhe të pakarakter që ishin, e doemos pastaj dora dorës akt ekspertimet e specialistëve të përzgjedhur nga sigurimi që do të përbënin themelin e akt akuzave kundra tyre që do t’i çonin para skuadrës pushkatimit, kuptohet qartë se ç’gjëndje shpirtërore kishin krijuar tek unë. E kështu si pa e kuptuar, akrepi i minutave i orës sime kishte kryer sa e sa rreth-rrotullime ndërsa ai i orëve, mbasi kishte plotësuar një rreth-rrotullim … ishte çvendosur edhe me 1/6 rrotullimi. I hodha sytë tek data dhe atbotë kuptova se ora ishte dy mbas mesnate! Unë kisha plot katërmbëdhjetë orë që lexoja.
I lodhur siç isha, por edhe me nënvetëdijen time i bërë njësh me veprimet që leximi m’i bënte aq të qartë sikur i përjetoja në vetë të parë, m’u duk sikur para meje i shquaja si të dala nga dheu n’atë errësirë pylli tek Përroi i Firarit, dy fantazmat e Gencit edhe të Vilsonit ! Si me xhybe të zeza m’u dukën të veshur e me kapuç mbuluar kokat kishin! Të dy i kishin ngritur duart dhe diç donin të më thonin! Lëviznin falangat e gishtave të duarve të tyre dhe mua zhurmë kockash që fërkoheshin më kapnin veshët!
Në ato çaste mëndja më shkoi tek data 11 gusht i vitit 1976, tek kreu i faqes me në mes shkruar proces verbal mbi pyetjen e të pandehurit Vilson Blloshmi si edhe tek një shënim në cepin e djathtë lart të atij proces verbali të mallkuar, i cili shënim mbase as vëmëndjen mundet të mos i a tërheqë njeriu: Hetimi fillon në ora 17:00 – Mbaron ora 3:30 dt. 12.8.1976. E ndërsa unë lexoja dhe rilexoja atë shënim që në pamje dukej krejtë normal, dy fantazmat mundoheshin një mesazh të më përcillnin! E mblodha mëndjen. E kuptova mesazhin e tyre. Ata donin të bënin të qartë se dhjetë orë e gjysëm kishte zgjatur ajo seancë hetuesije dhe vetëm një i gjallë, i gjëndur n’ato rrethana, e ka mundësinë t’a çjerrë vellon e zezë q’i mbulon ato dhjetë or’e gjysëm hetuesí edhe të shpjegojë!
Simbas dokumentit, sipërfaqja duket krejtë normale. Ndërsa hetuesi (Merdar Hasa) me gjithë asistuesin e tij (Nebi Vila) i kërkonin Vilsonit ç’kish dashur të thoshte me shprehjet e shkruara në ditarin e tij, i pandehuri u shpjegonte me durim naivitetin e atyre shprehjeve. Të ndjerët Vilsoni me Gencin nuk janë më mes të gjallëve e të na e shpjegojnë mbrapaskenën e atyre hetuesive, po për fat të mirë të tijin si edhe tonin, i kaluari mes të njejtave rrethana por fatmirësisht sot i gjallë, vjen poeti-shkrimtar i madh Visar Zhiti e na tregon se tek e merrnin në hetuesí, “ Po unë s’të lë të na përmbysësh”, i ulërinte njeri nga hetuesit, ndërsa tjetri i çirrej “Ne nuk do të presim që ti të bësh ndonjë faj, do të të dënojmë pa e bërë, që të mos e bësh”. Kthehej ai i pari dhe i kujtonte “Po ti do të dënohesh prap në burg!” E kush ishin këta specialistë të fushës hetuesisë dhe të dënimit keqbërësve? Njeri ishte prokurori Abdi Gashi e tjetri kryehetuesi Nexhat Selimi! Nuk kishte rëndësi a ishe në birucat e Degës P.B. të Librazhdit apo të Kukësit dhe cilët ishin ata hetues që të mbanin në seanca dhjetëorëshe mesi nate të t’a shkëpusnin nënshkrimin. Orientimet jepeshin nga vetë diktatori rreth zbatimit përbindshëm të luftës kllasave. Zbatoheshin pastaj nga drejtuesit e komiteteve të partisë e të sigurimit, (se organet si prokuroria dhe gjykatat ishin vetëm lepe – peqet e partisë). E varg’e vistër shkonte pastaj puna tek përzgjedhja e specialistëve akuzues si Diana Çuli me gjithë Muzafer Xhaxhiun e Koçi Petritin e deri poshtë, poshtë tek dëshmitarët krejtë ordinerë.
Dhe trishtim të madh na ngjallin dëshmit’e mbledhura nga autori Bedri Blloshmi, edhe ky vet’i dënuar fillimisht me vdekje e pastaj i mëshiruar me 25 vite burg, i cili ndër të tjera fakte sjell edhe atë që të vëllait të tij Vilsonit i qé paralizuar krahu i majtë mbas një seance hetuesije! Pse? Rastësi apo përkujdesje e tepruar nga ana e hetuesve? Pra, tek lexohen vargu i dokumentave arkivore që autori zoti Bedri Blloshmi i ka qëmtuar, grumbulluar si edhe paraqitur në vëllimin me titullin fabrikimi i vdekjes, largpamësia e nismëtarëve të AAFH-së q’é nisi aktivitetin e saj si organizatë me këtë paraqitje, mëton të hapet një dritare e madhe që të gjitha dokumentat arkivore jo që nuk duhet të lexohen vetëm në mënyrë sipërfaqësore, por t’u hyhet në thelb e pikërisht të lexohen ato të pashkruarat!
Nuk është rasti të zgjatem por edhe një dokument i dytë më detyron të ndalem e të hedh dritë jo mbi sa shkruhet por … mbi atë që nuk duket e rri në hije ! Në qendër të fletës lexohet Vendim nr.6 i datës 21-5-1982 dhe i mbështetur në dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 5912, datë 26-6-1979, vendosi : Vijojnë pesë emra meshkujsh dhe tre emra femrash, nënkuptohet të tetë me të njejtin mbiemër (blloshmi), dhe pohohet se “Të përmendurit janë internuar me vendimin nr.10 datë 14-7-1977 në fshatin Polis – Gostimë të rrethit të Librazhdit. Personave të sipërm t’u zgjatet masa e internimit edhe për pesë vjet kohë … Afati i internimit u fillon me datën 14-7-1982 dhe u mbaron me 14-2-1987. Radhiten pastaj akuzat ndaj tyre pse t’u shtohet afati i internimit e p.sh. për Sami Blloshmin arësyeja është se ka vuajtur dënimin 8 vjet burg për agjitacion e propagandë si edhe djemt’e tij Vilsoni dhe Bedriu janë dënuar i pari me vdekje me pushkatim, (dhe është egzekutuar), kurse i dyti i dënuar me 25 vite burgim.
Pasojnë nënshkrimet e Manush Myftiut, Hekuran Isait, Aranit Çelës dhe Rrapi Minos. Dhe unë shtroj pyetjen aspak retorike : Këta të katërt, nënshkrimet e të cilëve kishin fuqi ekzekutuese të çonin familje të tëra në ri-internim me akuza aspak bindëse për fajësí, me shkërmoqjen e sistemit diktatorial u burgosën dhe u dënuan fare formalisht dhe për faje qesharake si shpenzime jashtë mase me kafet’e pira, etj. i kanë marrë një më një dëmshpërblimet për kohën e burgosjes tyre, ndërsa familjet e Blloshmëve akoma presin t’a marrin këstin e parë (nga tetë gjithësej) duke filluar nga familja e Vilsonit e duke qëndruar tek ajo e Bedri Blloshmit!
Do t’i mbyll këto radhë me dy pohime që më vijnë krejtë natyrshëm por edhe po aq trishtues. Këmbëngulet duke u pohuar se me vëllimin me titull fabrikimi i vdekjes autori ve në vënd nderin e të ndjerëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Jo, zonja edhe zotërinj. Ndershmërín’ e tyre unë personalisht kurrë nuk e kam vënë në dyshim dhe e kam bindjen se asnjeri i pranishëm nuk e ka një bindje të tillë. Në ka vënd për t’u ndalur si edhe të dilet me propozim masash për t’u marrë, është (mos)ndershmëría dhe mungesa e karakterit të ekspertëve letrarë të sigurimit, të cilave u hedh dritë autori Bedri Blloshmi! Familjet e poetëve fatkëqinj u internuan sepse u a pushkatuan pa faj bijtë (prindërve) e njëkohësisht baballarët e tyre (fëmijëve të ndërsjellë). Do të qe e drejtë si edhe e arësyeshme të internohej Diana Çuli me familjen e saj sepse i ati Jorgua ka qenë dhjetë vite me radhë shefi i hetuesisë i ministrisë së Punëve të Brendshme? Jo. Në asnjë mënyrë. Por ama teksa kjo eksperte ka firmosur e zezë mbi të bardhë se “… Genc Leka në vargjet e tija shpreh dëshpërim, kujton me nostalgjí të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme dhe shkruan me alegorí … tregojnë se ai ka një çoroditje të theksuar ideologjike … dhe kërkon rrugë për të dalë nga ambienti ku jeton”, na bën t’a ngremë zërin të revoltuar teksa ajo jo që nuk vihet para përgjegjësisë për veprimin e saj kriminal dhe të gjykohet për përgjegjësinë që mban, por vazhdojnë dhe e ftojnë në intervista televizive, tashmë jo si eksperte sigurimi, por të japë gjykime mbi demokracinë në vëndin tonë!
E njejta gjë me ekspertët Myzafer Xhaxhiu e Koçi Petriti.Kurse pohimi i dytë me të cilin do t’a mbyll fjalën për sot, më mbush edhe ky me të njejtin trishtim si i pari. Zoti Bedri Blloshmi dëshmitar dore të parë i tmerreve dhe torturave të cilave u janë nënshtruar të ndjerët Genc Leka si edhe Vilson Blloshmi, sepse vetë “aktor i shpëtuar gjallë” dhe i dënuar me 25 vite burg, e sot autor i vëllimit me dokumenta rrënqethëse rreth praktikave ushtruar duke filluar nga udhëheqësit partijakë të rrethit Librazhdit e në vazhdim tek vartësit e tyre, shpreh një trishtim i cili i a merr frymën edhe sot. Ai ka nevojë për mbështetje ekonomike se, që t’a mbajë gjallë familjen, vetëm kthimi i ish pronave të familjes tij mund t’ia sigurojnë një gjë të tillë. Po ku të vej’e të kërkojë ndihmë? Patjetër logjika do t’a çonte tek zyra e Avokatit të Popullit. Por sapo gjëndet para portës asaj zyre së rishmi dalin nga dheu dy fantazmat e poetëve të pushkatuar dhe nuk e lenë t’i afrohet asaj porte. Ai s’e di pse, kurse dy fantazmat e dijnë sepse, Petrit Azemaj, njeri nga hetuesit e tyre më të zellshëm, është zëvëndës i avokatit të popullit, në një kohë që vetë Avokati i Popullit ka qenë përgjatë diktaturës asgjë tjetër veçse prokuror!