Albspirit

Media/News/Publishing

Musine Kokalari, poetja me shqetësime për njerëz të arsyeshëm

Musine Kokalari pati një fat tragjik. Ajo u burgos që në moshë të re, pastaj u internua dhe vdiq e lënë në harrim. Vepra e saj, pas ardhjes së komunistëve në pushtet, nuk u botua më.Ky ishte fati i gjithë ajkës së vlerave kulturore të Shqipërisë, të cilët guxuan të qëndronin në atdheun e tyre pas mbarimit të luftës. Deri në 1944, ajo ishte një nga shkrimtaret e reja premtuese të Shqipërisë, por u zhyt shumë shpejt në harresë. Musine Kokalari lindi në Gjirokastër më 1917. Studimet e larta i kreu në Romë, për letërsi. Diplomën e mbrojti me një studim për veprën e Naim Frashërit dhe, për mendimin tim, ka bërë studimin më serioz për poetin e të dashur të shqiptarëve.
Ajo u shfaq shumë herët dhe si një shkrimtare origjinale, në prozë dhe poezi. Çuditërisht, poezia e saj është lënë në hije dhe këto dy dekadat e fundit.
Proza e Musinesë ka patur një fat më të mirë se poezia ndoshta dhe prej faktit që në vitin 1939 u botua një përmbledhje me tregime të saj. Dhe tregimet janë disi ekzotikë me shqipen e përdorur në to. Ato tregime mund të jenë dokumenti i vetëm i shkruar i një të folmeje që thuajse ka vdekur. Shumë pak gjirokastritë të gjallë mund të ketë që flasin, ose përdorin, fjalorin e tregimeve të Musinesë, një gjirokastritçe e kaltër, qelibar. Ky është dhe problemi i atyre tregimeve, sepse kush i lexon, e ka të vështirë të mbajë mend ndonjë gjë nga subjekti, po nuk pati një përqendrim të veçantë. Gjuha duket sikur është e vetmja vlerë e tyre. Novruz XH. Shehu, njeriu që e ka mbledhur veprën e saj dhe e botoi me dy vëllime në 2009, i quan tregime etnografike. Mund të tingëllojë si përcaktim i çuditshëm, por, të paktën për mua, nuk është i pavend. Megjithatë, proza e Musinesë duket sikur i ka bërë një padrejtësi poezisë së saj, e cila vazhdon të mbetet në hije.
Gjatë diktaturës komuniste, Migjeni u promovua, deri në ekzagjerim, si një poet social. Në fakt, më shumë se një poet i mirë, ai ishte një njeri shumë i zemëruar me botën. Regjimit komunist i vinin për shtat autorë të tillë, se duke i propaganduar si revolucionarë, mundohej të ndërtonte një të shkuar të hershme të tij.
Me Musinenë nuk mund të ndodhte një gjë e tillë, edhe pse një pjesë e mirë e poezive të saj trajtojnë krejtësisht tema sociale. Poezitë e saj janë paqësore, ajo evidenton realitet, krahason, krijon kontraste, flet me qetësi, ndryshe nga Migjeni që trazon shpirtra të vegjël e nxit revoltë në koka të nxehta. Migjeni është përfaqësues i shqetësimit të njerëzve injorantë, dembelë e të babëzitur, të dhunshëm e frikacakë. Musineja është poete e njerëzve paqësorë, të arsyeshëm, e të sjellshëm. Edhe një dallim tjetër i saj nga Migjeni: kur komunistët erdhën në pushtet ajo ishte ende gjallë dhe përplasja kishte nisur më herët, kur i pushkatuan dy vëllezërit në nëntor 1944.
Në vëllimin e parë të veprës së Musine Kokalarit janë 20 poezi. Afërsisht gjysma e tyre trajtojnë tema sociale. Në poezinë “Kolla e vdekjes” bëhet fjalë për një grua të braktisur, që vuan, që kollitet dhe vjell gjak, që rrëzohet përtokë (me sytë nga qielli), që s’i dhimbset askujt. Fundi shfaqet kur kolla e saj nuk dëgjohet më. Poezia mbyllet me këto vargje: “Shiu vazhdon të bjerë dhe vadit atë kufomë/ pa kujdesin më të vogël.” Fjala vadit, në vargun e parafundit të poezisë, mund të shërbejë si tregues për ta zhvendosur vëmendjen nga një përshkrim i thjeshtë në një metaforë për gjendjen e Shqipërisë së autores, ose, të Shqipërisë siç e shikonte ajo.
Poezia “Rreth pjatës” është një homazh për njeriun e punës. Rrëfyesi, në vetën e parë, shikon disa njerëz që presin copat e bukës të lumtur e të gëzuar, në fytyra u shkëlqen një gëzim i pa treguar. Kur ata ngjyejnë bukën në pjatën e kosit, rrëfyesi vëren “gishtërinjt e vegjël dhe të regjurë shumë shpejt prej punës”. Gishtërinjtë e vegjël dhe të regjur me shpejtësi nënkuptojnë se njerëzit që mbushin stomakun “me ushqimin e thjeshtë” janë fëmijë. Ata hanë me kënaqësi, pse e kanë fituar bukën me punë dhe me djersën e ballit, thotë poetja. Në fund, fëmijët ngrihen të gëzuar dhe nisen në punë, “për të siguruar dhe në mbrëmje/ ndonjë pjatë tjetër.”
Ndryshe nga Migjeni, Musineja fokusohet te ana pozitive e jetës së vështirë të fëmijëve të kohës së saj. Por ajo nuk është indiferente, nuk e paraqet fatin e këtyre minorenëve pa kritikë. Kur ata shkojnë në punë, kalojnë, pa u vënë re, përmes një turme të pa kujdesshme. Kjo është protesta e saj. Migjeni, nga ana tij, thjesht zmadhon detaje varfërie fragmentare, si shkak që projektojë në poezi energjinë negative që ai ka së brendshmi, një zemërim i verbër.
Poezia “Vdekje” bën fjalë për një familje të varfër: e përbërë nga babai pijanec dhe i dhunshëm, nga nëna me gjirin e tharë dhe foshnjën e uritur, dhe një 10-vjeçar i tmerruar nga babai që e ka rrahur dhe “i duken akoma goditjet q’i hëngri pas kurrizit.”
Poezia “Në gji të nënës” nuk ka nevojë për shumë koment. Në 64 katër vargje përshkruhet vdekja e një foshnje në gji të nënës.
Varfëria është një nga temat më të trajtuara të Musinesë edhe në poezi të tjera. Por ajo nuk klith, ajo nuk akuzon, ajo i nxit njerëzit, përmes kontrasteve që realizon, të ndalen, të reflektojnë. Poezia “Lëvizje” nis me një strofë ku përshkruhet gjallëria e rrugës e mbushur me njerëz xhepgrisur, që harxhojnë pa fre, njerëz “mendjevërdallë”, kurse në strofën e parafundit, nëntë gjithsej, rruga është e gjallëruar nga të varfërit që qajnë s’e s’kanë për të veshur, fëmijët që qajnë se s’kanë bukë dhe jetimët që qajnë se s’kanë nënë. Në fund, shfaqet sërish mesazhi i saj i ngrohtë: “Të gjithë i përvishen punës/ disa me të qeshur/ dhe të tjerë me të qarë.” Në poezitë sociale të Musinesë ka shumë dëshpërim, por burimi i tij nuk janë vetëm shkaqe materiale. Në poezinë “Dëshpërim” një plakë është e dëshpëruar sepse i biri i zhduket pak e nga pak çdo ditë duke lënguar, një nënë tjetër është e dëshpëruar se ka lindur… vajzë, një vajzë është e dëshpëruar prej kontrollit të prindërve të cilët i përcaktojnë gjithçka në jetë, një njeri është i dëshpëruar se nuk ka në xhep shumë lekë, të vegjlit qajnë nga uria – nënat nuk kanë e baballarët dembelë janë sherrxhinj, nxënësit janë të dëshpëruar se nuk kalojnë, ata që nuk kalojnë, klasën, një njeri tjetër është i dëshpëruar prej vetmisë që i ka dhuruar dështimi në jetë, kurse personazhi që përpiqet të reagojë për këtë gjendje të dëshpëruar ndeshet në qëndresë, dhe largohet, “se nuk duron dot”, “dhe bëhet më i fortë se shpreson”. Kështu mbyllet kjo poezi, që është një panoramë e dëshpërimit të shoqërisë. Me strofën e fundit të saj, Musine Kokalari duket sikur ka shkruar për fatin e vet. Ajo u përpoq të fliste, por e flakën, ashtu siç ndodh në vjershën e saj, aty ku deshën më të fortët. Ajo u përpoq të thoshte të drejtën, të tregonte atë që duhej, por e zunë prej veshit. Ndoshta ajo u zhduk në harrim duke shpresuar, e për rrjedhojë më e fortë, por kësaj nuk mund t’i jepet përgjigje. Dhe poezia e saj nuk përfundon me pikë. Pas tre pikash, ajo vazhdon në mendjen e lexuesit.

Please follow and like us: