Reshat KRIPA: Quo vadis Shqipëri?
Sipas një tradite të krishterë Shën Pjetri u largua nga Roma si rezultat i terorrit te ushtruar nga perandori Neron por gjatë rrugës jashtë qytetit atij i shfaqet Jezusi i ringjallur që i thërret : Quo vadis?
Kjo pyetje e shkundi shenjtorin dhe ai iu përgjigj : Unë jam duke shkuar në Romë që të kryqëzohem përsëri. Në këtë mënyrë ai fitoi guximin për të vazhduar shërbesën dhe u kthye në qytet ku, përfundimisht, u martirizua duke u kryqëzuar. Kujtoj kete traditë dhe, duke perifrazuar me thirrjen e Jezu Krishtit i drejtohem atdheut tim …Quo vadis Shqipëri….
Vegimi më shpie shumë vite më parë, në ato vite kur një popull i tërë lëngonte nën zgjedhën e tiranisë më të egër në botë dhe nuk ishin pak por plot dyzetegjashtë vite. Mundohem ta largojë këtë vegim por ai nuk do të më ndahet. Para syve më dalin ata mijra burra dhe gra që më mirë sakrifikuan jetën e tyre se sa të përuleshin përpara kësaj murtaje, ata mijra burra dhe gra që më mirë pranuan hekurat e rënda në duart e tyre se sa lirinë e dhunuar, ata mijra burra, gra dhe fëmijë që pranuan më mirë telat me gjemba të kampeve të internimit se sa nënshtrimin para kriminelëve.
Por njëkohësisht më dalin para syve edhe lakejtë e diktaturës që me një servilizëm të pështirë silleshin ndaj tij dhe me një egërsi prej gjakësori kundrejt pjesës tjetër të popullsisë që donte të mendonte ndryshe. Më dalin demagogët politikanë të cilëve iu zunë duart kallo nga duartrokitjet për idhullin e tyre tiran. Më dalin shkrimtarët dhe poetët, që kishin hyrë në garë me njeri-tjetrin se kush do të shkruante romanin apo poemën më të mirë kushtuar këtij idhulli. Më dalin kompozitorët dhe këngëtarët që mundoheshin se kush do të kompozonte apo këndonte këngën më të bukur po për diktatorin idhull. Më dalin piktorët dhe skulptorët që kush më parë do të pikturonte apo ngrinte një shtatore të lartë kushtuar përsëri idhullit të tyre. Më dalin kineastët dhe dramaturgët, regjizorët dhe aktorët që do të realizonin filmin apo dramën, që do të interpretonin rolin e këtij idhulli monster. Më dalin gazetarët që me një vrull të pa parë mbushnin faqet e gazetave dhe revistave me portretet e tij dhe i thurnin lavde në lajmet e tyre. Më dalin turma të tëra të idoktrinuarish që derdheshin shesheve duke brohoritur për këtë demon të historisë shqiptare.
Quo vadis Shqipëri?
Murtaja e kuqe më në fund u përmbys, por hija e saj vazhdon të jetojë. U përmbys edhe përmendorja e tiranit por ky qe vetëm një iluzion pasi ishte përmbysur vetëm bronxi i asaj përmendoreje kurse shpirti i tij ishte lënë i lirë për të përgatitur masakra të tjera. Djalli kishte lënë litarin përjashta, siç thotë populli ynë, dhe kjo u shfaq në mënyrën më mizore në atë vit të zi 1997. Lëvizja studentore e viteve 90-të kurorëzojë përpjekjen gjysmë shekullore për përmbysjen e sistemit totalitar. Partitë e reja politike filluan të lindnin në tokën shqiptare. Programet e tyre mbushnin faqet e gazetave. Ishin programe të hartuara sipas modeleve të shteteve më demokratike të botës. Partitë ishin në garë me programet. Por nuk kishin kaluar vetëm dy apo tre vjet dhe filluan amendamentet për ndryshimin e tyre. Këto amendamente filluan te shfaqen në të dy krahët e politikës shqiptare si asaj të majtë dhe asaj të djathtë, madje edhe në ato të atyre partive që e quanin veten trashëgimtare të partive të vjetra nacionaliste. Ku konsistonte ky ndryshim? Një trashëgim i mentalitetit të kaluar mbi hymnizimin e idhujve. Shqiptarët nuk mund të jetonin pa patur një idhull mbi krye. Por, për të realizuar këtë duheshin bërë ndryshimet në statut, dhe kjo nuk vonoi. Ndërsa në fillim në statutet parashikohej që kryetari i partisë nuk mund të zgjidhej më shumë se dy here rresht, pa kaluar shumë kohë, kjo pikë u hoq fare dhe kështu rilindi ideja e vjetër e sundimtarëve të përjetshëm, njësoj si në kohën e sistemit të përmbysur. Një gjë e tille binte dhe vazhdon të bjerë në sy në mitingjet dhe manifestimet e kryera të partive ku, brohoritjet për kryetarin perëndi janë të pakufishme, njësoj si për diktatorin e dikurshëm. Sot kemi në krye të disa partive kryetarë dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëzetë apo deri njëzetegjashtëvjeçarë, që nuk zhvillojnë asnjë kuvend apo asamble, që humbasin vazhdimisht në zgjedhjet e përgjithëshme apo lokale, megjithatë ata përsëri vazhdojnë të qëndrojnë në krye të partive të tyre.
Një sëmundje e tillë ka zaptuar edhe shoqërinë civile dhe shoqatat e ndryshme. Edhe në këto ka kryetarë të përjetshëm. Edhe këto nuk zhvillojnë as kuvende dhe as zgjedhje. Për më tepër, herë pas here në skenën shqiptare mbijnë kerpudha të reja të cilat nuk dijmë se kur dhe kush i zgjodhi dhe për çudi janë pikërisht këto kërpudha që mbushin faqet e gazetave dhe televizioneve me bëmat e tyre, që japin dhe marrin me intervista të improvizuara dhe që në shumë raste arrijnë të fitojnë edhe tituj nderi. Po shoqata ku unë bëj pjesë si ka vepruar? Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, e themeluar në vitin 1995 ka zhvilluar gjashtë kuvende kombëtare dhe ka nxjerrë pesë kryetarë në krye të saj dhe këta janë të nderuarit Gjon Shllaku, Tomor Aliko, Afrim Haçi, Skënder Qëndro dhe Simon Mirakaj. Po ashtu edhe dega e Tiranës në gjsahtë konfernca të saj ka nxjerrë tre kryetarë Abdyl Kërlukun, Skënder Qëndron dhe mua. Sivjet është viti i Kuvendit dhe Konferencës së Shtatë. Në të do të zgjidhen kryetarët e rinj dhe unë nuk do të jem më kryetar i Tiranës pasi, sipas statutit tonë, i kam plotësuar të dy legjislaturat. Kjo është demokracia që duhet të ketë Shqipëria. A ka ndonjë parti politike apo shoqëri civile që të ketë vepruar kështu? Në rast se ka le të na i bëjnë të ditur.
Quo vadis Shqipëri?
Një fushatë e shfrenuar ka shpërthyer këto ditë në politikën shqiptare. Në këtë fushatë janë përfshirë të gjitha mediat, bile do të thoja që është përfshirë pothuajse i gjithë populli ynë. Në këtë kor janë përfshirë të gjithë, të djathtë dhe të majtë, kriminelë dhe viktima, ujqër e dhënë. Zhurma është aq e madhe sa nuk merret vesh se kush është fajtori dhe kush viktima. Të gjithë thërrasin se qënkan të pafajshëm. Po fajtorë a nuk paska patur ajo periudhë e kobshme? Me thënë të drejtën kjo pyetje më bren nga brenda. Ajo më kujton një film gjerman, prodhim i pasluftës, që e kam parë në fëmininë time. Ishte historia e një mjeku nazist që në laboratorët e tij eksperimentonte llojet më makabre të torturave që më vonë ushtroheshin mbi hebrejtë, robërit e luftës dhe të gjithë ata që mendonin ndryshe. Me mbarimin e luftës mjeku arrestohet dhe dënohet. I kam harruar pothuajse të gjitha sekuencat e filmit por më ka mbetur e pashlyeshme finalja e tij. Mjeku i kapur pas hekurave të burgut duke thirrur: Jam i pafajshëm, jam i pafajshëm! Ndërsa në sfond, prapa tij, shfaqeshin torturat e eksperimentuara nga ai. Filmi kishte një titull kuptimplotë: Vrasësit janë midis nesh! Nuk dua të bëj paralelizëm por dua të them se sot asnje individ apo personalitet nuk ka kurajon të pranojë të vërtetën e asaj periudhe. A do të zbardhet ndonjëherë e vërteta e këtij vendi? A po do të mbetemi vetëm në llafe dhe thirrje patetike gjoja patriotike? Në këtë garë të shfrenuar janë vënë partiakë dhe qeveritarë, analistë dhe gazetarë, pedagogë dhe intelektualë, madje gara ka arritur deri në shtresat më të ulta, deri te ata që ndoshta nuk arrijnë të sigurojnë as bukën e gojës dhe jetojnë duke lypur.
Por ajo që më shqetëson më tepër është mungesa e vetëdijes për të pranuar të keqen që ka secili prej nesh brenda vetes së tij, brenda ndërgjegjes së tij. A keni dëgjuar ndonjë zë që të pranojë se në veprimtarinë e tij të asaj periudhe ishte i detyruar të kryente vepra që i shërbenin sistemit kriminal? Zërat janë fare episodik, për të mos thënë se pothuajse nuk ka patur fare të tillë. Në këto çaste ia vlen të citoj fjalët e thëna nga zonja Saks ( Estoni ) në debatin e zhvilluar për miratimin e rezolutes se Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës: Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste…
Një deklaratë kuptimplotë, një thirrje e sinqertë e ndërgjegjes. Po në vendin tonë a keni dëgjuar ndonjë intelektual të bëjë një deklaratë të ngjashme? Të gjithë kemi jetuar në atë kohë të tmerrshme. Të gjithë e dimë se atëhere nuk guxoje të mendoje dhe jo të veproje. Të gjithë e dimë që për të mbijetuar ishe i detyruar të kryeje veprime që ndoshta ndërgjegja jote nuk i pranonte. Po sot, që kohët kanë ndryshuar, përse heshtin? Përse nuk e hedhin poshtë të keqen që i depersonalizoi? Ku janë intelektualët e shquar të asaj periudhe? Përse nuk i thërret zëri i ndërgjegjes? Përse nuk e hedhin poshtë atë pjesë të aktivitetit të tyre që i shërbeu atij sistemi? Përse shkrimtarët e realizmit socialist nuk thonë asnjë fjalë për ato vepra të shkruara prej tyre ku hymnizoheshin diktatorët dhe bëmat e tyre? Përse nuk thonë asnjë fjalë kineastët për ata filma ku degjenerohej borgjezia dhe ngrihej në piedestal llumi i shoqërisë shqiptare? Po kompozitorët, skulptorët dhe piktorët e shquar ku janë? Përse nuk i hedhin poshtë ato vepra që më shumë i diskreditojnë, pasi populli vetë i ka hedhur ne koshin e plehrave. Dua të më kuptoni. Nuk jam për hedhjen poshtë të gjithçkaje të krijuar në atë kohë. Jam i sinqertë që janë krijuar edhe vepra dinjitoze. Por këto vepra janë errësuar nga ato pa vlerë që bëheshin për t’i bërë qejfin idhujve të atëhershëm.
Personalisht i përkas shtresës që në atë kohë bënte pjesë në kampin armik me regjimin. Kur dola nga burgu u detyrova të mbyllesha në veten time për të mos rënë për të dytën herë në atë skëterrë. Megjithatë edhe unë isha i detyruar të kryeja veprime që nuk m’i pranonte ndërgjegja. Edhe unë isha i detyruar të duartrokisja diktatorët , kur na nxirrnin detyrimisht nëpër mitingjet e organizuara. Edhe unë isha i detyruar të shkruaja për ato që nuk i doja, kur në shkollën e mbrëmjes profesori i letërsisë na jepte si temë hartimi përshkrimin e epërsisë së sistemit socialist mbi atë kapitalist. Edhe unë isha i detyruar të dërdëllisja lloj lloj broçkullash nëpër mbledhjet që organizoheshin në qendrën e punës. Kurse sot më vjen turp nga vetja e ime për të gjitha këto dhe them se do të kishte qenë më mirë të kisha pranuar burgosjen për të dytën herë. Nuk e di kush është shkaku për një gjë të tillë. Mungesa e kurajos, apo ndoshta nostalgjia për atë kohë. Në rast se do të ishte e para do ta quaja një pasojë të shtypjes së pësuar gjatë asaj kohe, ndërsa po të ishte e dyta do t’u thoja se me veprat e tyre i shërbejnë me ndërgjegje qëndrimit në këmbë të atij sistemi dhe kjo është shumë e rrezikshme.
Quo vadis Shqipëri?
Para pak kohe lexova një libër me kujtime të një të njohurit tim, me përshtypje udhëtimi nga një turne që kishte zhvilluar në disa shtete perëndimore të Europës. Ishte një libër me të vërtetë i goditur. Përshkrimi i godinave historike, muzeumeve, rrugëve dhe ngjarjeve të ndryshme ishin të përsosura, thuajse kishe të bëje me një shkrimtar të njohur. Por ajo që më bëri me të vërtetë përshtypje ishte një konstatim që autori kishte bërë gjatë qëndrimit të tij në Gjermani. Pak a shumë, lidhur me këtë ai shkruante: Brezi i ri në Gjermani deri në vitet 80-të nuk e njihte pothuajse fare Hitlerin, mbasi ai nuk studjohej nëpër shkolla. Ajo periudhë ishte një histori e harruar për ta. Mendoj me veten time: Si ka mundësi një popull si ai gjerman që, për të thënë të vërtetën, në shumicën e tij me dashje apo pa dashje, i shërbeu me besnikëri Hitlerit, ta hedhë në koshin e harresës? Përgjigjen ma jep historia e pasluftës së këtij vendi. Gjermania e kreu të plotë denazifikimin e saj. Qytetaria, morali, karakteri i atij populli bëri që, me kurajo dhe ndërgjegje, të hiqte nga trupi i saj të keqen që i kishte sjellë diktatori. Dhe rezultatet nuk vonuan të vijnë. Sot Gjermania bën pjesë në tetë vendet më të zhvilluara të botës. A do ta arrinte një rezultat të tillë sikur të ruante mentalitetin nazist? Në asnjë mënyrë jo. Po në vendin tonë çfarë po ndodh? Ne duam të ndërtojmë sistemin kapitalist me mentalitet komunist. Është pikërisht ky mentalitet që e ka çuar vendin në një përplasje të madhe, do ta quaja armiqësore, ndërmjet demokratëve dhe socialistëve, që në disa raste, ka arritur deri në rrahje apo përplasje edhe me armë ndërmjet militantëve ekstremistë të të dy palëve. Çudia më e madhe është se në shumicën e shqiptarëve të thjeshtë kjo ndjenjë nuk ekziston. Po përse ndodhin atëhere? Sepse në kupolat e partive politike vazhdojnë të qëndrojnë njerëz karrieristë.
Të dy krahët e politikës shqiptare zyrtarisht kanë deklaruar se janë shkëputur nga sistemi diktatorial i së kaluarës. Por si po veprojnë realisht. Të majtët që dolën nga Kongresi i Partisë së Punës dhe u shpallën socialistë nuk kanë arritur asnjëherë të shkëputen nga ky mentalitet. Për të realizuar këtë ata përdorin lloj lloj “analistësh të shquar“, “gazetarësh të njohur“, një mori gazetash dhe televizionesh gjoja të pavarura, në faqet apo ekranet e të cilave pothuajse për çdo ditë shohim po ato fytyra që nuk dimë se nga paguhen dhe, për të thënë të vërtetën, na janë bërë të mërzitëshme. Në komentet e tyre ndihet qartë mentaliteti komunist i interpretimit te ngjarjeve. Kjo vlen pak a shumë edhe për ata që përfaqësojnë krahun e djathtë. Meqënëse u ktheva nga ky krah, dua të theksoj se edhe këtu mentaliteti komunist është evident. U fol shumë për dënimin e figurës së diktatorit dhe heqjen e dekoratave akorduar atij, për rishikimin e historisë së vendit tonë dhe të teksteve shkollore të mbushura me ideologjinë e përmbysur, për hetimin e krimeve të kryera nga rregjimi komunist dhe denoncimin e tyre, për rishikimin e datave simbol të diktaturës, për hapjen e dosjeve për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administrates publike qëndrore e lokale si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara, për akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike, për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë në një kohë sa më të shkurtër dhe së fundi për organizimin e një konference kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga rregjimi totalitar komunist.
Për të gjitha këto ka dhjetë vjet që është miratuar një rezolutë përkatëse nga parlamenti shqiptar në mbështetje të Rezolutave Nr. 1096 (1996) dhe 1481 (2006) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të firmosur edhe nga përfaqësuesit e të dy krahëve të politikës shqiptare. Çfarë është bërë për zbatimin e kësaj rezolute? Deri tani asgjë dhe nuk ka asnjë shenjë se diçka do të realizohet. Kush e pengon realizimin e saj? Ne e kemi të qartë se e majta nuk është e predispozuar për të. Po të djathtën çfarë e pengon? Kjo është një çështje që ajo vetë duhet ta rishikojë, në rast se do që të ketë sukses.
Quo vadis Shqipëri?
A do të ketë një Jezu Krisht që do të të drejtojë këtë thirrje? A do të ketë një Shën Pjetër që do të të kthejë në rrugën e vërtetë të demokracisë perëndimore dhe të shkëputur nga çfardo mentaliteti i së kaluarës totalitare? Personalisht mendoj se një gjë e tillë do të realizohet vetëm pas ndoshta pesëdhjetë vjetësh, atëherë kur, siç më ka thënë një miku im,q everisjen e vendit do ta marrin në dorë bijtë e atyre prindërve që kanë lindur pas vitit 1991.Le të shpresojmë!
Tetor 2016