Romeo GURAKUQI: Kur historinë e shkruajnë spiunët e Sigurimit të Shtetit
Ish -Konviktori i Gjimnazit të Shtetit në Shkodër, Nasho Jorgaqi, ndihmës-persekutori dhe informatori i djelmnisë dhe adoleshentëve shkodranë në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore, paska botuar një letër të Fishtës të vitit 1939, sot në vitin 2016. Jane më qindra letra të tilla që gjenden anekënd arkivave; Me metodën staliniste të shpjegimit, lexuar në shkëputje, jashtë konteksteve, letrat që nxjerr mërgata e tij e qyqeve të botës së vdekur të enverizmit, do vazhdojnë të helmojnë publikun me paradigmat e Enver Hoxhës.
Të shpjeguara shkencërisht, me vërtetësi, me strukturën e mendimit, të pajtimit me të keqen, të arsyetimit të qëndrimeve dhe të gabimit njerëzor dhe intelektual, ato letra mund të kuptohen më drejtë. Mbi të gjitha, shpjegimi i pushtimit fashist si produkt i një ofrimi të gatshëm nga shqiptarë të caktuar,për Mussolinin dhe Cianon, jashtë shpjegimeve të mirënjohura të shkencës, të studiuesve intencionalistë dhe kryesisht funksionalistë mbi kazusin shqiptar të vitit 1939, do të shënonte sërish kthimin mbrapsht në kohë, në pjesën më të kalbur të historiografisë dhe intelektualëve hoxhistë. Historia të shkruhet sot si një sistem i tërë dhe jo më si një histori e përbërë vetëm nga një copë (le te themi: Historia e Luftës Nacional-Çlirimtare), ose copa të shkëputura.
Është koha për të rishkruar një pjesë shumë të debatuar të historisë së vendit tonë dhe për të ndriçuar drejt atë çfarë është shkruar shtrembër për luftën e «çlirimtarëve» dhe për “luftën e spiunëve të mërgimtarëve”; për rishkruar drejt dhe pa ekzagjerime historinë e fitimtarëve dhe në mënyrë të ndershmë historinë e të mundurve. Foucault e konsideron këtë të dytën, “një ëndërr fisnike: t’u japësh më në fund fjalën atyre që deri më sot nuk e kanë marrë dot kurrë, atyre që u detyruan të heshtin nga historia, nga dhuna e historisë, nga tërë sistemet e sundimit dhe të shfrytëzimit…”.
Sot, 20 deputetë majtistë, me një nga ideologët e shtypjes, zotin Jorgaqi, priren të bëjnë të kundërtën. Duan të varrosin të vërtetën, së bashku me përjetësimin e veprës së tyre kriminale, të shtypjes dhe martirizimit të një pjese të popullsisë së Shqipërisë. E bëjnë në kohën e Edi Ramës, kohë që në qoftë se nuk ndalet, do t’i sjellë popullit shqiptar vuajtje të reja në ciklin e tij të ecjes së mbrapshtë. Ndërkohë, ne kemi para me mijëra përbetime dhe raporte të Nashos dhe sivllezërve të tij, që kanë nevojë të hapen dhe të shihen nga publiku.
Tetor 2016