Sadik Bejko: Në palcën e vet ky roman është një tragjedi
Rrëfimi është një nga strukturat më të lashta që ka lindur në përgjigje të ftesës: ejani t’ju tregoj ç’ka ndodhur, ejani t’ju tregoj një histori, ç’ndodhi në një krahinë, në një shtet, në një qytet, në një mbretëri… ishte ç’na ishte… një grua e bukur… një mbret… një shtrigë etj, etj. Kjo thirrje e lashtë, ardhur me zërin e bardëve, të rapsodëve, mbetet e re në penën e rrëfimtarëve të romaneve, apo edhe nëpërmjet imazheve magjike të asaj dritës blu të ekraneve të mbrëmjeve me ngjarjet e përcjella nga yjet e Oskarëve, aktorët e mëdhenj që shkelin mbi qilima të kuq…Në rastin e romanit “Të korrat e Krishtlindjeve” të E. Kasit nuk kemi historinë e madhe, qilimat e kuq nën këmbët e Agamemnonit, apo të yjeve të sotëm hollivudiane,por një histori moderne, të po së njëjtës racë: gjaku dhe vdekja mbillen në të gjitha faqet e romanit. Nuk i shohim rrëketë e gjakut, por ato vijnë në roman; avujt e gjakut dhe gropat e varreve të të vrarëve janë ngado. Ajri i vdekjes endet gjithandej në hapësirat që i rreh syri i njeriut, vuloset në xhamat dhe në ballinat e krejt ngrehinës së kohës, të shoqërisë. Gjaku dhe vdekja nuk pikojnë a zymtojnë aty-këtu. Jo, ato si valët vërshojnë e pushtojnë sheshet e qyteteve. Shteti është dhe nuk është. Pa u përshkruar drejtpërsëdrejti, me pak detaje, tmerri dhe kaosi pa rrugëdalje vijnë si atmosferë dhe si ndjeshmëri që të zë frymën. Ajo që po ndodh jashtë, në gjithë shtetin, në gjithë mjediset, është sa konkrete, po aq e papritur dhe e pakuptueshme. Kush lufton, me kë, nuk dihet, por të vrarët dhe vdekja si nën një murtajë i ka përfshirë të gjithë dhe shtrihet gjithëkund. Njerëzit e këtij mjedisi shoqëror ndiejnë se kanë mbetur pezull, u rrëshqet toka nën këmbë. Gjithëçka kishin ndërtuar dhe shpresuar deri më ato çaste, nuk është më. Jeta, prona, të afërmit, iluzionet, idealet shoqërore, lidhjet njerëzore po rrënohen, thurima më intime e jetës ronitet dhe u ikën nga duart. Sheshe qytetesh në protesta pakuptim, monumente që rrëzohen dhe të tjerë që duan të ngrihen, koka njerëzish që fluturojnë … turma që në panik largohen, njerëz që kanë dalë nga vetja dhe s’gjejnë më truall ku të mbërthehen fizikisht, më shumë shpirtërisht.
Jo vetëm për këto që shkruam, por në palcën e vet ky roman është një tragjedi. Si në mitet e lashta, si në subjektet e baladave, heroina e romanit, Klea, një vajzë, një bijë në një mjedis, në një bashkësi shoqërore të goditur për vdekje nga fati i keq, në një kohë ku befas vdekja (nga murtaja e zezë, nga sëmundje epidemike të panjohura më parë, nga mallkime a ndëshkime hynore të patreguara etj etj) ndjen përgjegjësi, ndjehet përgjegjëse – s’dihet përse – dhe kërkon rend, drejtësi, kërkon kthjellim në kaos… pastaj dhe shpëtimin e të vetëve, të vetes dhe të dashurisë së saj. Rropatjet shpirtërore të saj, endja e saj nëpër kaos përbëjnë lëndën bazë të romanit. E gjithë ngrehina ku ajo jeton e merr frymë, shthuret gjëmshëm e në pakthim dhe nuk dihet përse. Sado që të rropatet kjo Klea, një lloj Antigone e lashtësisë, bijë e dhembshur, motrëz-shoqe e butë, e dashur, e gjendshme, në vorbullën e katastrofës gjithëpërfshirëse, në muzgëtirën e krusmës së jetës, e shuarjes të së drejtës, të dritës, të bukurisë e të dashurisë, domosdo dhe ajo do të jetë e shenjuar nga tragjikja, do të bjerë pre e frymës, do të përthithet nga baltovina helmuese, nga klima që kalbëzon me vdekje të tërën.
Kuptohet, nga sa thamë, se ngjarjet të çojnë në vitin 1997. Heroina që tregon ngjarjen në vetën e parë është një juriste e re e Institutit ‘Human Rights’ në kryeqytet. Tronditja e juristes së re nuk vjen nga ç’po ndodh, por edhe se ata si brez kanë pritur një shoqëri të re. E kaluara e krimeve kthehet dhe merr hak.Emrat e personazheve Edip, Klea, Ezop janë me shenja të dyfishta. Të së sotmes, por edhe të hijeve mitike, të krimeve të mbartura, që ndjekin pasardhësit, deri në brezin e dytë dhe të tretë… të krimeve që rizgjohen, te rrënjët e tyre, në gjakun tonë… lëvizin, helmojnë, marrin të sotmen e të nesërmen. Janë brenda nesh.Rrëfimi shtresohet në tri rrathë të brendashkruar: provinca (qyteti B), Tirana dhe Londra. Edhe kohët janë tri: e shkuara e prindërve, e djeshmja e bijve të tyre (fëmijëria e adoleshenca që vijnë përmes kujtimeve) dhe e sotmja, koha e romanit, kohë së cilës i merret fryma nga avujt e helmuar të gjakut të vjetër në arteret e rinj.
Ky roman, botuar në vitin 2003, edhe në këtë ribotim me ndryshime, pas 10 vitesh, është një prozë e ndikuar nga poetika e tragjikes, nga struktura e baladës.Romani ka një lëvizje e alternim stilesh që i japin ngjyrime të pasura endjes tekstore: stili i meditimit sociologjik, stili lirik i situatave me kujtime dhe i skenave të dashurisë, rrëfimi neutral i së kaluarës. Mbase kjo ngjarje, viti 1997, është ndodhija që formon eshtrat në karakterin e një brezi. Ngjarje nga ato që depozitohen thellë. Dhe sa më thellë depozitohen aq më shumë kohë e meditim duan që të dalin jashtë, që të rrëfehen për të tjerët. Kjo lëndë e hedhur në roman është një afresk. Ngjall kureshtje estetike, të ndjell ta lexosh. Librat e parë në prozë janë libra përcaktues në jetën e një krijuesi. Në këto libra shpesh janë gjithë embrionet e librave pasardhës. Fakti që E. Kasi, i kthehet këtij subjekti, flet për atë se aty, në ato mjedise, në ato kohë, përbrenda e përtej këtij romani, ka diçka, që duhet formuluar, thënë…