Albspirit

Media/News/Publishing

Uran Butka: Dëshmorë apo kolaboracionistë?!

Të trondit dhe të habit fakti, që në çdo përvjetor të çlirimit nderohen e përkujtohen vetëm brigada të Ushtrisë NÇ, ngjarje dhe luftëtarë e dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare, bëhen homazhe institucionale dhe vendosen kurora dhe shkruhet vetëm për ata, por nuk përmendet asnjë luftë e faktorëve të tjerë antifashistë  apo  dëshmorët e tyre . Edhe pse kanë kaluar mëse 70 vjet nga ajo kohë lufte dhe mbi dy dekada kohë paqeje e reflektimi, përsëri mbahen po ato koncepte, vlerësime  dhe qëndrime politike dhe historiografike për luftën antifashiste, përjashtohen e baltosen si armiq, tradhtarë e kolaborcionistë faktorët e tjerë antifashistë, si edhe luftëtarët e dëshmorët nacionalistë, që luftuan dhe ranë për lirinë. Këtë punë bëjnë edhe historianët  e studiuesit e ideologjizuar e të politizuar, që i fryjnë avazit dhe urrejtjes së vjetër.Madje, çuditwrisht nuk përkujtohen as luftëtarët antifashistë të majtë, si Ymer Dëshnica, Mustafa Gjinishi, Llazar Fundo, Shefqet Beja, Gjergj Kokoshi,  Riza Dani e shumë të tjerë, që ishin pjesë e Luftës NÇ dhe luftuan për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, ndryshe nga E.Hoxha dhe klika e tij terroriste, që luftonte vetëm për pushtet dhe që i asgjësoi ata.Nuk mund të arrihet pajtimi kombëtar, paqja e brendshme dhe uniteti kombëtar, pa të vërtetën historike dhe drejtësinë. Nga e drejta për çdonjërin, tek paqja për të gjithë. Ekujlibri shpirtëror, për të cilën kemi aq shumë nevojë, kërkon doemos edhe rivlerësimin objektiv të historisë dhe drejtpeshim të politikës. Një shëmbull që do të sjell, për të konfirmuar këtë shqetësim të gjerë kombëtar, njëherësh edhe si një debat historik dhe politik, është nacionalisti Skënder Muço.

Lindi në Tragjas të Vlorës në vitin 1904. I ati, Dauti, luftëtar i Pavarësisë dhe daja, Alem Tragjasi, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më 192 dhe në luftën e Vlorës më 1920, lanë gjurmë te Skënderi i vogël. Shkollën e ulët e kreu në Shënmitër në Korone të Kalabrisë, ndërsa fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Bolonjës – “Skënder Muço punon shumë në Itali për çështjen shqiptare” – shkruante  Halim Xhexho Tërbaçi.  U kthye në atdhe dhe punoi si avokat. U arrestua më 1932 si pjesëtar i organizatës politike “Lëvizja e Vlorës” dhe u dënua me vdekje. Falë presionit të opinionit publik dhe vetëmbrojtjes së shkëlqyer, iu fal jeta. Megjithatë mbeti kundërshtar i Zogut dhe i monarkisë. Më 7 prill 1939 mori pjesë në demonstratat antifashiste organizuar në Vlorë kundër pushtimit italian. Më pas mori pjesë në rezistencën shqiptare në anën e Ballit Kombëtar, duke qënë anëtar i KQ. Thirrjes për bashkim pa dallim feje, ideje e krahine iu përgjigj pozitivisht dhe mori pjesë në Konferencën e Pezës si person, me mendime të ndryshme nga E.Hoxha. Ishte anëtar i delegacionit të Ballit Kombëtar në Konferencën e Mukjes dhe ndihmësoi na arritjen e marrëveshjes historike të Mukjes ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Nacionalçlirimtares. Në fund të nëntorit 1942 Hysni Lepenica dhe Skënder Muço formuan çetën e parë nacionaliste të Vlorës me emrin “Shqiponja”,. Në krye të saj ai mori pjesë në shumë luftra kundër pushtuesve fashisteë e nazistë, siç në Gjorm, Dukat,  Qafën e Dushkut, Logara, Grehot,  Selenicë, Greshicë, Drashovicë, etj. Skënder Muço ishte misionar i bashkimit. Ai ka marrë pjesë në disa takime në rrethin e Vlorës me përfaqësuesit e Nacionalçlirimtares. Frymëzoi  e drejtoi disa beteja të përbashkëta  kundër pushtuesve. Më datën 9 shtator 1943 çeta “Shqiponja” hyri në Gjirokastrën e çliruar. Po botojmë me këtë rast letrën e Skënder Muços drejtuar komandës (shtabit) të forcave partizane në Cepunë, afër Gjirokastrës.

Shqipëri e lirë, datë 12.9.1943

Organizatës Nacionalçlirimtare

Cepunë

  1. Gjirokastra është në duart tona. Kemi mbetur të rezervuar për të marrë vendime të rëndësishme në lidhje me situatën që u krijua, sepse kemi pritur bashkëpunimin tuaj. Përsa i përket luftës, këtë e vazhdojmë dhe do ta vazhdojmë përderisa të lirohet krejtësisht vendi ynë. Aq e vërtetë është, sa edhe pardje kemi pasur një ndeshje më armë më fuqitë gjermane në të cilën kanë mbetur të vrarë tre gjermanë dhe një i plagosur. Nga ana jonë mbeti vetëm një i plagosur.
  2. Kundër okupatorit italian ne jemi hedhur në luftë me kohë dhe është kot të bëjmë sot polemika të parëndësishme. Të gjitha forcat tona kanë marrë urdhër që t’u bien gjermanëve.
  3. Qëndrimi armiqësor kundra okupatorit konstatohet veçse me vepra; në këtë çështje jemi kategorikë dhe e dimë se, duke vepruar kështu, mbrojmë interesat e Atdheut.
  4. Duhet të dini se ne kemi shpirtin e drejtësisë shumë të lartë, nuk pranojmë të na bëhen akuza si organizatë; kush të ketë kryer krime, ka për të dhënë llogari. Porsa i përket tradhtarit Nexho Bejleri dhe të tjerëve si ky, kjo është çështje e brendshme e Partisë, megjithatë këta janë ndëshkuar si të tillë dhe do marrin ç’ka meritojnë.
  5. Askush nuk ju ka mohuar të drejtën që kini luftuar për atdheun e përbashkët dhe ftesa që iu bë nga ana jonë (më 11.9.1943) ka kuptimin e saj në këtë drejtim. Veçanërisht nga kjo ne kemi hyrë në marrëveshje me organizatën tuaj në Mukje dhe jo me ndonjë parti tjetër. Nëse organizatës suaj i është atribuuar ndonjë frymë tjetër politike, nuk është faji ynë. Megjithatë, posa na u njoftua që bëni luftë për të çliruar atdheun e përbashkët, muarmë kaq dhe u kënaqëm. Me organizatën tuaj kemi pasur bisedime gjithmonë dhe dëshirojmë që së këndejmi t’i bëjmë gjërat edhe më të mira.
  6. Shqipëria është një nga shtetet që njihen si aleatë dhe aleanca jonë me kombet e mëdhenj – Amerikë, Angli, Bashkimi Sovjetik – është një fat për Shqipërinë. Ne njohëm me kënaqësi aleancën me demokracive dhe dëshirojmë që veprimet tona politike të marrin nisjen e tyre në harmoni më politikën që do të vazhdojnë Aleatët tanë të mëdhenj.
  7. Koha ngut, presim të marrin nisjen e tyre në harmoni me politikën që do të vazhdojnë Aleatët tanë të mëdhenj. Koha ngut, presim të marrim kontakt sa më parë me ju.

Rroftë Shqipëria!

Për organizatën e Ballit Kombëtar

Avokat Skënder Muço (AQSH, F.222 d.6. v1943)

Skënder Muço në thelb ishte një socialdemokrat perëndimor. Bashkë më Musine Kokalarin  themeluan  Partinë Socialdemokrate shqiptare dhe botuan në disa  numra edhe gazetën “Zëri i Lirisë”, organ i kësaj partie, si një alternativë e Ballit Kombëtar, që kishte një program socialdemokrat (Dekalogu). Skënder Muço  ishte koordinator i Ballit Kombëtar me Aleatët e mëdhenj Antifashistë, sidomos me misionin anglez të Anton Ruejlit dhe me misionin amerikan të Togerit amerikan Tomas. Në një letër të Nako Spirut drejtuar E.Hoxhës dhe M.Popoviçit më 9 prill 1944, shkruhet: “Skëndër Muçon e kërkojnë gjermanët, pse në Dukat mban njerëzit e tij anglezë”(AQSH f.14 d.9 v.1944). Oficeri amerikan Tomas thotë se S.Muço ka ndihmuar dy oficerë anglezë dhe për këtë arsye e kanë pushkatuar gjermanët. (AQSH, F.14 d.16 v.1944) Më 10 gusht 1944, kur nacionalistët Skënder Muço, Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini po ktheheshin për në Vlorë, pas takimit me misionin  britanik, u kapën nga gjermanët, që i kërkonin vend më vend dhe, në mesnatën e 10 gushtit 1944, i pushkatuan në fshatin Bubullimë të Lushnjës. A duhet të jenë Skënder Muço, Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini dëshmorë Atdheut dhe të nderohen  si të tillë, apo duhet të mbeten ende si kolaboracionistë?

Please follow and like us: