Letrat e Princeshë Dianës: Takimi me Nënë Terezën më ndryshoi jetën
Disa letra të Princeshës Diana kanë dalë në dritë, që tregojnë se si takimi me Nënë Terezën i kishte ndryshuar jetën.
Në letrat që janë zbuluar, Diana tregon se si Nënë Terezë dhe murgeshat i kishin ndihmuar të kishte zgjim shpirtëror në momentet e saj më të vështira.
Ajo kishte vizituar jetimoret në Kalkutë në vitin 1992, në kohën kur ajo kishte probleme të mëdha në martesën e saj me princin Charles.
“Sot diçka shumë e veçantë ka prekur jetën time. Kam vizituar shtëpinë e Nënës Terezë dhe kam gjetur rrugën të cilën kam kërkuar me vite”, thuhej në letër.
Shërbëtori personal i princeshës së ndjerë, Paul Burell, ka thënë se pas vizitës në Kalkutë, pasi Diana pa me sy fëmijët e sëmurë në prag të vdekjes u bë shpirtërore dhe nisi të merrej me bamirësi.
Diana do të shprehej se ajo ishte shumë e vogël përballë veprës së Nënë Terezës. “E vetmja gjë që mund të bëj është të shkoj me hapat e saj”, kishte thënë ajo.