Ushtarakët, më 5 shtator gjyqi kundër Gjykatës së Lartë. Konduri: Ja sa detyrohemi të kthejmë mbrapsht
Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë po përfundon procedurat e fundit për gjyqin që do të mbahet në 6 shtator të këtij viti kundër Gjykatës së Lartë. Në bazë të vendimit unifikues nga gjykata, pas përllogaritjes së pensioneve, ushtarakët detyrohen të kthejnë mbrapsht vlerën që varion nga 2 milionë lekë deri në 37 milionë lekë të vjetër. Mbi 20 mijë ushtarakë, të gjithë anëtarë të kësaj shoqate nga i gjithë vendi, prej vitesh po për ballen me dyert e gjykatave për zbatimin e statusit të ushtarakut dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, presidenti i SHKURSH-it, Thoma Konduri tregon se ky vendim absurd i Gjykatës së Lartë nëpërkëmb dinjitetin e ushtarakut dhe shkel veçanërisht të drejtat ekonomike të ushtarakëve të liruar.
Kur është krijuar Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë dhe cili është misioni i saj? Krijimi i kësaj shoqate daton më 8 prill 1996 dhe misioni kryesor i saj është të mbajë ushtarakët të bashkuar, të mbrojë interesat ekonomike të tyre, të ruajë traditat më të mira të ushtrisë, të integrojë ushtarakët në jetën civile si dhe në gjirin e NATO-s. Por faktori kryesor që na ka dhënë energji të mos dorëzohemi është shkelja e të drejtave ekonomike që ka bërë shteti shqiptar ndër vite ndaj ushtarakëve në lirim.
Cilat janë disa nga pikat në të cilat konsiston moszbatimi i statusit të ushtarakut?
Për herë të parë statusi i ushtarakut është miratuar në korrik të vitit 1991, por është injoruar totalisht nga gjykata dhe qeveritë e të gjitha ko hërave. Ka rreth 20 nene të cilat i japin të drejtë kësaj kategorie ushtarake, ndërkohë që për nenin 35 mbi pensionin e parakohshëm dhe nenin 41 mbi rimbursimin e barnave kanë dalë vendime e ligje të tjera cenuese të së drejtave tona. Instituti i Barnave nuk e pranoi VKM-në mbi nenin 41 dhe rimbursimi i ilaçeve për ushtarakët në lirim nuk gjeti kurrë zbatim.
Si e priti SHKURSH vendimin unifikues të marrë nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë? Pra do të ketë një rillogaritje të pensioneve?
Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë mohon totalisht të drejtat e ushtarakëve dhe nëpërkëmb dinjitetin e tyre. Shoqata jonë po përgatitet për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe në datën 6 shtator 2017 do të përballemi në gjyq me vendimet absurde të Gjykatës së Lartë.
Cila kategori e ushtarakëve preket nga ky vendim i Gjykatës së Lartë?
Ky vendim prek mbi 1 mijë ushtarakë që kanë fitu ar gjyqet dhe tashmë kthehen në debitorë. Është absurde pasi shumica e gjyqtarëve që kanë firmosur vendimin unifikues, para kanë dhënë vendime pro ushtarakëve. Pas rillogaritjes, ushtarakët detyrohen të kthejnë mbrapsht vlerën që varion nga 2 milionë lekë deri në 37 milionë lekë të vjetër. Pensioni i parakohshëm i mohuar ka një histori të gjatë gjyqesh dhe e ka çuar dinjitetin e ushtarakëve në atë nivel sa mund të tallen punonjësit e sigurimeve shoqërore.
Cilat janë pakënaqësitë e ushtarakëve lidhur me pensionet?
Deri në dhjetor të 2014-ës ligji vendoste një tavan për pensionet, në bazë të së cilit një ushtarak i liruar nuk mund të merrte më shumë se dy pensione bazë. Një pension bazë është 12500 lekë të reja; edhe pse pensioni sipas llogaritjeve mund të shkonte më tepër, nuk kishe të drejtë të shpërbleheshe më shumë se 25000 lekë të reja. Ndërkohë, për të gjithë të liruarit pas janarit të vitit 2015-të, ky ligj nuk zbatohej më. Ne kërkojmë që të zbutet diferenca e pensionit që merr një i liruar para 2014-ës me ushtarakët e liruar pas 2015-ës. Gjithashtu, kërkojmë shfuqizimin total të aktit normative numër 5 që konsiston në uljen e vlerës së pensioneve, nga 1800 lekë në vetëm 12000 lekë të reja.
Çfarë nënkuptohet me dinjitet të humbur të ushtarakut?
Forcat politike në vend kanë premtuar vazhdimisht që do të zbatohet statusi i ushtarakut dhe do të vendoset në vend dinjiteti i nëpërkëmbur për vite me radhë. Justifikimi i pamundësisë financiare tashmë është i papranueshëm, sepse shumë nga elementët e statusit kanë nevojë vetëm për mirënjohje të kontributit të ushtarakëve dhe respekt për ta pas ndërprerjes së karrierës.
Cilat janë kërkesat e ushtarakëve në lirim ndaj pushtetarëve?
Ka një sërë kërkesash ndër të cilat mund të përmendim: nxjerrja e VKM për transferimin e shërbimeve të spitalit ushtarak, për ceremonialin mortor të ushtarakëve që ndahen nga jeta; nxjerrja e urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes për t’i dhënë të drejtë të gjithë ushtarakëve të vendit, në rezervë, në lirim a në pension që të frekuentojnë shtëpitë e pushimit të ushtarakëve, pasi në të shumtën e rasteve bllokohen nga civilë që nuk kanë kurrfarë lidhje me ushtrinë. Gjithashtu, bazuar në nenin 42, ushtaraku ka të drejtë të marrë pjesë në të gjitha ceremonitë festive apo përkujtimore, por Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm apo komandat rajonale nuk kanë protokoll për këtë.
A pritet të ketë ndryshime në statusin e ushtarakut?
Vlen të theksohet se në fillim të vitit 2017-të është hartuar projekti i ri i statusit të ushtarakut. Për këtë shoqata jonë bëri kërkesë për t’u bërë pjesë e grupit të punës, por nuk morëm kurrë një përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes. Pavarë- sisht kësaj ne kemi parashtruar idetë tona për ndryshimet në status duke përcaktuar qartë “vijat e kuqe” që nuk duhen prekur siç janë të gjitha arritjet e të drejtave tona në statusin ekzistues.
Cili do të jetë reagimi juaj në rast se preken të drejtat tuaja?
Çdo ndryshim në status që përmirëson situatën është i mirëpritur nga shoqata jonë, në rastin e parë që do konstatojmë cenim të të drejtave të arritura do përballemi me dyert e gjykatave. Shumë herë kemi kërkuar të njihemi me projektin, por si gjithmonë nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
GSH.al