Albspirit

Media/News/Publishing

Havzi Nela: Standard të mirë jetese kanë popujt e perëndimit…

Më datën 10 gusht 1988 u ekzekutua me vdekje, varje në litar, poeti Havzi Nela. I dënuari në fjalët e tij të fundit tha: “I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me vete. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër këmbë. Kam 910 lekë dhe kërkoj që këto t’i jepen të afërmve të mi (nënës)”. Pastaj u bë ekzekutimi. Disa minuta pas ekzekutimit u kontrolluar nga mjeku i cili deklaroi se i dënuari ka vdekur. Ekzekutimi u bë në orën 3.30 të datës së mësipërme te sheshi i axhensisë së udhëtarëve në Kukës”.
Nga dosia e tij voluminoze po shkëpusim vetëm një pjesë nga deponimi i tij më 3 korrik 1975, para hetuesit të degës së punëve të brendshme të Mirditës, Shaban Dani.

“Unë kam disa mendime të miat që i kultivoj e i ruaj e që ndoshta këto bien në kundërshtim me këtë sistem. Unë kam për të thënë se lidhur me fenë, ajo duhej të ishte lënë e lirë nga shteti për ta ushtruar populli, mos të merreshin masa kaq të forta që ajo të zhdukej. Me një fjalë unë jam besimtar dhe besoj te feja. Përsa i për ketë kolektivizimit të bujqësisë, unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malësisë se atje është përdorur edhe forca për t’i futur njerëzit në kolektivizim kur ata kanë kundërshtuar. Këtë e them se nuk ishte përgatitur ideologjikisht fshatari për ta kuptuar se çfarë ishte kolektivizimi dhe nuk kishte kushte për t’u kolektivizuar, se vendi është i thyer, nuk mundet të futet teknika moderne, fshatrat janë shumë të shpërndara e humbasin kohë njerëzit duke udhëtuar. Përsa i takon rinisë them se ajo duhet të lihet më e lirë në drejtim të veshjes, gustos së jetesës, dëfrimit e të mos diktohet sesi të vishet e të qethet, por jam edhe me atë që të mos rrëshqasë nga tabani kombëtar…Përsa i takon standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca etj. Këtë e them pse njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë si televizor, automobila, e sende të tjera që bëjnë një jetë vërtet luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës. Po kështu them se në këto vende njerëzit kanë liri të plotë, se atje edhe sikur të bëjnë demonstrata e kërkesa me karakter politik ekonomik, nuk i dënon njeri, ndërsa këtu është ndryshe. Gjithashtu atje njerëzit janë të lirë të shkojnë nga një vend në tjetrin pa ndonjë kufizim. Këtë e lidh edhe me atë se në Amerikë, një president zgjidhet me afat kohor vetëm për 4 vjet, se atë mundet ta kritikojnë, bile e nxorën para gjyqit. Kësaj i thonë demokraci shumë e lartë për mendimin tim. Të gjitha këto përfundime e mendime, unë i nxora nga studimet që kam bërë në literaturën që del në vendin tonë dhe në shtypin e përditshëm”.
I pyetur për bisedat që ka bërë për ekzistencën e pushtetit popullor, ai përgjigjet:
“Unë agjitacion e propagandë kundër pushtetit e konsideroj, kur njeriu të ngrihet e t’u bëjë thirrje të tjerëve për përmbysjen e pushtetit. Unë kam dëshiruar, e mundet të kem shprehur se ligjet e vendit tonë janë shumë të ashpra se të marrin jetën vetëm pse njeriu kalon kufirin dhe kam pasur shpresë se do të ketë ndryshime të ligjeve në favorin e të dënuarve me rastin e 30 vjetorit të çlirimit”./muri.al/

Please follow and like us: