Albspirit

Media/News/Publishing

Për një kabinet qeveritar më efikas

 

Çerçiz Loloçi

Kryeministri i vendit Edi Rama ka hedhur idenë për shkurtime në kabinetin qeveritar, duke e bërë atë më të vogël në numër, duke mënjanuar dublimet dhe duke iu përgjigjur më mirë nevojave të shoqërisë shqiptare. Kabineti aktual, me apo pa ministra teknikë, ka gjithsej 21 dikastere qendrore, përshirë edhe zëvendëskryeministrin, por në këtë pamje të institucioneve ministrore fare lehtë kuptohen se Ministria e Jashtme dublohet me atë të Ministrisë së Integrimit, Ministria e Ekonomisë me atë të Financave, Buqësia me Mjedisin, etj. Në një rikompozim të qeverisë së re që pritet në shtator mendoj se janë të tepërt disa dikastere dhe konkretisht:

  • Zëvendëskryeministri
  • Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin
  • Ministria e Çështjeve Vendore
  • Ministria e Integrimit Evropian
  • Ministria e Ekonomisë
  • Ministria e Zhvillimit Urban
  • Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike
  • Ministria e Mjedisit

Pra me këto shkurtime kabineti i ri qeveritar mund të shkonte me 13 anëtarë, çka do të kërkonte edhe rikompozimin e emërtimit të dikastereve si fjala vjen Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit, Kulturës e Sportit, etj.

Kryerja e këtyre ndryshimeve nuk ka të bëjë me heqjen e ministrave përkatës, pasi ky është atribut i vetëm i maxhorancës fituese dhe kryeministrit, por këto ndryshime bëhen më jetëgjata kur kalojnë me një ligj në Kuvend.

Reduktimi i dikastereve do të sillte vetvetiu edhe një reduktim të ndjeshëm të administratës ku fare mirë mund të bëheshin përpjekje për të larguar të paaftët, militantët partiakë dhe të ashtuquajturat poste politike, që në shumicën e rasteve janë edhe vende të përtacëve dhe marifetxhinjve të ardhur pa konkurim e transparencë.

 

Please follow and like us: