Albspirit

Media/News/Publishing

Tolstoi, jeta me femrat

Nga të gjithë intelektualët Lev Tolstoi ishte ai që synoi për më lartë deri në atë pikë sa të ngjallë drojtje, bile edhe frikë. Arriti deri aty sa të mendojë se mund të arrinte transformimin moral të shoqërisë falë burimeve të zgjuarsisë së vetë dhe forcës shpirtërore që kishte brenda vetes. E konsideronte veten hallkë të një zinxhiri të gjatë intelektualësh dhe profetësh që përfshinin “Moisiun, Isain, Konfucin, grekët antikë, si Budën, Sokratin e më pas Paskalin apo Spinozën. Ai ndjente në shpirtin e tij një “madhështi të pamasë” dhe çuditej që të tjerët nuk i pranonin dhuntitë e tij: “Përse askush nuk më do? Nuk jam budalla, nuk jam përbindësh, shpirtkeq apo injorant, është e pakuptueshme”, shkruhet në një nga ditaret e tij. Megjithatë impulsin për të shkruar e kishte me hope dhe kjo qe dhe tragjedia e Tolstoit. Shpesh shkruante: “Po bëj një punë që për mua është aq e natyrshme si ajri që thith dhe që më lejon të shoh nga lart me krenari fajtore atë që bëni ju”. Po ashtu mund të thuhet se jo gjithmonë të shkruarit për të ishte aq i lehtë. Një pjesë e madhe e “Lufta dhe Paqja” u rishkrua të paktën shtatë herë. Akoma të shumta qenë redaktimet dhe rishikimet e “Ana Kareninës”, që pësoi modifikime me rëndësi thelbësore. Një nga mëkatet më të mëdha për të cilën e kishte ndjerë veten shpesh në faj janë borxhet e mëdha në të cilat ndodhte të zhytej, jo rrallë. Thuhet se filloi të luajë shumë në Moskë dhe në Petërburg në vitin 1849. Në 1 maj i shkruan vëllait Sergeit: “Erdha në Petërburg pa asnjë arsye, nuk bëra asgjë që t’ia vlejë, veçse humba një shumë të çmendur parash dhe hyra në borxhe”. Ai i jep vëllait porosi që të shesë menjëherë një pjesë të çifligut. “Kam nevojë absolute për 3500 rubla. Bëhen marrëzi vetëm një herë në jetë. Liria dhe filozofia ime kushtojnë shtrenjtë, dhe ja tek jam duke i paguar”. Vazhdoi të luajë bixhoz dhe për dhjetë vite të tjera, me rezultate shkatërrimtare, duke shitur ndërkohë një pjesë të madhe të pronave e duke u futur në borxhe me miqtë dhe të afërmit e tij, shumë prej të cilëve nuk ia ktheu.  Tolstoi e dinte se vepronte keq duke frekuentuar prostitutat dhe duke joshur fshataret e reja dhe e akuzonte veten për këto mëkate. Por më shumë akuzonte gratë. Para syve të tij, ato të gjitha ishin tunduese, si Eva. Ndoshta nuk është shumë e guximshme të mendohet se për shkak të faktit që pati nevojë fizikisht për to, gjatë gjithë jetës dhe se përfitoi nga kjo nevojë, Tolstoi provonte kundrejt tyre mosbesim, antipati, deri në urrejtje. Ndërsa Tolstoi shkrimtar kërkon të depërtojë në psikologjinë e Ana Kareninës nuk na rezulton që si burrë të jetë përpjekur ndonjëherë të kuptojë psiqikën femërore. Kur ishte 70 vjeç, shkruante: “Gruaja….Në përgjithësi ajo është budallaqe, por kur punon për djallin, ai i huan zgjuarsinë e tij. Shiko, ka bërë mrekullira që kërkojnë zgjuarsi, mprehtësi, durim për të bërë pisllëqe”. Problemi është se Tolstoi, edhe pse ishte një përkrahës i bindur i familjes, nuk besonte te martesa ose të paktën te martesa kristiane, si bashkim i dy të rriturve me detyra dhe përgjegjësi të barabarta. Martesa e tij pati probleme gjatë gjithë jetës së tij dhe pse pranë tij ishte Sonja, gruaja më e nënshtruar që ai njohu ndonjëherë. Sonja, kishte bërë ç’ishte e mundur për ta mbajtur martesën në këmbë, duke marrë përsipër, shpesh herë në mënyrë pedante, drejtimin e punëve të të shoqit, duke i kryer shërbime të domosdoshme dhe duke u bërë skllavja e tij rebele. Mori përsipër detyrën e frikshme të transkriptimit të romaneve të të shoqit, duke dëshifruar kaligrafinë e tij të tmerrshme. Natyrisht ishte shoqja ajo që pësoi të gjitha goditjet e kataklizmave shpirtërore të Tolstoit. Pasi e kishte detyruar që për një çerekshekulli t’i bindej kërkesave të tij seksuale, papritur ai i propozoi që njëlloj si ai, të hiqte dorë nga marrëdhëniet seksuale dhe të jetonin “si vëlla e motër”. Për Sonjën kjo ka qenë një nga momentet më të vështira të jetës së saj bashkëshortore ku në qendrimin e çuditshëm të tij shihte dhe sjellje të mëdha xhelozie. Tolstoi ishte xheloz, dhe këtyre viteve, 1898, i përket edhe “Sonata e Krojcerit”, ngjarja e trazuar e një burri tejet xheloz kundrejt marrëdhënies që ka gruaja e tij me një violinist dhe arrin deri aty sa ta vrasë atë. Fakti më i mundimshëm i muajve të fundit të jetës së tij, sidomos për atë që admiron veprat e shkrimtarit të madh, është se ato dallohen jo më nga një konflikt fisnik, por nga xhelozia, inatet, hakmarrjet, dredhitë, tradhtitë, qejfmbetjet, krizat e nervave dhe të meskinitetit. Në përpjekje për të zbatuar transformimin shpirtëror radikal që ai e quante të detyrueshëm, Tolstoi arriti deri aty sa të shkatërrojë familjen e tij dhe vetveten. Ndërkohë Tolstoi ishte i sëmurë me bronkopolmonit dhe në 1 nëntor e kishte ndërprerë udhëtimin, duke u strehuar në stacionin e vogël të Astapovës. Aty kalon dhe ditët e fundit të jetës së tij.

Please follow and like us: