Trajmi i “Heronjve të ideologjisë së diktaturës” në demokraci
Filip GURAZIU
Demokracia e brishtë shqiptare, fatkeqësisht me kalimin e kohës vazhdon të bëhet edhe më e brishtë, kjo për shumë arësye, por njëra nga kryesoret që më rezulton sot pas 25 viteve të vetë shembjes së komunizmit, është‘ mosndërgjegjësimi dhe mosvëmendja serioze e klasës politike ndaj edukimit të brezit të ri’. Informacioni që merr brezi i ri sot është kontradiktor dhe kaotik, çka nuk është konstruktiv, shëmbujt janë të shumtë; qëndrimi ndaj simboleve kombëtare (Skenderbeu, Nanë Tereza); qëndrimi ndaj pushtimit turk, qëndrimi ndaj gegnishtës; qëndrimi ndaj luftës civile në vitet e luftës së dytë botërore, qëndrimi ndaj dënimit të krimeve të komunizmit,… etj. Pra, platforma e institucioneve shtetërore, deri sot, nuk ka arritur të ndertojë një strategji edukuese të miratuar kolegjialisht, konstruktive dhe bashkëkohore për brezin e ri. Në gamën e gjërë opinioniste të mesiperme dëshiroj të veçoj qëndrimin që duhet mbajtur sot në demokraci ndaj “heronjve të ideologjisë së diktaturës komuniste shqiptare”.
Është fakt i njohur, se së paku “zyrtarisht”, të gjitha partitë politike parlamentare shqiptare kanë mbajtur qëndrim kritik ndaj diktaturës komuniste, gjë fare normale dhe në përputhje me qëndrimin politik ndaj diktaturave (të majta dhe të djathta në të gjithë vendet e Europës dhe më gjërë.
Shumë persona që kanë qenë në formacionet partizane të drejtuara nga komunistët dhe që kanë vdekur ne luftë civile kundër formacioneve shqiptare nacionaliste janë shpallur ‘dëshmor ose heronj të atdheut’, gjë në përputhje me parimet komuniste dhe me periudhën në të cilën ideologia e diktaturës ishte parësore, edhe mbi atë kombëtare! (internacionalizmi proletar). Rastet sa më siper janë të shumta, duke filluar që nga “Heronjt e Vigut”, rezistenca antikomuniste e Muharrem Bajraktarit, ajo e kelmendësve e kryesuar nga Preke Cali, levizja e Llesh Marashit në Koplik, kryengritja e Postribës, përpjekjet me grupet anticomuniste të derguar në Shqipëri nga vëndet “armike”, SHBA dhe Europa përendimore etj. Por a duhet të vlerësohen ato tituj sot në demokraci? Mendoj që jo, pasi ato të vrare nuk e patën dhenë jetën në luftë kundër pushtuesve të huaj për lirinë e atdheut, por për fitoren e idealit komunist në luftë me vëllezërit e tyre shqiptar,ideal qe me shëmbjen e komunizmit dhe fitoren e demokracisë u shperbë, u denua dhe vazhdon të denohet si imoral dhe kriminal, pra sot në demokraci është e pa kuptim, krejtësisht e padrejtë dhe deri absurde që ti ruajnë përseri ato tituj.
Kaq i rëndësishem ishte vlerësimi ideologjik partiak ndaj rasteve të mesipërme sa që ne veri të Shqiperisë “heronjve të ideologjisë” iu perkushtua nga diktatura një monument madhështor në qendër të Shkodrës, kurse ‘ Tre heronjt ‘ e Shkodrës që vdiqën në përpjekje kundër pushtuesve fashistë, pra për idealin kombëtar u lanë fare në harresë…!
Eshtë koha që të kuptojmë njëherë e mirë se demokracia shqiptare dhe e ardhmja e Shqipërisë drejt BE nuk mund të realizohet duke i thurur lavdi ideologjisë komuniste. E dini perse? Shume e thjeshtë, pasi dënimi i krimeve të komunizmit është një ndër kushtet kryesore që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë pjesë e BE. Në vendet europiane as që bëhet fjalë që të dekorohet ose të nderohet publikisht ndonjë hero i diktaturave, fashiste ose naziste, përkundrazi praktikat janë të tilla sa që edhe tentativa për sa mësiper dënohet në bazë të ligjit. Një i tillë egziston edhe në vëndet ish komuniste të europës lindore; në Poloni, Ceki, Lituani dhe Hungari qe shprehet: ‘Refuzimi publik, vënia nëdyshim ose degradimi e faktit të genocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimet socialiste dhe komuniste kombëtare përben vepër penale’.
Del detyrë imediate që legislativi dhe strukturat e pavarura që funksionojnë sipas udhëzimeve të BE të trajtojnë problemin e mesiperm për ta futur në rrugën ligjore. Vetëm ligji duhet të sundojë në demokraci, ligji duhet të jetë mbi nostalgjitë romantike të një periudhe tashmë të dënuar nga të gjithë aktorët politikë. Sa mësiper nuk është hakmarrje, por drejtësi shoqërore që na e mundëson sistemi demokratik. E ardhmja e Shqipërisë dhe e brezit të ri është shumë herë më e rëndësishme se sa një titull, dekoratë ose nderimi i ndonjë monumenti me karakter ideologjik, ideali i të cilit është shkelmuar sot nga populli shqiptar.
Shqiptarë të ardhmen e keni në dorën tuaj, veproni.