Ilir Levonja: Gjithkush ka faj
Në javën e fundit të gushtit në shumë vende të botës, datat 23, 24, 30, kujtohen si ditët e viktimave, nga sistemet, bindjet etj. Por edhe si ditë’datat e të të zhdukurve, (raste që kryesisht i përkasin burgosjeve sekrete), të të humburve, apo viktimave nga spastrimet etnike dhe lufta e klasave.
Tek ne përshembull, gjoja u përkujtua dje sipas një vendimi të parlamentit europian. Pamjet ishin fytyra të bukura në koktjele. Ca simpoziume me kumtesa arshive për pak honorare etj. Si zakonisht, gjëra që ta shpifin.
Ne, vendi që aspirojmë të bëhemi pjesë e makinerisë bashkëkohore europiane. Me të dhëna statistikore brilante…, rreth 50 mijë njerëz të internuar, 7 mijë të humbur dhe rreth 6 mijë të vrarë vetëm për bindje dhe tentim arratisje nga vendi. Thjesht se, nuk u pëlqente jeta që bënin, a regjimi … njëfarësoj race njerëzish që duan të jetojnë më mire dhe me plot liri mendimi e veprimi. Në krahasim me numrin e popullates, për vitet 1945 deri më 1990, kur ne pretendojmë se kemi rrëzuar komunizmin, është një shifër alarmante. Aq sa të bën të turpërohesh. Sidomos kur i afrohesh mentalitetit të europës mbi lirinë dhe të drejtat e njeriut. Për më tepër që sot pas kaq e aq vitesh, ne shqiptarët jemi pjesë organike tashmë e perëndimit. Kjo për faktin që 40% e gjeneratës së lindur në komunizëm jetojnë e punojnë aty, në europë e gjetkë. Duhet të na vijë turp e si popull duhet të uleshim në sheshe në një radhë kortezhi qirinjsh. Dhe një ndjese publike karshi mënxyrave që i kemi bërë njëri-tjetrit. Mirëpo ne ulemi aty për syfyre, bojkote, çadra etj. Jo për ndjesë.
Pse e kemi kaq të vështirë ndjesën, ne shqiptarët?
Çfarë është ajo që na bën të jemi fallco? Të jemi të dukshëm, jo të ndjeshëm?
Përgjegjësia civile? Edhe mundet!
Përgjëgjesësia intelektuale? As që diskutohet që po!
Një lloj përzierje që ndodh vetëm tek ne, aq sa intervistave të fytyrave të bukura. Të vjen t’u vjellësh në fytyrë kufomat e njerëzve në kufi. Dhe me që jemi tek këto, kufomat, që mbushën internetin dje, me foto. Horia civile i përplaste një sy njëri-tjetrit të drejtën, ligjin, shtetin, atdheun, mbrojtjen, vigjilencën. Viktimat e demokracisë të shkaktuara nga këta që qeverisin akoma. Madje ky dialog i ashpër civil të bind plotësisht pse ne nuk e njohim ndjesën. Ne jemi të sëmurë tmerrësisht, aq sa nuk e dime se çfarë është shpirti.
Një pjesë e jona janë të lumtur që vranë.
Madje mburren. I kanë shërbyer ligjit.
Një pjesë e jona i shpik së tashmes egon e individit karshi individit. Shkurt tema, debate, zhurmë. Aq sa kufomat e vitit 1990 të duken si kufoma antikiteti.
Një pjesë që përfaqësojnë viktimat, vëndosin nga një kollare. Dhe bëjnë marrëveshje me xheletatët për ndonjë post a vend pune. Pa harraruar ndonjë statut fejsbuku si antikomuinstë të mëdhenj. Si njerëz që po venë në vend dinjitetin e viktimave etj.
Këto ditë pritet të formohet qeveria e re. Duke filluar që nga kryeministri, kryekuvendari, kuvendarë, bijë e etër. Vetëm tek ne ndodh, ne dëmdemokracinë shqiptare, të kesh akoma në pushtet njerëz nga koha e xhelatëve.
Akoma në pushtet nga koha e viktimave.
Gjithçka ka në Shqipëri. Gjithçka është me faj në Shqipëri. Gjithkush ka faj e bën faj. E askush nuk i del Zot. Ndaj as ndjesa, as falja, koha e re kurrë nuk ka për të filluar.