Krijimi i parë i Mitrush Kutelit në moshën 12-vjeçare
Ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari ka postuar në rrjetet sociale disa foto që tregojnë krijimin e parë të Mitrush Kutelit në moshën 12-vjeçare.
Ai shkruan se sprova e parë e adoleshentit Kuteli ishte një vjershë naive e asaj moshe, dedikuar Skënderbeut.
Ky krijim i tij është botuar në një kalendar “të humbur” të Pogradecit në vitin 1919.
“MITRUSH KUTELI 12-VJEÇAR
I pari krijim i adoleshentit Dhimitër (Pandi) Pasko, më vonë Mitrush Kuteli, i botuar në një kalendar “të humbur” të Pogradecit më 1919, pra kur shkrimtari i ardhshëm ishte vetëm 12 vjeç, ndonëse mund ta ketë shtuar një vit moshën që t’ia botonin “veprën”. Padyshim një vjershë naive e asaj moshe, por domethënës fakti që e para sprovë e adoleshentit i kushtohej pikërisht Skënderbeut. Botuesit e kalendarit i kanë shtuar edhe një shënim interesant për prejardhjen e tij tok me urimin: “Rroftë filizi i ri e vaftë gjer në veshët e Perëndisë!” Urim profetik në atë moment sot historik”, shkruan Plasari.