Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: A e meritonin ambasadorët cilësimin “të leshtë”?

Nuk është çështja tek adresimi me materiale ‘leshi’ a ‘akriliku’, që një kryetar qeverie u bën përfaqësuesve të vet në botë.

E para, vetë të ‘sharët’ duartrokitën në fund fjalën e kryeministrit. Ndoshta me bindjen se i shari të shan, apo me vetbindjen se ‘e di mirë që nuk e ka me mua, e di mirë për kë flet’. Dinjiteti i papërfillshëm.

E dyta, të përzgjedhurit kanë marrë bekimin e atij që i fyen, bashkë me firmën e ministrit nga partia që drejton. Ndaj përgjegjësia shkon me logjikë edhe tek ai që ‘shan’. Ndërgjegjësimi për dëmin i pallogaritshëm.

E treta, ‘të sharët’ nuk kanë sjellë asnjë investim të huaj. Nuk di sa kanë qënë të pajisur me ide e projekte konkrete nga qeveria. Por ‘i shari’, largoi nga Shqipëria edhe shumë investitorë, nga ata që kishin nisur me kohë e para mandatit të tij investime në vend. Pra më keq se të mos sjellësh investime të huaja është të përzësh edhe ekzistuesit. Duke u mbajtur tek një TAP, që nuk varet aspak prej teje e tek një Devoll, që s’ke çfarë i bën. Efiçenca zero.

E katërta, nëse merr përsipër të pranosh dështimin e diplomacisë zgjedhur teje, duhet të shtosh edhe produktin e Samitit të aq shumë përfolur të Diasporës, ku aq shumë u investua vëmendje e financa. ‘Të leshtë’ edhe ata që e ideuan e gjë nuk prodhuan? Vizioni totalisht i munguar.

Në përfundim, nëse të akuzuarit e meritonin përcakorin ‘të leshtë’, po ai që i zgjodhi, drejtoi e mbajti për katër vjet, në një mandat të dështuar investimesh çfarë përcaktori meriton? Dhe nëse sërish nuk është kjo çështja, kush ka më shunë faj, të sharët, apo ai që shan?

Please follow and like us: