Dafina Thaçi: Bashkëjetesat multikulturore
Që nga vegjëlia ne femrat bombardohemi me informacione sesi duhet të mbajmë një marrëdhënie ideale.
Mendohet se koncepti i marrëdhënieve ideale ndryshon me moshën, por për pjesën më të madhe rrënja është që të kenë një jetë çifti sikur të një princeshe nga ‘Disney’. Shumë nga ato përdorin këto marrëdhënie si një bazë deri në moshën e rritur. Në këto lidhje gati gjithmonë princesha e brishtë, shpëtohet nga princi i magjepsur dhe shkon për të jetuar në një ‘Mbretëri të Largët’. Për shumë femra të rritura, kjo vazhdon të jetë si përfaqësim i idealit të tyre.
Çfarë ndodh nëse princesha nuk është një grua e brishtë? Po nëse princi është në të vërtetë një burrë abuziv? Çfarë ndodh nëse ajo Mbretëria e Largët është e vështirë të përshtatet?
Duke biseduar me një mike nga adoleshenca, që sapo ishte divorcuar, më erdhi në mendje pyetja: Ndonjëherë në jetë ke arritur të mendosh, se çfarë do dhe çfarë nuk do në një marrëdhënie? Këtë pyetje e ngrita, sepse kujtoja kur ajo u martua, e dinte saktësisht se çfarë donte në burrin e saj. Ndërsa unë isha e kundërta, gjithmonë e mendoja dhe e dija tamam atë që nuk do ta doja në një marrëdhënie. Sigurisht që martesa e prindërve tanë ka patur një ndikim të madh në perspektivat tona kaq të ndryshme, kur mendomin t’i projektonim burrat tanë. Prindërit e asaj kishin një martesë të lumtur, bazuar në një formulë që vetëm për ata funksiononte.
Nuk di të them sa të lumtur ishin prindërit e mi. Ata ndërtuan familjen dhe jetuan bashkë për disa vite, deri kur mami u nda nga jeta në mes të adoleshencës time. Babai ishte gati përherë jasht ndodhive të përditshmërisë familjare, meqë i duhej të punonte për të siguruar mbijetesën. Nëna ishte e nënshtruar, ndjekëse e rregullave dhe një sistemi e shoqërie patriarkale, si shumë gra shqiptare të kohës – pa shumë ndryshime dhe tash. Ndaj, as unë dhe as mikja nuk nuk kishim një shembull të përsosur për të ndjekur. Ajo e dinte se donte një djalë, vetëm për statusin civil – E martuar! Mbase kishte frikë edhe nga vetmia. Unë e dija që nuk e doja dikë që më bënte ta zëvendësoja vetminë me keq-shoqërim.
Qëllimi im nuk është hyrja nëpër analiza të ndërlikuara psikologjike, por thjesht të analizojmë pse bëjmë zgjedhje të caktuara. Dhe në rastet tona, të femrave në bashkëjetesa apo martesa multikulturore, fakti që je lidhur me të huaj dhe zgjedhja të jetosh jasht vendit ndikon herë pas here negativisht, duke përfshirë këtu largimin e miqve dhe familjarëve të caktuar. Mbase kjo rezulton edhe si pasojë e kulturës tonë – Mëkatet që femra i ka kryer për të rënë në dorë të një të huaji… tjetër temë kjo për t’u trajtuar
Shumë femra i njohin të gjitha cilësitë që dëshirojnë te burrat e tyre të idealizuar, përderisa shpesh harrojnë të shohin mangësitë me të cilat ato tashmë mund t’i përballojnë dhe lehtësisht të bashkëjetojnë. Ne të gjitha e duam një burrë ideal. Tendenca që unë shoh te shumë femra shqiptare që martohen me meshkuj shqiptarë është të kërkojnë një burrë që qëndron mirë financiarisht, i bukur, i mbivlerësuar e i vetëkënaqur me faktin që është mashkull. Por a janë këto karakteristika matëse të duhura, e që e bëjnë atë një burrë të mirë dhe një partner ideal për një lidhje dashurie të qëndrueshme?
Ajo që unë më së shumti doja ishte një burrë mesatarisht i pashëm, inteligjent, me sens humori e punëtor. Por shumë më tepër sesa i dëshiroja këto, unë i dija ato që nuk i doja. Doja dikë që nuk ishte dominues, pa humor, dembel, autoritar dhe pronar i të vërtetave të pavërtetuara. Gjithmonë kam qenë e vëmendshme ndaj këtyre karakteristikave. Unë mund të hiqja dorë nga disa cilësi që i kërkoja, por nuk negocioja nga ato që nuk i doja. Sigurisht që kam patur disa të dashur që kishin shumë nga karakteristikat që nuk i imagjinoja në një bashkëshort. Dhe si përfundim, unë nuk u martova me asnjerin prej tyre. Sa më herët këto defekte fillonin të shfaqeshin, tërheqja zhdukej. Kam miq që kanë pasur përvoja të ngjashme dhe kanë bërë gjithashtu një listë të cilësive dhe defekteve të pranueshme dhe e shoh që ishte një vendim i mençur për të gjithë ne.
Pra, për të pasur një bashkjëtesë/martesë të lumtur dhe të balancuar është shumë e rëndësishme të bëhet një identifikim i pikëve prioritare dhe një detektim i defekteve që duhen matur mirë nëse ke kapacitetin t’i kapërcesh. E di atë cliché – në kur cilësitë që të pëlqenin kthehen në defekte që nuk mund t’i tolerosh? Imagjino! Sepse nëse përqëndrohesh të takosh dikë me cilësi sipërfaqësore si bukuria dhe të mirat materiale, gjasat për të mos pasur një shtyllë solide për të ndërtuar ardhmërinë tënde janë të mëdha. Është si ndërtimi i një kështjelle nga rëra. Nga një moment në tjetrin do të shembet. Por nëse ndërton marrëdhënien tënde mbi vlera çfarë ti i gjykon si morale dhe cilësi me të vërtetë të rëndësishme, atëhere baza do të jetë e fortë dhe lidhja do të jetë shumë e lumtur.
Më shumë se kushdo tjetër, ne që jetojmë me të huaj kemi nevojë për këtë themel të fortë. Sepse kur shpërngulemi në “Mbretërinë tonë të Largët” ne duhet të mbështetemi vetëm te Princi ynë, sidomos pas periudhës së muajit të mjaltit. Hulumtimet tregojne se viti i parë i të jetuarit në cift është më i vështiri. Në rastin tonë, një vit mund të jetë i barabartë praktikisht me shtatë vitet e para të një martese normale.
A funksionon bashkëjetesa midis njerëzve me kombësi të ndryshme?
Nuk ka dyshim që është një bashkim plot me pasuri e dashuri sikur brenda një çifti që i takon të njëjtës kombësi, ama kërkon që kufijtë e mendjes dhe zemrës të jenë të hapura sa duhet për të pranuar dhe bashkëndarë dallimet./express/