Ylli XHAFERRI: Faleminderit, Eliza Dushku
Rasti i Elizës me mbiemrin thellësisht shqiptar dhe tradicional Dushku, të cilës iu rezervua një pritje e ngrohtë, vëllazërore dhe prindërore në tokën amë, vajzës që erdhi nga Amerika e largët, për t’u takuar me njerëzit e një gjaku, për të frymëmarrur aromën e trojeve të të parëve, nuk mundet ta zbërthejë vetëm kushtrimi ose thirrja gjenetike, por në rradhë të parë respekti ndaj prindërve të saj, varreve të gjyshërve, themelit të familjes, djepit të fisit dhe rrënjëve të tij inspirimit intelektual, moral dhe shpirtëror për të mbajtur të shtrira urat dhe kontaktet me vendlindjen që ati nuk kishte harruar kurrë pa ia treguar mbrëmjeve në kontinetin e skajshëm. Eliza e qeshur nuk mungoi të tregonte edhe tatuazhin, një shqiponjë e mpiksur në mishin dhe gjakun e saj, që përveçse na krijoi emocion, qe dhe një dush i ftohtë akull, për ato djem dhe vajza shqiptare që në tatutë e tyre nuk e konsiderojnë dhe vlerësojnë simbolin kombëtar, por gdhendin e shkruajnë lloj-lloj dragonjsh, demonësh dhe zemrash të përshkuara mespërmes nga tehe thikash që të rrënqethin. Ajo vajzë e bukur, e qeshur dhe me nam të madh na tregoi se shqiponja e flamurit tonë, përveçse simbol i atdhetarisë, ka qenë qenkërka dhe mbetet përjetësisht simbol i bukurisë së rrallë. Ajo në mënyrë intuitive, në grishje të gjakut dhe kushtrimit korçar nuk bëri gjë tjetër veçse riktheu në kohën tonë tatutë e kaçakëve të lirisë, Mihal Gramenos me shokë, qëndismat e Marigove, shqiponjat e të cilave ruhen sot si relike të shenjta dhe vepra arti. Eliza nuk mungoi ta thonte me krenari të ligjëshme, me plot patos dhe gëzim faktin që ishte SHQIPTARE E ajo vinte nga një vend i madh, ku edhe pse njerëzit janë mbledhur nga të gjithë kontinentet , askush nuk mungon të dëshmojë origjinën , kombësinë dhe gjuhën nga vjen. Eliza nga qendra e internacionalizmit, nga ‘Bota e çudirave’, nuk harronte të na kujtonte nacionalitetin shqiptar.
Bota na mirëpret në gjirin e saj, me identitetin tonë kombëtar, me etnopsikologjinë, simbolet, doket, zakonet dhe veshjet tona, na pret si shqiptar të hershëm dhe të rinj. Ai që nuk i përket atdheut nuk i përket as njerëzimit. Eliza e brishtë na kujtoi me sinqeritetin e saj të bukur llumin ku kanë rënë bashkëkombasit tonë të cilët kanë ndërruar emër, mbiemër, kombësi, për të përfituar një azil në perëndim. Përgjegjës për këtë tjetërsim të dënueshëm janë bërë dhe bëhen këshillëtarët komunalë dhe bashkiakë që me papërgjegjësinë e tyre marrin vendime absurde, antikombëtare, Hysenin e ndërrojnë si emër dhe e quajnë Jani, Qazimin Kristo, deri tek mbiemrat Hoxha në Aligieri, Kasapi në Shërëderian. Zinxhiri i të pabërave zgjatet, bëhet trërkuzë marrie, shprehje mendjelehtësie, qëndrim mohues atdhedashurie. Eliza dha një mësim të madh etnkulturor dhe patriotik. Koha jonë e kishte të nevojshme një përvojë të tillë prej së cilës ishte ç’mësuar. Falenderimi për Elizën nuk mund të mos na zgjonte disa përsiatje që duhen parë në këtë optikë, bërjen e një apeli atdhetaro-qytetar ndaj shqiptarëve që si kuajtë pa ndërgjegjie sociale, familjare dhe kombëtare atdhe quajnë cdo grazhd ku mjafton të kashaisen.
Miq, nuse, prindër e vëllezër ka vetëm në atdhe. Mërgimtari kudo është i vetmuar. Luajtja me disa simbole fondamentale, mohimi apo këmbimi i tyre me të tjera , më detyron të kujtoj një fjalë të urtë të një vendi fqinj që thotë: “Një dimër në vendin tënd është më i ëmbël se njëqind pranvera në vend të huaj”. Falenderimi për Elizën është se ajo më zgjoi të them disa të pathëna para të cilave duhet të skuqemi .
Së pari: Himara është një krahinë me një histori zulmëmadhe për çështjen shqiptare, gjuhën dhe kulturën shqipe, një perlë në gjerdanin e peizazhit natyror të bregdetit shqiptar, por që po kthehet në një shesh për ‘tu bërë përshesh, do të thonte Petro Marko po të ishte gjallë. Por dhe i vdekur, nga vorreza e tij në ullishtën e Bregut nuk do të mungojë që si Kostandini i baladës, të marrë gurin e palatuar të varrit për kalë, shkumën e detit si shalë, oi-në e shamizezave dhe Vajzës së Valëve për himn, e do t’i mbledhë nga janë e ku s’janë Doruntinat e shpërndara si zogjtë e qyqes udhëkryqeve të botës. T’i kthjellojë, t’i sjellë në mend, t’u kujtojë “mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka”. Vetëm atëherë eshtrat e tij mund të gjejnë disi prehje . Dikush i trazon urët, një frymë e keqe si stihi i fryn zjarrit të përcarjes. I kemi para syve ato skena tragjike dhe groteske, kur disa gjynahqarë, me dinjitet të humbur, më keq akoma, të shitur, tundnin flamuj provokativë, flisnin greqisht, mohonin dheun e atit, qumështin e nënës, fjalën e rritjes, për një grusht euro a një kartë jeshile. Himara është plis i dheut të shqipes, kjo është e vërteta e vjetër, që ka qenë dhe do të mbetet derisa të ketë dritë dielli dhe hije hëne në këtë faqe të Ilirisë së lashtë.
Së dyti: Përmeti, djepi i Frashëlinjve u përfshi në një skandal të paparë dhe të padëgjuar. Në mes të ditës, në vendin e shenjtë, në tempullin e respektit, në varrezë, hyjnë e dalin, zhvarrosin dhe manipulojnë eshtra, fshatarë, priftërinj, sekserë, menaxherë ndjellazinj, Mefistofelë të kohëve moderne. Fshatarë që për disa kacidhe mbushnin arkat me eshtrat e farefisit që s’kishin kapur kurrë pushkë me dorë në gjallje të tyre. Shkulen varre diku për t’u ngulur diku. Shkulet Shqipëri për t’u mbjellë Vorio Epir. Për ironi të fatit, vetë prifti bekon sakrilegjin. Varret ndërronin identitet, gjini, kombësi. Vetëm e vetëm që dikush të marrë diku ca euro që kullojnë gjak, vetëm se diku në qoshke e skuta të mykura manastiresh të Malit të Shentë, që nxijnë si zgërbonja, në shtetin fqinj gjallojnë hijet shoveniste, etjet panhelene. Vorreza, kërkesa të pamotivuara memorialesh. Përse në vijën e lakmuar të Vorio Epirit?! Ku janë hartat e betejave të Luftës Italo-Greke, emrat e të vrarëve, kuotat gjeografike të varrezave!? Shteti grek i dikurshëm krenohej me ushtrinë e tij dhe fitoren e saj madhështore ndaj fashizmit italian, por a ishte e formatuar dhe e udhëhequr ushtarakisht sipas shkencës dhe teknikave profesionale ajo. Si mundet që varret e heronjve të kërkohen sot aty-këtu si varre dezertorësh aksidentalë?! A justifikohet lavdia, respekti i shtetit dhe kujdesi i familjarëve për gjakun e të afërmve të tyre!? Nuk është sasia numerike e memorialeve dëshmi kujdesi dhe respekti, por vlera simbolike e aktit. Kërkesat e pajustifikueshme lene shije të keqe, të hidhur, krijojnë ndjesinë e gozhdës së Nastradinit. Këto pyetje duhet t’i shtrojnë për përgjigjie gazetarët dhe historianët grekë, të cilët nuk duhet të biejnë pre e klimave dhe korrenteve nacionaliste. Ky memorial, a është vepër e shtetit fqinj apo e murgjëve të Malit Atos ku yshtet e ndizet etja për Verio Epirin! Përse, përse pa një ndërgjegjie elementare humane dhe qytetare, kombëtare dhe fetare nga bashkëkombasit tonë?! Opinioni i bashkëfshatarëve, qëndrimi i të zgjedhurve lokalë, përgjegjësia e intelektualëve dhe e të shkolluarëve të zonës përreth, përse u fashitën dhe heshtën!? A do të mundeshim ne, që në tokat tona të Çamërisë, të shkonim t’u pritnim një ferrë, t’u ndreqnim një gur, të lyenim me gëlqere gurët e varreve të braktisur për afro një shekull?! E vërteta nuk ka qenë dhe nuk është asnjëherë njëlloj në dy anët e Pirenejve prandaj të jemi të kujdesshëm. Kali i Trojës mesa duket nuk do të ketë kurrë të kalbur.
Së treti: Kryqet që mbillen kodrave të Shkodrës dhe Ksamilit kujtojnë sentencën, ekstremet puqen. Toka është e njerëzve, pa dallime fetare, ideologjike apo politike. Të gjithë jemi dëshmitarë se ç’hoqëm të shkulnim dhe ç’rrënjosnim nga malet, përrenjtë dhe pllajat e Shqipërisë parrullat komuniste . Se ç’humbëm prej ideologjizimit të skajshëm të gjithë e dimë dhe e vuajtëm. Puiritanizmi fetar dhe puritanizimi i vendeve nuk janë e njejta gjë. Përvoja historike shqiptare nuk jep shembuj të tillë. Ndërtuesit e kryqeve, ç’varrmihësit, mbajtësit e flamujve të huaj, përpiluesit e atlaseve, fjalorëve dhe guidave turistike, arkitektët e obeliskëve dhe memorialëve nuk janë alienë e marsianë, por si të gjithë ne, shqiptarë që gëlltisin diku një lugë çorbë dhe vjellin vetveten. Opinioni qytetaro-atdhetarë duhet t’u thotë ndal praktikave të tilla. Atdheu fillon në kufijtë e lagjes, në livadhet e fshatit, në varrezën e fisit, në këngët e dasmës. Atdhe, madje një copë vitale e tij, është Eliza, përkrenarja dhe shpata e Skëndërbeut në Vienë, Nënë Tereza, boksieri Krasniqi, Mali i Gramozit, violinisti Papavrami, “Bukuroshja e Durrësit”, nobelisti Murati, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, piktori Kodra, sopranoja Inva Mula, Kodikët e Beratit, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Kadaresë, përkthyer në mëse 40 gjuhë të botës, Kalaja e Rozafatit , Adem Jasharari, Alfabeti i Gjuhës Shqipe, Kaçaniku, etj. Atdhe është gjaku shqiptar kudo që ndodhet nëpër botë. Askujt dhe kurrëndonjëherë nuk i lejohet të nëpërkëmbë atë, për më tepër brenda kufijve. Këto mësime na i përmendi vizita e Elizës. Faleminderit, Eliza!