Albspirit

Media/News/Publishing

Migena Bregu, korçarja që u diplomua shkëlqyeshëm në Edinburg dhe fitoi doktoratën në Oksford

 

Kur po uleshim ngadalë në aeroportin Heathrow të Londrës, ndaj të gdhirë, në gjithë gjatësinë e krahut të djathtë të aeroplanit u reflektua një ngjyrë rozë e ndritshme. Ishin rrezet e para të diellit të vakët vjeshtak, pas një udhëtimi të lodhshëm nëpër natën e gjatë atlantike. Pastaj çdo gjë u mbulua nga mjegulla e dendur dhe një shi i imët e i mërzitshëm na dha mirëseardhjen në tokën e anglo-saksonëve. Të vizitoni Londrën, qytetin metropolit, i vjetër e i ri në të njëjtën kohë, të gjitha shqisat dhe truri juaj kthehen në një aparat të madh regjistrimi. Ju ecni tërë emocion në rrugët ku ka shkelur Shekspiri, Dikensi dhe Çurcilli. Ju mahniteni që nga stolitë e kurorës mbretërore, tek ndërtesat gotike e stilesh të tjera moderne, statujat, teatrot, muzeumet e mëdha etj. deri tek zhurma e rrëmuja e rrugëve të ngushtuara nga rryma pa fund e makinave dhe e autobuzëve të kuq dykatësh. E kundërta ndodh kur hyn në Oksford mbas një udhëtimi gati dy orësh, me autobus nga Londra. Befasohesh nga një qetësi qiellore e të duket sikur ke hipur në makinën e kohës e ke shkuar dhjetëra shekuj prapa. Një ndjesi të tillë e pata qysh orët e para të mbërritjes në Oksford, për të vizituar familjen e vajzës sime aty. Qyteti mban vulën e ndërtesave të vjetra madhështore të stilit gotik, të vendosura në një rregullshmëri të ngurtë gjeometrike duke krijuar imazhin e një amfiteatri gjigand. Historia e qytetit të Oksfordit fillon në vitin 700 me legjendën e një princeshe saksone e cila, për të shpëtuar nga mbreti lakmiqar, erdhi e u fsheh në një pyll ku dhe ndërtoi një manastir. Një komunitet i vogël filloi të rritet jashtë dyerve të manastirit dhe qyteti filloi të marrë formë e gjallëri, me kishat, tregun, banjat, shëtitoret dhe muret rrethuese që janë ende edhe sot. Por ky qytet i vogël anglez u bë i famshëm qysh në shekullin e dymbëdhjetë kur u ndërtua universiteti i parë në botë në gjuhën anglisht. Gjatë shekujve që pasuan, deri në kohën e sotme, nuk rreshtën së ndërtuari kolegje e biblioteka, qendra kërkimore-shkencore e muzeume etj. nga më të dëgjuarat e më të kërkuarat në botë. Sot numërohen rreth 39 kolegje që i kanë ndërtuar mbretërit, bishopet e kishave dhe pasanikët. Ndërtesat e stilit gotik quhen “ndërtesa të arta” sepse janë ndërtuar nga gurë të skalisur të verdhë e të fortë që i rezistojnë erozionit dhe kohës. Pothuajse të gjitha ndërtesat ngrihen në formë kështjellash masive oktagonalesh, kupolash dhe kullash me bedena ose me maja të mprehta, sipër të cilave qëndrojnë, sikur ëndërrojnë, kambana, sahatë të rrumbullaktë, zogj metalike, shtiza e shigjeta fluturuese. Të gjitha këto mrekulli pata fatin t’i admiroj ditëve të ngrohta të shtatorit duke ecur me vështirësi rrugëve me kalldrëm, e shoqëruar nga njerëzit e mi. Dhëndri im gjerman, doktor i shkencave e studiues në një nga kolegjet e qytetit, gjatë një shëtitjeje, më prezantoi me disa kolegë e profesorë, dy-tre prej tyre emra të dëgjuar në gjithë botën. Sigurisht, në këto situata, njeriu e ndien vehten pak ngushtë, mundohet t’i zgjedhë e t’i mendojë mirë fjalët…Dhe ja… tek afrohet e prezantohet ajo, e thjeshta, e mira, buzëqeshura, shkencëtarja shqiptare Migena Bregu, e cila ma shton më tepër hutimin, por dhe gëzimin. E përqafova si të ishim njohur prej kohësh, e mora mënjanë e i fola me zë të lartë, “Cila qenka kjo bashkëatdhetarja ime që i paska buzëqeshur fati kaq shumë?”

KORÇA – QYTETI I SAJ
Është Migena. Dhe, si një korçare, s’ka si të mos jetë e gjatë, elegante, me një fytyrë tërheqëse, dy sy gështenjë të mëdhenj, të gjallë e të lëvizshëm. Ndërsa flet të tërheqin vëmendjen buzëqeshja që nuk i ndahet nga fytyra dhe anglishtja e saj me një akcent të admirueshëm. Ecim me Migenën rrugëve të Oksfordit që gëlojnë nga biçikletat, zërat dhe thirrjet e gëzueshme të mijëra studentëve ardhur nga gjithë bota. Pyetjeve të mia të njëpasnjëshme vajza korçare u përgjigjet me modesti ose ndonjëherë ndërron bisedë duke më treguar ndonjë kuriozitet nga qyteti enigmatik i kolegjeve. Ajo ndal hapat para një dyqani të vjetër me mbishkrimin, “Dyqani i Lizës.” “Është fjala për, “Lizën në Botën e Çudirave” thotë ajo. Autori i Lizës, Lewis Carroll, ka qenë matematicien dhe tregtar i dëgjuar në Oksford. Ngjarjet e librit zhvillohen rreth e rrotull Oksfordit. Në këtë dyqan Liza ka psonisur…” Ajo kujtoi diçka nga fëmijëria e saj. “Isha vajzë e urtë, thotë, pak e mbyllur, por me një dëshirë e kuriozitet për të mësuar. E mbaj mend që fillimin e shkollës e prita me emocion të madh; abetaren e aritmetikën i mbaja tek koka e krevatit, javë përpara se të fillonte shkolla. Shkollën e fillova me një etje për të mësuar çdo gjë. Që në klasën e parë isha e vendosur për të dalë e para e klasës, pasi doja të merrja pjesë në “mbrëmjet e nxënësve të dalluar” të Korçës, sepse aty jepeshin lodrat më të mira që gjendeshin në Shqipëri. Madje, me naivitetin e fëmijës, e mbaj mend se ndonëse për tre vjet me rradhë dola e para e klasës, mësuesja nuk më propozoi për mbrëmjen e të dalluarve. E zhgënjyer, kur e pyeta mësuesen cila qe arsyeja, ajo m’u përgjigj se prindërit e mi nuk ishin “punëtorë.” Si fëmijë 9-vjeçar që isha, u ktheva në shtëpi duke qarë dhe e indinjuar u thashë prindërve se ishte faji i tyre që mua s’më dërgonin në mbrëmjet festive sepse ata nuk ishin “punëtore”, pra…s’punonin sa duhet! Ky incident ishte përballimi im i parë me doktrinën proletare, kur për herë të parë m’u shpjeguan diferencat klasore.” Prindërit e Migenës jo vetëm që ishin intelektualë, Bahriu, babai, inxhinier topograf në minierë dhe e ëma, Valentina, inxhiniere pyjesh, por familja e tyre ishte përfshirë tragjikisht në vorbullën e luftës së klasave. Qysh prej atij momenti Migenës iu bë e qartë se do t’i duhej të përpiqej të arrinte rezultatet më të larta akademike për të kompensuar mungesën e “biografisë së mirë politike.” Në një farë mënyre ky u bë dhe synimi i saj në jetë. Qysh në shkollën fillore ajo mori pjesë në olimpiadat e matematikës e në konkurset e letërsisë, që organizoheshin nga Shtëpia e pionierit. Me fillimin e shkollës tetëvjeçare dhe studimin e anglishtes si gjuhë të dytë, Migenës iu hapën dyert e bibliotekave për leximin e letërsisë së huaj. Dalëngadalë filloi edhe ambicia për studimet jashtë shtetit në të ardhmen. Dëshirë që i kishte rrënjët në etjen e madhe të të rinjve shqiptarë për të njohur botën e huaj, për të pasur atë eksperiencë që ishte kthyer në ëndërr, për shkak të mohimit. “Kur fillova shkollën e mesme, thotë ajo, i vura vehtes si qëllim që ta mbaroja gjimnazin me ‘Medalje të artë’ pasi kisha mësuar se qeveria jepte bursa për studime jashtë shtetit, për këta nxënës. Gjatë katër viteve të gjimnazit studiova me këmbëngulje jo vetëm për marrjen e notave dhjeta në të gjitha lëndët, por edhe për pjesëmarrjen në olimpiadat e rrethit, të kimisë e biologjisë, pasi një nga kriteret e marrjes së medaljes së arit ishte dhe fitimi i një çmimi kombëtar në olimpiadat. Isha me fat që në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në Korçë, kishim disa pedagogë të cilët ishin të predispozuar për të krijuar kurse të avancuara jashtë klase, për të inkurajuar nxënësit që kishin interes për të ecur më përpara se programet në tekstet shkollore. Me ndihmën cilësore që mora nga mësuesit arrita që, në vitin 1993, të fitoja Olimpiadën Kombëtare të Biologjisë, si dhe “Medalje ari”, që jepej nga Ministria e Arsimit.” Mbas gëzimit dhe festimit në familje të plotësimit të ëndrrës së saj, pasoi zhgënjimi, kur Migena mësoi se qeveria shqiptare nuk jepte bursa për jashtë shtetit. E vetmja mundësi ishin disa bursa nga qeveria egjiptiane për të studiuar në një Universitet Fetar, diçka që s’përputhej me aspiratat që vajza i kishte vënë vetes. Atëherë ajo e kuptoi e u bind se duhej të përpiqej vetë për të fituar të drejtën e studimit jashtë. Ajo filloi Fakultetin Juridik në Tiranë e ndërkohë përpiqej të merrte informacion për studimet universitare në Britani, dëshirë që e kish për arsye të lidhjes me gjuhën e letërsinë angleze. Fatmirësisht për atë kohë, me revolucionin demokratik, sapo kishin filluar të hynin informacioni, shtypi dhe gazetat e huaja. Migenës i ra në dorë një broshurë me informacion për studimet në Europën Perëndimore dhe filloi t’iu shkruaje institucioneve direkt, për të kërkuar më shumë informacion. Këtu filloi dhe maratona një vjeçare e aplikimit për në universitetet britanike. Nuk ishte e lehtë; vështirësia qëndronte se korrespondenca duhej bërë përmes letrave, interneti as që njihej në Shqipëri, dhe informacioni ishte shumë i kufizuar. “Kur më erdhën rezultatet e pranimit nga tri universitete britanike, thotë ajo, me të vërtetë, më dukej e pabesueshme. Zgjodha Universitetin Heriot-Watt në Edinburg për degën Mikrobiologji. Kisha lexuar për kryeqytetin e Skocisë që ishte shumë i bukur prandaj nuk hezitova të zgjidhja Edinburgun. Zgjodha mikrobilogjinë si degën që do të më jepte mundësinë për të eksploruar zhvillimet e fundit në shkencat biologjike”.

EDINBURGU
Pranimi në këtë universitet ishte vetëm hapi i parë i realizimit të ëndrrës së Migenes, mbasi ekzistonte vështirësia e sigurimit të burimeve financiare. Britania, nga vendet e Europës Perëndimore, ka taksat më të shtrenjta universitare. Migena filloi kontaktimin me fondacionet shqiptare kryesisht fondacionin Soros në Tiranë, si dhe me fondacione të tjera në Britani. Fillimi nuk qe shumë premtues, thotë ajo, dhe i dukej se për mungesë fondesh do ta humbiste këtë shans. Gjithsesi me grantet e fondacioneve si dhe me ndihmën financiare të familjes, ajo arriti të mbulojë financimin për vitin e parë. “Synimi im ishte sa të filloja universitetin, thotë ajo. Por më vonë i kisha vënë qëllim vetes që të arrija rezultate të larta akademike e t’i kërkoja universitetit ndonjë bursë nderi.” Por pas gjithë këtyre përpjekjeve, pengesa e fundit ishte marrja e vizës. Për shkak të procedurave të tejzgjatura për dhënien e vizave për shtetasit shqiptarë, ajo arriti në Edinburg në tetor të vitit 1994, tri javë me vonesë nga dita e fillimit të simestrit. “Mbërritja në Edinburg ishte sa mbresëlënës aq dhe e vështirë, thotë Migena. Për herë të parë më duhej të përballoja gjithçka vetë. Vështirësia qëndronte në dy nivele. Së pari, studentët e tjerë kishin krijuar miqësitë dhe për mua ishte e vështirë të depërtoja në rrethet e ngushta studentore. Së dyti, duke humbur pothuaj tri javë leksione kalimi i provimeve ishte jo aq i lehtë. Tri ditë mbas arritjes, pata një takim me koordinuesin e kursit. Ai, duke ditur prejardhjen time nga Shqipëria dhe fillimin me vonesë të universitetit, në mënyre të sjellshme më paralajmëroi se s’duhej të mërzitesha në qoftë se ngelesha në provimet e simestrit të parë, pasi kisha të drejtën e përsëritjes. I jam përgjigjur atij me ngulm, “Unë s’kam ngelur në asnjë provim deri tani dhe nuk mendoj pse duhet të filloj tani.” Që nga kjo bisedë Migena premtoi me vete se do të dilte sa më mirë në provime e t’u tregonte pedagogëve atje, se, në kundërshtim nga paragjykimet, shkolla shqiptare i kishte dhënë asaj formim të kënaqshëm shkencor si dhe ambicien për konkurrencë e arritje të larta. Fillimisht ajo vajti me kasetofon për të regjistruar gjithë leksionin dhe të kishte mundësi ta ripërpunonte gjatë studimit të saj privat. Fatmirësisht në provimet e vitit të pare Migena doli nga të parat e kursit. Pedagoget ishin aq të impresionuar dhe e ndihmuan me referenca të shkëlqyera për aplikimet që ajo bënte për bursë. Në fund të vitit të parë ajo takoi zëvendës principialin e universitetit, Dr.Brown, te cilit i kërkoi anulimin e taksave universitare. Mbështetur në rezultatet e saj akademike si dhe në vështirësitë financiare, Këshilli i Lartë i Universitetit miratoi anulimin e taksave që ishin 8,000 pounds (14,000 $). Ky ishte lehtësim i madh pasi tani ajo e kishte më të lehtë pagesën për koston e përditshme të jetesës. Si ka studiuar Migena gjatë këtyre katër viteve të universitetit, përpjekjet, këmbëngulja dhe disiplina e hekurt në arritjen e suksesit, e tregojnë provimet e saj përfundimtare, ku arriti të marrë diplomë të klasit të parë. Gjithashtu ajo doli jo vetëm studentja a parë në kursin e Mikrobiologjisë por edhe studentja e parë në gjithë Fakultetin e Shkencave Biologjike. Për këtë arsye mori dhe dy çmimet më të larta të nderit dhënë nga Heriot-Watt University. Por Migena është modeste e s’tregon më shumë. Duhet t’ia nxjerrësh fjalët si me darë. Kur u ktheva në Amerikë e u telefonova prindërve të saj që banojnë në Dallas, ata më treguan diçka për vajzën e tyre. Migena kishte ardhur nga Edinburgu me pushime verore pranë familjes dhe një korrespondent i Radio Korçës erdhi në shtëpi e mori në intervistë. Përgjigjet e saj ishin aq të shkurtëra e të thjeshta, sa, korçarët që e dinë mirë ç’janë universitetet britanike, kur e dëgjuan emisionin e radios, nuk u kënaqën.

MIGENA NE BOTEN E OKSFORDIT
Vajza e Korçës fitoi nga Universiteti Heriot-Watt medaljen, “Watt-Club Medal”—Medalja e argjendit dhënë studentit me rezultatet më të larta në Fakultetin e Biologjisë dhe “Loise- Fletcher Memorial Prize”, çmim i dhënë për studentin me rezultatet më të larta në kursin e Mikrobiologjisë. Ishin këto çmime që e ndihmuan Migenën të fitojë të drejtën për të vazhduar doktoratën në Universitetin e Oksfordit, një ëndërr e objektiv që ajo ia kish vënë vehtes prej kohësh. Pranimi në Oksford ishte për të një gëzim i veçante pasi ajo e kishte admiruar Oksfordin si një nga qendrat ku kishin hedhur rrënjë arsimi dhe kultura europiane. “Të bëhesha pjesë e këtij komuniteti, thotë ajo, ku të kisha mundësi të prezantoja potencialin intelektual shqiptar, ishte një emocion dhe mision i veçantë.” Oksfordi dhe Kembrixhi janë dy Universitetet që janë ndërtuar, e akoma funksionojnë, mbi bazën e kolegjeve. Kolegjet filluan si manastire, me një organizim të pavarur arsimor e kulturor për aristokracinë britanike. Përmes shekujve, kolegjet e Oksfordit u shtuan e u zgjeruan duke u bërë qendra elitare kulturore në Europë. Sot Universiteti i Oksfordit funksionon mbi bazën e kolegjeve dhe fakulteteve që së bashku koordinojnë mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Në pesë dekadat e fundit Oksfordi ka shtuar fushat e studimeve kërkimore-shkencore duke forcuar e duke i dhënë drejtim të ri rolit tradicional të të mësuarit. Tradita dhe cilësia akademike janë bazat e Universitetit të Oksfordit. Gjatë historisë Oksfordi ka nxjerrë burra e gra të adhuruar nga çdo sferë e veprimtarisë njerëzore, të cilët kanë studiuar ose kanë dhënë mësim në Universitet. Midis tyre përmenden katër mbretër, 46 fitues të çmimit Nobël, 25 kryeministra, 18 kardinalë, etj. Migena doktoratën në Oksford e kreu në departamentin e Biokimisë në lidhje me Brasenose College. Brasenose College është themeluar në vitin 1509 dhe frekuentohej kryesisht nga fëmijët e pasanikëve. Ndër akademikët e njohur të kolegjit përmendet nobelisti e shkrimtari William Golding. Gjithashtu në këtë kolegj kanë studiuar stërgjyshi i Xhorxh Washingtonit, presidentit të parë të Amerikës, si dhe gjyshi i John Adams, presidentit të dytë të Amerikës. Për doktoratën Migena u financua nga Wellcome Trust si dhe fitoi Overseas Student Awards. Është interesante të theksohet se fillimisht në Universitetin e Oksfordit nuk pranoheshin femrat, megjithse qyteti ishte themeluar nga një femër. Gratë u pranuan për herë të parë në Oksford në vitin 1878 por ato nuk kishin të drejtë të diplomoheshin. Në Brasenose College femra e parë është diplomuar në vitin 1974 dhe kjo datë koinçidon me vitin kur është lindur Migena. “Kërkimin shkencor, thotë Migena, e kreva në laboratorin e profesor David Sherratt, geneticist i njohur që ka studiuar rekombinim gjenetik të ADN në bakteria. Studimi im ishte fokusuar në mekanizmat molekulare që kontrollojnë rekombinimet gjenetike në bakterien E.Coli. Mbas tre viteve rezultatet e kërkimit tim shkencor i botuam në një nga revistat më prestigjoze në fushën e biologjisë molekulare. (The EMBO Journal, Vol.21 No 14.) Pas mbrojtjes me sukses të doktoratës ajo fitoi titullin “Doktor i shkencave,” në korrik 2002. Mbresat e dorëzimit të titullit “Doktor,” atë ditë, i përshkruan Bahriu, babai i Migenës: “Bashkë me gruan, thotë ai, ishim të ftuar në ndërtesën e teatrit te Oksfordit, ku zhvillohej ceremonia. Ne ishim ulur në sallën e madhe tok me prindërit e tjerë kryelartë e krenarë anglezë, por edhe nga vendet e tjera të botës. Përveç emocionit, ishte kënaqësia më e madhe që kam ndier ndonjëherë në jetë. Ç’fat i madh që ndodhesha aty, ku më kishte sjellë vajza ime…” Por Migena ishte më pak e emocionuar. E mësuar me këto lloj festimesh ajo e kishte mendjen më shumë për planet e së ardhmes. Para saj tani ishin hapur perspektivat dhe rrugët e pa fund të shkencës. “Gjatë doktoratës, thotë ajo, më lindi dëshira që të merresha jo vetëm me kërkimin shkencor në nivelin akademik. Doja që të eksploroja dhe se si zbulimet dhe përparimet shkencore kanë efekt mbi zhvillimin e shoqërisë së sotme. Për këtë arsye vendosa që, pas doktoratës, të bëja një ‘internship’ për komisionin europian në Europë, në departamentin për shëndetësinë dhe të drejtat e konsumatorit. Duke shpresuar që së shpejti Shqipëria do të bashkohet me komunitetin europian, kjo mundësi m’u duk ideale për të luajtur në një farë mënyre rolin e ambasadorit jozyrtar. Fillova punën në Bruksel ku kontaktova me komisionin që organizonte raportin mbi asocacionin e Shqipërisë me Europën. Gjatë diskutimit që pata me ta u përpoqa të theksoja nevojën për të analizuar situatën në Shqipëri me spektër të plotë e jo me gjykim të njëanshëm. Pavarësisht nga situatat e ndera politikoekonimike, Shqipëria ka potencial njerëzor e natyror që mund t’i sjellë kontribut komunitetit europian. Imazhit shqiptar që përfaqësohet nga politikanët e tanishëm i mungon disi serioziteti dhe pjekuria që gjendet midis intelektualëve dhe komunitetit të moderuar shqiptar.” Mbas mbarimit të internshipit në Bruksel, Migena u kthye për të vazhduar në Universitetin e Oksfordit si punonjëse akademike shkencore në Departamentin e biokimisë. Kërkimin e tanishëm shkencor ajo e ka në vazhdim më të thelluar të arritjeve shkencore të doktoratës, për të zgjeruar kuptimin mbi rregullimin qelizor të rekombinimeve gjenetike.
“URA E PSHERETIMAVE” – BRIDGE OF SIGHS
Me Migenën vizituam disa nga kolegjet më të vjetra të qytetit. Mjedisi ku qëmdrojnë madhërisht ndërtesat e kolegjeve që formojnë zemrën e Universitetit, sot konsiderohet si grupi më i dalluar, fin, i ndërtesave në Europë. Më tej kalojmë në “Urën e psherëtimave”, një urë e vjetër në hyrje të rrugës së Universitetit. Ura është ndërtuar mbi një hark gurësh mbi rrugë, dhe lidh dy ndërtesa ballë për ballë. Është vazhdim i traditës që studentët e diplomuar parakalojnë nën këtë urë, ekuivalent i një lloj harku triumfi, të duartrokitur nga banorët e qytetit të cilët qëndrojnë në të dy anët e saj. Nën këtë urë ka parakaluar edhe Migena, midis vargut të gjatë të të diplomuarve, veshur me pelerinën karakteristike të zezë dhe me kapelen e zezë në formë libri. Emërtimi “Ura e psherëtimave” nuk e ka kuptimin romantik të vuajtjes së të dashuruarve, por është simbol i fatit dramatik të studentëve që mbeteshin në provime e i thoshin “lamtumirë” Oksfordit. Ata hipnin mbi këtë urë e derdhnin lotë me psherëtima. E pyes Migenën: “Ke dëshirë të kalosh edhe njëherë tjetër nën urë?” Me pamjen serioze të fytyrës ajo ma ktheu: “Do të isha e lumtur sikur të shihja të parakalonin aty edhe studentë të tjerë shqiptarë. Për mua, suksesi i studentëve shqiptarë në nivelet më të larta akademike dhe kulturore shfaq atë potencial të admirueshëm njerëzor që kemi ne si komb. Potencial që në një farë mënyre duhet të jetë burim frymëzimi, vetbesimi e nderi, por që në të njëjtën kohë duhet të shihet si përgjegjësi. Përgjegjësi për të nxitur etjen e të rinjve shqiptarë për të studiuar. Përgjegjësi për të inkurajuar intelektualët shqiptarë të zhvillojnë karrierat profesionale në Shqipëri e për ta pasqyruar pasurinë e potencialin e kombit tonë në botë. Është tragjike të shohësh largimin në masë të intelektualëve shqiptarë. Është tragjike që për brezat e rinj s’ka asnjë stimulim moral ose financiar.” Migena tregon se si në shtetet e tjera me vështirësi financiare si Brazili, Argjentina, Bullgaria, Rumania, pavarësisht nga krizat financiare, qeveria e institucionet, janë të angazhuar në përkrahjen e nivelit arsimor e shkencor. Vetëm si shembull, për në Oksford, qeveria e Brazilit financon çdo vit disa bursa për studentët, me kusht që me mbarimin e studimeve, të kthehen në Brazil e të kontribuojnë në zhvillimin e vendit për një periudhë minimale prej pesë vjetësh. Një angazhim i tillë deri tani s’është marrë nga qeveria shqiptare. A nuk do të ishte ky një stimulim që do të rizgjonte etjen e të rinjve shqiptarë për të studiuar? A nuk do të ishte më mirë sikur diaspora shqiptare e institucionet private të hiqnin dorë nga financimet e konkurseve të bukurisë dhe të fillonin të investonin e të përkrahnin financiarisht konkurset e olimpiadat shkencore e kulturore? Ne kemi nevojë për shkencëtarë, artistë e inxhinierë për të ndërtuar vendin në standardet që kërkon koha dhe shoqëria moderne, thotë ajo. Sipas Migenës, përse historia e kultura shqiptare në botën e huaj, në shumicën e rasteve prezantohet nga analistet e huaj. Ka ardhur koha, thotë ajo, që ne si shtet të investojmë në studimet tona historike e kulturore. Ne duhet t’i paraqesim botës bagazhin tonë historik e kulturor përmes studiuesve shqiptarë. Në këtë aspekt bashkëpunimet me institucionet e huaja kanë avantazhe të disaanshme. Së pari, studiuesve tanë u krijohet mundësia të kryejnë punë cilësore dhe të publikojnë në botime të njohura ndërkombëtare, gjë që do të rrisë njohuritë mbi Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar dhe do të nxisë interesin e të huajve mbi çështjet shqiptare. Së dyti, do të ndihmojë studiuesit shqiptarë të sjellin mentalitetin shqiptar e botëror në linja të përbashkëta. Diçka që do të ishte shumë e dobishme në shkencat politike e diplomatike sepse për momentin, Shqipëria vuan ndjeshëm nga një mospërputhje e gjuhës politike shqiptare me atë europiane. Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit duhet të fillojnë projekte konkrete për studime historike, antropologjike e politike të çështjeve delikate për Shqipërinë, duke ofruar mundësi studimi e bashkëpunimi me universitetet e huaja që kanë eksperiencë në këto fusha. “Le të mos e lemë potencialin shqiptar të japë fryte vetëm në botën e huaj. Le të përkrahim etjen për dituri që ka qenë e mbetet një virtyt i shqiptarit. Shembujt e mirë i kemi, le ta përdorim këtë si inkurajim për të ardhmen.” Ky ishte dhe mesazhi i fundit i intelektuales së shquar shqiptare. …Kur u largova nga qyteti ndjeva se Oksfordi s’ka nevojë për stinën e ëmbël të pranverës sepse atë ia krijojnë studentët në të gjitha stinët. Janë vetë shkollarët që i japin gjallëri, energji e bukuri ambientit. Një nga këto lule është dhe Migena jonë.

Please follow and like us: