Agim Sulaj vjen me 20 vepra në “Autokton”
Artisti shqiptar Agim Sulaj, i cili pas vete ka një numër të madh të çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare, është në përgatitje e sipër të ekspozitës së radhës, por kësaj here duke gjurmuar thellë në kulturën shqiptare.
Vetë Sulaj ka thënë për KultPlus se kjo ekspozitë do të përfshijë 20 punime, të cilat do të vijnë para publikut të Tiranës, nën petkun e emërtimit “Autokton”. Artisti shqiptar ka thënë se kjo ekspozitë është një dedikim artistik për historinë shqiptare, dhe vetë shqiptarëve. “Dua të ekspozoj dedikimin moral për njerëzit që kanë bërë historinë e vendit tim, trojeve, traditave, natyrës, heronjve, por mbi të gjitha njerëzve të thjeshtë, që kanë rritur breza e breza dashurinë për vendin dhe tokën e Arbrit”, ka thënë Sulaj.
Ai duke specifikuar se kjo ekspozitë do të vjen në Tiranë, pikërisht në ditët e ftohta të dhjetorit, ka shtuar se edhe pse ka edhe angazhime të tjera, me një përpjekje të madhe është duke punuar që të mbarojë këtë ngacmim frymëzues, për vendin edhe ku ka lindur. Sulaj po ashtu ka shpjeguar se nëpërmjet kësaj ekspozite do të vijnë edhe kostumet dhe laramania e tyre e pafund e historisë së Shqipërisë, prej jugut e në veri.