Rama për mandatin e dytë qeverisës: Do të ketë një zv/ministër që do të merret ekskluzivisht me integrimin
Pas zyrtarizimit të emrave të kabinetit të ri në mandatin e dytë qeverisës, kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim informal me ministrat në Vlorë.
Në një bashkëbisedim me gazetarët mëngjesin e sot, kryeministri Rama bëri me dije se po diskutohet mbi skemën e re qeverisëse dhe funksionimin e ministrive.
Ai bëri të ditur se në takimin informal të një dite më parë me ministrat e rinj që po mbahet në Llogara u ra dakord që të nis puna për një projekt që do zbatohet në çdo ministri. Rama pohoi se deri në fund të vitit ministrat duhet të kenë përgatitur lehtësim procedurash për qytetarët sa i takon reduktimit të dokumenteve. Rama tha se administrata shqiptare kërkon shumë dokumente, që sipas tij ‘çmendim miletin’.
I pyetur lidhur me shkrirjen e ministrisë së Integrimit, institucion i cili iu bashkëngjit ministrisë së Jashtme, Rama sqaroi se “do të spostojmë të gjithë pjesën e problematikave të integrimit që kanë të bëjnë përgatitjen e negociatave te ministria e Jashtme”.
Ai theksoi se kjo është një praktikë që e kanë disa vende, duke sqaruar se “Hungaria nuk ka pasur asnjëherë ministri Integrimi dhe është në BE. Kroatët e patën dhe e kaluan te e Jashtmja”. “ Kur hapen negociatat vendoset një kryenegociator. Nuk është e nevojshme që të kesh një burokraci aq të madhe në vete, nuk është e domosdoshme, është një kalim te ministria e Jashtme. Tani duhet të kemi një ekip në nivelin e zv/ ministrave, pasi deri tani është bërë praktikë që të jenë indulgjenca, pozicion për të shprehur respekt, mirënjohje. Do të ketë një zv/ ministër që do të merret ekskluzivisht me integrimin”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit.
Duke folur për raportin institucional me Presidentin Meta, Rama deklaroi se “nuk kam asnjë dyshim që është e mundur dhe sot për sot kam pak dyshime që nuk do të ndodhë”. Në interes të gazetarëve, Rama shprehur bindjen se qeveria e re nuk do të ketë probleme me dekretimin nga Kreu i Shtetit. “Jam i bindur që nuk do të ketë probleme të tilla”, deklaroi Rama
Në këtë bashkëbisedim me gazetarët kryeministri Rama foli edhe për arsyet e shkrirjes së disa ministrive ndërsa mohoi faktin se prishja e partneritetit me LSI, të jetë bërë shkak për këtë vendim.
“Nuk kemi shkrirë ministritë e drejtuara nga LSI, nuk ka lidhje kjo. Kemi shkrirë edhe atë të Financave me atë të Ekonomisë, që nuk drejtoheshin nga LSI. Ose Ministria e Bujqësisë është po ajo, me ndryshime të vogla, nuk e kemi pasur këtë tendencë”, tha Rama.
Gjithashtu, kryeministri iu përgj interesit të gazetarëve edhe për bashkëpunimin me kreun e PD, Lulzim Basha në katër vitet e ardhshme. “Nuk besoj se do të jetë takim i përjavshëm (me Bashën), por do të ketë takime ndoshta një herë në dy apo tre muaj për diskutimin e çështjeve. Unë mendoj se kjo është tërësisht e mundur”, tha Rama, referuar edhe marrëveshjes parazgjedhore me PD.