Djali i madh i Trump merret në pyetje në Kongres për çështjen ruse
Donald Trump i Riu, djali i madh i presidentit amerikan do t’i përgjigjet pyetjeve të një komisioni të Kongresit që po heton në lidhje me dyshimet për një bashkëpunim të fshehtë mes stafit të fushatës së kandidatit republikan dhe Rusisë në 2016, bëhet sot e ditur.
Komisioni gjyqësor i Senatit njoftoi se Trump Junior 39 vjeç pranoi të dëshmonte para hetuesve të komisionit me dyer të mbyllura. Por data nuk bëhet e ditur.
Djali i Trump pranoi gjithashtu për të vënë në dispozicion dokumente të kërkuara nga komisioni, bëri të ditur kreu i këtij organi, republikani Chuck Grassley, dhe senatorja demokrate Dianne Feinstein në një deklaratë të përbashkët.
Bëhet fjalë për një format të ngjashëm me atë të dhëndrit të presidentit, Jared Kushner i cili iu përgjigj pyetjeve në korrik në lidhje me lidhjet e tij me Rusinë para dhe pas zgjedhjeve të nëntorit 2016, para Komisioneve të shërbimeve sekrete të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.