Albspirit

Media/News/Publishing

Inovacioni dhe administrata, ambasadori Donald Lu përgëzon ministren Harito

Ministrja e Shtetit, Milena Harito ka marrë ditët e fundit një letër përshëndetjeje nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në të cilën bëhen vlerësime të larta për punën e kryer në drejtim të Inovacionit dhe Administratës Publike në vend, por edhe në kuadër të forcimit të bashkëpunimit Shqipëri – SHBA.

“Dëshiroj t’ju përgëzoj për katër vjet shërbim shembullor si Ministër i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike. Nën drejtimin tuaj, ne së bashku kemi punuar për të rritur përpjekjet e qeverisë për forcimin e sigurisë kibernetike, për të përmirësuar infrastrukturën IT të qeverisë, për të mbështetur zhvillimin e Protik dhe për të nxitur zbatimin e plotë të ligjit për administratën publike”, shkruhet në letrën dërguar ministres Harito.

Ambasadori amerikan ka theksuar se vlerëson atë që ministrja Harito ka “bërë për inovacionin në Shqipëri, por edhe për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA”.

Ministrja Harito gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama ka drejtuar sektorët e Inovacionit dhe Administratës Publike.

Gjatë këtyre katër viteve në sektorin e Inovacionit nga qeveria janë investuar më shumë se 100 milionë euro. Ndërkohë që reforma në Administratën Publike është vlerësuar në dy Progres Raporte të BE-së si prioriteti me ecurinë më të qëndrueshme ndër 5 prioritetet e integrimit të vendit në BE.

Please follow and like us: