Rreth miteve të prejardhjes joilire të shqiptarëve
Debati rreth prejardhjes së nënës së Skënderbeut dhe prejardhjes së shqiptarëve, pavarësisht nga qëllimi dhe rrethanat në të cilat lindi, kërkon që t’i bëhet e njohur lexuesit masiv shqiptar, me aq sa është e mundur, gjendja reale e njohurive për prejardhjen e shqiptarëve, një çështje madhore e historisë sonë kombëtare.
Lexuesve shqiptarë u takon të dinë jo vetëm pikëpamjen e mirënjohur dhe të pranuar gjerësisht në Shqipëri edhe në botën shkencore të huaj, por edhe pikëpamjen që mohon prejardhjen ilire të tyre. Këtu bëhet një përpjekje modeste të jepet një tablo e thjeshtë, por reale, e asaj pikëpamjeje.
Përpjekjet parashkencore për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve nisën qysh nga fillimi i shekullit XVI, por hipoteza e parë shkencore rreth prejardhjes së shqiptarëve u paraqit nga fillimi i shekullit XVIII nga “i fundit i gjenive universalë”, Gottfried Wilhelm Leibniz-i në tri “Letrat Shqiptare”, tanimë të famshme, që i dërgoi Bibliotekës Mbretërore të Prusisë. Gjatë tre shekujve që nga ajo kohë, hipoteza e tij për prejardhjen ilire të shqiptarëve u mbështet me fakte të shumta nga fushat e gjuhësisë, historisë, mitologjisë, arkeologjisë, etnografisë, etj. në punime fondamentale të një sërë autorëve europianë të rangut botëror (Johann Thunmann, Barthold G. Niebuhr, Conrad Malte-Brun, Franz Bopp, Theodor Mommsen, Paul Kretschmer, Norbert Jokl, etj.) dhe, pas luftës së dytë botërore, në punimet e shkollës shqiptare të albanologjise të prirë nga Eqrem Çabej (1908-1980). Në sajë të atyre punimeve hipoteza fillestare e Leibniz-it është ngritur sot në nivelin e një teorije të strukturuar shkencërisht.
***
Në fillim le të shohim shkurtimisht historinë e zhvillimit dhe evolucionit të pikëpamjeve që kundërshtojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve. Do të ishte kohë e humbur për lexuesin që këtu të shqyrtohen edhe pikëpamjet fantastike të Piccolomini-t, Pouquevillit e të Nikolaos Nikokles-it, rreth prejardhjes së popullit shqiptar, nga Britania e Madhe (Skocia), nga qyteti Alba në Italinë qendrore dhe nga Kaukazi ose Albania (që është një shkrim i pasaktë i emrit të vendit Aluania).
Duke lënë mënjanë këto pikëpamje parashkencore, dyshimet e para rreth prejardhjes ilire të shqiptarëve i parashtroi gjuhëtari Carl Pauli, nga fundi i shekullit XIX. Duke parë dallimet e qarta midis venecianishtes dhe shqipes, ai arriti në përfundimin se “Shqiptarët nuk janë pasardhës të ilirëve të lashtë” (C. Pauli, 1886). Siç vuri re në kohën e tij P. Kretschmer-i, Pauli nuk arriti të tregonte ndonjë lidhje midis shqipes dhe trakishtes, që duhej pritur në bazë të hipotezës së tij, dhe nuk mori parasysh fare faktin që shqiptarët jetojnë në troje ilire e jo trake (Kretschmer, 1896). Por edhe më i rëndësishëm, si provë e paqëndrueshmërisë së hipotezës së Paulit, është fakti që tanimë dihet se venecianishtja është një gjuhë e veçante dhe jo ilirishte, siç pandehte ai.
Në vitin1898 indoeuropianisti Hermann Hirt (1865-1936) në dy artikuj të titulluar Pozita gjuhësore e ilirishtes (1898) dhe Indoeuropianët – Përhapja…” (1905), duke u mbështetur në disa ngjashmëri gramatikore të shqipes, kryesisht me rumanishten (vendosja e nyjes së shquar në fund të emrit dhe ndrimi i zanoreve të theksuara e të patheksuara në ë), si dhe në faktin që shqipja ishte një gjuhë satem dhe ilirishtja, sipas tij, kentum, shprehu hamëndjen se shqipja mund të ishte bijë e trakishtes (Hirt 1898; Hirt, 1905). Por vendosja e nyjës fundore në emrat shqip ka ndodhur qysh në periudhën romake, para lindjes së rumanishtes dhe shfaqja e saj në rumanishten, me sa kuptohet, ka ndodhur nën ndikimin e shqipes (E. Çabej, 2008) kurse sot përkatësia e ilirishtes në grupin kentum apo satem shikohet si fare e pasigurt.
Duke i parë në tërësi, pikëpamjet që mohojnë prejardhjen ilire te shqiptarëve nuk përfaqësojnë një strukturë koherente. Sipas atyre pikëpamjeve, shqiptarët herë kanë dalë të ardhur nga ujdhesa e Britanisë së Madhe, herë nga Italia, herë nga Kaukazi, Transilvania, etj. ose nga një rajon i ndryshueshem i Trakisë së lashtë (Sërbia e sotme ose trekëndëshi Nish -Sofje – Shkup). Kjo e bën hamëndjen joilire të mos plotësojë njëkusht themelor të hipotezës shkencore, që është falsifiabiliteti (mundësia për ta hedhur poshtë atë).
Nuk ka dyshim se përpjekjen më serioze deri sot, për të provuar prejardhjen joilire të shqiptarëve e ka bërë gjuhëtari Gustav Weigand, në punimin e tij Janë shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të trakëve? (Weigand, 1927). Me që të tërë ata që erdhën pas tij (Aleksandër Selishçev, Vladimir Georgiev, Ivan Popović, etj.), në thelb nuk kanë shtuar ndonjë gjë për tu shënuar në argumentet e tij kundër prejardhjes ilire të shqiptarëve, këtu do të ndalemi vetëm në argumentet themelorë të Weigand-it, për të njohur vlerën shkencore të hipotezës së tij.
Argumentet thelbësore të Weigand-it janë shqyrtuar në disa vende nga Eqrem Çabej, duke filluar nga vitet 50-të dhe fillimi i viteve 60-të të shekullit të kaluar. Pas atyre argumenteve themelore, hipoteza e Weigandit në të vërtetë u çvlerësua.
Më poshtë po rendis argumentet e tij thelbësore.
-Në Shqipëri ka shumë vëndemra sllavë. Mbi këtë argument, gjuhëtari rus Aleksandër Selishçev shtoi se emrat sllavë të fshatrave mbizotërojnë kryesisht në rajonet fushore dhe luginat e lumenjve nën 600 metra mbi nivelin e detit kurse emrat shqip të fshatrave mbizotërojnë mbi këta lartësi (Селищев, 1931). Në të vërtetë e kundërta do të ishte më e saktë. Në kundërshtim me këtë pohim, përqendrimin më të madh të emrave sllavë e kemi në rajonet e Korçës, Librazhdit e Peshkopisë, që gjenden mbi 600 metra. Veç kësaj, sasia prej rreth 16 për qind emrash sllavë të fshatrave dhe mikrotoponimeve në territorin e Shqipërisë mund të shpjegohet arsyeshëm me rreth tre shekuj sundimi dhe administrate bullgare dhe sërbe në trojet shqiptare nga shekujt IX-XIV. Ky arsyetim mbështetet edhe nga fakti që format e emrave sllavë në jug të Shqipërisë janë të tipit bullgar kurse në veri – sërb, në pajtim me faktin që sundimi serb ishte më i gjatë në veri të Shqipërisë e ai bullgar në jug. Shumë emra fshatrash a krahinash ende sot mbajnë një emër shqiptar e një sllav. Kështu, sipas Selishçevit, Fushgjana e shekullit XIX sot quhet Velipojë, Plakonia sot quhet Starovë dhe krahina që përmetarët e quajnë Prapamal, në Gjirokastër quhet Zagori.
Siç ka vënë re dhe argumentuar E. Çabej, këtu Weigand-i ka rënë në një gabim metodologjik, duke mos bërë dallim midis emrave të qyteteve, maleve dhe lumenjve (të ashtuquajturave makrotoponime), të cilat dalin në burimet e shkruara të lashtësisë, nga emrat e fshatrave që nuk dalin në ato burime. Të parët kanë një vlerë të madhe njohëse sepse, duke ndjekur evolucionin e tyre nga lashtësia deri në kohën tonë, është lehtë të përcaktohet edhe se rregullat fonetike të cilës gjuhë e kanë përcaktuar atë evolucion. Përkundrazi, emrat e fshatrave të sotëm nuk dalin në burimet e lashta, ndaj nuk na thonë asgjë për identitetin etnik të banorëve të trojeve shqiptare në lashtësi dhe, veç kësaj, ngulimet fshatare në Shqipëri janë jetëshkurtëra dhe emrat e tyre i përkasin kohës së re ose mesjetës.
Shqyrtimi gjuhësor i emrave të qyteteve, maleve dhe lumenjve të Shqipërisë (Butrint, Vlorë, Ballsh, Peqin, Durrës, Shkodër, Drisht, Ulqin, Sazan, Tomor, Drin, Shkumbin, Ishm, Mat, Vjosë, etj.) tregon, sa s’bëhet më qartë, se ato emra kanë kaluar pa ndërmjetësi nëpër gojën e shqiptarëve, se evolucioni i tyre ka ndodhur në pajtim vetëm me regullat fonetike të shqipes, e të asnjë gjuhe tjetër.
– Po të ishin shqiptarët pasardhës të ilirëve ata do të kishin terminologjinë e tyre të detarisë. Lidhur me këtë, gjuhëtari amerikan Eric Hamp theksonte se kjo nuk vërteton ndonjë gjë (Hamp, 1963) dhe E. Çabej provoi me shembuj të mjaftueshëm, se terminologjia shqipe e detarisë dhe e lundrimit ishte, p.sh., jo më pak e pasur se sa ajo e një populli të njohur detar si gjermanët, megjithë faktin që shumica e qyteteve bregdetare të Shqipërisë u bënë koloni greke dhe romake.
– Nuk ka gjurmë të dalmatishtes së vjetër (që është folur në Dalmacinë fqinje me trojet e sotme shqiptare) në gjuhën shqipe dhe gjuhëtari bullgar Vladimir Georgiev shtonte se huazimet me të lashta të shqipes janë nga latinishtja vulgare lindore e jo nga latinishtja vulgare që flitej në Iliri nga shekulli III. Ky argument bie në kundërshtim të hapët me faktin e vënë re rreth dy shekuj më parë (1829) nga gjuhëtari slloven Jernej Kopitar, e shumë të tjerë pas tij, se huazimet e hershme të shqipes i përkasin periudhës augustiane para fillimit të erës së re, para lindjes së latinishtes vulgare ballkanike të perëndimit e të lindjes. Le të shtojmë këtu se fakti që terminologjia kishtare e shqipes rrjedh nga latinishtja dalmate (prift, murg, kishë, ungjill, kungim etj.) tregon se në kohën e përhapjes së krishterimit shqiptarët ishin në trojet e tyre të sotme, sepse po të ishin më në lindje ajo terminologji do të ishte kryesisht greke, siç është në rumanisht e bullgarisht.
– Po të ishin shqiptarët në trojet e tyre të sotme qysh në lashtësi shqipja sot nuk do të kishte kaq pak huazime nga greqishtja e lashtë (gjithsej rreth 40 fjalë të dialektit dorik). Së pari, siç theksonte E. Çabej, Weigandi dhe të gjithë pasuesit e tij duhet të shpjegonin se si mund t’i huazonin këto 40 fjalë greqisht shqiptarët po të mos kishin qënë në trojet e tyre të sotme në Ballkanin perëndimor. Po të kishin qenë kudo tjetër në lindje të trojeve të tyre të sotme, shqiptarët nuk do të huazonin dot nga dialekti i dorëve, të cilët jetonin në pjesën perëndimore të Greqisë ose nuk do të kishin fare huazime nga greqishtja e lashtë, siç nuk kanë, p.sh., rumunët ose bullgarët. Është e rëndësishme të mbahet mënd edhe se sundimi shumëshekullor romak, që shpuri në humbjen e një pjese të madhe të fjalorit të trashëguar ilir të shqipes, sigurisht që do të eliminonte më parë mbishtresën e huazimeve greke.
Pa u ndalur në argumentet e dobëta të lidhjeve gjuhësore shqiptaro-rumune, këto ishin katër argumentet themelore gjuhësore te hipotezës së prejardhjes trake të ilirëve, mosmbështetja e të cilave e çlerëson hipotezën e Weigand-it.
***
Përballë kësaj tabloje fragmentare, të vjetëruar e të çvlerësuar, sot ne kemi një teori të plotë të prejardhjes ilire të shqiptarëve, të mbështetur në të dhëna shumëdisiplinare jo vetëm nga fusha e gjuhësisë por edhe nga ato të historisë, arkeologjisë, mitologjisë, etnografisë, folklorit, gjeografisë historike, etj. Kjo teori i është nënshtruar verifikimit shkencor gjatë tre shekujve të fundit, por njëkohësisht është e hapur për zgjerim e pasurim të mëtejshëm.
Në prapavështrim mund të thuhet se deri në vitet 50-të të shekullit të kaluar hipoteza e Weigandit për prejardhjen trake të shqiptarëve ishte e përligjur shkencërisht ,sepse shtronte edhe çështje të cilat gjuhësia e kohës ende nuk u kishte dhënë përgjigje. Por pas rëzimit përfundimtar të hipotezës së Weigandit, nga fillimi i viteve 60-të të shekullit të kaluar, pikëpamja mbi prejardhjen trake të ilirëve përfaqëson një atavizëm në historishkruarje. Po të na lejohej të përdornim stilin e Kantit, në rastet e Pauli-t, Hirt-it dhe Weigand-it do të thuhej se ata ranë në mbretërinë e paralogjisë, duke qënë të pavetëdishëm që po gënjenin veten dhe lexuesin, kurse autorët që iu përmbajtën asaj pikëpamje pas viteve 60-të, kaluan vetë në truallin jashtëshkencor të sofizmës, ku predikimi synon të gënjejë vetëm lexuesin/dëgjuesin.
REFERENCAT
Pauli, C. (1886). Altitalische Forschungen II, J.A. Barth, Leipzig, p. 200: “Die Albanesen sind keine Nachkommen der alten Illyrier.”
Hirt, H. (1898). Die sprachliche Stellung des Illyrischen. In Beiträge zur alten Geschichte und Geographie. Reimer, Berlin, p. 187.
Hirt, H. (1905). Die Indogermanen: Ihre Verbreitung, ihre Urheimat und ihre Kultur I. Trübner, Strassburg, f. 140.
Çabej, E. (2008). Hyrje në historinë e gjuhës shqipe. Çabej, Tiranë, f. 175.
Weigand, G. (1927). Sind dieAlbaner die Nachkommen der Illyrer oder der Thraker?Balkan-Archiv 3, 227-251.
Селищев, А. 1931. Славянское Население в Албании. София.
Hamp, E. (1963). The position of Albanian. In Ancient Indo-European Dialects: Proceedings of the Conference on Indo-European Linguistics Held at the University of California, Los Angeles, April 25-27, Ed. H. Birnbaum and J. Puhvel, California University Press, p. 98: “the mere absence of inherited maritime vocabulary can prove nothing”.