Mimoza Hafizi: Lamtumire kushërira ime trime
Gjyqtarja e vrarë nga ish-bashkëshort gjatë ditës së sotme, Fildes Hafizi, është kushërira e një prej politikaneve shqiptare.
Pas ngjarjes së rëndë ka reaguar edhe ish-deputetja e PS-së, Mimoza Hafizi. Me anë të një postimi në Facebook, Hafizi ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen, ndërsa e konsideron Fildes Hafizin si ‘kushërirën e saj trime’.
Ja postimi i Hafizit:
Fildes Hafizin e vranë sot pabesisht. Ishte vajzë e rrallë. E donte shumë jetën, adhuronte fëmijët e prindërit, admironte profesionin, respektonte dijen, i përkushtohej karrierës, përbuzte injorancën, përçmonte apatinë, sfidonte stërmundimin. U diplomua juriste, magjistrate, gjykatëse duke rritur dy fëmijë. E thurri me mund ëndrrën e vet. Që sot ia prenë egërsisht.
Jam shumë larg e s’mund të shkoj t’i hedh një grusht dhé lamtumire. Me dhimbjen për vitet e pajetuara, me brengën e një vdekjeje që nuk e shmangëm dot, me jehonën e klithmave të saj për ndihmë, me revoltën ndaj sistemit që kemi ngritur.
Por e di se buzëqeshja e saj e bukur do çajë murin e zi të vdekjes për t’iu bërë dritë dy prindërve të mjerë e dy fëmijëve të dashur. Se iu duhet, që t’ia shohin kuptimin jetës edhe pa sytë e Desit.
Lamtumirë kushërira ime trime!