Një grua kërkon ndihmë: Kam frikë, burri do më vrasë…s’dua ta pësoj si Fildesi
Vrasja e gjyqtares Fildese Hafizi nga ish-bashkëshorti i saj në mes të Tiranës të enjten, ka ngjallur ndjenjën e frikës për jetën edhe për shumë gra të tjera të cilat në heshtje vuajnë dhunën në familje, kërcënimet nga bashkëshortet apo ish-et.
Njëra prej tyre, e quajtur M. Brama, i ka shkruar Nismës Thurje, e cila në faqen e saj të Facebook, ka publikuar mesazhin tronditës të gruas e cila ka frikë për jetën, se mund ta pësojë njësoj si gjyqtarja Fildesi.
Ajo ka publikuar edhe foton e ish-bashkëshortit, i cili e kërcënon se do ta vrasë. Por nuk mbaron me kaq. Gruaja tregon se si disa kohë më parë është dhunuar barbarisht me levë në rrugë nga ish-burri dhe Prokuroria e Policia nuk levizin gishtin për t’i dhënë urdhër mbrojtje.
Nga M. Brama
Nisma përshëndetje. Quhem M. Brama dhe dua ti bëj nëpërmjet jush një apel gjithë strukturave të shtetit dhe shoqërise sepse jam e rrezikuar për jetën, unë dhe fëmijët e mi.
Unë jam ndarë nga im shoq në maj sepse ai ishte i dhunshëm. Nuk mund ta duroja më. Mbas vitesh dhune e vendosa dhe u largova me fëmijët. Pasi u ndamë, në mëngjesin e 15 korrikut, në orën 6, burri më ka zënë pritë teksa shkoja në punë dhe tentoi të më vriste me levë. Kam ngrënë mbi 40 goditje levash në kokë dhe gjithë trupin dhe një Zot e di si munda ti shpëtoj e të largohem prej tij. E larë në gjak kam shkuar në komisariat ku më ka rënë të fikët dhe jam zgjuar në spitalin e traumës. Aty ka ardhur prokuroria dhe më ka marrë kallzimin por ju desh 1 muaj e gjysëm që ta shpallnin personin në kërkim. Ndërkohë ai fshihet te të afërmit e tij dhe me con kërcënime nëpërmjet vëllezërve të tij se do më vrasë edhe mua dhe fëmijët. Fëmijët janë me mua, njëri rri gjithë ditën e më ruan teksa tjetri punon. Jam shumë e frikësuar. Nuk dua ta pësoj si Fildesi që iku nga kjo jetë. E dua jetën dhe nuk kam bërë asnjë faj që të ma marrë dikush. I dua fëmijët dhe duam të jetojmë të qetë. Policia, prokuroria as që na dëgjojnë. Kam kërkuar urdhër mbrojtjeje, asgje. Askush nuk na i vë veshin dhe ndaj ju drejtuam ju që ndoshta duke e bërë publike, shumë njerëz solidarizohen dhe shteti reagon e na mbron. Ky në foto është ish burri im, A. I. Doçi, njeriu që do të na vrasë. I cili është betuar se nëse nuk na vret, nuk gjen paqe.
Ju lutem na ndihmoni!