Albspirit

Media/News/Publishing

Ahmet Zogu për ‘Corriere’: Shqipëria, një shtet i ri, por një komb shumë i vjetër

Aurenc Bebja, Francë

Gazeta franceze, « L’Intransigeant », ka botuar të mërkurën e 5 shtatorit 1928, në faqen n°3, intervistën e shkurtër të Ahmet Zogut me korrespondentin e «Corriere della Sera» në Tiranë. Kurorëzimi i udhëheqësit matjan si Mbret i Shqiptarëve (1 shtator 1928) ka ngjallur asokohe pakënaqësi në Jugosllavi, ku reagimi i Beogradit ka qenë i menjëhershëm. Gjithsesi, Ahmet Zogut nuk i mungonin ambiciet për krijimin e një Shqipërie të suksesshme. Madje, lideri shqiptar i ka rrëfyer gazetarit planin e mbretërisë së tij për të arritur këtë qëllim. Cili ka qenë ky plan? Përse ka reaguar Beogradi? Në vijim do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu «Dars (Klos), Mat – Albania»:

Torino, 4 shtator (nga ana e korrespondentit tonë) 

I dërguari i «Corriere della Sera» në Tiranë, pas marrjes pjesë në kurorëzimin e Mbretit të Shqipërisë, ka realizuar një intervistë me sovranin e ri.

Ahmet Zogu ishte i veshur me uniformë ngjyrë kaki të gjeneralit të këmbësorisë dhe me një kapele (colback) të bardhë. Ai nuk mbante asnjë dekoratë. Fytyra e tij nuk është e vrazhdë (egër), por thjeshtë e vullnetshme.

Në sallonin e pritjes, të stilit Rilindas, është varur një pikturë e vetme e portretit të nënës së mbretit.

«Vendi im, tha Ahmet Zogu, do të jetë, shpresoj, një element paqeje për shtetet ballkanike dhe për Evropën qendrore; ai ka luftuar gjithmonë për pavarësinë e tij. Shqipëria është sigurisht një shtet i ri, por ajo është gjithashtu një komb shumë i vjetër. Shpirti i saj i ri inkurajon energjitë individuale dhe unë shpresoj se së shpejti mbretëria ime do të jetë në gjendje të formojë një rini të arsimuar, e vendosur të lulëzojë kombin».

Për të festuar kurorëzimin e sovranit, shqiptarët e të gjitha krahinave kanë mbërritur në Tiranë të veshur me kostumet e tyre të vjetra piktoreske.

NJE PROTESTE JUGOSLLAVE?

Londër, 4 shtator (nga ana e korrespondentit tonë në telefon). – Tek «Daily Mail» na vijnë lajme nga Vjena, se sipas një organi të mirëinformuar, «Graz Tagespost», qeveria e Beogradit ka bërë një protestë formale kundër shpalljes së Ahmet Bej Zogut si «Mbret i shqiptarëve» në vend të «Mbret i Shqipërisë».Blogu «Dars (Klos), Mat – Albania»:

Please follow and like us: