Albspirit

Media/News/Publishing

Simbolet tona kombëtare janë të paprekshme

1 Kola_Azeta

Dr. Azeta Kola/SHBA/

Judaismi, Kristianizmi dhe Islami janë tri fetë Perëndimore, të cilat lindën në botën e pasur Mesdhetare në të cilën Shqipëria bën pjesë. Ndër këto, Krishterimi, dmth feja Katolike si feja më e hershme që u përhap në Mesdheun Lindor (pas paganizmit që në shekullin e parë të erës sonë) u fut herët në tokat e saj dhe Islami erdhi shumë më vonë me pushtimet Otomane në Balkanin Perëndimor (shekulli i katërmbëdhjetë). Tokat shqiptare për shekuj me rradhë janë gjendur në mes të feve të Krishtera (Katolicizmit dhe fesë së Krishterë-Ortodoksë) dhe fesë Islame. Pra nuk është aspak një koincidencë e rastit që populli shqiptar ka besimtarë te këtyre tri feve sot e kësaj dite.

Shqipëria moderne është shtet i pavarur e laik me një kushtetutë e cila garanton këtë pavarësi dhe laicitet. Po ashtu, kushtetuta e shtetit shqiptar garanton edhe lirinë fetare të gjithë qytetarëve të saj, të cilat ishin mohuar nga diktatura komuniste për një gjysëm shekulli. Duke u nisur nga kjo garanci ligjore, është e papranueshme që gjatë faljes së Bajramit, statuja e Skënderbeut u mbulua në qendër të Tiranës me tabela absurde një ditë më parë.

Simbolet tona kombëtare si Gjergj Kastrioti apo Nënë Tereza, Ismail Qemali apo Fan Noli, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Avni Rrustemi, Papa Kristo Negovani, Shtjefën Gjeçovi e Luigj Gurakuqi (si dhe shumë e shumë të tjerë qe u vranë e helmuan përgjatë historisë sepse punuan për çështjen Shqiptare) i përkasin të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje. Ato janë burim krenarie kombëtare, janë shembuj të sakrificës, atdhedashurisë, dhe ndërgjegjes kombëtare të cilat sot më shumë se kurrë na duhen për të rikujtuar e ringjallur ato ndjenja patriotike të cilat duket se janë në krizë të thellë në gjirin e shqiptarëve e në mes të kryeqytetit.

1 nene Tereza shenjte

Nëse sot besimtarët myslimanë ndjehen te fyer nga figura e Gjergj Kastriotit i cili mbrojti identitetin tonë të krishterë dhe lirinë e tokave shqiptare, ata duhet të kërkojnë thellë në vetvete arësyen përse ndjehen kështu. Ekziston nje çoroditje mendore dhe morale e proporcjoneve gjigande midis shqiptarëve sot, e cila është krijuar qëllimisht për të mbjellë pakënaqësi dhe përçarje. Mediat, televizioni, librat si dhe mbledhjet publike kanë lejuar një degjenerim të kualitetit të lajmeve të cilat vërshojnë të pa filtruara dhe të cilat keqinformojnë e helmojnë publikun shqiptar çdo ditë. Për shembull, historiani Turk, Talha Uğurluel, agjenda anti-shqiptare e të cilit është e qartë, arriti të shtrembërojë historinë dhe të fyejë hapur heroin tonë kombëtar ditën me diell, pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. (Intervista në Telegrafi.com publikuar 04/07/2016 gjendet në këtë link http://telegrafi.com/historiani-turk-skenderbeu-nuk-beri-lufte-por-plackitje-video/)

Zoti Uğurluel e cilësoi Gjergj Kastriotin tradhëtar, sepse sipas pseudo-historianit, ai “nuk bëri luftë, por plaçkitje, terror mbi gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur.” Këto opinione absurde të lejuara nga entet tona shtetërore dhe të publikuara në shtypin shqiptar kanë ndikuar në krijimin e një opinioni kryekëput të gabuar ndër besimtarët shqiptarë të fesë Islame. Ky misinformim i mbështetur në nxirjen e asaj që është e bardhë, dmth të fakteve historike, mund të shërbejë për të filluar e kuptuar përse komuniteti mysliman shqiptar (jo pjesa e shëndoshë e tij, jam e sigurtë) e sheh statujën e prijësit të krishterë në mes të Tiranës si ofendim. Më falni, por si historjane më duhet të ndërhyj e te ngre zërin në mënyrë që të bëj të qartë se në historinë e vërtetë, të mbrosh tokat e gjyshërve e stërgjysherve të tu nga okupimi i një force të huaj nuk quhet tradhëti në asnjë pjesë të rruzullit tokësor, dhe nga asnjë njeri me ose pa diplomë universiteti. Çdokush me mendje të shëndoshë e pranon se të luftosh për të mbrojtur çfarë është e jotja, është e drejtë e pamohueshme, heroizëm, e integritet. Në të kundërt, historia e vërtetë dhe e patjetërsueshme na rrëfen se ishin ekspeditat ndëshkimore dhe masakrat e panumërta të hordhive otomane në tokat shqiptare ato që vranë, prenë, dogjën, përdhunuan, skllavëruan e çvendosën me qindra e mijëra shqiptarë ndër shekuj, dhe të cilët e shndërruan përbërjen kulturore e fetare të tokave tona. Megjithë këtë dramë kombëtare dhe njerëzore, ne shqiptarët ditëm të ruajmë karakterin tonë shqiptar ndër shekuj, karakter i cili është sot në pikëpyetje. Paradoksi i historisë sonë, dmth gjeneza e Krishterë dhe konvertimi në fenë e pushtuesit otoman nuk duhet të fyejë askënd sot në shekullin e njëzetenjë kur flitet për integrim të Shqipërisë në EU. Ai duhet te nxisë respekt dhe jo mungesë të tij, dashamirësi e jo përçarje, zgjidhje te mençur te dilemës historike te shqiptarët e të tri besimeve fetare.

Mbulimi i statujës, ky veprim i mendjeve të shkurtra e të influencuara negativisht dhe të keqinformuara nga ana intelektuale e fetare, jo vetëm që lëndon identitetin tonë shqiptar, mohon historinë tonë, dhe na bën qesharakë në sytë e të huajve, por edhe bie ndesh me tolerancën fetare me të cilën Shqipëria dhe shqiptarët mburren nëpër botë. Nëse ne vetë si shqiptarë do të lejojmë të kalojnë si normale akte të tilla përçudnimi të historisë sonë, mungese të hapur tolerance me rrënjë në injorancë dhe dogmë fetare, si dhe papërgjegjësi të theksuar nga ana e qeverisë lokale dhe shtetërore, atëhere rrezikojmë pa diskutim që të hyjmë në një qorrsokak nga i cili dalim vetëm me vëllavrasje dhe humbje te identitetit si komb i pavarur. Jo më kot rilindasit tanë te shquar në shekullin e nëntëmbëdhjetë luftuan për bashkim mbarëkombëtar me anë të ringjalljes së vetëdijes kombëtare dhe ruajtjes së gjuhës e traditave tona të lashta. Për ta “Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria.” A nuk tingëllojnë aktuale vargjet e Vaso Pashë Shkodranit sot?

O Moj Shqypni 

“…çonju, o shqyptarë, prej gjumit çonju,

të gjithë si vllazën në nji besë shtrëngonju

dhe mos shikoni kisha e xhamia,

feja e shqyptarit asht Shqyptaria…”

Please follow and like us: