Albspirit

Media/News/Publishing

Kur Eduardi VII, Mbreti i Anglisë vizitoi Durrësin 155 vjet më parë

urrësi si qyteti më i lashtë dhe porti më i madh i Shqipërisë është vizituar nga lloj lloj personazhesh VIP këto tre shekujt e fundit të ekzistencës së tij. Normalisht në këtë shkrim nuk do të flasim për antikitetin me vizitorë të tillë si Perandorë romakë-Cezari, konsuj e gjeneralë romakë-Pompeu apo shkrimtarë të shquar latinë-Lukiani, nuk do flasim për mesjetën me vizitorë të tillë si mbretër normandë-Robert Guiskardi apo edhe Manfredi, Perandorë të Bizantit si Aleks Komneni dhe Androniku III etj.

Në shekullin e XX-të Durrësin e vizituan VIP-a të tillë si Hrushovi dhe Mbreti Norodom Sihanuk, shkrimtarë si Lui Aragoni apo Robert D’Eskarpiti, feldmarshallë si Makenzi i Perandorisë Gjermane dhe Xhovani Mese i Italisë, apo dhe mbretër “izglebica” (refugjatë) si Petari i Serbisë, ministra të jashtëm si Dino Grandi e Konti Ciano apo edhe Sekretarë të Përgjithshëm të OKB-së si Peres De Kuelari.
Në shekullin e XIX Durrësi u vizitua nga Alberti Princi i Ëellsit, i cili mbas vdekjes së Mbretëreshës Viktoria hipi në fronin e Anglisë si Eduardi VII. Princi i Uellsit Albert-Eduard para se të martohej me udhër të nënës së tij Mbretëreshës Viktoria bëri një udhëtim në vendet e lindjes. Jahti mbretëror me Princin e Uellsit ën bord u nis nga porti austrohungarez i Triestes dhe ndaloi në disa porte të Perandorisë Otomane përfshirë Durrësin dhe Stambollin si edhe në Aleksandri, ku Eduardi kreu një vizitë mbretërore pranë sundimtarit të Egjiptit Said Pashait. Ky ishte udhëtimi i parë mbretëror, ku Princi i Uellsit shoqërohej nga një fotograf zyrtar i Oborrit Anglez, Sir Frensis Bedford.

Ndër qindra foto të shkrepura gjatë këtij lundrimi janë edhe disa të bëra në Durrës. Në qendër të fotografisë, që po publikojmë është Eduardi VII i ardhshëm i veshur me kostum popullor shqiptar. Bie në sy fustanella tipike shqiptare e veshur jo vetëm nga Princi Eduard, por edhe nga shoqëruesit e tij, “Selihdarët” (truprojat) e valiut otoman. Në kokë Eduardi dhe shqiptarët e fotografisë kanë vënë kapuca tipik për piratët ulqinakë, por që në mesin e Shek. XIX visheshin edhe në prapatokën e Ulqinit nga shqiptarët myslymanë deri në Kulla të Plavës dhe deri në fshatin katolik të Trieshit. Ky lloj kapuci ulqinak gradualisht në gjysmën e dytë të Shek. XIX zëvendësohet nga një feste e zezë me xhufkë jo vetëm ndër fiset malazeze, por deri diku edhe nga paria shqiptare e besimit myslyman e Tuzit, Shpuzës dhe vetë Shkodrës.

Shoqëruesit shqiptarë të Eduardit në brez kanë pisqollat e famshme prodhime lokale të Shkodrës apo Prizrenit, ndërsa njeri prej tyre ka një pushkë tipike prodhim artizanal të stilit otoman, të quajtur Dogra. Në veri të Shqipërisë, në Shkodër, Malësi të Madhe e deri në Mirditë e madje edhe në bajraqet e Lurës kjo pushkë, që mbushej nga gryka njihet me emrin Karafile. Pushka ishte prodhim artizanal lokal, e kushtueshme vecanërisht për shkak të zbukurimeve me filigramë argjendi. Artizanët shqiptarë nuk prodhonin dot tytën e kësaj pushke, që kërkonte celik të cilësisë së lartë për kohën. Këto lloj tytash siguronin precision më të mirë, rreze më të madhe për plumbat si edhe nxeheshin më pak gjatë hapjes së zjarrit. Të tilla tyta pushkësh importoheshin nga fabrika e famshme e armëve në Brescia-Breshja (Mbretëria e Piemontit) në pronësi të Carlo& Figli (Karli me të bijtë). Pikërisht nga një keqshqiptim i tillë i emrave italianë pushka e famshme filloi të quhej në Shqipërnë e Veriut e në tokat shqiptare sot në Mal të Zi me emrin Karafilja.

E tillë është kjo foto, që flet më shumë se 1000 fjalë. Në foto bëhet bashkë një mbret i ardhshëm i Anglisë me fustanellën e famshme shqiptare, me pisqollat (koburet) e Prizrenti dhe me Karafilen, pushkën e famshme italo-shqiptare. Është interesant fakti se Karafilja shqiptare ishte pushkë më e mirë se pushkët prodhime të punishteve shtetërore osmane, më cilësore se pushkët e përdorura nga milicia e Principatës serbe të Obrenovicëve në territorin e Pashallëkut të Beogradit si edhe nga ushtria e Mbretërisë greke të Mbretit Oton I. Vetëm në fillim të viteve 70-të të shekullit të XIX kjo lloj pushke u konsiderua e tejkaluar teknologjikisht, kur garda e Knjazit Obrenovic filloi të pajisej me pushkë prusiane me gjilpërë Dreyse kal. 15,4mm, ndërsa ushtria greke me pushkë franceze me shul të markës Gras. Fotoja si të thuash dëshmon vitet e fundit të supremacisë së armëve të shqiptarëve në Ballkan./Gjergj Thanasi

Please follow and like us: