Albspirit

Media/News/Publishing

Zamira Çavo: Media, shoqëria civile dhe “Firdezi” si fenomen

 

Çështja “Firdez” nuk është e paprecedentë. Jo! Ka me dhjetra raste… Disa bëhen publike falë medias, disa të tjera mbeten përjetësisht të paditura për ne. Por kur bëhen publike dhe media merret gjatë me to e dini ç’ndodh? Nga “profesionalizmi i lartë” i disa gazetarëve, viktima gradualisht vihet në dyshim. Kështu bëhet me “interesante” ngjarja. Më tej viktima shndërrohet në të akuzuar, madje fajtore! Epo kjo ndodh vetëm te ne!
Ndodh që teksa lexon një intervistë të dhënë më shumë dashuri nga një mikeshë e gjygjtares së ndjerë, shikon komente të bëra nga njerëz të ndryshëm që shfryjnë mllefe, inate, e gati e pranojnë se e ndjera paskësh qenë vetë fajtore. Dhe mediat on line, që kanë detyretë informojnë opinionin publik për të vërteta, bëhen në këtë rast nxitës të dhunës, mbrojtës të krimit. Kjo është e patolerueshme!
Por le të vimë te çështja në fjalë. Vrasja është akti më makabër në shoqëri. Ndaj dhe shoqëritë e civilizuara e kanë hequr dënimin me vdekje dhe pse disa (si vrasësi) në fjalë e meritojnë. Por jetën ta jep Zoti dhe ai ta merr! Çdo justifikim për shkaqet që çuan në vrasje janë përpjekje kriminale për të zbutur krimin.
Për mendimin tim, vrasje e gjyqtares është një “gjëmë” për sistemin e kapur dhe të dalë jashtë loje të drejtësisë, është një gjëmë mbi kryet e një shteti që në institucionet e tij nuk ka reaguar, është një këmbanë për t’i treguar kryeshtetarëve se në Drejtësi ka dhe njerëz të “varfër” dhe te pambrojtur, është një gjëmë për shoqërinë civile e cila bën disa protesta e konferenca dhe me kaq e quan të mbarur punën, duke bërë shown e rradhës.
Por kjo ngjarje ka sjellë dhe një element të ri: Presidenti Meta merr një angazhim publik për të mos toleruar amnistinë e rasteve të ngjashme për gjithë kohën e presidencës së tij. E falenderoj dhe uroj që të jetë vërtetë kështu. Kryetari i Bashkisë z Velija, ndërmori hapin tjetër: të mbështesë fëmijët e gjyqtares së ndjerë. Po Media? Media më së paku të mos përdorë më fëmijët e viktimës si viktima të rradhës dhe të mos i bëhet mbështetje fajësimit të viktimës. Po shoqëria civile? Ajo më mirë të heshtë se sa të vazhdojë të përdorë për interesa të saj edhe ngjarje të kësaj natyre.

Please follow and like us: