Albspirit

Media/News/Publishing

Kombëtarja shqiptare “kënaqet” me një pikë, barazim ndaj Maqedonisë

Cilësohej si një ndeshje tepër e vështirë por kombëtarja shqiptare ia doli të merrte një pikë të rëndësishme në një fushë të “ndezur” nga tifozeria vendase. Shqipëria arriti një barazim të “vuajtur”(1-1) ndaj Maqedonisë në stadiumin e Strumicës, sfidë kjo e vlefshme për eliminatoret e botërorit “Rusi 2018”.

Loja ka nisur e shpejtë nga të dy ekipet. Në minutën e 23-të Pandev gjuan fort nga jashtë zone dhe Berisha grushton me vështirësi, duke shpëtuar ekipin tonë kombëtar nga pësimi i golit.

Deri në fund të pjesës së parë loja nuk prodhon shumë raste, duke u mbyllur 0-0.

Në pjesën e dytë në minutën e 53-të Odise Roshi me një gjuajtje të saktë me kokë kalon Shqipërinë në avantazh. 1-0 për Shqipërinë.

Në minutën e 69-të ka drithërima për Shqipërinë. Alioski harkon nga e djathta, Nestorovski devijon sferën dhe pastaj Pandev gjuan me kokë duke kaluar Berishën. Elseid Hysaj tregohet vendimtar, duke larguar topin nga vija e portës.

Në të 77-tën Roshi prek topin me dorë brenda zone dhe ka penallti për vendasit. Nga pika e bardhë Trajkovski gjuan saktë, duke barazuar shifrat në 1-1.

Rezultati nuk ndryshon deri në fund, 1-1 dhe kështu mbyllet ky takim ku skuadrat duhet të kënaqen me vetëm një pikë. Me këtë rezultat, Shqipëria ndodhet në vendin e 3-të në kuotën e 13 pikëve ndërsa Maqedonia në vendin e 5-të në kuotën e 7 pikëve.

Please follow and like us: