Ngjela kërkoi ta arrestojnë, përgjigjet Myftiu Gurra
Pas thirrjeve të forta të avokatit Sparta Ngjela, për të dënuar myftiun e Tiranës, ka ardhur reagimi i Ylli Gurrës. Ngjela shkruante në Facebook se Gurra është një palaço dhe “barbar osman tipik si myftiu Musa Qazimi i Esad Toptanit”. Më tej ai deklaronte se do ta denonconte në Prokurori për disa vepra penale të fyerjes dhe nxitjes së racizmit, teksa ftonte shqiptarët t’i bashkoheshin me denoncime. I pyetur nga “Panorama” për këtë ngjarje, Gurra i ka quajtur broçkulla fjalët e avokatit. Ai ka thënë se Ngjela i referohet deklaratave të një personi të quajtur Mehdi Gurra, me të cilin nuk ka lidhje gjaku.
“E para unë s’kam ndonjë vëllazëri biologjike me Mehdi Gurrën që është nga një fshat i Tiranës, unë jam Ylli Faik Gurra nga Dragostunja e Librazhdi. Avokati, nuk i di interesat e tij në raport me politikën, thotë se unë bëj thirrje për ndasi dhe për myslimanë turq dhe ortodoksë, grekë por nuk ka asnjë lloj vërtetësie në këtë mes. Ne kemi qenë dhe jemi krenar që të jemi shqiptar. S’kam pse të jap shpjegime sepse ai ka folur broçkulla që në fillim të herës. Nenet që ai ka referuar i duhet me i lexu për veten se s’ka lidhje aspak.
Në videon që avokati pretendon as nuk jam unë dhe nuk është vëllai im biologjik. Se di me sa gjykim ngrihet dhe bën thirrje për arrestimin dhe krahasimet që mund të bëje ai. Problemet e pritshmëritë e tij politike mos t’ia faturojë figurave publike. Të kishte lodhur veten të kishte pyetur dikë se kush është ky zotëria. Dihet kush jam dhe nga jam unë”, tha Gurra, teksa ka shtuar se do të padisë Kastriot Myftarajn, pas shkrimeve të tij.
Ne medie ka dalë një lajm, ku thuhet se vëllai i myftiut Gurra i quan myslimaët shqiptarët turq. Sipas tij, të gjithë myslimanët e Ballkanit janë turq, prandaj ai po punon për bashkimin mes tyre.