Zamira Çavo: “Partia Socialite +”, projekt i së djathtës botërore
Kam qenë dhe do jem vazhdimisht përkahëse e partive ideologjike, e partive që shpalosin dukshëm programet e tyre në favor të interesave që mbrojnë. Ideja e partive mbi këto ndarje, ideja e partive mbiklasore ka cuar në krijimin e partive elektorale që synojnë vetëm marrjen e pushtetit dhe kujtohen për njerëzit vetëm kur ka zgjedhje. Kjo ka shtuar frikshëm mashtrimin, demagogjinë dhe korrupsionin. Prej kohësh kam thënë se Partia Socialiste ka vdekur në sensin ideologjik, por edhe praktik. Partia Socialiste si mbështetësja e së majtës në Shqipëri, gradualisht vdiq për të rilindur me Rilindjen, e cila tentoi të afrohet edhe më tepër qendrës se sa cdo parti socialdemokrate në Europë. Kjo që them nuk ka të bëjë as me filozofinë spemliste të vendetev të punës dhe as me programet e shpallura. Ka të bëjë me largimin nga filozofia majtiste në të gjithë programin aktiv të qeverisë së Rilindjes. Ka të bëjë me reformat e saj ekonomike dhe me papërgjegshmëritë e saj ndaj cështjeve të mirqënies sociale.
Sot z. Rama ka lancuar idenë e tij krejtësisht të qartë se “në fund të këtij mandati ne duhet të dalim me një parti të re ose e quajtur ndryshe PS+”. Nuk ka asgjë të keqe në këtë synim, pasi kjo ka të bëjë me filozofinë e zotit Rama për t’u bërë lider i ngjashëm me liderët e “fuqishëm” në Europë. Kjo në mendimin tim është e dukshme që në sjelljen e tij politike dhe në reformat ekonomike. Pra “Partia Socialiste +” do të jetë as më shumë e as më pak, por një parti neoliberale e cila nuk do të këtë më asnjë gjë të përbashkët me të majtën. Partia Socialiste përfundon kësisoj ciklin e saj për t’u shndërruar në një parti mirfillti të djathtë!
Le ta analizojmë këtë përfundim.
– Liderët e fortë sot në botë, janë dukshëm përfaqësues të së djathtës, të cilët jo për shkak të psikologjisë së tyre, por për shkak të interesave të vetë së djathës, e cila mbron me konservatorizëm, interesat e kapitalit dhe zotëruesve të tij, cfaqen sot si autoritarë. Popullariteti i tyre qëndron në demagogjninë, populizmin dhe kritikën e tyre ndaj socialdemokracisë. Duke sulmuar në pikat e dobta të demokracisë dhe duke i dhënë vlerë vetëm përfitimeve ekonomike( që shkojnë natyrisht në xhepat e tyre), kanë sjellë një kaos social që i shkon për shtat mbështetjes autoritare. Kështu me slloganin “Do bëjmë shtet të fortë, por të vogël” neoliberalët shqiptarë nxisin dhe mbështesin qeverisjen Rama në modelin e së djathës, por duke e veshur me një demagogji të frikshme. Populli e kërkon një shtet që të funksionojë, aq më tepër kur nën një sistem 25 vjecar ky shtet ishte inekzistent. Por rreziku qëndron pikërisht pas kësaj. Shteti i fortë, nuk do të thotë “forcë” ndaj qytetarit dhe mbrojtje e bizneseve të mëdha e klanore. Shtet i fortë, do të thotë zbatim ligji dhe krijim i munësive të barabarta për të gjithë. Shtet i fortë do të thotë të zhvillosh ekonominë dhe të rrisësh mirqënien e popullit. Shtet i fortë do të thotë të garantosh një zhvillim të qëndrueshëm duke ruajtur pasuritë e tua tokësore e nëntokësore. Shtet i fortë do të thotë të vlerësosh kapacitetet e tua humane.
Por cfarë ka patur në fokus politika e Rilindjes? Zhvillim të konsiderueshëm të politikave P-P-P (partneritet publik privat), dhënie me koncension të të gjitha rezervave të mbetura nga fryma shkatërruese e shtetit të kohës së Berishës, përqëndrim vëmendje dhe pune në fasada, shtrëngim mundësish për shkollim apo shërbim shndetësor të kualifikuar, shtim taksash e tatimesh. Të gjitha këto janë pjesë e politikave të së djathës në qendër. Një socialdemokraci do të krijonte mundësi të barabarta për qytetarët e saj duke i dhënë kështu akses cdo individi psh, të arsimohej, por do të investonte për filtra të fuqishëm në produktin e krijuar. Rilindja sot (kam frikë nesër edhe më keq) ka krijuar një sistem të sofistikuar për pranimet në universitet, por as që do t’ia dijë për produktin. Teza të tilla” luftë kundër fallsitetit”, “luftë kundër studentëve fallso” apo ku e di unë se cfarë janë demagogji që natyrisht shkon në favor të përfituesve VIP dhe jo të qytetarëve të thjeshtë.
-Dyshimi im sot shkon se nga kjo qendër e djathtë, “Partia Socialiste +” po shkon drejt një të djathte autoritare ku lideri vendos se cili duhet pushuar nga puna, cili institucion duhet shkrirë dhe cili duhet riformatuar. Filozofia e “cdo ministër që nuk i përgjigjet në telefon një biznesi duhet të japë dorëheqjen” është filozofi thjeshtësisht djathtiste autoritare. Autoritarizmi i djathtë do të vazhdojë të punojë për dukjen dhe për shifra të “mira” të ekonomisë shqiptare, por xhepat e shqiptarëve do të vazhdojnë të jenë si më parë e ndoshta edhe më keq. E gjitha kjo për arsye të ideologjisë neoliberale që mbron vetëm “kolosët” e bosët e vendit.
-Në programin e përparësive qeverisëse për katër vitet e ardhshme, duket se politikat e ‘Rilindjes’ do të vazhdojnë duke u thelluar e duke anashkaluar plotësisht nevojat e përgjegjësitë sociale, duke shtyrë përfundimisht partinë e ‘Rilindjes’ drejt “Partisë Socialiste plus” ose së djathtës autoritare.
-Media shqiptare që përpunon opinionin publik është një mbështetëse e filozofive autoritare dhe e keqja është që duke përdorur demagogjinë opinioni publik jo vetëm po vihet në gjumë, por ndodh edhe që duartroket pa kuptuar pasojën. Ne shqiptarët e kemi zakon që japim mendje për gjërat që nuk i dimë. Por intelektualët shqiptarë besoj e kanë për detyrë të studiojnë realitetin e të mos bëjnë as indiferentin e as duartrokitësin, pasi në të dyja rastet i bëjmë nga një goditje dërrmuese të ardhmes sonë të përbashkët.
Së fundmi nevoja për një të majtë të vërtetë është sot më jetike se kurrë!