Albspirit

Media/News/Publishing

Gavrosh Levonja: Nuk është pak vonë të kujtohen për Ruçin?

 

Në politikë, çdo lëvizje, aksion, fushatë a manovër e thjeshtë me karakter taktik, bëhet me një synim të caktuar për të arritur një objektiv i cili është në projektet afatshkurtër apo afatgjatë të partisë. Parë nga një këndvështrim i tillë nuk e kuptoj se çfarë objektivi synon të arrijë PD me zhurmën kundër votimit të Gramoz Ruçit si kryetar parlamenti. Askush nuk e ve në dyshim se e kaluara e Ruçit të qenët e tij sekretar i komitetit të PPSH-së në Tepelenë apo antar i KQ të PPSH ka qenë një handicap për karrierën e tij politike, gjë të cilën kundërshtarët e tij politikë mund ta shfrytëzonin për ta penalizuar atë. Mirëpo kjo do të kishte vlerë e shumta deri nga viti 2000, kur gogoli i komunizmit vazhdonte të ndikonte tek një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në Shqipëri.

Madje dhe ligji i parë i quajtur “antigjenocid, që penalizonte kategori të caktuara personash të kompromentuar me strukturat e diktaturës, i formuluar diku nga viti 1995 dhe që filloi të zbatohej në prag të zgjedhjeve të një viti më vonë ishte parashikuar ta kishte efektin deri në vitin 2002. Tashmë kur kanë kaluar 26 vjet nga “rrëzimi” i pretenduar i komunizmit fushata për denigrimin e Gramoz Ruçit është sa jashtë kohe aq dhe jashtë mundësive të PD-së për të arritur ndonjë sukses, qoftë dhe minimal që do t’i rriste kësaj kuotat në elektorat. Gramoz Ruçi është deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë pas ndryshimit të sistemit. Si nuk u kujtuan drejtuesit e PD-së gjatë gjithë këtyre viteve të flisnin për të kaluarën e tij, për funksionet në strukturat e rëndësishme të PPSH-së? Tingëllon paradoksal fakti që ndërsa socialistët shpesh i përmendnin leader-it të PD-së, Berisha qenien e tij si sekretar i organizatës bazë në spital, ndërkohë që asnjë demokrat nuk është kundërpërgjigjur duke u përmendur atyre funksionet e Ruçit.

Mund të thuhet se Gramoz Ruçi dhe e kaluara e tij mund të futen në një thes me moshapjen e dosjeve, moskthimin e pronave, kompensimin e viktimave të diktaturës, për të cilat përgjegjësia kryesore bie mbi vetë PD-në, si parti e shpresës së madhe siç u konsiderua ne fillimet e saj. Nga ana tjetër fushatat kundër komunizmit tani, pas 26 vitesh duken si betejë me mullinjtë e erës. Gjithashtu, duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të fundit, duke akuzuar PS dhe Ramën për komunizëm, rezulton që shqiptarët preferojnë komunizmin.

Pas dy dekada e gjysëm, shqiptarët i a “kanë pirë lëngun”“antikomunizmit” dhe janë të prirur për anën ekonomike, prandaj PD, në vend që të humbë kohë e të shpenzojë energji duke u marrë me Ruçin e bijtë e kuadrovikëve komunistë, të katapultuar në qeverinë e Ramës, do ishte mirë të shkonte në bazë për tu njohur nga afër me problemet e shumta të njerzve dhe pas kësaj, mbështetur në gjendjen e shumicës së shqiptarëve të niste hartimin e një programi realist e bindës për të pretenduar fitoren në zgjedhjet e ardhshme

Please follow and like us: