Albspirit

Media/News/Publishing

Gresa Hasa: Për protagonizmin dhe demonë të tjerë

 

Në morinë e pankartave të protestës së ditës së hënë, thirrjeve dhe fjalimeve që u mbajtën përpara Ministrisë së Drejtësisë dhe parlamentit, vëmendja u tërhoq vetëm prej një pankarte që ishte mbi të gjitha sarkastike. Kjo ndodhi për dy arsye:

1) Një pjesë e burrave të mbrujtur në një realitet shoqëror që rolet gjinore i ka paracaktuar që në djep, për një çast e projektuan veten e tyre në vend të gruas. Mendësia patriarkale na ka mësuar që sfera e shtëpisë i takon grave dhe këtu përfshihen larja e enëve, gatimi, pastrimi, rritja e fëmijëve, etj. Ky detyrim i përbashkët i atribuohet në mënyrë të padiskutuar grave. Larja e enëve për shembull ka fituar karakteristika femërore. Shtoji kësaj dhe ndikimin prej një media po kaq patriarkale e cila promovon të tillë shembuj, qoftë nëpërmjet reklamave ku zakonisht do të vërejmë një grua të buzëqeshur që shend e verë lan pjatat ose rrobat dhe një burrë të ngazëllyer pas saj për shërbimin që ka marrë; qoftë nëpërmjet emisioneve që nënshtrimin dhe dhunën i shesin si vlera. Ndërkohë, prej burrave pritet që këta të shkojnë në punë dhe të garantojnë të ardhura për mbajtjen e familjes. Pra, sfera publike shihet si një medium mashkullor, ndërsa ajo private si një medium femëror ndërkohë që të dyja këto sfera i takojnë të dyja gjinive. A është normale që në një çift vetëm gruaja të jetë përgjegjëse për shtepinë apo rritjen e fëmijëve? A është normale që burrit t’i ushtrohet presion për të mbajtur ekonomisht i vetëm familjen? Ne bashkëveprojmë me njëri-tjetrin dhe ndihmojmë bashkarisht që gjërat të ecin ose jo, brenda shtëpisë dhe jashtë saj. Politika nuk fillon në rrugë, ajo fillon brenda hapësirës shtëpiake, për shembull, me djemtë e vegjël të cilëve u mësohet që të ndrydhin emocionet dhe të manifestojnë dhunë për t’u konsideruar të guximshëm ose të mençur; me burrat që u imponohet të ruajnë nderin edhe nëse ky i fundit kërkon të shpagohet me vrasje. Po ç’nder qenka ky?! Heqja e lirisë së tjetrit, dhuna dhe vrasja nuk e bëjnë dikë të ndershëm, e bëjnë kriminel në rastin më të keq dhe viktimë në rastin më të mirë. Ndër të tjera, kur një burrë vret gruan sepse ajo i kërkoi divorcin, divorci nuk është këtu shkaku parësor që çon në krim, ai është justifikimi ndaj problemit real: gruaja konsiderohet pronë e burrit dhe një grua që i kundërvihet padronit të saj ka cënuar këtu burrninë (lexo: nderin) e tij. Prej derës së babait gruaja dërgohet në derën e burrit dhe kur ajo ngre krye dhe rebelohet ndaj bashkëshortit të dhunshëm, ky i fundit është i gatshëm t’i marrë jetën sesa të zgjedhë të komunikojë me të paqësisht ose ta pranojë vendimin e ndarjes. Kjo vjen sepse shoqëria ushtron një presion të frikshëm edhe ndaj burrave, ajo i stigmatizon dhe i përçmon burrat racionalë dhe paqësorë, ata që nuk i fshehin emocionet e tyre dhe zgjedhin të punojnë bashkë me gruan për mirëqenien e të dyve dhe i glorifikon burrat e dhunshëm dhe kriminelët. Ne shpesh ia atribuojmë fajin burrave për sjelljet e tyre por këto sjellje nuk u shfaqën krejt papritmas dhe të tillë burra nuk ranë nga qielli. Ata janë produkt i një tradite të kalbur dhe një sistemi ligjor disfunksional. Krimineli është po aq viktimë e sistemit sa dhe gruaja e vrarë ose e dhunuar. Ky sistem na ka kushtuar dhe vazhdon të na kushtojë shumë të dyja palëve. Nuk lidhet pra problemi i burrave të revoltuar prej pankartës, posaçërisht me larjen e enëve por me zhbërjen e asaj që ata e konsiderojnë ”burrni”.

2) Fjala ”kar” një epitet vulgar për organin riprodhues mashkullor, prodhoi gjithashtu shamatë dhe agresivitet. Kjo fjalë prodhoi ofendim kur iu drejtua atyre që ushtrojnë dhunë dhe kriminelëve që vrasin por ”kari”’ nuk konsiderohet ofendues kur djemtë dhe burrat ia drejtojnë ose ngjeshin atë dhunshëm vajzave dhe grave, duke nisur nga fëmijët vajza që janë pre e pedofilisë ose e të gjitha atyre që përdhunohen ose ngacmohen seksualisht në rrugë, në punë, në shkollë, në shtëpi, KUDO. Shfryrja e dhunshme e epshit seksual të burrit ndaj një vajze ose gruaje konsiderohet normalitet, madje e drejtë ndërsa e drejta e gruas për TË ZGJEDHUR për të mos pranuar që të kryejë marrëdhënie seksuale konsiderohet fyerje, kryeneçësi ose hipokrizi. Sa raste janë kur shumë djem dhe burra nuk pranojnë ”JO” për përgjigje? Madje kundërshtimin e shohin si tallje me arsyetimin ”se kësaj ia ka qejfi, lëre ça thotë!”.

Mbi të gjitha, kur një pjesë e burrave i shohin gratë si objekte seksuale pse ofendohen kur ata vetë trajtohen si objekte seksuale? Të trajtohesh si objekt seksual dhe jo si qenie njerëzore është ofenduese, qofsh burrë apo grua. Fjala prodhoi revoltë edhe ngaqë regjistrin gjuhësor e kemi ndarë sipas gjinisë ku disa fjalë mendohet t’i takojnë burrave dhe disa të tjera grave. Por fjalët na takojnë të dyja palëve dhe ne zgjedhim kur dhe si t’i përdorim ato.

Ndoshta pankarta prodhoi pikërisht reagimin e duhur duke nxitur një debat të munguar. Këtyre ditëve është folur pa pushim në median sociale dhe kudo tjetër nëse një burri i takon të lajë enët apo jo? Unë e konsideroj të frytshme një gjë të tillë edhe kur shpaloset nëpërmjet humorit. Është folur edhe për dhunën e ushtruar ndaj grave, edhe për faktin se ligji nuk funksionon. Megjithatë, ndoshta pankarta e zhvendosi vëmendjen nga dhuna dhe vrasja. Edhe kjo qëndron e nëse është kësisoji unë tërhiqem por ama pres sugjerime nga gjithsecili që mendon se ka një ide më të vyer e cila do të na vlente vërtetë. Sulmet ad hominem për tërheqje vëmendje e më the e të thashë e reduktojnë debatin kur këtu ka pafund material për t’u nxjerrë në sipërfaqe. Une besova se shkrimi i asaj pankarte do të provokonte një debat të munguar. Janë bërë shumë protesta, shumë artikuj, shumë thirrje por duket se askush nuk do t’ia dijë. Unë nuk kam ditur si t’i qasem ndryshe fenomenit: protestën, artikujt, FB, i kam parë si metoda për të folur si për traditën ashtu dhe për mosfunksionimin e sistemit ligjor. Nuk e mohoj që me raste mund të tregohem e nxituar ose të shprehem gabim, por unë po provoj të reagoj për aq sa di dhe aq sa mundem. Kushdo që mendon se protesta mund të organizohet më mirë dhe debati mund të zhvillohet më frytshëm, ka të gjithë mbështetjen time.

Please follow and like us: