Marenglen Kasmi: Historia e patreguar e robërve gjermanë të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri
Historia e robërve gjermanë të Luftës së Dytë Botërore shtrihet në një hapësirë kohore prej mëse 17 vitesh, qysh prej fillimit të luftës në shtator 1939, e deri në fillimvitin 1956, kur u riatdhesuan prej kampeve sovjetike edhe ushtarët e fundit gjermanë.
Rreth 11 milionë ushtarë gjermanë ranë robër në duart e Aleatëve gjatë luftës, pjesa më e madhe e tyre në muajt e fundit të luftës. Ushtria gjermane “mbolli” robër lufte në 20 shtete të ndryshme, rreth 3.8 milionë në SHBA, 3.7 milionë në Britaninë e Madhe dhe rreth 3.2 milionë në Bashkimin Sovjetik. Në të gjithë vendet, robërit gjermanë u përdorën në fronte të vështira punë, për të rindërtuar vendet e shkatërruara nga lufta.
Në vitet 1941-1956, robërit gjermanë kryen në gjithë këto vende rreth dy miliardë ditë pune të detyruar. Vetëm në Europën Lindore, Qendrore dhe Juglindore, robërit gjermanë kryen rreth 1,4 miliardë ditë punë, më së shumti në Bashkimin Sovjetik.
Edhe në Shqipëri, ashtu si në çdo vend tjetër ku shkeli këmba e ushtarit gjerman, u kapën robër, të cilët pas luftës u përqendruan në kampe pune të detyruar. Nëse në vendet e tjera është shkruar shumë për këtë fenomen, në Shqipëri ende nuk është kryer ndonjë studim shterues për robërit gjermanë të luftës dhe fatet e tyre. Madje, ende nuk ka një shifër të saktë të numrit të tyre. Po ashtu, mungojnë të dhënat për trajtimin e tyre, punët që ata kryen në Shqipëri gjatë viteve të burgimit si edhe për procedurat e riatdhesimit të tyre në vitin 1951. Duke bërë një krahasim të burimeve gjermane meato shqiptare, në këtë artikull do të mundohem të hedh sadopak dritë mbi këtë pjesëz të pandriçuar të historisë sonë.
***
Në një informacion të hartuar nga Arkivi Qendror i Shtetit në vitin 2000, arrihet në përfundimin e përgjithshëm se, në Shqipëri ushtria partizane ka zënë rob rreth 1523 ushtarë gjermanë. Gjithsesi, në këtë informacion theksohet nevoja e një verifikimi më të plotë, për të shmangur ndonjë përsëritje apo kryqëzim të dhënash.
Një të dhënë më të përafërt me sa më sipër jep ish-robi gjerman, Alfred Wagner, në një letër që ai i dërgon ish-ministrit bavarez Franz Josef Strauß, pasi ky i fundit vizitoi Shqipërinë në vitin 1984. Alfred Wagnerishte një nënoficer i Wehrmacht-it gjerman, i cili në vitet 1943-1944 u komandua në Shqipëri, si kryellogaritar dhe nënoficer furnizimi në batalionin e 999 të Wehrmacht-it. Në këtë batalion shërbenin ish te dënuar politikë, kundërshtarë të regjimit nacionalsocialist, ish të burgosur etj., të cilët fillimisht ishin konsideruar si të padenjë për të shërbyer nën armë. Por, me rritjen e nevojës së Gjermanisë për ushtarë, u rekrutua edhe kjo kategori në reparte të veçanta. Më 11 nëntor 1944 ai dhe katër shokë të tij u zunë rob nga partizanët gjatë tërheqjes në rrugën Librazhd-Elbasan. Wagner-iu kthyenë shtëpi më 30 qershor 1950, pas gati gjashtë vitesh të vështira robërie në Shqipëri.
Ai shkruan se, në Shqipëri kanë qenë pothuajse 1000 robër gjermanë. Sipas tij, qysh në vitet e para të robërisë, si pasojë e kushteve të këqija të jetesës dhe të punës së rëndë kishin vdekur rreth 300 robër gjermanë. Ndërsa, një grup i vogël robërish gjermanë, që ishin specialistë, trajtoheshin në mënyrë të diferencuar.
Robërit gjermanë u përdorën për të kryer punë të ndryshme. Sa e rëndësishme ishte puna që bënin robërit gjermanë për Shqipërinë e shkatërruar nga lufta e tregon fakti që, pas fillimit të negociatave për lirimin e robërve gjermanë që ndodheshin në Shqipëri, të organizuara në qershor 1950 nga Ambasada e Republikës Demokratike Gjermane në Rumani, instancat shqiptare u munduan të pengonin riatdhesimin e gati gjysmës së robërve gjermane duke ngritur akuza të paargumentuara, me qëllim shfrytëzimin e mëtejshëm të tyre, – vazhdon më tej Wagner-i.
Më 9 gusht 1951, një ish-ushtarak tjetër gjerman, Friedrich Husselbach, i cili në Janar të po këtij viti sapo ishte kthyer nga Shqipëria, bëri një raport për Qendrën e Kërkimit të Humburve në Luftë, në Kassel të Gjermanisë. Ai shkruante se, numri i robërve gjermanë të luftës në Shqipëri kishte qenë rreth 650 burra. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kishin qenë efektiv i batalionit të të dënuarve 999 të Korfuzit. Sipas tij, deri në vitin 1946, trajtimi i tyre si robër lufte ishte relativisht i mirë. Robërit lëviznin të pakufizuar. Po ashtu ata kishin ushqim të mjaftueshëm. Por, situata ndryshoi menjëherë, pas mbërritjes së misionit të parë ushtarak sovjetik në Shqipëri, në vitin 1946. Duke thënë se, robërit gjermanë do të riatdhesohen së shpejti, ata u grumbulluan në Tiranë. Uria dhe sëmundjet u bënë pjesë e pandarë e jetës së robërve gjermanë. Si pasojë, në vitet 1949-1951, vetëm 227 robër gjermanë arritën të riatdhesohen. Vetë Husselbach-u u kthye në shtëpi me transportin e fundit të organizuar në vitin 1951, me një anije sovjetike që u nis nga Durrësi, nëpërmjet Dardaneleve dhe mbërriti në Konstancë, Rumani. Prej Konstancës udhëtoi me tren në linjën Bukuresht-Budapest-Pragë-Dresden. Kësisoj, sipas Husselbach-ut, rreth 423 robër gjermanë kishin humbur jetën në Shqipëri si pasojë e sëmundjeve, urisë, punës e jetesës së vështirë.
Më 15 shtator 1948, Paul Kahlenberg, ende rob në Tiranë, dërgoi një thirrje për ndihmë në Gjermaninë Lindore. Ai njoftonte se, në Tiranë ishin 217 robër gjermanë. Njëmbëdhjetë prej tyre ishin antifashistë që kishin shërbyer në batalionin e të dënuarve 999 të Wehrmachtit. “Mos duhet që ne antifashistët të derdhim edhe për shumë vite gjak për klikën, ndërkohë që gjithë ish-nazistët janë kthyer në shtëpi”, shkruante Husselbach-u në thirrjen e tij.
Një dëshmi të plotë për robërit gjermanë jep më 25.06.1949 edhe Walter Enge nga Auerwalde i Gjermanisë Lindore, pasi ishte kthyer nga kampet shqiptare: “Si ish i dënuar politik unë u rekrutova në batalionin e të dënuarve 999. Në qershor 1944 u nisëm nga Baumholder[Gjermani – shën. im] për në Greqi – Follorinë, e prej andej në Shqipëri- Sarandë.
Më 16.11.44, gjatë tërheqjes të trupave [gjermane] nga Greqia/Shqipëria, së bashku me shokë të tjerë u dorëzuam vullnetarisht në Tiranë. Po ashtu, shumë shokë të tjerë ishin të detyruar të dorëzoheshin. Në fund të vitit 1944 (nëntor) për Shqipërinë lufta mbaroi. […] Ishim rreth 150 robër gjermanë dhe 800 robër italianë në kampin e Tiranës, te Autoreparti. Ne llogarisnim që, në gjithë Shqipërinë gjendeshin 6000-8000 italianë dhe rreth 800 robër gjermanë. […]Jetuam një javë në një barakë. Ushqimi ishte çështje dytësore. Ende vendi [Shqipëria] ishte në luftë, prandaj kjo gjë ishte e kuptueshme. Pastaj u dërguam në burgun qendror të Tiranës. Qelitë ishin aq të tejmbushura, saqë flinim ulur në çimento. Aty qëndruam 39 ditë, plot morra dhe gjysmë të uritur. 39 ditë pa një lugë gjellë të ngrohtë, pa ujë për t’u pastruar, 39 ditë pa parë dritë me sy, 39 ditë ku tre burra ndanin një bukë më pak se 0.5 kg. Për aq kohë sa unë qëndrova në kampin e robërve, vdiqën më shumë se 20% e shokëve.
Çka përmendëm më sipër, privimet nga lufta, ushqimi, malarja etj. ishin shkaqet e vdekjeve.
Më në fund pamë pak dritë në këtë errësirë. Na përfshinë në rindërtim dhe dëmet e luftës filluan të riparohen. Na dërguan në një kamp jashtë qytetit të Tiranës. Trupa të tjera filluan punën për ndërtimin e rrugëve, pastrimin e minave, punonin në bujqësi dhe u dërguan edhe gjetkë, si në Elbasan dhe Durrës. Tanimë për ne situata u përmirësua disi. Ndërtuam kapanone gjumi dhe e përshtatëm kampin për të banuar, me ujë për t’u larë etj. Ushqimi u përmirësua në mënyrë të ndjeshme. Merrnim një herë në ditë ushqim të ngrohtë dhe rreth 0.5 kg bukë (bukë të bardhë) për person. Më vonë na jepnin dy herë në ditë ushqim të ngrohtë dhe 1 kg bukë (bukë të bardhë) për person. Kur na liruan nga kampi, ushqimi ishte i mjaftueshëm dhe i mirë (mish dhe vaj në drekë). Te Autoreparti ushqimi ishte i njëjtë, si për robërit ashtu edhe partizanët. Për herë të parë shkruam letra [për në Gjermani]në janar 1945. Na lejohej të shkruanim një letër në muaj dhe ta dërgonim nëpërmjet Kryqit të Kuq. Kuptoheshim shumë mirë me rojet dhe me popullsinë, nëse nuk i kishe rënë në qafë ndokujt. Oficerët robër, si edhe shokë që evidentoheshin që kishin bërë dëme lufte, trajtoheshin në mënyrë të veçantë.
Për fat të keq, më 28.7.1946 u liruam nga kampi Tirana-Autoreparti vetëm 18 burra, ish të dënuar politikë të rekrutuar në batalionin 999. Udhëtimi ynë vazhdoi nëpër Jugosllavi, Hungari, Austri dhe Lajpzig, ku edhe u liruam. U desh shumë punë dhe vendosmëri të arrinim këtë ditë. Në këtë kamp, dmth. në Tiranë ndodhen ende 8-10 të burgosur politikë (999-ça si edhe robër nga njësi të tjera. Nuk jam në gjendje të them sa 999-ça politikë janë ende në Shqipëri. Ama një gjë e di me siguri: 999-çat e tjerë gjetkë janë liruar dhe dërguar nga Aleatët në shtëpi, ndërkohë që vetëm Shqipëria është ende në listë. […].
Në arkivat shqiptare nuk ka shumë të dhëna për robërit gjermanë të luftës. Në një raport të Drejtorisë së Policisë “Mbi gjendjen e burgjeve dhe kampeve të Republikës Popullore të Shqipërisë për muajin prill 1950”, thuhet se në kampet shqiptare janë 207 robër gjermanë. Në raport hidhet dritë edhe mbi kushtet e jetesës, gjendjen shëndetësore si edhe punët që bënin robërit gjermanë. Aty lexohet se, kushtet e jetesës dhe ato higjeno-sanitare nuk ishin të mira, nevojtoret ishin shumë afër barakave dhe nuk kishte kanalizime. Gjithsesi, pastërtia personale e robërve gjermanë paraqitej e mirë, ndërkohë që punët sanitare nuk kryheshin me rigorozitet, meqë ato duhej të bëheshin nga vetë robërit. Në këtë muaj gjendja shëndetësore e robërve gjermanë paraqitej e mirë dhe vetëm gjashtë robër kishin shfaqur probleme shëndetësore. Pas trajtimit të tyre spitalor, ata u rikthyen në kamp me shëndet të përmirësuar. Në periudhën janar-mars 1950 robërit gjermanë punonin pesë orë në ditë, ndërkohë që pasditja shfrytëzohej për punë politike. Në muajin prill 1950 ata bënë 3420 ditë pune, me një vlerë prej 228.235 lekë. Nga kjo shumë, për ushqimin e robërve u shpenzuan 12.962 lekë, ndërsa teprica “mbetet për t’u derdhur në favorin e kësaj Ministrije […]për arsye se do të likujdohen defiçitet e mujve të kaluar mbasi kanë punuar 5 orë dhe kanë dalë deficit”, shkruhet më tej në raportin e muajit prill.
Në muajin qershor 1950, numri i robërve gjermanë në kampet e robërve jepet me nëntë robër, shtatë burra dhe dy gra. Ky numër pasqyrohet edhe në statistikat e muajit korrik. Ndërsa në muajin gusht 1950, në kampet e internimit gjendeshin tetë gjermanë, gjashtë burra dhe dy gra. Në muajin shtator numri i robërve gjermanë shkon në 12, konkretisht dhjetë burra dhe dy gra. Në këtë dokumentacion nuk jepet asnjë e dhënë se çfarë kishte ndodhur me 207 robërit e tjerë.
Dita e të vdekurve – kujtime
Në qershor 1987 ish-robi gjerman Alfred Wagner bëhet anëtar i Shoqatës së Miqësisë Gjermano-Shqiptare, Hamburg. Gjatë shfletimit të literaturës së ardhur nga Shqipëria, në faqen 248 të albumit “Epopeja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e Popullit Shqiptar 1939-1944”, nën mbishkrimin “Dhe ja fundi i agresorëve”, ai shikon një foto të bërë më 2 nëntor 1946, ku ai së bashku me shokun e tij Bernhard Dziondziak është duke nxjerrë një kufomë nga një arkivol i hekurt. Kjo foto e shtyn Wagner-in, për të shkruar të vërtetën e realizimit të kësaj fotografie, duke dhënë njëherazi edhe disa të dhëna për jetën e robërve gjermanë në Shqipëri:
“Tashmë kishim kaluar dy vjet burgimi të vështirë. Kishim varrosur në dhe të huaj më shumë se një të tretën e shokëve tanë. Shumë prej tyre i kallëm në dhe lakuriq, pa asnjë teshë në trup. Rreckat që ata kishin veshur në trupat e tyre skeletikë ishin shumë të çmuara për ne të mbijetuarit. I vdekuri nuk mund t’i merrte ato me vetë nën dhe.
“Streha” jonë ishte një bodrum tiranas i ftohtë dhe gjithë ujë. Fillimisht flinim përtokë. Me kalimin e kohës, gjithsecili prej nesh kishte sjellë prej kantierit të punës ndonjë dërrasë dhe kishte sajuar një biçim krevati me to. Më pas filluan shirat. Uji derdhej shkallëve dallgë-dallgë. Edhe nga themelet hynte ujë. Brenda një kohë të shkurtër uji arrinte deri në gju. U deshën shumë ditë që të ngrinim dyshemenë me gurë dhe të dilnim mbi sipërfaqen e ujit.
Asnjë nuk mendoi në “Ditën e të Vdekurve”, kur atë mëngjes të 2 nëntorit 1946 dolëm nëpër ujë nga streha jonë. U nisëm për në punë. Rojet e përgjumur e të ngrirë nga i ftohti na vështronin nga kullat e vrojtimit pranë telave me gjemba. Javë të tëra jetuam në ujë, ku çdo gjë ishte e lagurdhe për muaj të tërë na jepnin vetëm 400 gram bukë në ditë – dhe pastaj prisnin që ne të punonim. Kush siguronte pak kripë dhe ndonjë kërcell preshi ishte një burrë për t’u pasur zili. Atë ditë kishim për të zgjeruar dhe thelluar një kanal.
Ishte një ditë si gjithë të tjerat; koha nuk ecte fare, uria të grinte dhe çdo sforcim shkaktonte marrje mendsh. Sytë shikonin me padurim lartësinë e diellit, i cili hera-herës dilte nga retë dhe më tregonte kohën. Gjysmë ore para drekës i kërkova leje rojës për të kryer nevojat personale. Mora rrugën nëpër një fushe. Duke përfituar nga rasti,gjatë ecjes mblodha disa erëza të ngrënshme. Edhe sot gjeta radhiqe, të cilat do t’i haja në darkë me bukë, pas një dite të lodhshme pune. Ndërkohë u afrua një veturë e vjetër, e ndjekur nga një kamion. Pas një pëshpëritje të shkurtër me rojën tonë, zotëria që ndodhej në makinë na nguli sytë. Shoku im me goditi lehtë, – po kërkonin burra trupmëdhenj dhe, në dukje, deri diku të fuqishëm. Ëndërrova veten në një moment sikur gjendesha në një fermë shtetërore ku kishte ushqim të mjaftueshëm. Vendosa duart e mbledhur grusht në bel, bëra para dhe pas pak e pashë veten në kamion, së bashku me 16-18 burra të tjerë. Secili prej nesh shpresonte si unë dhe nuk hoqi dorë nga ky mendim edhe pasi në kamion hipën edhe tetë policë të armatosur deri në dhëmbë. Policët nuk thanë asnjë fjalë për detyrën që duhej të kryenim. Gomat e kamionit ishin të forta, rruga edhe më mizerje, gropa-gropa. Pas rreth 18-20 km mbërritëm pranë një ure, të cilën e kishte prishur lumi. Në të dy anët e lumit ishin grumbulluar makina. Edhe fshatarët u kishin zbritur gomarëve të tyre, kishin ndezur shpejt e shpejt disa zjarre dhe të ulur në bisht diskutonin me gjallëri me njëri-tjetrin. Menjëherë na shoqëruan në anën tjetër të lumit, duke kaluar mbi një urë provizore. Hundët na i shpoi një erë e rëndë kufomash. Diçka ka ndodhur, mos duhet të ndihmojmë? Gjithë ëndrrat tona u shuan me një goditje të vetme! Një kolonë me kamionë të Wehrmacht-it plot me arkivole na priste në anën tjetër të lumit. Gjatë luftës ishte ngritur në kufirin shqiptaro-jugosllav një burg, në fakt kamp pune i Armës-SS, ku kishin vdekur qindra shqiptarë. Kufomat e tyre i kishin zhvarrosur, për t’i rivarrosur në Tiranë, poshtë një monumenti. Arkivolet ishin në gjendje shumë të keqe dhe ishin vendosur 3-4 mbi njëri-tjetrin. Shpesh ishin dy kufoma në një arkivol. Për fatin tonë të keq filloi përsëri një shi si me gjyma.
Ishte torturë. Me të drejtë. Arkivolet e rëndë mezi shkarkoheshin dhe duhej të mbaheshin në krah edhe 200-400 metër për t’u ringarkuar përsëri në kamionët e radhitur në anën tjetër të lumit. Me gjithë kujdesin e madh që treguam, arkivolet metalikë nga gërvishtën duart. Nga lëvizja, uji i shiut që ishte mbledhur brenda në arkivol, rridhte nëpër të plasurat e arkivolit dhe një lëng i verdhë me erë të qelbur na qulli nga koka te këmbët.
Rojet na grahnin të punonim sa më shpejt. Na urdhëruan që 25 arkivolet e fundit t’i vendosnim në një shesh në anë të rrugës. Çfarë kanë ndërmend të bëjnë tani? – pyesnim veten. Na u afrua një polic, i cili mbante në dorë një darë të madhe, që e huazoi te njënga shoferët e kamionëve. Përkrah komandantit të rojeve qëndronte me aparat në dorë një fotograf. Vetëm pasi na urdhëruan të hapim arkivolet e kuptuam se çfarë do të ndodhte. Kundërshtuam! Shqelmat ranë si breshër mbi trupat tanë. Me darën në dorë u afruam për të hapur arkivolet. Fotografi i qeverisë fotografonte me zell të madh. Na urdhëruan të nxjerrim kufomat nga arkivoli dhe t’i vendosim mbi lëndinë përkrah njëri-tjetrit. Tentuam edhe njëherë të kundërshtojmë. I tregonim më kot duart tona të gjakosura komandantit të rojeve, një mjeku nga Tirana! Meqenëse kundërshtuam, çdo çift të burgosurish u shoqërua nga një polic. Ndërkohë që disa policë na shtrëngonin të ecnim drejt arkivoleve duke na goditur pa mëshirë me qytat e armëve dhe grushte, pjesa tjetër na mori në shenjë dhe hoqën armët nga siguresa. Para se ndonjëri prej nesh ta paguante me kokë sepse me këta policë të veshur me uniformë blu nuk bëhej shaka, filluam të zbatojmë urdhrin. Shumë prej nesh villnin gjatë punës. Gjatë transportit, shpesh krahët dhe këmbët e dekompozuara shkëputeshin nga trupi, çka ishte një dhunim i kufomave të heronjve shqiptarë, para se të bëhej nderimi i tyre sipas vendimit të qeverisë shqiptare. Fotografi merrte pamje nga çdo kënd i mundshëm. Pasi gjithë kufomat u rreshtuan mbi lëndinë përkrah njëra-tjetrës, ne duhej të pozonim të gjithë në grup mbi kokat e kufomave. Tani ishte e qartë përse në drekë u zgjodhën shokët me trupmëdhenj. Nga fotografitë duhej të jepej mesazhi që gjermanët ishin duke kryer një masakër. Ne qëndronim me krahët dhe këmbët e kufomave në duar, ndërkohë që kufomat e shpërfytyruara dergjej nën këmbët tona. Pamja ishte mëse e realizuar.
Më në fund kameramani u “ngop me foto”. Na u dha urdhër që të fusnim përsëri nëpër arkivole mbetjet trupore të heronjve shqiptarë. Morëm frymë thellë, ndonëse era ishte e padurueshme. Të gëzuar që kjo gjë mbaroi nuk u menduam më gjatë dhe ndodhi që, në një arkivol fusnim tre ose katër këmbë, ndërkohë që në arkivolet e tjerë ato mungonin.
Gjatë kthimit retë u shkarkuan përsëri zhurmshëm. E mirëpritëm ujin e ftohtë të vrullshëm dhe mezi prisnim të na lagej çdo cep i lëkurës. Po pastroheshim!
Një nga shokët, me një zë të ulët sikur po fliste me vete mërmëriti: “Sot është Dita e të Vdekurve”. Pavarësisht zhurmës së lartë të motorëve, të gjithë e dëgjuan këtë fjali. Çdo bisedë kishte ngecur dhe të gjithë ishin zhytur në mendime të thella.
Robëria zgjati edhe katër vite të tjera. Kaluam edhe shumë herë të tjera mbi Ura-Zeze [ura mbi lumin e Zesës në Fushë Krujë – shën. im] dhe hera herës ndonjëri prej nesh thoshte: «kjo ishte dita e të vdekurve 1946»”.
***
Profesor Paskal Milo në librin e tij “Udhëkryqe shqiptaro-gjermane” shkruan se, bazuar në një raport të vitit 1947, numri maksimal i robërve gjermanë në Shqipërinë e pasluftës ishte rreth 298 gjermanë. Në fakt, siç edhe e shohim nga dokumentacioni i mësipërm, numri i robërve gjermanë në Shqipëri duhet të ketë qenë shumë herë më i madh. Sa përshkruam më sipër, del që në Tiranë kanë qenë të paktën dy kampe robërish gjermanë, një te Autoreparti [sot, diku mes Laprakës dhe kthesës së Kamzës] dhe një në Valias. Dëshmitarë gjermanë japin të dhëna edhe për transferimin e robërve në Elbasan dhe Durrës, ndonëse në vitin 1946 ishte dhënë një urdhër për grumbullimin e tyre në Tiranë. Mesa duket qeveria shqiptare nuk kishte ndonjë interes të madh për të evidentuar saktë numrin e robërve gjermanë. Kjo për disa arsye. Së pari, qeveria shqiptare ishte e interesuar të mbante sa më gjatë specialistët gjermanë si edhe krahun «falas» të punës, aq të vlefshëm për rindërtimin e vendit. Së dyti, duke mos dhënë numrin e saktë të robërve, qeveria shqiptare nuk mund të fajësohej për trajtimin dhe kushtet e vështira të jetesës të robërve, gjë që çonte në vdekjen e tyre dhe, së treti, nëse jepej një numër i lartë robërish, qeveria shqiptare duhej të llogariste edhe orët e punës të robërve, gjë që nuk i interesonte asaj gjatë negociatave për përfitimin e reparacioneve të dëmeve të luftës të shkaktuara nga Wehrmacht-i gjerman.
Nëse vlerësojmë në mënyrë racionale dokumentacionin e sipërcituar, numri i përafërt i robërve gjermanë në Shqipëri duhet të ketë qenë rreth 1000 gjermanë. Nga ana tjetër, nëse marrim të mirëqënë numrin e dhënë nga Arkivi i Shtetit Shqiptar prej 1523 robërish, mund të mendojmë që, gjatë luftës partizanët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare kanë ekzekutuar të paktën 500 robër gjermanë. Ajo që mund të themi me siguri është që, në vitet 1945-1951 u riatdhesuan jo më shumë se 300 robër gjermanë. Sipas burimeve të Lidhjes Popullore për Kujdesin e Ushtarëve Gjermanë të rënë gjatë të dy luftërave botërore me qendër në Kassel, numri i ushtarëve gjermanë të rënë në Shqipëri për gjithë periudhën 14-mujore të pushtimit është 2400 dhe jo 3600, siç edhe vetë Lidhja Popullore pretendonte deri para disa vitesh. Nga këta 1800 njihen me emra.
Ky numër i lartë i gjermanëve të vrarëve, por edhe të kapur rob nga Ushtria Nacionalçlirimtare tregon më së miri intensitetin e lartë të luftimeve kundër pushtuesve gjermanë. Nga ana tjetër, ai hedh dritë edhe mbi një aspekt të errët të luftës. Atë të mostrajtimit sipas ligjeve ndërkombëtare të robërve, si gjatë luftës ashtu edhe pas saj. Ndryshe nuk ka si të kuptohet numri kaq i lartë i robërve të vrarë gjatë luftës dhe të vdekur pas mbarimit të saj, si edhe mungesa e informacioneve të plota për robërit e luftës, e sidomos të numrit dhe emrave të tyre, ndërkohë që Kryqi i Kuq në gjithë botën kishte filluar punën për të evidentuar dhe mundësuar kthimin e robërve të luftës në shtëpitë e tyre.