Shfarosja e hebrejve të Greqisë dhe tensionet shoqërore të kohës
Më 24 tetor të vitit 1944, të nesërmen e çlirimit të qytetit të Janinës, presidenti i anëtarëve të Gjykatës së Apelit, Petros Lambrinakos, theksonte në një mesazh tepër urgjent, drejtuar gjithë autoriteteve që çmonte se funksiononin ende, rrezikun e djegies dhe të shkatërrimit të gjykatave të qytetit.
Ndërmjet shkaqeve që bënin veçanërisht të mundshëm gjer të afërt këtë zjarrvënie, vend parësor zinte fati i pasurive të hebrenjve të qytetit. Edhe pse ishte i dyshimtë fakti nëse këta të fundit do të ktheheshin ndonjëherë në Janinë nga vendet e sfilitjeve, fati i pasurive të tyre përbënte një çështje të hapur. […]
“duhet marrë në konsideratë”, shkruante Lambrinakos, “se pasuria hebraike përbën një ngasje shumë të madhe sipas të dhënave të mësipërme (marrëdhëniet e tyre me drejtësinë etj), çështjen e ndërlikuar të pasurisë hebraike pas rrëmbimit të saj, ose dhe të tentativës së rrëmbimit, sipas të dhënave të mësipërme, një numër i madh dëshirojnë…
Labrinakos theksonte edhe se lënia në ruajtje e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe e Gjykatës së Apelit vetëm në duart e një xhandari, ishte një masë krejtësisht e pamjaftueshme dhe vinte theksin gjithashtu në faktin se në rast “fatkeqësie”, asnjë përgjegjësi nuk do të rëndonte mbi të.
Në të gjithë shkresën, bëhej e qartë se anëtari fatkeq i Gjykatës së Diktimit, vërtet rrinte ulur mbi një fuçi baruti, ndërsa një numër i madh bashkëqytetarësh të tij dëshironin marrjen e pasurive të hebrenjve të qytetit.
Në muajt e parë të vitit 1944, dega e Bankës Bujqësore të Janinës, dega qendrore e bankës për të gjithë rajonin e Epirit, kishte si bazën e depozitave të saj, shumën e kapitalit prej 1.500.000.000 dhrahmish.
Kjo shumë vinte prej depozitave në Bankë, nga ana e autoriteteve gjermane të Pushtimit, si barasvlerë e shitjes së pasurive izraelite, që e kishin pikënisjen nga depozitat e shumave të Komisioneve të Çregjistrimit të pasurisë izraelite.
Krahasimisht, arkëtimet nga shitja e ushqimeve dhe furnizimeve të tjera nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, nga ana e Bankës Bujqësore të Epirit gjatë së njëjtës periudhë kohore, (janar-prill 1944), arritën vetëm deri në 631.000.000 milion dhrahmi, edhe pse bëhet fjalë për aktivitetin kryesor të Bankës Bujqësore në atë kohë.
Shitja e atyre që mbaheshin në ruajtje kishte sjellë vetëm 53 milion dhrahmi. Ia vlen të theksojmë faktin në procedurat e sigurisë së kësaj shume të madhe, duke cituar këtu dhe një promemorie të pacenuar lidhur me të i Guvernatorit (administratorit) të Përgjithshëm të Epirit, Cimbri:
“Në bazë të komunikimit të mëparshëm gojor ndërmjet përfaqësuesit të Dyqanit Gjerman, z. Beker, nëntoger i regjimentit XXII të motorizuar malor dhe z. C(Ts)imbri, Guvernatorit të Përgjithshëm të Epirit, vendosën që z. nëntoger Beker të tërheq sendet që i mungonin ushtrisë gjermane (pajisje shtëpiake si mobile etj.)
Bisedimet u zhvilluan në Komandën e Garnizonit Gjerman të Janinës.
Hyrje e përgjithshme.
Mbërritën z. Beker dhe z. Ioanis Stavros si përfaqësues i Administratës së Përgjithshme të Epirit si dhe xhandarmëria greke dhe hapën banesat dhe dyqanet e izraelitëve dhe më pas, sigurisht pasi i mbyllën ato, i dorëzuan çelësat te përfaqësuesi i Administratës së Përgjithshme të Epirit.
Ky veprim u krye me marrëveshjen e përbashkët të mësipërmve, si dhe bashkëpunimin e Policisë Ushtarake Gjermane.
Përfaqësuesi i Administratës së Përgjithshme të Epirit e njeh ndihmën e Gjermanëve për sigurimin e shumave të parave që u gjetën në dyqane të ndryshme, të cilat ai vetë i depozitoi në Bankën e Greqisë.
Për një zgjidhje më të kënaqshme të kësaj çështjeje, në lidhje me çmimet dhe pagesën, u takuan përsëri më datë 5 prill 1944, Drejtori i Përgjithshëm, z. Tsibri dhe z. Beker, nëntogeri gjerman, duke rezervuar një zgjidhje tjetër ndërmjet autoriteteve gjermane dhe atyre greke për këto çështje, dy të sipërpërmendurit në këtë marrëveshje. Se sendet e ndryshme do të çmohen me tarifa Gjermane dhe pagesat do të bëhen në monedhë gjermane sipas kursit të shkëmbimit zyrtar të sotëm të Markës Gjermane (një Markë = 27.000 Dhrahmi) në Shtetin Grek.
Nga ana e Dyqanit Gjerman u bë depozitimi i parë në Bankën Bujqësore Greke të Janinës më 4 prill 1944 e një shume prej 1.000.000.000 dhrahmish. z. Beker, falënderon ngrohtësisht Drejtorin e Përgjithshëm të Epirit për dhuratën e bukur (një Migla hebraike), të destinuar për gjeneralin, që do ta përdoret si objekt kureshtjeje në ekspozime.
(nënshkrimi – vërtetim M. Cimbris).”
Saktësia me të cilën regjistrohet pasuria e shpërndarë izraelite, në pamje të parë, të bën përshtypje. Njohim faktin, për shembull, se në racione (ushtarësh) të ODHAKPI-s , u vunë nga “pasuria izraelite”, më konkretisht, 82 e gjysmë okë fasule të zeza, 22 okë dhe 350 gramë ullinj, 6 okë uthull, 160 kuti shkrepëse ose 6 okë dhe 350 gramë gjalpë .
Përpjekja për t’u pranuar nga ana burokratike përdorimi korrekt i rezervave të dyqaneve dhe shtëpive hebraike, ishte në mënyrë të veçantë intensive dhe një sërë komisionesh morën përsipër regjistrimin, deri në ekzistencën e dhrahmisë së fundit.
E gjithë kjo ndërmarrje ishte pothuajse e çuditshme, për vetë kushtet që mbizotëronin në qytetin e Janinës në pranverën e vitit 1943.
Shërbime dhe funksionarë gjermanë kishin legalizuar, që prej shumë kohësh, – madje përpara shpërnguljes së hebrenjve – rrëmbimin e mallrave nga komuniteti hebraik, ndërsa në ditët në vijim, për sa i përket shpërnguljes së anëtarëve të komunitetit, faktorë të shoqërisë së Janinës, gjithë sa mbanin çdo lloj marrëdhënieje me autoritetet pushtuese, fituan të drejta të veçanta mbi pasuritë e braktisura .
“Këto na përkasin ne”, shkruante tregtari janinjotas Dhimitrios Dhumas në një promemorie drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Epirit, “pranoj të marr pjesë në Komisionin e Gjashtë të regjistrimit të mallrave.
Sektori ynë përfshin gjithsej 75 dyqane, shumica e të cilave janë hapur në të kaluarën nga Komisionet e mëparshme. Si na është deklaruar, ato u gjendën të zbrazura, por me më pak mallra brenda, dhe në fund ato u morën nga tregtarë të rinj, pas miratimit nga autoritetet kompetente, pa u konstatuar fakti se çfarë konkretisht përmbanin.
Për më shumë hollësi, u referohemi protokolleve përkatëse, të paraqitura prej nesh. Pas përfshirjes sime në këtë çështje, pata përshtypjen se si grumbullimi dhe gjendja e mallrave, nuk bëhet me një mënyrë të rregullt dhe të përgjegjshme, por të papërgjegjshme, dhe këto mallra të dyqaneve nuk kanë sigurinë e duhur, dhe janë të kanosura nga rreziqe të shumta ”
Bashkekzistenca e procedurave të rënda dhe asfiksuese burokratike me një situatë paralele anarkie, duket e çuditshme ose e pashpjegueshme. Praktikisht, komisione, numërime, çelësa dhe vula kërkojnë, do të thoshte dikush, të yshtin vetë faktin e çrrënjosjes së një pjese të rëndësishme të banorëve të qytetit.
Dikush madje mund të supozojë se funksionimi i kujdesshëm burokratik synonte një alibi të fortë për shumicën edhe veprimeve arbitrare dhe të paligjshme që shoqëruan shpërnguljen e komunitetit hebraik: domethënë një legalizim ceremonial.
Ky parametër nuk është e mundur të mohohet. Por, nga ana tjetër, pas tij, dallohet një parametër tjetër, ndoshta më i rëndësishëm. Bëhet fjalë për përpjekjen e dukshme për ruajtjen dhe theksimin e rregullave përpara diçkaje kaq të veçantë, në një ngjarje që përmbys kaq rregulla, politike, shoqërore dhe morale.
Kjo ndodh në Janinë, ku nuk mund të ekzistojnë alibi befasie ose injorimi. Shpërngulja e popullsisë hebraike u bë këtu në mars të vitit 1944, pasi ishin marrë masa të mëparshme analoge në zona të tjera të vendit, dhe katandisja e të shpërngulurve, edhe pse nuk ishte me saktësi e njohur, të paktën mund të përvijohej.
Oficerët gjermanë të qytetit, siguronin, mjaft kohë më parë, faktorët hebrenj dhe grekë, se romaniotët greqishtfolës të Janinës, nuk do të kishin të njëjtin fat me bashkëfetarët (të së njëjtës fe) e tyre gjuhëhuaj, që jetonin në Selanik . Ky fat ishte i përcaktueshëm, pa u dashur përkushtim i veçantë në fushën e fantazisë.
Kujdesi për ruajtjen e rregullave, por dhe mënyra e reagimit të mekanizmit shtetëror grek në këtë fakt, domethënë zgjedhja në mënyrë skenike e funksionimit korrekt burokratik, pa ekzistencën e dyshimit dhe hezitimit më të vogël në lidhje me natyrën dhe cilësinë e ngjarjeve, nuk është çështje ekskluzive e Administratës së Përgjithshme të Epirit.
Na kujton problematikën e Hekurudhave Gjermane në lidhje me faktin se kush do të huazonte shpenzimet e transportimit të hebrenjve në kampet e vdekjes. Ndërfutet domethënë në këtë mënyrë në një klimë më të përgjithshme neutraliteti dhe shpërfilljeje për sa i përket Holokaustit, në një gjendje që përshkon Evropën e Re të Boshtit dhe maskon bashkëpunimin thelbësor në ngjarje, me vjegë mjaftueshmërinë burokratike dhe funksionimin mekanik.
Në këtë fushë, praktika e makinës burokratike gjermane’ që bëri të mundur shfarosjen e miliona njerëzve nëpërmjet procedurave industriale, mund të themi se takon gjithmonë në mënyrë analoge dhe duke pasur parasysh ndryshimet cilësore dhe sasiore – praktikën e burokracisë të shtetit të pushtuar grek.
Mendoj se këtu gjendemi afër thelbit të problemit. Dhe, sikurse nuk bëhet fjalë për ndonjë jon patogjen, që shkaktoi epidemi në mekanizmat shtetërorë të Evropës, kërkimi do të kishte shumë për të përfituar nëse do të zgjerohej në fusha më të thella hulumtimi: në fushën e tensioneve shoqërore dhe në fushën analoge të ideologjisë.
Ndoshta, këtu do të na ndihmonte një vizitë e re në Selanik, jo të 1943-shit, por të 1931-it, atëherë kur rrënjët e së keqes dolën në sipërfaqe. Përballja me ngjarjet e atëhershme nga ana e shtetit grek parapërgatit, sipas mënyrës së vet, “rregullsitë” e vitit 1943 pa ekzistuar alibia e pushtimit nazist dhe e trysnive./ A.Demiraj/
Marrë me shkurtime nga “Bashkëpatriot të padëshiruar. Të dhëna mbi shkatërrimin e minoriteteve të Greqisë”, Jorgos Margaritis, Tiranë, 2009