Fiorenza rrëfen historinë: Si e njoha yllin e kombëtares
Fiorenza Lekstakaj është e fejuara e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysajt si dhe “Miss Shqipëria” e vitit 2013. Mediat italiane kanë ndjekur hap pas hapi yjet e Serisë A, në të cilën luan edhe Hysaj, duke marrë në një intervistë Fiorenzën, lidhur me jetën e saj me mbrojtësin shqiptar. Në intervistën me “tuttomercatoweb.com” ajo tregon si është jeta me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare.
Si jeni njohur me Elseidin?
Gjithçka nisi katër vite më parë, teksa Elsi ishte duke kaluar përpara shkollës sime së bashku me disa miq të përbashkët. Për të nuk ishte e vështirë të merrte numrin tim dhe të më telefononte. Brenda pak ditësh jemi takuar dhe kemi dalë bashkë.
A mund të quhet dashuri me shikim të parë?
Nuk e di nëse mund të quhet e tillë, por unë dhe Elsi jemi zbavitur tej mase së bashku. Na mjaftonte vetëm një film në kinema për t’i mbushur ditët tona me argëtim dhe të kënaqeshim me njëri-tjetrin. Në pak kohë, nuk mundeshim më të ndaheshim nga njëri-tjetri.
Çfarë ju bëri të dashuroheshit me të?
Nuk besoj se ekziston një mënyrë për ta bërë dikë të dashurohet. Mes nesh u krijua një marrëdhënie e bukur, e cila bazohej te besimi dhe respekti. Mbi baza të tilla lindi dashuria jonë, e kurorëzuar nga lindja e vogëlushit tonë, Elis.
Cila është ajo çfarë nuk duroni dot te Elseidi?
Ai është një person tepër i lëvizshëm, por kjo nuk është diçka që unë e urrej tek ai. Elsi kërkon të merret me çdo gjë dhe dashuron të gjitha sportet. Ai kërkon të shfrytëzojë çdo moment të ditës duke e bërë ditën tonë sa më pak monotone, kjo është diçka tepër pozitive dhe më bën të lumtur.
Si është Elseid Hysaj në jetën private?
Ai ka një zemër tepër të madhe dhe nuk tërhiqet kurrë nëse dikush ka nevojë për të. Edhe pse ka një punë, e cila i merr shumë kohë, ai gjithnjë ia del për t’u përkushtuar ndaj meje dhe për të qenë një baba i mrekullueshëm.
Ç’mendim keni për tatuazhet e tij?
Elseidi ka shumë tatuazhe dhe mua më pëlqejnë jashtëzakonisht. Në qafë ai mban inicialet e tij, një shkrim të madh, i cili përfundon me “mama dhe baba”, inicialet e të gjithë familjes, më pas dy futbollistë me numrat e fanellës së Kombëtares dhe Napolit, emrin tim te gishti i unazës dhe tatuazhi i ardhshëm do t’i kushtohet djalit tonë.
A keni menduar për martesën?
Një vit pasi u njohëm organizuam një festë familjare, me rastin e fejesës në Shqipëri. Sa i përket kohëve të fundit, kemi patur angazhime dhe jemi fokusuar më shumë te fëmija ynë, ndaj nuk kemi menduar për gjëra të tjera. Megjithatë, për martesën po mendohemi…
Kush gatuan në shtëpi?
Elsi dashuron ushqimin. Sa i përket gatimit, i dedikohem unë.
Cili është gatimi i tij i preferuar?
Që prej ardhjes në Napoli, është dashuruar me mocarelën. Ai ha gjithçka dhe nuk ka preferenca të veçanta.
Nëse doni t’i bëni qejfin duke gatuar, çfarë i përgatisni?
Tiramisu me çokollatë. Ai e adhuron.
Cila është gjëja që ju pëlqen më shumë nga profesioni i tij?
Ta shoh teksa hyn në fushë. Në atë moment ndiej me të vërtetë sa energji dhe pasion i kushton profesionit të tij. Emocionohem në çdo ndeshje dhe nuk mund të lodhem kurrë duke e parë. Gjithmonë më duket si ndeshja e parë që shoh prej tij.
Çfarë urreni nga profesioni i tij?
Për fat të keq,faktin që ai duhet të udhëtojë shpesh dhe të jemi në distancë. Megjithatë, nuk është problem, pasi jemi tepër të bashkuar.
Si e kaloni kohën e lirë?
Në ditët kur nuk kemi asnjë impenjim, udhëtojmë drejt Shqipërisë te të afërmit ose në Firence. Në verë preferojmë të shijojmë detin e mrekullueshëm të Napolit.
Cili është një prej gjesteve të zakonshëm të dashurisë së Elsit?
Fakti që na e kushton të gjithë kohën e lirë, është gjesti më i madh i dashurisë që mund të bëjë ndaj nesh.
Cili është urimi që i jepni për karrierën e tij?
Sigurisht që të luajë sa më shumë. Futbolli është pasioni i tij dhe të luajë, është një prej gjërave më të rëndësishme për të dhe familjen tonë, që na bën gjithnjë krenarë.
Si e thërrisni njëri-tjetrin privatisht?
Nuk përdorim nofka, por me shaka i them ndonjëherë Hysaj.
Çfarë do donit t’i thoni nëpërmjet kësaj interviste?
Ashtu sikurse para çdo takimi: Paç fat, kampion!