Albspirit

Media/News/Publishing

Minella Aleksi: Tërheqja gravitacionale e mediokritetit shqiptar

Cili president të akordoi titullin nderues “Mjeshtër i madh”?, ishte pyetja që një të njohuri të dekoruar i bëra përpara ca kohësh. Si me një ndjenjë faji në vetvete, me një zë që më shumë shprehte pendim e brengë u përgjigj: “Mos ma kujto të lutem, jemi akoma të ankoruar në ujrat e komunizmit. Më ngjallën kujtimin e shpërndarjes së distinktivave ‘aksionist i dallur’, që u bënë objekt talljeje në atë kohë”.

Në vazhdim theksuam një fakt shumë domethënës për kohën përpara viteve 90-të. Në ato vite kishim njerëz të ditur në disa fusha të jetës në nivel shkencëtarësh të cilët krahasuar me 25 vjetët e fundit përbëjnë edhe sot vlera të pa mohueshme. Dekoratat përkundrazi ishin shumë të pakta.

Në këto 27 vjetët e fundit shoqëria jonë jetoi një paradoks; duket sikur kemi mbjellë kulturë dhe profesionalizëm të nivelit shumë të lartë. Tani po korrim dekoratat si në një stinë të vjelash. Presidenti B. Nishani e zbriti respektin për institucionin në nivel qesharak. Pushteti i përmban të dy anët e medaljes: degradon institucionin që e ushtron ashtu edhe ata që me pa të drejtë, jashtë çdo kriteri meritues dekoratat i mbajnë.

Në rast se ndonjëherë do ketë një proçes serioz auditimi nuk kam dyshim se institucioni i Presidencës shqiptare me dekoratat e akorduara në seri do pasqyrojë një koefiçient korrupsioni institucional të barabartë me institucionet e sistemit të drejtësisë (gjyqtar, prokuror) apo edhe me universitetet private të falimentuara. Presidenca shqiptare ka krijuar modelin mediokër të dekorimeve si karshillëk ndaj vlerave reale kombëtare.

Në vend të “ballove presidenciale gala” që të kujtojnë filmin “Koncert në vitin 36” të organizuara nga presidenca shqiptare B. Nishani mund të bënte një akt serioz historik-kulturor të denjë për institucionin e presidentit. Me ato para të shkonte dhe të ndiqte një performancë të një artisti shqiptar si Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, etj., dhe mbas saj të shtronte një darkë ceremoniale me autoritetet e larta të vendit përkatës në nder të artistit që performoi. Kaq do ishte e mjaftueshme për të nderuar artistët e kulturën shqiptare në botë dhe institucionin që ai përfaqëson.

Kjo dëshmon se  nuk mund të ndodhë që mendjet e vogla në institucionet më të larta të shtetit të gjenerojnë evente të mëdha. Na mungon serioziteti në gjërat më serioze të jetës institucionale.

Mediokriteti është një fenomen shoqëror që vepron në të gjitha fushat e jetës. Kultura anglosaksone ka pasur dhe ka rezultate positive në kundërvënien ndaj mediokritetit. Në këto vende raporti i  njerëzve mediokër me ata që janë të talentuar quhet sindromi i lulëkuqit të lartë. Term që na vjen që nga kohët romane.

Në librin e Tito Livio mbi historinë e Romës tregohet episodi i djalit të “Tarquinio il Superbio”, mbretit të fundit të Romës, që mbas pushtimit të qytetit “Gabi” nisi një korrier te i ati. Kërkonte këshillë sesi duhej ta administronte qytetin e pushtuar. I ati mbret e mori në heshtje drejt kopshtit të dërguarin e të birit dhe me një bastun në dorë filloi t’u binte e t’i këpuste lulëkuqet që ishin rritur më lart sesa gjatësia mesatare e të tjerave. Me këtë metaforë i dërgoi të birit mesazhin se duhej të eleminonte të gjithë ata qytetarë që dinin të numëronin, ata që bënin llogaritë.

Me të drejtë filozofi John Stuart Mill 150 vjet më parë e ka karakterizuar mediokritetin si zhvillim ku: “Tendenca e përgjitëshme e shoqërisë njerëzore është ajo e kthimit të mediokritetit në fuqinë dominuese të njerëzimit”. Ky pohim përforcon konceptin që mediokriteti nuk ka as kohë as atdhe, është fenomen universal.

Historia njerëzore ka treguar që kaq e vërtetë është kjo sa edhe esenca e vet jetës njerëzore. Evolucioni si fenomen është i kënaqur me Mediokritetin. Le ta shikojmë evolucionin në dy aspekte, atë të jetës biologjike të qënieve të gjalla dhe në aspektin e zhvillimit të raporteve shoqërore. Kur njeh mjekësinë të bëhet më e qartë se, mbijetesa e më të adaptueshmit nuk përbën progres drejt përsosmërisë biologjike të qënies njerëzore ajo vetëm nënkupton se mbijeton kushdo që nuk është tepër i pa daptueshëm.

Referuar teorisë së evolucionit (mbetet teori) zhvillimi i qënieve të gjalla pësoi në një kohë të caktuar një transformim evolutiv drejt përsosjes ?? dhe arriti nivelin më të lartë të qënieve të gjalla atë të njeriut. Harmonia mrekullore e organizmit të njeriut ndryn brenda saj një sërë defektesh biologjike që në kohë të ndryshme riçfaqen e riçfaqen pambarimisht.

Ja psh. biologjikisht qënia njerëzore vazhdon që të manifestojë të njëjtat çrregullime genetike të lindura (të trashëguara) për frymë popullate me atë raport shpeshtësie si përpara mijëra vjetësh. Në qoftë se do kishte progres evolutiv biologjik për rrjedhojë do kishte ndërprerje të ciklit ripërsëritës të këtyre anomalive të cilat më pas i nënshtrohen “logjikës së papajtueshmërisë me jetën normale” nëpërmjet seleksionit natyral. Ndërprerja së paku e defekteve genetike më të shpeshta do përbënte tendencë drejt përsosmërisë evolutive.

Kur e shikon fenomenin evolucion nga aspekt tjetër, nga ai që potencialisht qëniet njerëzore duhej të ecnin drejt perfeksionit evolutiv të inteligjencës sipërore dhe të manifestonte përsosje, konsaton se në 2-3 mijë vitet e fundit në raport me numrin e popullsisë në një epokë të caktuar shpeshtësia e gjenive për frymë rezulton  i pandryshueshëm nëpër epoka të ndryshme. Në qoftë se sot hipotetikisht do të kishim mendje të ndritura për frymë popullsie 100 herë më shumë krahasuar me tre mijë vjet më parë me siguri që edhe gjëndja në të cilën ndodhet popullsia e botës do ishte shumë më cilësore si shprehje evolutive drejt përsosmërisë.

Si përfundim mbetet të pohojmë se rritja e shpejtë e numrit të popullsisë së planetit nuk ka prodhuar rritje paralele të gjenive për frymë.  D.m.th., tendenca e përgjithëshme mbetet ai mediokritet që ka egzistuar dhe që vazhdon të egzistojë. Idetë e reja që vijnë here pas here si shprehje vektoriale të “funksionit vertikal të gravitacionit” të cilat trondisin statukuotë e mendimit botëror dhe njerëzit që i mbartin e që i përcjellin ato në shoqëri janë shumë të rrallë, një herë në dhjetëra e qindra vjet.

Lëvizja shoqërore e vitit 1968 në Francë dhe në vende të tjera më pas, e cila formësoi vlerat kulturore të një gjenerate në jetën shoqërore franceze, ishte shprehje e një force shoqërore kundërvënëse ndaj tërheqjes gravitacionale të mediokritetit. E arrestuan shpirtin e kësaj lëvizjeje, Sartrin. Presidenti De Gol mbasi urdhëroi lirimin nga burgu të Sartrit u tha bashkëpunëtorëve shprehjen emblematike: “Nuk mund të arrestohet Volteri”. Një diferencë kohore 300 vjeçare nga Volteri te Sartri. Përse kaq të rrallë të iluminuarit?

Harmonia e natyrës është një mrekulli që përmban brenda saj një balancë mrekullore, të habitëshme. Popujve ua jep aq rrallë njerëzit e iluminuar, saqë duket sikur mrekullisht “ndjen” nevojat e kohës dhe u vë popujve në dispozicion udhërrëfyesit. “Sikur e di egzaktësisht”  se sa e gjatë është koha e nevojshme që popujt të kenë mundësi për të reflektuar mbi mundësitë që u ofron inteligjenca ekselente njerëzore.

Shkencëtarët nobelistë që studiojnë biologjinë e kujtesës na orientojnë drejt një shpjegimi interesant mbi këtë temë. Arsyetojnë se të ndodhur nën presionin e tërheqjes gravitacionale të mediokritetit  popujt kanë nevojë për kohën e domosdoshme, u duhen epoka dhjetëra e qindra vjet “që të familjarizohen, që të përtypin dhe të absorbojnë” përmbajtjen e vlerës shoqërore të mendimeve revolucionare.

Ndoshta këtë fenomen ka pasur parasysh biologu shkrimtar Shkëlqim Çela, fitues i konkursit letrar Kadare 2016, të cilin intuita e biologut e bën të shprehet: “Nuk e di sesa vite duhet të kalojnë, ndoshta 50 vjet e më shumë që të arrihet niveli i letërsisë së Kadaresë”.

Mediokriteti në pamje të përgjithëshme është një nocion shumë evaziv. Mediokritet mund të jetë edhe një qytet i tërë që nuk dëshiron të largohet nga topitja e kujtimeve të ndërtuara dhe të mbajtura me dinakëri prej elitave, i kënaqur për një të kaluar që në të vërtetë kurrë nuk ishte aq e lavdishme dhe zbavitëse sa të tregohet me ndjenjë krenarie.

Le të kujtojmë Tiranën ku akoma edhe sot gjen nostalgjikë të asaj jete kulturore thellësisht mediokre të para viteve 40-të. Dëshmi e këtij mediokriteti qytetar është kënaqsia për të përdorur nofkën orientale “lalë-lali” si në rastin ”lali Eri” për kryetarin e bashkisë. Sa herë i dëgjoj më sjellin para syve burrat e ulur këmbëkryq me brekushe në fotot e pazarit të vjetër të Tiranës.

Tani që Tirana ka vënë fluksin gjenerues në funksion të zgjidhjes së probleme të mëdha administrative, e theksoj të zgjidhjes së problemeve të krijuara prej shumë kohësh, tani ka filluar të manifestojë zhvillim të energjive drejt kreativitetit. Mendoj se Z. Veliaj karakterizohet nga një vazhdimësi strikte e ritmit të punëve të përditshme në Bashkinë e Tiranës.

Kjo cilësi e personalitetit të tij i shkon jashtëzakonisht shumë ritmit për të cilinTirana moderne ka sot nevojë prandaj në të kundërt të nofkës “Lali Eri” (dembelhan anadollak) do preferoja që ta quaja “Zotëria Metronom” (instrument që prodhon lëvizje strikte ritmike).

Mendoj se opinione në nivel mediokriteti u manifestuan nga disa intelektualë të Tiranës si dhe një poete shqiptaro-hollandeze me rastin e përfundimit të sheshit të ri në kryeqytet. Mu duk e pa vend keqardhja e madhe e tyre ngaqë sheshi i ri “nuk u kujtonte atë mediokritetë estetik” të sheshit ku ecnin si lumë njerëzish në vitet e rinisë.

Duke mos qënë në lartësinë e ideve të kohës për estetikën e hapësirës urbane dhe të gjelbërimit  këmbëngulnin në mënyrë  obsesive në kërkim të konensusit edhe në këtë rast.

Kam ndjekur disa mesha në kisha të ndryshme. I kam parë fytyrat e besimtarëve duke hyrë në portën e kishës me shkëlqim të syve ku lexohej shpresë nga prania në shtëpinë e Zotit, nën nxitjen e një dëshire bashkëbiseduese me njeriun e sferës shpirtërore.  Mendoj se këtë gjë nuk e konstaton te këta njerëz kur i shikon të dalin, si duket të pa plotësuar në pritshmëritë e tyre mbasi kanë dëgjuar të njëjtin “burokrat” funksionar të kënaqur me jetën kristiane mediokre.

Kjo më bën të mendoj se mediokritet kultivohet edhe në një kishë a institucion tjetër fetar ku funksionari i së cilës nuk kërkon debat inovativ që të përpiqet të shpjegojë dilemat, insinuatat dhe shantazhin që i bëhet njeriut, gëzimin e mundshëm që vjen nga zbërthimi i një të vërtete me interes të përgjithshëm, kur funksionari “Burokrat” i Kishës qëndron pas uniformës madhështore e librave të vjetër pa guximin për të marrë “rreziqe” në terenin e ideve. Papa aktual nuk lë rast pa e theksuar mediokritetin e funksionarëve të kishës.

Njeriu e kërkon suksesin dhe në këtë kërkim është në dilemat e frikës së dështimit. Qoftë në biznes, në veprimtari krijuese artistike, në administrim pushteti, në politikë, në një profesion të caktuar,etj., frika e dështimit gjeneron kërkesën për konsesnsus. Kërkimi me insistim i konsensusit nuk është si pasojë e kurajos, përkundrazi është pasojë e frikës së dështimit. Çdonjëri prej nesh është i limituar në aftësitë e tij kreative, ka një tavan kreativiteti.

Mirëpo ka një hapsirë midis tavanit tonë kreativ dhe një niveli shumë më të lartë që ne nuk e mendojmë dot e që është niveli i ekselencës, i perfeksionit. Ky nivel ekselence është një aspirim i vazhdueshëm njerëzor. Dikush ulet dhe dëgjon Moxartin, një tjetër lexon një kryevepër letrare, shikon një kryevepër të Mikelanxhelos, etj., dhe fillon të ketë një vision ëndërrues. Janë këto kryevepra kreativiteti njerëzor që e ngjisin njeriun e zakonshëm në atë nivel ekselence ku i vetëm ai nuk mund të ngjitet dot. Shoqëria dhe individi i limituar në kreativitet ka nevojën jetike të gjeniut.

Në shoqërinë njerëzore vetmia izoluese e gjenive dhe e heronjve ka qënë përherë një iluzion. Gjithmonë janë menduar mënyra, insinuata dhe kompromise dinakësh të zgjuar që kanë mundësuar sjelljen sa më ulët të këtyre “prezencave të jashtëzakonshme”, gjenive dhe heronjve, në nivelin e mediokritetit të përjetshëm.

Gjeniu dhe heroi mund të admirohet zyrtarisht, por më së shumti zilihet dhe urrehet në fshehtësi, mund të lavdërohet në publik, por gjithmonë mbahet i mënjanuar, disi i harruar dhe me kundërvënie nga institucioni dhe turma. Shpesh gjënden kleçka që të vihet në situatë përqeshëse, të trajtohet dhe skualifikuar si “ëndërrimtar”, shpifet ndaj tyre në mënyrë përsëritëse për gjëra që nuk i përkasin … është quajtur një oportunist i cili fsheh synimet e tij të vërteta dhe e presin me ankth e padurim më të voglin hap të tij gabuar për ta gozhduar atë në kufijtë e pamëshirshëm të dështimit të tij.

Tendenca e përgjithëshme shoqërore konsiston në nivelimin, në zbritjen afër një emëruesi të përbashkët, për të shmangur “unikalitetin” e tyre të jashtëzakonshëm. I çuditshëm është cinizmi i përgjithshëm që edhe pse janë shumë, shumë të rrallë në tërësinë e popullatës botërore tendenca e përgjithëshme imponuese shoqërore është që gjeniu apo krijuesi ekselent nuk duhen lejuar që të jenë të vetëm, as edhe në bashkëshoqërimin e të ngjashmëve me atë.

Paradoksalisht shoqëria njerëzore historikisht ka ndjerë nevojën cinike dhe në mënyrë mizore ka tentuar vazhdimisht që të tregojë se çfaqja e krijuesit ekselent nuk është diçka e jashtëzakonshme, insistohet me dinakëri që në idetë dhe veprën e tyre kanë ose përmbajnë “përkatësinë e pjesës” edhe të tjerët, që egzistojnë njëkohësisht me gjeniun si “Bashkëngjitjet Aderuese”. Ky raport paradoksal e ka nxitur Oskar Wilde që të thotë: “Publiku është shumë tolerant, fal gjithçka me përjashtim të gjenive”. E vërteta është se me gurët që publiku i godet, gjenitë vazhdojnë misionin, ndërtojnë rrugë të reja për njerëzit.

Në kuadër të “Bashkëngjitjeve Aderuese” studjuesit kanë vënë në dukje rastin e Mecenatit i cili u ngrit në nivelin e Virgjilit ngaqë ai, Mecenati, “i kuptonte” artet. Njëlloj si Henry Barbys që u vendos përkrah Maksim Gorkit sepse të dy “kishin aderuar” në literaturën proletare. Historia botërore njeh shumë shembuj të tillë. Pa dyshim që edhe te ne shembuj të “bashkëngjitjeve aderuese” gjënden jo me vështirësi. Intelektualët luajnë rol të rëndësishëm në emancipimin shoqëror mbasi janë më të besueshëm sesa njërëzit e politikës. Por duke qënë qënie njerëzore është e pamundur që të jenë të privuar nga e drejta për të gabuar.

Po të lexosh artikullin “Me adhurim për Ty, Petro Zheji” (P. Kabo) habitesh se si është e mundur që autori të gabojë në tejkalimin e vlerësimit për përkthyesin Zheji deri në atë masë sa nuk ke sesi të mos bësh pyetjen: Është Çabej shkencëtari të cilit brenda sistemit të studimeve akademike në fushë të gjuhësisë i referohemi apo është Zheji që është marrë me shqipen jashtë sistemit akademik dhe Çabej mbetet një studjues si shumë të tjerë?

Artikullin e tij autori e mbyll me fjalët: “Fola për Ju dhe shpëtova shpirtin tim, mësuesi im”. E çuditshme, vetëm tani që të dy janë të vdekur profesori mundi ta thotë me zë të lartë atë mendim që  deri tani shpirtin me zinxhir ia paska mbërthyer!! Thjeshtë dhe qartë autori e ka ngjitur P. Zhejin në nivelin e ekselencës. Mirëpo sfera e studjuesve seriozë nuk e vendos në këtë nivel sadoqë studjuesi Zheji e ka dashur shumë gjuhën shqipe, por kaq nuk mjafton. Të adhurosh si në këtë rast pasionin e një studjuesi për gjuhën është normale, domethënie të veçantë si ‘Bashkëngjitje aderues” merr atëhere kur adhurimi mbizotëron ndaj kritereve shkencore të studjuesit.

Në këtë kontekst bashkëngjitës krah për krah ishte dueli artificial i ushqyer nga mediokriteti burokratik zyrtar i viteve 70-80 mes poetit D. Agolli dhe shkrimtarit I. Kadare.

E njëjta metodë krahasuese përdoret duke e ngjitur studjuesin R. Qosja dhe duke e vënë përkrah me nivelin e shkrimtarit të njohur I. Kadare. Si argument sillet fakti  se të dy janë shkrimtarë edhe pse njëri është universal e tjetri lokal. Pra kemi të bëjmë me disproporcion të madh të hierarkisë së vlerave letrare. Kërkimi në mënyrë obsesive i suksesit gjeneron mediokritet kulturor.

Kur në media u shkruajt se R. Qosja ishte propozuar për president ai vet në një letër publike mes të tjerash deklaron: “Derisa pas atyre me mandate të përkohshëm politik qëndrojnë një a disa parti, pas mandatit tim të përjetshëm qëndrojnë lexuesit e djeshëm, të sotëm e të ardhshëm, qëndron populli, qëndrojnë mbi pesëdhjetë vjet veprimtari intelektuae me ndikim atdhetar, çlirimtar e demokratik dhe rreth 40 vepra shkencore, letrare e publicistike, të cilat do të jetojnë derisa të jetojë gjuha shqipe dhe populli shqiptar që e flet – domethënë gjithmonë”.

Dua të theksoj se unë si individ si shumë të tjerë e dua dhe i respektoj arritjet e punës intelektuale të Z. Qosja. Këto arritje i vlejnë kulturës shqiptare, mirëpo këto arritje nuk mund t’i barazoj verbtazi me nivelin e ekselencës. Vlera ekselente janë ato që rrezatojnë vlera universale kanë shumë ndryshim nga vlerat që mbesin në nivel lokal.

Me një fjalë thjeshtë e qartë, në pamundësi të arritjes te niveli i ekselencës Z. Qosja ka gjeneruar mediokritet vetvlerësues që e kalon çdo kriter mase. Këtë mediokritet vetvlerësues të tij e mbështesin disa intelektualë shqiptarë mbasi e gjejnë këtë mbështetje si një lubrikant shumë efektiv për të vlerësuar reciprokisht njëri tjetrin dhe me këtë mediokritet pak nga pak i rrotullohen butësisht qafës së shoqërisë duke i ngushtuar rrugën e respirimit kulturor normal. Me pak fjalë konflikti i brendshëm i individit që nuk arrin dot ekselencën spostohet në një plan të jashtëm medikriteti.

Në shkrimin me titull “Mbi dogmën, origjinën dhe trashëgiminë e realizmit socialist” shkrimtari A. Tufa arrin në fund në një konkluzion që është qartazi në funksion të qëllimit i cili konsiston në nivelimin, në zbritjen afër një emëruesi të përbashkët, për të shmangur “unikalitetin” e të vetmit shkrimtar shqiptar të jashtëzakonshëm.

Autori në studimin e tij bie dakord me mendimin e studjuesit nga Kosova, S. Hamiti e na thotë se letërsia shqipe nuk e njeh akoma fazën e saj të shkrimit realist dhe vazhdon të jetë ende nën ndikimin narkotik të modelit dhe tipologjisë socrealiste, si ndjeshmëri dhe si mentalitet artistik. Injoron kriteret shkencore kur thekson se “ne nuk mund të veçojmë dot një personazh përfaqësues ‘tipik’ nga letërsia shqipe, i cili të mund të paraqiste një tip karakterial, me të cilin të identifikoheshim sipas një imazhi etnokulturor, si në letërsitë e tjera nacionale. Pra, një letërsi që nuk ka arritur ende të formojë personazhin e saj”!.

Ky opinion që shpreh Z. Tufa është një lloj sociologjie e letërsisë që mbetet pak trashanike, ngaqë anashkalon, nuk merr vërtetë në konsideratë eksepsionet-gjenitë, ndërkohë që janë eksepsionet të cilat bëjnë artin e madh. Tradita, rrymat, shkollat, sistemet, vlejnë shumë më tepër për mediokrit dhe shkrimtarët mesatarë dhe pak ose aspak për të talentuarit dhe gjenitë. Të njëjtën gjë ka bërë studjuesi R. Qosja kohë më parë kur shprehu mendimin se në tërësi letërsia shqiptare është në nivel provincializmi mjeran. Veç të tjerave Z. Tufa në këtë rast mendoj se gabon edhe me “Uraganin e ndaluar” Migjenin me personazhet e tij unikal.

Interesant është fakti që zakonisht mediokrit nuk bëhen objekt urrejtjeje mes tyre sepse urrejtja synon gjithmonë majën, kërkon te lartësitë. Historia ka treguar se tërheqja drejt popullaritet shkon paralel me tërheqjen gravitacionale të mediokritetit. Për shembujt e përmendur më sipër shpresoj që nuk do zgjidhet si kundërargument formula e përdorur shumë shpesh se “citimet janë nxjerrë dhe interpretuar jashtë kontekstit”.

Në një botim me titull “To Albania, vvith love” (F. Tarifa) në parathënie  shkruhet: “Autori ka qenë në mënyrë të padiskutueshme më i talentuari ambasador i Shqipërisë në Uashington, më kurajozi, më efektivi, më i respektuari dhe më i ndershmi në detyrë”.

Një parathënie që mbart brenda saj një kërkim obsesiv të suksesit. Lind pyetja: çfarë e ka shtyrë autorin e parathënies që të kalojë në vlerësime folklorike subjektiviste? Kur na serviren të tilla mediokritete që etika normale i quan “intelektualitet abuziv” ndjej keqardhje edhe për faktin se lexuesi konsiderohet mendërisht i përshtatshëm, naiv për të gëlltitur një vulgaritet të tillë. Nëse ish ambasadori i zotëron virtytet e mësipërme atëhere nuk është nevoja që të rrjeshtohen në këtë mënyrë mbasi më shumë e tërheqin vëmëndjen e lexuesit drejt të kundërtës, mospasjes së atyre cilësive, drejt fallcitetit.

Ka pak kohë që në median shqiptare u përmend rasti i një mjeku shqiptar si një ndër 100 neurokirurgët më të aftët në botë. Neurokirurgu vet e pohoi këtë lajm në një intervistë. Në momentin e parë ndjeva një kënaqësi të arsyeshme krenarie, edhe si mjek edhe si shqiptar. Më pas me keqardhje arrita të kuptoj sesi qëndron e vërteta. Për hir të së vërtetës me gjithë respektin e ndjeshëm për aftësitë profesionale të neurokirurgut në fjalë dhe të kolegëve të tij më duhet të them që nuk egziston askund një klasifikim zyrtar i tillë profesional. Pa u zgjatur në detaje mjafton të lexosh intervistën me shpjegimet e vet neurokirurgut (si me kokriza rëre në gojë) për të kuptuar pavërtetësinë e këtij lajmi.

Lajm që u shoqërua gjithashtu edhe me praninë e emrit të neurokirurgut shqiptar në “Jo Lee” listë në rubrikën “neurokirurgët më të mirë të botës” ku prezantohen 16 të tillë me foto dhe një përmbledhje informuese. “Jo Lee” është një revistë voluminoze shumë funksionale që publikohet nën patronazhin e një filantropisteje kanadeze (Josephina Lea Mascioli) te fondi i së cilës njerëz të interesuar nga fusha të ndryshme të jetës dhurojnë para dhe sigurisht që si pasojë u bëhet një publikim reklamues i aktivitetit të tyre profesional.

Në CV e shkurtër të prezantuar në revistë ka edhe të pa vërteta të tjera por edhe kaq mjafton për të kuptuar që në këtë rast lavdia populiste si fenomen të tërheq drejt zbritjes në mediokritet. Ne sot flasim për praktikën mashtruese të retushimit të fotografive në diktaturë por a nuk janë e njëjta gjë që bëjmë sot me CV e veprimtarisë shkencore? Të tilla publikime kundrejt pagesave janë analoge me ato të para dy dekadash “VVho is VVho” që sot janë harruar.

Në kërkim këmbëngulës të suksesit edhe filozofi A. Fuga i cili pohon “ kam gjithë jetën që studioj Platonin”  nuk ka gjeneruar ndonjë ide mbresëlënëse që ndihmon në ngjitjen e njerëzve të zakonshëm në hapësirën më të sipërme të mendimit intelektual. Madje jo rrallë duke dashur që të bëhet i kuptueshëm edhe për lexuesin më të pa latuar e kalon kuptueshmërinë në kufijtë e vulgaritetit ashtu si tipikisht ndodh me populistët modern. Edhe në rastin e tanishëm të “Reformimit të Akademisë” preokupimi i tij edhe pse i drejtë humbet shumë forcë efikasiteti për shkak të mediokritetit populist të tij.

Lexojmë për fitues konkursesh letrare por nëse humbet në një konkurim, gjithmonë është faji i të tjerëve mbasi pjesëtarët e jurisë janë të korruptuar dhe fituesit janë rekomanduar.

Nën një këndvështrim të tillë mediokër e trajtoi një poete në Tiranë (M. Ahmeti) rastin e mos suksesit të dorëshkrimit të saj në konkursin letrar “Çmimi Kadare” të UET-së pak kohë më parë. Proçesi arsyetues i saj ishte në nivel banal. Shumë i papritur nga një krijuese që e vendos veten në një status krijuesi ndër më të rëndësishmit në Tiranë. Nuk arrij të kuptoj se përse kjo poete futet në një garë kur ka një opinion paragjykues për jurinë? Përse në heshtje nuk refuzon pjesëmarrjen në këtë event të paragjykuar prej saj? Apo po doli ‘djalë’ juria ka menduar drejtë dhe e kundërta, sharje banale e argumenta denigruese. Ka qënë dhe do të jetë gjithnjë shumë e vështirë të ndërveprosh me një person të pushtuar nga cmira, sepse vëmendja e tij nuk do të vendoset në aspektet propozuese përparuese që dikush që zotëron një kapacitet ekselent mund të sugjerojë.

Dëgjojmë shpesh që shumë autorë ankohen lidhur me fatin e pa fat të librave të tyre që ata vet i konsiderojnë në publik si krijime artistike të nivelit të lartë. Me këtë rast mendoj se është me vend që lidhur me famën e librave të rinj të perifrazoj fituesin e Nobelit të parë në letërsi, Prudhome: “Një krijim letrar mund të vijë nga një autor që tërheq seriozisht vëmendjjen e lexuesve, nga një tjetër që konsiderohet i lehtë, sipërfaqësor si dhe nga një i tretë që është i pa aftë. Këta libra mund të gjykohen nga një i pa aftë, nga një mesatar dhe së fundi nga një vlerësues serioz. Nëse i kombinojmë dy e nga dy këta karaktere të ndryshëm do të kemi mundësi që të vlerësojmë mundësinë e famës apo të suksesit të një libri.

Sa më shumë fuqi depërtuese mediokriteti e konformizmi aq më larg do të jetë suksesi nga ai qe e meriton atë me të vërtetë. Fuqia e mediokritetit mat egzaktësisht distancën që ndan talentin nga suksesi.

Mediokriteti është komunitet konfuz sa edhe vet anëtarët e këtij ambjenti e refuzojnë atë status; janë kaq mizor në këmbënguljen e tyre sa që arrijnë që tu imponohen individëve të suksesshëm të cilët nga ana e tyre jo rrallë ua aprovojnë pjesën mediokre të fallcifikuar e ua çertifikojnë si sukses, duke arritur që ti strehojnë mediokrit brenda suksesit. Ilustrimi më i mirë janë moderatorët e analistët televizivë, shprehje kuptimplote e marrjes të fuqisë në median shqiptare nga mediokriteti dhe e instalimit të regjimit të Mediokracisë.

“Mediokracia” mban titullin libri më i fundit i autorit kanadez Alain Deneault i cili shkruan: “Nuk ka të krahasuar me marrjen e Bastijës, me djegien e Raishtagut, as me të shtënat e kryqëzorit Aurora sulmi që prej kohësh zhvillohet dhe ka arritur suksesin, mediokrit kanë marrë pushtetin, autoritetin e dominimit. Shembujt i kemi përditë para syve tanë. Si ia kanë arritur? Tek e fundit, si kemi arritur në këtë pikë”?.

Përse i përmenda shembujt më sipër? I ndjek me interes opinionet  intelektuale që tek e fundit te emrat e mësipërm gjejnë atë që e quajmë elitë kulturore. Mendoj se në një konsideratë të përgjithëshme përbëjnë personalitete kulturore e profesionale të rëndësishëm të cilët ushtrojnë edhe mësim dhënie universitare krahas pranisë së shpeshtë në media. Mendoj se në pauza vetkënaqsie suksesi ata ushqejnë vetbesimin i cili i siguron se disponojnë hambar diturish të mjaftueshme për të mos rënë në mediokritet. Ky është momenti kur forca tërheqëse e mediokriteit i ul në nivelin e arsyetimit populist, larg të qënurit mendim elitar. Ndonjë mund të thotë që të tillë shembuj për individët e përmendur nuk mund të peshojnë aq sa të përbëjnë mediokritet për tu marrë në konsideratë.

Sepse tek e fundit ata kanë libra të botuar 20-30-50 e më shumë dhe në të gjithë këtë sasi botimesh citimet e mësipërme janë si një kovë ujë në det. Unë mendoj se citimet e mësipërme përbëjnë deduksione dhe koncepte të autorëve e profesionistëve përkatës të cilat shprehin një logjikë konceptuale me përmbajtje që, nën forcën gravitacionale të medikritetit e kthen këtë mediokritet në virtut. Këto konceptime të gabuara të autorëve të mësipërm janë si ata flamurët sinjalizues që nuk mund ti anashkalosh në një fushë të minuar. Mediokriteti në nivel akademik transmetohet në kategoritë e tjera shoqërore si valët e ujit që përhapen kur hedh një gurë në ujë.

Sigurisht përderisa kryejnë punë padashur edhe mund të gabojnë, por në rast se tolerohen sidomos në gabimet e bëra me vetëdije atëhere egziston e keqja e madhe se ato mediokritete e të pa vërteta transmetohen te studentët të cilët ushqehen kulturalisht me deformime konceptuale. Mos tolerimi i mediokritetit intelektual na ndihmon ne të tjerët që të rritemi dhe të kuptojmë më mirë mendimin e ekselencës. Mendimtarët thonë se kultura ndryshe nga drogat e tjera është e vetmja drogë që krijon pavarësinë e mendimit. Dhe si përfundim mendimi kritik është i vetmi antidot i mediokritetit.

Please follow and like us: