Albspirit

Media/News/Publishing

Spiro Saqellari: Libri im për autizmin

Kohë më parë, kur ky libër më endej ende në kokë si mjegull, akoma pa konture, me disa ide të vagullta dhe dyshimin se a do t’ia dilja dot mbanë një pune të tillë, rasti e solli që të takoja një student të vitit të tretë të psikologjisë. Duke folur për gjëra “zanati” më habiti shumë, kur midis të tjerash, më tha se me sa kishte dëgjuar vetëm një njeri ishte “shëruar” nga autizmi!

E vazhdova bisedën duke i thënë se njihja shumë raste, ndër këta besoja se disa i njihte edhe ajo. Nuk ishte habi ajo çfarë pashë në sytë e saj kur përmenda që autikë në fëmijërinë e tyre ishin edhe Anjshtajni, Bethoveni, Njutoni, Edisoni i dritës, Van Gogu e të tjerë, por mosbesim. Ka edhe të tjerë, ca i njeh e shumicën jo, i thashë duke i dhënë dorën. Desha t’i flisja edhe për një portrier të dëgjuar të kombëtares franceze, kampion bote, i famshëm për tullën e tij të këndshme, por mendova nëse e njihte apo jo.

Biseda me psikologen e ardhshme e të pafajshme, por me pedagogë për të qarë hallin, të paktën për çfarë u kishin mësuar për autizmin, ma përforcoi idenë se një libër për këtë çështje duhej shkruar patjetër. Ndaj, dashur pa dashur, këtë libër ia kushtoj asaj dhe gjithë kolegëve të saj; gjithsesi edhe me një sugjerim të vogël: te ne psikolog bëhesh sa hap e mbyll sytë, por i tillë është shumë e vështirë të jesh.

Ky libër, si i pari në llojin e tij në shqip, do të ketë nevojë për plotësime dhe qartësime të mëtejshme, pasi studimet në këtë fushë ziejnë kudo. Shpresoj që ato t’i bëjë studentja në fjalë, së bashku me kolegët e saj, atëherë kur do të jetë vërtet psikologe me eksperiencë e me një “barrë” mend.

Rastin e mësipërm e solla edhe për të treguar gjithashtu se autizmi ende ka një vello misterioze, jo vetëm për njerëzit në përgjithësi, por edhe për ata që e kanë për detyrë të dinë diçka më shumë se kaq për të; pse jo, edhe për ne që merremi çdo ditë me të, përfshi këtu edhe mjekët, ata më larg apo ata më afër tij, sidomos pediatrit, të cilëve u mbetet shumë për të bërë për të “hequr” nga qafa stetoskopin më të voglin të njeriut. Shëndeti i tij në këtë periudhë rrezikohet në shumë mendje. Ndaj reagimet, psh kur ndjek me sy mëmën, ju që nuk iu njeh apo ju ka parë rrallë, ai kthehet dhe si nga nëna kur ajo i flet a e përkëdhel, si e vështron atë me objekte të tjera, a shpreh gjë me gjeste, sy e trup, a kanë apo marrin kuptim ankesat, llomotitjet etj., duhet të jenë objekti i vizitave, vlerësimeve dhe bisedave me nënat. (Psikopediatri francez Rufo thekson se …në konsultat pediatrike, 96% të saj duhet ta zërë vizita dhe vlerësimi psikomotor e afektiv i foshnjës dhe vetëm 4 % ajo e zhvillimit fizik…).

Do të ishin fillimet e viteve ’90-të, kur dy kolegët e mi të mirë më këshilluan dhe kërkuan me dashamirësi mendime për fëmijë të veçantë autikë. Por atëherë ishte koha kur lokopedinë e shikoja pak ngushtë, vetëm shqiptim, të kuptuar dhe të shprehur. Dalëngadalë kur m’u hapën sytë dhe pashë përtej tyre komunikimin, “babanë” e të folurit, u rrit edhe ndjeshmëria ime ndaj këtyre fëmijëve.

Afërsisht 20 vite pranë fëmijëve me problem s’janë as pak e as shumë, por të mjaftueshëm për t’i lejuar vetes të thuash diçka për ta. E unë në librat e mi këtë jam munduar të bëj: gjithçka që ata vetë më kanë mësuar, prindërit e vet, literatura, kolegët e mrekullueshëm, jam munduar ta vë në shërbim të tyre…

Please follow and like us: