Athina i kërkon Brukselit veto kundër Shqipërisë
Kursi i përplasjeve mes Tiranës dhe Athinës i është përcjellë zyrtarisht BE-së si një çështje që karakterizon axhendën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen edhe me problemet me Maqedoninë apo Turqinë.
Politika greke është në sinkron dhe ka shprehur publikisht qëndrimet mbi pasojat e perspektivës europiane të Shqipërisë për shkak të problemeve me mosrespektimin e të drejtave të minoritetit grek.
Mesazhet kanë qenë të qarta dhe janë përforcuar pas tensioneve më të fundit në Himarë ku Këshilli Bashkiak i Himarës miratoi mes kundërshtive të një grupi banorësh për planin e ri urbanistik. Dy ditë më parë ishte Presidenti grek Pavlopulos që në darkën me Presidentin francez Emanuel Macron lëshoi një mesazh të qartë për Tiranën dhe Shkupin se me qëndrimet irredentiste dhe shkeljen e të drejtave të minoritetit dëmtojnë rrugën e tyre europiane.
Dhe me gjasë Greqia do të ketë mbështetjen e Francës në këtë drejtim, pas dy vendet i lidhin interesa të forta në fushën e naftës dhe atë të Mbrojtjes. Edhe në planin diplomatik qeveria greke është aktive dhe këtu nuk ka peshë fakti nëse në pushtet është e majta radikale e Siryza-s, e udhëhequr nga Aleksis Cipras i cili duhet thënë se në 4 vitet e qeverisjes Rama nuk vizitoi asnjëherë Shqipërinë.
Një ditë më parë në samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias u bëri të njohur homologëve europianë “veton” greke ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë për shkak të problemeve me respektimin e të drejtave të pronësisë për pakicën greke. Duke folur me gazetarët pas mbylljes së samitit, ministri i jashtëm grek “tregoi” planet e qeverisë shqiptare për uzurpimin e pronave që i përkasin pakices greke në Himarë.
“Unë theksoi se çështjet e të drejtave të njeriut nuk duhet të përdoren në mënyrë selektive dhe paraqita një sërë shembuj sesi është abuzuar. “Në kontekstin e pranisë sonë këtu, unë gjithashtu pata diskutime me një numër të Ministrave dhe Komisionerëve, ku e kam bërë shumë të qartë kushtet që duhet të plotësojnë disa prej këtyre vendeve kandidate për të filluar negociatat e anëtarësimit”.- theksoi Kotzias. /Respublica/